Historia është Hamleti

Kultura

Historia është Hamleti

Nga: Moikom Zeqo Më: 16 qershor 2020 Në ora: 12:48
Aleksandër Moisiu

Në vitin 2003 unë, shkruesi i këtyre rreshtave shkova në manastirin e Cetinjës. Më priti kryemurgu i cili quhej Peter. Kërkova të shihja kokën e Mehmet Pashë Bushatlliut. Mbas disa ngurimeve plot mosbesim më çoi tek arka ruajtëse. Kishin kaluar 213 vjet. E hapi arkën. Pashë vetëm një kafkë të nxirë si një fildish i zi. Vetëm dhëmbët kërcënues zbardhnin. Doja ta fotografoja. Por kryemurgu reagoi gati me zemërim. Ishte e ndaluar ta fotografoja. Pse? Është e ndaluar. Ndjell fatkeqësi. S’duhet fotografuar. Bestytni? Aspak! S’lejohet ta fotografojë askush. Ja e patë, mos kërko më tepër. Ç’rëndësi ka ta fotografosh? Mjaftohu me kaq! Ah!

E dija historinë e vitit 1893 të mbretit të Saksonisë, Frederikut që e pa kokën e Mehmet Pashë Bushatlliut në manastirin e Cetinjës. Më mirë mos ta kisha ditur këtë histori. Ndjeja në vetvete një dyzim. Mbreti gjerman, shkencëtar i hajthëm dhe i përkorë i botanikës kishte një shpirt delikat, deri diku poetik. Në 1893 natyrisht unë s’kisha lindur (askush s’mund të përfytyronte se do të lindja). Për një trill të historisë unë pashë kokën e njëjtë që pa edhe mbreti.

Kryemurgu më tha ndër të tjera, se isha i vetmi shqiptar që kisha kërkuar ta shikoja kokën në fjalë. Mundet që kujtesa pamore e mbretit (tashmë të vdekur) të të ishte e përafërt (ose autentike) me kujtesën time. Por unë s’isha mbreti gjerman. Për më tepër isha shqiptar. S’e honeps dot patetikën e kotë, as emocionet e harlisura dhe idiote. Kafka e pashait shqiptar, në fakt është e padallueshme në anonimatin e kohës. Një simbol paradoksi i kronikës para tri shekujsh. Gjithsesi, kjo kafkë tmerruese më kujton (na kujton) skenën emblematike të Hamletit me kafkën e gastorit Jorik. Historia është Hamleti.

Një Hamlet kolektiv (ndoshta dhe providencial) që mban kafkat e të gjithëve në amshim. Pra edhe vetë kafkën time. Ah, sikur të ngrihem edhe unë në këmbë për ta pritur me indiferencë shpatën e vdekjes në qafën time. Ah!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat