Durrësi pranveror rrinë i mbrojtur nga mitet, shtresëzimet historike e qytetërimi me kate

Kultura

Durrësi pranveror rrinë i mbrojtur nga mitet, shtresëzimet historike e qytetërimi me kate

Nga: Andi Bica Më: 29 maj 2020 Në ora: 12:50
Pamje nga videoja

Vërtet tërmeti i shkaktuar nga Absoluti apo gabimi njerëzor, mbetet për tu rishikuar në njërën anë, kurse në anën tjetër tre muajt e mbylljes së karantinës së korona virusit, ishin një shtendosje e balsam ndaj dridhjeve të mëparshme të tokës.

Nëse dikur në antikitet, porti ishte Dyrrahu, plazhi përfaqësohej nga Epidamnusi. Bijtë e Poseidonit ose Rodonit ilir , hyjnisë së detit , këtë vit na ofruan një pamje befasuese.

Ecejaket në shëtitoren "Iliria" duke parë lirshmërinë e banorëve të etur për jetë të sugjestionojnë.

Nga Marsi në Maj, plazhi me ranën e bardhë të Durrësit, ishte oazi shërues për vizitorët, banorët qëndrestar kryesisht malsorë e shqiptarë të Kosovës si edhe të izoluarit e karantinës nga Turqia, Italia e Belgjika në hotelet e shtrenjta mikpritës.

Edhe Ibrahim Kodra s'do ta kishte pikturuar më kaq shprehës në forma parake, peisazhin pranveror të valëve të bardha , reve gri e njerëzve energjikë në ecje të përhershme buzë Adriatikut.

Orfeut nga Mozaikët në kodrën e Arapajt dhe poshtë pallateve durrsake të qytetit s 'do i dhembte koka më shumë se duke parë sfilatën e lirë të njerëzve në plazh me të mbyllurit e tensionuar brenda shtëpive, pas shembjes kataklizmike të disa ndërtesave në kënetë e rrotull amfiteatrit antik.

Herkuli brenda muzeut arkeologjik tek vazot ilire , do dridhej si nga prekja me një kabëll trefazorsh , në zotërimin e pasioneve të tij , për ngjarjet e fundit , teksa shtrengonte bindshëm Cerberin, qenin trekokësh të portës së Ferrit. Pastaj, si tregon studjuesi Ali Laho do ta hidhte me tërbim në det Anteun e mbytyr përfundimisht me krahët e pathyeshëm në kapërcyellin e 12 bëmave të tij.

Njerëzit buzë detit vlerësuan këto tre muaj, se patën fatin të qëndronin pranë ajrit të shëndetshëm me jod, pranë mbretit si thuhet në shprehjen shqiptare , e të vlerësonin trashëgiminë e një mjekësie modeste por parandaluese me vaksinën mbrojtëse të tuberkulozit para viteve '90.

Aroma e jodit , imuniteti i fëmijërisë me shenjat e rrathëve të vaksinave në krahë së toku me lirinë psikologjike , bëri që të shëtitin mbi truallin ranor të Mbretëreshë Teutës , Mbretit Monun e Agron , shenjtorëve si Shën Pali e Jan Kukuzeli me një qetësi të natyrshme larg propagandës për tejkalime planesh botërore , kryefrikërash të bërtitura nga bunkerët post modernë.

Dikush në hije , u pasurua këto muaj karantine , më shpejt se mund ta kishte ëndërruar ndonjëherë në tridhjetë vjet dalje nga shkretëtira komuniste . Pavarësisht meritave e gjoksrënies së vijueshme mediatike , reklamës së shkelmave mbi kokë në bulevard , varfërimi material i bashkombasve po ekuilibrohet me humanizmin për njëri tjetrin , dhembshurinë për familjarët e vëmendjen tek bashkudhëtarët.

Shtatorja e Poseidonit , mbrojtësi mitik i qytetit , në sheshin e rezistencës simbolike ndaj nazifashizmit te Vollga , e realizuar hijshëm në materiale të përziera nga skulptorët e familjes Xhixha , mbi katër kuajt e pushtetit duket sikur i shkel syrin kalimtarëve , duke i lajmëtuar të kenë kujdes , sepse cfurku pritet të dridhet edhe një herë në shtator. E deri atëherë , "të fala nga vala" , akoma keni shumë për të parë!

Por veprat e rëndësishme, lindin në kohën e vështirësive të thekshme, ndaj edhe Durrësit të bukur i falemi për lirinë e shtrirjes së hapave dhe lartësimin shpirtëror që na dhuroi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat