Pseudonimet si ruajtëse të autorit dhe të veprës së tij

Kultura

Pseudonimet si ruajtëse të autorit dhe të veprës së tij

Nga: Sinan Gashi Më: 1 qershor 2020 Në ora: 19:19
Ilustrim

Duke mos i marrë si të rëndësishme disa gjëra të imëta në dukje të jetë - krijimtarisë së shkrimtarëve, shpesh kemi injoruar atë që mban në vete një vërtetësi dhe madje një domosdos- mëri për njohje dhe shpjegi m të veprës së atij.

Kështu, pseudonimet, ose emra letrarë, siç quhen përgjithësisht, janë krijuar nga hershmëria te krijuesit, që mendojmë se kanë në vetë një histori, e cila shpjegon diçka të domosdoshme për subjektin krijues dhe raportin e tij me krijimin e vet. Pseudonimet, pra, vihen ndonjëherë si arsye e dashurisë, e atdhedashurisë, e frikës, e modestisë, e modës, e krenarisë, e dyshimit të autorit.

Këso radhe po e elaborojmë vetëm njërën nga këto arsye të firmosjes me pseudonime nga krijuesit letrarë, atë të frikës, ngase shkrimtarët kanë një botë specifike, e cila vazhdimisht lakmon në atë që ende nuk është parë, pra realitet i mëveshur me fantazi. Kjo edhe krijon pakënaqësinë me aktualitetin dhe pastaj pasojat ndaj asaj. Kjo i afrohet bindshëm mendimit të studiuesit meksikan Karlos Funetos, se në çdo shoqëri dhe në çdo ideologji, shkrimtari është njeri jasht ligjit. Ai kështu është i pakënaquri dhe i mospajtuari i gjithmonshëm.

Frika nga politika, pushteti, përkatësisht nga ideologjia, ishte e pranishme për një kohë të gjatë, dhe madje mjaft krijues kishin pësuar si personalitete, duke u ndjekur, persekutuar ose edhe burgosur deri në dënime me vdekje, vetëm për shkak të fjalës së shkruar, përkatësisht mendimit të thënë siç e mendon mendja e akëcilit. Kështu, në veçanti, një gjysmë shekulli i shkuar la shembuj tepër tragjik të kësaj natyre, kur me qindra intelektualë, ndër të cilët shumica shkrimtarë, përjetuan dhunën e natyrave më bizare deri në asgjësim. Andaj, jo të gjithë nga këta krijues, vunë emra të dytë, emra letrarë, për t’u fsheh nga syri i ciklopit shtetëror, në mënyrë që të shpëtojnë ata si qenie njerëzore, e, ç’është më e rëndësishmja, krijimi i tyre, që u barazohej me idealin, arsyen e ardhjes në këtë jetë.

Kjo, do thoshim, vlen për krijuesit e përkushtuar.

Disa nga shkrimtarët, pra, krijuan emra të dytë, të tretë, të katërt e deri te i njëzeteshtati, vetëm që askush mos t’u bie në fije identitetin zyrtar sa për t’i ndaluar si qytetar dhe si krijues, pra në mënyrë që mendimi të thuhet e ata t’i shpëtojnë dënimit, kurse veprat e tyre asgjësimit ose anatemimit.

Do materializuar këto mendime të posathëna, në mënyrë që të bëhet më e kapshme objektivi i kësaj parashtrese.

Vepra e parë që mua më ka intriguar vite më parë në këtë drejtim, është ‘T’nnollunat e Shcypniis’, autor i së cilës ishte prei gni Geget qi don vennin e vet. Kjo vepër e kishte të trilluar madje edhe vendbotimin, Skenderie, e mbase edhe vitin e botimit, 1898. Kjo në të vërtetë ishte një libër histori shqiptare modeste e shtypur në Vjenë të Austrisë. Kjo fshehje edhe për emrin e autorit sa edhe për vendbotim, ishte bërë ngase nuk e duronte shqiptarësinë shkrimore - dokumentare pushteti aktual në Shqipëri. Fare vonë, kur kaloi rreziku, u muar vesh se autor ishte shkodrani Stefan Curani, i njohur edhe si Tefë Curani, që kishte studiuar ekonominë në Vjenë, kurse veprën e kishte hartuar i shtyrë prej dëshirës që ta orientoi drejtë popullin e vet që kishte humbur kahen e identitetit.

Pra këtu, vetëm përmes një emri - pseudonimi, mësohet për shumëçka si nga fati i shkruesit, si nga rrethanat politiko-historike të një popullate të tërë.

Edhe Naim e Sami Frashëri, dy krijuesit dhe eruditët shqiptarë, fillimisht veprat e plota i botuan në Rumani, herë me iniciale – sigla N.H.F. ose S.H.F., e herë edhe pa autor ose me tre yllëza, sa kishte rrezik edhe të humbet përjetë autori, vetëm që ata mos të rrezikoheshin nga pushteti otoman, ku shërbenin, sa edhe vepra e tyre të mos ndalohej për shkak të tyre, pra ta marrin udhën e atdheut dhe ta kryejnë misionin e paracaktuar. Duhet të përmenden veprat madhore ‘Istori e Skënderbeut’ e Naim Frashërit që së pari qe botuar pa autor, ashtu si dhe vepra e Sami Frashërit ‘Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet’. Përndryshe Naimi kishte firmos edhe me siglën D. dhe me pseudonimin Bir’ i Shqipërisë, për vjershën ‘Nga na dolli shqipëtari’ që u botua në gazetën ‘Iris’ në Bukuresht, më 1884.

Dihet madje fati i krijimeve letrare të Millosh Gjergj Nikollës, i cili vetëm si Migjen kishte mund t’a bëjë publike krijimtarinë letrare, sepse për politikën shtetërore të kohës mendimet e tij ishin jo të dëshirueshme, ngase mendohej se nxitnin revoltat për padrejtësitë sociale të kohës.

Por, nuk është vetëm ky. Madje, në vitet ’30 kishte më së shumti krijime letrare, si në prozë si në poezi, që botoheshin në të përkohshmet e shumta, në mos edhe vëllime të tëra, me pseudonime, si dhe më vonë, duke heq dorë, jo pa dhimbje, nga autorësia, vetëm që krijimi të mund të komunikojë me lexuesit, përkatësisht që t’i zgjatej jeta e veprës.

Është mirë të përmenden emrat e Musine Kokalarit që firmoste me Muza,; Nexhat Hakiut si Ali Dëralla; Lazër Radi - Lazaredi, Malësori, Ushtima e Sharit etj.; Astrit Delvina që la eshtrat burgjeve, firmoste me Astor, Hallë Remja, Zoti Koçija, Lek Copa etj.; Arshi Pipa - Ars e Surgens dhe Homo; Nonda Bulka: Chri – Chri; Thoma Frashëri -Tom Furioso; Dom Mark Dushi - Alphes, Shapi; Gjikë Kuqali - Amicus Litterarum, Dajti etj.; Mustafa Greblleshi - Lini i Cakës, Grëb e Saj, Memli Mano etj.; Mark Gurakuqi - Arbnori, Ma – Gu; Xhemal Broja - Beatus, Plaku dhe Bromi; Pashko Gjeçi - Pa Gje, Pax dhe Surgens; Tahir Dizdari - Bishtiqindija, Tadis, Hjekakeqi etj.; Atë Danjel Gjeçaj - Pal Duka -Gjini etj.; Marin Sirdani – Clementinus; Mustafa Kruja njihej si Asim Xhenan ose edhe Shpend Bardhi; Vinçens Prennushi - Epri, Vallja popullore etj.; Sejfulla Malëshova – Arbana, Laze Kaleshi, Trebeshina, Lame Kodra etj.; Tahir Kolgjini – Lok Limthi; Vasfi Samim Visoka – Mimoza, Agim Shkëndija, etj., si dhe një dyzinë të tjerësh.

Pos në Shqipëri, edhe në Kosovë, pseudonimet si kushtëzim i frikës pushtetore - ideologjike, u manifestuan gjatë atij gjysmë shekulli socialist jugosllav, kur për hir të krijuesit e pësonte edhe vepra, ose në raste për hirë të veprës e pësonte autori i saj.

Për ta konkretizuar mendimin edhe kësaj radhe, do përmendim emra autorësh dhe pseudonimet e tyre, që janë bërë të njohur vetëm kur ata i kanë deklaruar vetë, pas zhdukjes së lubisë ideologjike.

Një poet që nisi krijimtarinë në vitet ’30 dhe i vazhdoi deri në vdekje (pushkatim më 1945), Emrush Myftari, i firmoste ato krijime letrare poetike me pseudonimet Emrush Rugova, Qytelija e Kosovës dhe Dyç Muslia; pastaj poeti Esat Mekuli shkrimet poetike një kohë i fshehu pas emrave Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha; poeti e shkencëtari Mark Krasniqi, gjatë viteve ’40, kishte botuar me emrin Dushk Dukagjini.

Mureza (Xajë) Nura nga Gjakova, një intelektual e krijues që përjetoi edhe vite burgu për bindjet e tij politike, disa poezi i kishte botuar në të përkohshmet shqipe në Kosovë, me emër të së shoqet, Ganimete Nura.

Poeti Zeqir Gërvalla, që tashti jeton në Kanada, poashtu kishte firmos me pseudonime të shumta, sa për një punim kishte mbase vetëm një pseudonim, që për konkretësi do i përmendim disa, si: pseuginimin Hanemshahe Bajrami (emri i bashkëshortes), Zeqir Gurra, Lalush Shijaku, Sokol Llapi, etj.

Janë pastaj një numër studentësh të kohës, që në organin e tyre ‘Bota e Re’, duke u fshehur pas emrave të rrejshëm – pseudo- nimeve, donin ta thoshin mendimin që i mbyste në brendi, për padrejtësitë shqiptare që u bëheshin në këto vise të Kosovës, edhe pse ende ata nuk kishin biografi të dyshimtë te sigurimi shtetëror, si të ri që ishin.

Pra, vënia e një pseudonimi, nuk qenka thjeshtë një emër tjetër ose dëshirë e autorit, por mbaka në vete shumë gjëra që pastaj kanë shpjegimin e tyre, në mos të shpijnë te cytja për shpjegim, si diçka e natyrës politike, ideologjike, etatiste, emocionale, sociale, psikologjike etj.

Duke e vënë në spikamë këso radhe vetëm pseudonimet, si ‘jashtësi’ të krijuesit, për ta njohur drejt dhe bindshëm një autor, në veçanti ata të shekullit të XX, duhet studiuar edhe disa të quajtura imtësi, që shpjegojnë dhe plotësojnë gjykimin dhe vlerësimin tonë.

Studiuesit e popujve tjerë veç e kanë mbaruar këtë mënyrë studimi, si për kaligrafinë e veprës, kur ajo bëhej me dorë, që edhe ajo rrëfen diçka, si edhe për ngjyrën e shkrimit të përdorur, vendin e shkrimit, kohën, e tjerë.

Le të shpresohet se edhe na do ta kompletojmë këtë njohuri – vlerësimin për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat