Koreografia urbanistike - Bota Sot
Koreografia urbanistike

Kultura

Koreografia urbanistike

Nga: Xhelal Llonçari Më: 11 qershor 2020 Në ora: 15:11
Sheshi "Ibrahim Rugova"

Pas Luftës së Dyte Botërore, Jacque Tati bëri një sërë filmash ku vinte në spikamë zhvillimet në lëmin e arkitekturës në Paris. Zhvillimet në arkitekturë dhe urbanizëm nuk i shihte si fenomene të izoluara, por i trajtonte krahas kushteve ekonomike, shoqërore dhe kulturore që mbizotëronin në Francë. Me mjeshtri të rrallë vinte në rol kryesor qytetin. Personazhi i filmave të tij është i përhumbur, jeton thjeshtë, shëtit nëpër qytet dhe rastësisht provokon çrregullime. Këto çrregullime vijnë si pasojë e zgjidhjeve moderne, qofshin urbanistike ose arkitektonike. Ato nuk mungojnë as gjatë shfrytëzimit të mobileve në enterier. Në rrëfimin filmik dalin në pah përmes teatralitetit të shkaktuar nga respektimi i krijimeve artistike të kohës, të cilat pak a shumë karakterizohen me njëtrajtshmëri, shterpësi me mungesë totale të sharmi, por të pëlqyera nga shtresa e të pasurve të rinj të pasluftës të cilët plotësonin kërkesat e shoqërisë.

Kur e sodis sot qytetin tonë, kam përshtypje se jam para ekranit të filmit duke e shikuar ndonjë film të Tatit. Arkitektura uniforme, shterpe, pa sharmë, e puderosur me gjelbërim të vendosur në vija të çuditshme, të pakuptueshme, kurse teatraliteti i qytetarëve gjatë ecjes nëpër rrugë, trotuare dhe “sheshe”, nga shikimet djathtas-majtas, nga shikimet lartë për t’i parë informatat e shumta nëpër fasada, ekrane, tenda të vendosura vend e pavend… është i plotë dhe i tërëkohshëm.

Provincializmi…

Kjo mënyrë e të vepruarit, në arkitekturë e urbanizëm, si dhe në të gjitha fushat tjera ku përgjegjësia vetanake dhe ajo ndaj të tjerëve është në vend të fundit, s`është gjë tjetër veçse një thurje e dendur e një rrjete me objekte lara-lara, nëpër të cilat është e pamundur të kalojë çfarëdo vlere që e ndërton kuptimësinë e të përbashkëtës. Sa i përket arkitekturës, mjafton t’i shikoni nënkulmet në qytet; shikoni dispozitat e banesave që janë pa asnjë lidhje me traditën dhe kulturën tonë të të banuarit; shikoni izolimet që bëhen në objekte – shoka-shoka; shikoni si zhvillohet trafiku, si parkohen veturat e si flasim në qytet; dëgjoni mediat duke e përdhosur gjuhën; shikoni sjelljet me moral te rrejshëm, thashethemet, dëshirat për skandale që pasqyrohen më së miri dhe më së qarti në pamjen e qytetit ku nuk synohet të gjendet emëruesi i përbashkët i “genius loci”-it (shpirtit të vendit).

Kjo që po ndodhe tek ne është tipari bazë i një shoqërie mendësia dhe shpirti i se cilës është kapluar nga provincializmi. Këtu provincializmi nuk konsiderohet përcaktues i vendlindjes ose vendbanimit, por mendësia dhe shpirti i shoqërisë.

Unë dhe ju e kemi të qartë se shikimi eskatologjik mbi botën ka perënduar qysh moti, por kjo nuk na liron nga përgjegjësia për të ardhmen, sepse e privojmë veten nga e drejta, nga mundësia dhe kënaqësia e planifikimit të zhvillimit te vendit tonë.

Riparimi i gjendjes së pasluftës, rimëkëmbja e të tashmes dhe ndërtimi i së ardhmes janë fushat tona te veprimit, në veçanti në lëmin e kulturës – derivati i fundit material i së cilës është arkitektura dhe urbanizmi si vlera shprehëse dhe si kualitet banimi e mirëqenieje.

Primitivizmi…

Njëtrajtshmëria në arkitekturën tonë nuk është produkt i ndonjë rryme apo stili, por një tendë e fortë mbi të cilën thurim trajta të çuditshme. Si pasojë e njohurive të fituara rishtas mbi kursimin e energjisë ose të ngjashme, shpërfaqen nivelet më ekstreme te mundshme dhe ky insistim në shpërfilljen e preferencave kolektive na shtynë të gjithëve në primitivizmin i cili e thyen konceptin e arkitekturës që është i thjeshtë dhe që buron nga emri arki (udhëheqës, prijës, dirigjues) dhe tekton (mjeshtër, ndërtues). Në proceset e ndërtimit të qyteteve tona, nuk vërehet dora e shtetit (udhëheqësit), gjë që na sjellë në përfundimin se shteti mungon. Në mungesë të kësaj komponenteje të nevojshme për zhvillimin e arkitekturës, njerëzit veprojnë në mënyrë anti-autoritare dhe anti-civilizuese sa që shpesh, në pasazhin që na rrethon, ravizohen konturat e një anarkio-liberalizmi që e ushqen vetveten dhe buron thellë nga mendësia dhe shpirti që është kapur nga provincializmi. Ajo që vret më së shumti është fakti se këto na rrethojnë gjithandej, mirëpo askush nuk i vëren, askujt nuk i pengojnë.

Shteti rri anash dhe shikon se si politikanët dhe këngëtaret e dorës së tretë bëhen idhujt e të rinjve. Në vendet e civilizuara, objektet projektohet nga emrat si Norman Foster, Santiago Calatrava, Tadao Ando ose nga ndonjë arkitekt tjetër me famë botërore; atje së paku nuk i himnizojnë veprat pa vlera arkitektonike dhe ato në fushën e urbanizmit, e lëre me t`ju jepet hapësirë nëpër media figurave margjinale dhe këngëtarëve me dukje të lirë e veshje të shtrenjtë që kanë guxim të na mbajnë edhe ligjërata.

Kultura…

Në rrethanat kur shteti e kryen rolin e tagrambledhësit, kurse për gjërat tjera është spektator, s`do mend se kultura është shpenzim i kotë. Në këto vite të pasluftës, jemi shndërruar në shoqëri tregtare ku shitet gjithçka nga gjithkush. Më së shumti, në tregun kulturor plasohen antivlerat, pasi blihen më së shumti. Sa i përket teatrit, kinemave, veçanërisht ekspozitave, ato shihen aq pak sa që njerëzit që i ndjekin ato shikohen si kastë e veçantë e shoqërisë.

Njëherë dhe një kohë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ka qenë salla e Galerisë së Arteve të Kosovës, pranë ëmbëltores “Elita”. Ajo sallë u zëvendësua me 4-5 shitore, sepse arti nuk sillte asnjë përfitim! Pas kësaj u “uzurpua” Pallati i Shtypit, “Rilindja”, e bashkë me të “Salloni i librit”, për t`ia lëshuar vendin Qeverisë kurse “salloni” kafeneve.

Salla e Galerisë së Arteve u vendos në një objekt të vjetër, të adaptuar për nevoja të ekspozimit. Si strukturë fizike s`do mend se është shumë më e papërshtatshme se ajo që ishte në “Pallatin e Rinise”. Është shmangur nga fokusi i qytetit. Atë “mund ta vizitojnë ata që e studiojnë artin ose e kanë ndërmend ta bëjnë atë”, siç u shprehën përgjegjësit e Galerisë me rastin e ekspozitës se Henry Moorit. Kështu mbesin anash artdashësit tjerë, kalimtaret e rastit të të gjitha moshave që defilonin në Pallatin e Rinisë. Në atë kohë, vizitorët e ekspozitave të arteve pamore ishin qindra herë më të shumtë; arti disi ishte i ndërthurur me përditshmërinë, në krahasim me sot, kur ekspozitat organizohen për plotësimin e CV-ve ose për ta kryer programin e paraparë që e ka qëllim vetveten.

Absinti…

Këto mendime, pastaj “vallëzimi” i përditshëm i shikimit nëpër fasadat ku valëviten shpallje të madhësive dhe formave të ndryshme (antenat satelitore, fasadat e reja të inkorporuara pa shije dhe me mungesë totale të kulturës së hollësisë), kalimi nëpër sipërfaqet e përhimëta të “shesheve” të shumta të grumbulluara në qendër të qytetit, ku njerëzit përditë vlojnë, e kur këtij vlimi i shtohen tendat, skenat montuese, muzikantët e rrugëve, lypsarët e çka jo tjetër… me shtyjnë të mendoj për këtë kulturë virtuale. Ky virtualitet kulturor bëhet i frikshëm në rastet kur kalon në fenomene të pseudokulturës, sikurse “Pika informative turistike”. Kjo kuti e llamarinës jo që nuk flet asgjë për kulturën tonë, jo që nuk jep kurrfarë informate të vlefshme, por dezinformon dhe përdhosë me prezencën e vet; e mjegullon trashëgimin kulturore dhe me dashje a pa dashje behet frenues i rimëkëmbjes dhe zhvillimit tonë.

Shpesh tentoj të shmangem nga kjo “koreografi” urbanistike, por asnjëherë nuk ia dal. Një ditë vendosa ta rregulloj këtë lëmsh që t’i shqyen sytë. Iu drejtova një kafeneje, nga të shumtat që janë gjithandej. Kamerierit të ri dhe të sjellshëm ia kërkova një absint. Shkoi te banaku dhe u kthye me përgjigjen se nuk ka. Më pyeti nëse dua diçka tjetër. Natyrisht, në mungesë të kësaj pije me ngjyrë të gjelbër, shije joshëse dhe stimuluese që përgatitet e pihet me ceremoni të veçantë (e konsumuar nga Paul Gauguin, Vincent van Gogh, Arthur Rimbaud e Oscar Wilde që ka thënë se absinti të shtynë t’i shohësh gjërat aq të bukura sa nuk mund të përshkruhen), mora një raki vendore të rrushit. Gjatë kohës sa i piva dy teke, merresha me gjetjen e emëruesit të përbashkët të pasazhit urbanistik të qendrës së qytetit. Në fund, para vetes e kisha formulën magjike që ishte një “expecto patronum” i Harry Potterit, që me ndihmonte të shpëtoja nga dementorët e qytetit. Formula dukej kësisoj: 7²i58²n4³!

Për këtë nuk kisha prova, por sidoqoftë e lash me kaq.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat