Karantina e Lasgushit - Bota Sot
Karantina e Lasgushit

Kultura

Karantina e Lasgushit

Nga: Bardhyl Londo Më: 14 qershor 2020 Në ora: 15:45
Lasgush Poradeci

Pas vitit 1944 Lasgushi pothuajse nuk shkroi asgjë të rëndësishme me përjashtim të “Kamadevës” e cila për mua është e dyshimtë të jetë shkruar pas 44-ës. Në rast se po, përse nuk e botoi por pa dritën e botimit aq vonë? Po të ketë ndodhur kështu është dhe më domethënëse: poeti s’ ka dashur t’i japë asaj kohe një poeme aq të bukur ose ka pasur frikë ta botojë.

Të vetmet vargje që ka shkruar Lasgushi në atë kohë janë një tallje dhe ironi e hapur. Kështu e doni poezinë ju? Ua jap unë: Republika Popullore/ mori Shqipërinë për dore/ dhe e çoi në fitore. Është proverbiale pyetja që i drejton Lasgushi Kadaresë duke pirë kafe në Turizmin e Pogradecit: në ç’sistem jetojmë z.Ismail?

Karantina e Lasgushit ishte aq e thellë sa atë pothuajse për vite te tëra nuk e kishte parë kush. Në vitin 1986 Aurel Plasari me gazetarë të Dritës shkoi ta intervistonte pas kaq vitesh tek shtëpia në Tiranë sepse ai gjysmën e vitit e jetonte në Tiranë, gjysmën në Pogradec. Pasi i la rreth gjysmë ore të prisnin se çelsin e kishte e shoqja dhe kishte shkuar në pazar, (e shoqja kishte nja njëzet vjet që kishte vdekur) porta më në fund u hap dhe filluan pyetjet.

Pergjigjet ishin të gjitha njëlloj. Kush është poeti më i madh i shqipes. Po këtë e dinë të gjithë. Po kush? Po këtë e di dhe Çuçi, qeni im. Po kush? Lasgushi bre. Po pas tij? Rituali fillonte nga e para. E dinin te gjithë, e dinte dhe qeni i tij se nuk kishte tjetër. Po i njëjti format edhe për përkthyesin. E dinte dhe Çuçi që Lasgushi ishte më i miri dhe pas tij nuk kishte tjetër.

Pak kohë para vdekjes në Lidhjen e Shkrimtarëve u vendos të festohej pervjetori i Lasgushit për herë të parë. Interesim i jashtzakonshëm deri në oborr. Në orën 10 ai që mungonte ishte Lasgushi. Pas rreth dy orësh më në fund e gjejnë. Lasgushi hyri, me kostum të zi, me barsolinë, mbështetur mbi bastun, i zbehtë sikur sapo ishte ngritur nga varri (hollësisht e përshkruaj tek libri im “Jeta që na dhanë). Gjatë gjithë kohës që flitej për të ai shikonte vetëm tavanin.

Në fund kur i thanë se sipas zakonit të athershëm duhej të falenderonte Partinë dhe organizatorët, ai goditi me bastun dyshemenë dhe tha vetem dy-tre fjalë: dëgjoni këtu, poeti është Zot, është mbi gjithçka.
Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që e pamë Lasgushin. Pas vitit 1944 ai refuzoi të shkruante dhe te jetonte siç ia kerkonin të tjerët. Prandaj u mbyll, ose më saktë e detyruan të mbyllet në një karantinë që vazhdoi gati gjysmë shekulli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat