Recension veprës së Dr. Sc. Salihe Salihu “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës” - Bota Sot
Recension veprës së Dr. Sc. Salihe Salihu “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës”

Kultura

Recension veprës së Dr. Sc. Salihe Salihu “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës”

Nga: Prof. Dr. Fehari Ramadani Më: 17 qershor 2020 Në ora: 10:26
Prof. Dr. Fehari Ramadani

Historia e Kosovës së fundshekullit XX karakterizohet nga ngjarje të shumta, të cilat sa janë të rëndësishme dhe të lavdishme, po aq janë të dhimbshme dhe të trishtueshme. Në kohën kur bota e civilizuar po kalonte procesin e globalizmit, të hapjes e afrimit midis popujve, të mënjanimit të ndasive dhe konflikteve, Kosova po përballej me një luftë të tmerrshme, me gjenocid e spastrim etnik që ushtrohej nga pushtuesit e dhunshëm serbë. Një tablo e përgjithësuar në lidhje me këto krime çnjerëzore të kryera nga regjimi fashist serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, na paraqiten në veprën “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës” i autores dr. Salihe Salihu.

Kjo vepër përmban informacione të detajuara dhe shumë të hollësishme për Luftën e Kosovës, krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999, intervenimin ushtarak të NATO-së, qeverisjen kalimtare, procesin drejt pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake të Aleancës Veri-atlantike dhe atë të pavarësisë së Kosovës.

Dr. Salihe Salihu me këtë vepër pasqyron politikën kolonizuese e shfarosëse që shteti serb zhvilloi në Kosovë për një periudhë gati një shekullore. Autorja jep të dhëna të rëndësishme për vrasjet, masakrat, varret masive, dhunimet dhe personat e pagjetur, burgosjet e deri te dëbimi e deportimi i popullsisë shqiptare nga Kosova. Ajo prezanton të dhëna mbi shkatërrimet e kryera, plaçkitjet, djegiet dhe traumat e shkaktuara nga pushtuesit. Gjithashtu, rëndësi i është kushtuar luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe intervenimin ushtarak të NATO-së në Kosovë e deri në kthimin e popullsisë shqiptare në vendlindjen e vet.

Ky studim, me strukturë të logjikshme e të qëndrueshme, është rezultat i një pune të gjatë kërkimore e shkencore të autores. Ajo studimin e saj e nis nga studimet paraprake në lidhje me këtë çështje, të cilave autorja u qaset në mënyrë shkencore e kritike. Hulumtimin e saj, dr. Salihe Salihu e ka thelluar, pasuruar dhe ndërtuar, duke u mbështetur në burime të shumta si dhe literaturë shumë të pasur. Shfrytëzimi i burimeve të ndryshme, vendore e të huaja e bëjnë këtë vepër të rezistueshme ndaj çdo kritike shkencore. Me këtë vepër, autorja, pasi hulumtoi, analizoi, vlerësoi dhe sistematizoi gjithë ato materiale, arriti të nxjerr në dritë një mori të dhënash e ngjarjesh, të cilat deri më tani ishin fare pak të njohura ose dhe të panjohura, jo vetëm për opinionin e gjerë, por, edhe për qarqet përkatëse shkencore.

Vlera e këtyre botimeve është e një rëndësie të veçantë për faktin se ato na ofrojnë informacione shumë të detajuara për zhvillimin e luftës, rolin e NATO-së, procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe legjitimitetin e saj. Rëndësia e kësaj vepre është edhe më e madhe po të kemi parasysh faktin, se ajo do të jenë një burim i çmueshëm për gjeneratat e ardhshme, të cilat do të interesohen për historinë e Kosovës në veçanti dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Gjithashtu, vlerat e këtij libri rriten edhe më tepër sepse nëpërmjet tij prezantohen krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe ligjshmëria e pavarësimit të Kosovës. Nëpërmjet kësaj vepre opinioni i gjerë do të njihet me gjenocidin shtetëror që qeveria e Beogradit ushtroi mbi popullsinë civile shqiptare, që ata të mund të bëjnë dallimin e midis kriminelëve dhe viktimave.

Autorja ka argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte e ligjshme dhe se ajo nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Kosova iu aneksua dhunshëm Serbisë. Gjatë historisë gati njëshekullore shqiptarët luftuan për të drejta kombëtare dhe kurrë nuk u pajtuan me pushtimin serb. E drejta për vetëvendosje asnjëherë nuk u praktikua në Kosovë.

Kosova ishte njësi e veçantë dhe njëkohësisht pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave, sipas Kushtetutës së vitit 1974. Ajo kishte përfaqësuesit e saj në të gjitha organet e shtetërore dhe për rrjedhojë ashtu si pjesët tjera të federatës edhe Kosova kishte të drejtën e shkëputjes. Suprimimi i dhunshëm i Kushtetutës, në vitin 1989, përbën arsye shtesë për shkëputje.

Botimi i veprave dhe artikujve shkencor të këtillë janë dëshmia më e mirë për të argumentuar se kush ka kryer krime, gjenocid, dhunime, tortura dhe spastrim etnik në Kosovë. Përkthimi dhe botimi i tyre në gjuhë të huaja do të përbënte një kontribut të çmueshëm për pasqyrimin e të vërtetës për shqiptarët dhe Kosovën para opinionit ndërkombëtar.

Për dr. Salihe Salihun, botimi i kësaj vepre nuk është fillimi i veprimtarisë së saj shkencore. Në punën e saj shkencore dhe profesionale ajo ka botuar edhe vepra tjera dhe disa artikuj shkencor, nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut etj., të publikuar brenda dhe jashtë vendit. Me punën dhe angazhimin e saj, autorja e kësaj vepre po e dëshmon veten si studiuese serioze.

Me një stil shumë të kuptueshëm dhe të rrjedhshëm autorja pasqyron gjithë zhvillimin e luftës, të ndërhyrjes së NATO-së, të procesit të pavarësisë dhe të ligjshmërisë së tyre. Mënyra e strukturimit dhe e hartimit të veprës në fjalë, stili i përshtatshëm dhe gjuha e pastër që përdor autorja, rrisin edhe më tepër vlerat e saj.

Libri i dr. Salihe Salihut “Sovraniteti dhe Legjitimiteti i Shtetit të Kosovës” duhet të shërbej si një literaturë e domosdoshme për studentët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, të Historisë dhe të degëve të tjera. Gjithashtu, kjo vepër do t’u shërbej studiuesve por dhe opinionit të gjerë, i cili ka interes të njihet me Luftën e Kosovës dhe legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-së dhe të pavarësisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat