Duma rrëfen vizitat në shtëpinë e Moikom Zeqos: Nuk do ta harroj kurrë impresionin kur hyra në vendin ku banonin librat

Kultura

Duma rrëfen vizitat në shtëpinë e Moikom Zeqos: Nuk do ta harroj kurrë impresionin kur hyra në vendin ku banonin librat

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 12:59
Foto

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Grida Duma ka ndarë me ndjekësit e saj në ‘Facebook’ disa kujtime në lidhje me takimet me poetin dhe studiuesin, Moikom Zeqo, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Përmes një postimin, anëtarja e kryesisë së PD-së, Duma ka kujtuar vizitat në shtëpinë e shtëpinë e tij në Durrës, ku ajo e përshkruan si vendi ku banonin librat.

“E kam të paprekur në kujtesë apartamentin e vogël Moikomit dhe Lidës, në Durrës. Është një imazh që nuk mund të harrohet. Asokohe unë kisha nisur studimet në Filozofi dhe ishte fat i mirë që në mungesën e plotë të librave të mirë, të mund të përdorja bibliotekën e tyre.”, shkruan Duma.

POSTIMI I DUMES:
Sot u largua nga jeta një mendje e ndritur dhe një njeri i rrallë, Moikom Zeqo.
Sot është përcjellë nga jeta Moikom Zeqo dhe po ashtu është përcjellë bashkë me të forca e tij e mendimit shqiptar të cilën do duhet ta jetësojmë duke ju rikthyer veprës së Moikom Zeqos.
Moikom Zeqo ishte padyshim një erudit.

Njerëzit e mëdhenj i japin madhështinë e padukshme çdo elementi jete.
Të tillë madhështi kishte shtëpia e tij e hershme me shumë pak metra katrorë. E kam të paprekur në kujtesë apartamentin e vogël Moikomit dhe Lidës, në Durrës. Është një imazh që nuk mund të harrohet. Asokohe unë kisha nisur studimet në Filozofi dhe ishte fat i mirë që në mungesën e plotë të librave të mirë, të mund të përdorja bibliotekën e tyre.
Nuk do ta harroj kurrë impresionin e parë kur hyra në atë shtëpi të vogël, aty banonin librat. Njerëzit dukej sikur ishin vetëm në funksion të tyre. Raftet nisnin nga dyshemeja deri në tavan dhe diku lart ishin harkuar e takoheshin me njëri tjetrin nga pesha e mbingarkesës me libra. Diku lart në tavan ishin ngjeshur më fort libra dhe shërbenin dhe si mbajtës i ekuilibrit të rafteve që s’dihej si e mbanin atë ngarkesë. Nuk kishte asnjë një mur të lirë në atë shtëpi! Çdo faqe muri ishte një mur librash! Edhe për të ecur duhej sërish të kapërceje diku mbi një stivë librash. Moikomi kishte një kolltuk të vetin, që shpinoren e mbështeste në një tavolinë shkrimi e cila sërish kishte dy stiva librash dhe pak vend për të shkruar. Duke tymosur e niste mendimin dhe e ndalte vetëm kur vështrimi i ndalonte tek një autor që ia vlente të përmendej dhe ai në temë veç të tjerëve, e ngrihej e merrte nga raftet sikur do ta ndihmonte nëse e mbante pranë.
Kam gati mahnitje e çudi se si mund të organizohej jeta brenda shtëpisë me komoditetin e vetëm të madh që kudo të hidhje sytë në të majtë dhe të djathtë rreth vetes kishe përqark tituj e emra autorësh. Vetëm vetmi nuk mund të kishte aty.
Përmenda Moikomin bashkë me Lidën, sepse Moikom Zeqo përbën një fabul me vlerë njerëzore edhe për modelin e jetës që ndërtoi me Lidën. Ishin një dyshe ku secili kishte arritjen e vet dhe jeta mes tyre zhvillohej me dialogjet që atëherë i lexonim në romane.
Gjuha dhe struktura e mendimit të Moikom Zeqos është një përpunim integral mes lashtësisë, historisë moderne, mitit dhe folkut dhe ardhmërisë. Shumë, shumë pak e kanë pasur këtë tis verbi dhe mendimi. Moikomi ishte tek shumë të paktët, të rrallët, të vyerit, që tashmë do të jetë edhe tek ata që do të mungojnë shumë.

U përjetësoftë kujtimi i tij nga leximi i përhershëm i veprës së tij! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat