Mendime për njeriun dhe studiuesin punëtor, Nue Oroshi

Kultura

Mendime për njeriun dhe studiuesin punëtor, Nue Oroshi

Nga: Dr. Ermelinda Kashah Më: 8 qershor 2020 Në ora: 19:44
Kopertina e librit

Në letërsinë dhe kulturën mbarë shqiptare, jo pak spikasin autorë, studiues, me vepra të përfunduara dhe cilësore, ku në varësi të ndjeshmërisë estetiko-morale, meritojnë të vlerësohen, të studiojnë për të krijuar një përfytyrim më racional të të gjitha vlerave bashkëkohore. E kështu, krejt papritur sot, unë gjendem përballë një libri interesant të një studiuesi që jo pak ka kontribuar në mbarë trojet shqiptare për të risjellë, për të na përmendur ato vlera që dikur ishin harruar.I them studiues, dhe nuk i them mik, sepse unë nuk kam miq kur vlerësoj një libër, nëse nuk bindem se a është e nivelit tim shkencor, sigurisht për mua kërkon një llogaritje me ekuacion të fortë.Ju e dini të nderuar lexues, që, sapo keni hapur faqet e para të këtij libri, se sa i njohur është studiuesi Nue Oroshi ne hapësirën mbarëkulturore shqiptare, ku përmes një përvoje të gjatë ai sjell në ditët tona, të mira apo të vështira, qofshin ato, përvojën e gjatë si kryetar i shoqatës “Trojet e Arbrit”.Aktualisht studiuesi jeton në Gjermani, ku kontributin dhe vështirësitë i ka dyfish, pasi dihet sesa e vështirë është të njohësh temat dhe motivet jetësore, adhurimin dhe respektin për gjuhën e bukur shqipe, metodikën e veçantë të përpilimit të tekstit në përgjithësi. Po çfarë më bëri përshtypje sa e shfletova materialin kur ende ishte në dorëshkrim ? Më bëri përshtypje titulli “SHQIPËRIA ETNIKE ËSHTË NJË REALITET E JO ËNDËRR ROMANTIKE”Interesant.

Pjesët e librit bashkë me titujt të bëjnë përshtypje. Duket se një brengë njerëzore e ka munduar studiuesin në fjalë. Duke qënë se unë jetoj në Gjirokastër, e kam pak problem çështjen e dialektit, mirëpo këtu kuptova komunikimin e fuqishëm që studiuesi ka me gjuhën, përdorimi me vend i shprehjeve të pasura figurative, i formave që kanë provuar gjatë kohës vlerë poetike.Vura re qëndrimin kritik dhe të pakompromis të fenomenit, ku përmes trajtimit të argumentit, shfaqet edhe dituria, edhe eleganca në mjedisin autonom shqiptar.Vura re se studiuesi preku Çamërinë,figurën e madhe të Gjergj Kastriotit, përmend të madhin Gjergj Fishta, kur dihet se Fishta për një gjysëm shekulli ishte figura zotëruese e letërsisë shqipe,madje për të gjallë u kurorëzua me vlerësimin poet kombëtar.I madhi shkrimtar shqiptar që gjithë shekullin e vet krijues e kaloi në Shkodër ku dhe fama e tij letrare nisi në fillim shekulli, kurse arriti kulmin aty nga fundi i jetës.Ai për të gjallë u bë një masë e madhështisë letrare shqiptare, i njohur brenda vendit, kudo që lexohej dhe ku vlerësohej krijimtaria letrare shqiptare.Pas ndryshimeve të viteve nëntëdhjetë, Fishta u rikthye në letërsinë dhe në kulturën shqiptare i cili kish kaluar dy fazat ekstreme: të pranimit të përgjithshëm dhe të mohimit për një gjysëm shekulli. Po përmend dy argumenta në të cilën gjithë teoria e tij estetike mbështetet në arsyetimin filozofik: 1.E ngritur mbi një filozofi idealiste, teoria lëshon një rreze drejt kuptimit materialist, atëhere kur teoricienti pohon se:- “objekti i veprës artistike, s’mund të jetë i bukur po s’qe dhe i vërtetë”. 2.Si shkrimtar i vërtetë, mendimtar dhe filozof, Fishta riprodhon mbresat e përftuara në shpirt dhe jo sendet e përjashtme. Vura re afërsinë që krijon me natyrën dhe elementet e saj. Fjalë të tilla si: qielli, pranvera, guri, nëna shqiptare, rreze, diell jepen në kuptimin metaforik për të treguar se kjo është saga e një dite, është një e vërtetë që dua t’ju tregoj, është dhe hapësira nga pikëpamja e vëllimit diskursiv, prandaj dhe autori ndonjëherë luan edhe me intertekstin.Ajo që më ka prekur është dhe pjesa që ka të bëjë me testamentet si plagët shpëtuese të artistëve tanë dhe mosheshtja pranë sfidave kombëtare, thirrja e mendjes për rininë e humbur.Sidomos kjo temë e fundit është plagë therëse për Shqipërinë tonë të madhe.

Prandaj dhe studiuesi duket sikur komunikon me auditorin e caktuar, që në këtë rast jemi ne. Ai kërkon të na thotë se periudhat revolucionare duan të na shfaqen më dukshëm se kurrë, prandaj dhe ky libër sot do të marrë peshën më të madhe të kohës për të përpunuar këtë barrë të opinionit mbarëkombëtar e sidomos shqiptar.Nuk zbuten kontraditat kollaj, sepse dëshira ndesh ndonjëherë në një varg pengesash.Por jemi ne që sot i japim shtysën këtij libri për një frymë të re dhe novatore.Ky libër sot është zëri i shoqërisë që jeton te ne, ku me gjuhën e estetikës psikologjike të Jungut, do të thoshim se këtu nuk flitet për një gjendje të veçantë, por flitet për një kritikë bashkëkohore, sikur duhet të themi: “ Ngrehuni o njerëz, se po na shtypet liria.”Më kujtohen rilindasit tanë, më kujtohet Konica i cili konsolidoi të mirën e çdo sistemi dhe ndonjëherë solli provokimin xhojsian.Gjëja e parë që më ra në sy teksa e lexova, është fakti se sa me shumë dashuri, seriozitet dhe përgjegjësi ka shkruar autori, përmes vështrimeve qoftë dhe diakronike, as dhe sinkronike, për vlerat e njëmendta artistike. Vura re afirmimin e mendimeve njësoj si poezi e metaforës e atyre yjeve që flasin që ndonjëherë duhen dhe refuzohen dhe që rrjedhin nga gjiri i burimeve njerëzore.

Përfundim

Kjo vepër rrjedh natyrshëm, po aman ka atë tensionin e duhur për të shkuar nga faqja në faqe, përmes pezullisë kërshëritësë rrëfimore.Gjuha përcjell te receptuesi një atmosferë duke e bërë shumë afër shtjellimin e ngjarjeve, që duket sikur duhet të na thotë pse koha është e pamjaftueshme për atë dashuri të madhe.Nuk është shkrimi,por dëshmimi që përcjell Nue Oroshi, është akti që ngazëllen dhe ndërlikon qasjen tonë ndaj këtij libri. Është dashuria e pakushtëzuar për atë ëndërr të madhe duke zgjedhur të dëshmojë jetën në funksion të një jete tjetër, të asaj jete që do ta ëndërronim ne të gjithë (kujtojmë këtu pjesën ku autori flet për luftën e njerëzisë ndaj djallëzisë).

Gjithkush ka të drejtë të shkruajë një libër, por të drejtën më të plotë unë mendoj se e kanë ata autor që i qëndrojnë më pranë halleve njerëzore, tek e fundit le t’i hedhin të gjitha ngjyrat që kanë në shpirt, shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht.Pushteti i dashurisë rrezaton këtu sot, si dritë terri dhe ylli dhe rri aty thellë mërguar.Është njësoj si një poezi që ecën gjurmëve të baladave pa u bërë baladë, duke bërë një kthesë të domosdoshme në gjithë esencën politike dhe si kozmologji.Prandaj dhe shkrimtari meriton nivelin e merituar shkencor, fuqinë deduktive mbi një material tejet serioz dhe kushtrues.Uroj që ky libër për ju lexues të dashur, të vijë si rezultat i një reflektimi të gjatë dhe shpresojmë që ne kontribuesit intelektual të mos ju kemi zhgënjyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat