Gëzohem që ju shoh në Kosovën dhe Drenicën e lirë

Kultura

Gëzohem që ju shoh në Kosovën dhe Drenicën e lirë

Sabit Istogu Nga Sabit Istogu Më 30 qershor 2020 Në ora: 00:28
Rifat Jashari

Në mbrëmjen e 28 qershorit të vitit 1999, pas tetë vitesh e gjysmë në mërgim, u kthyen në vendlindjen dhe atdheun e tyre katër pjesëtarët e familjes Jashari, vëllai i komandantit legjendar Rifat Jashari me të birin Muratin, Lulëzimin dhe Bekimin, djem të Hamëz dhe të Adem Jasharit.

Familja e komandantit legjendar Adem Jasharit, që me kohë ishte e përgatitur për të papriturat që mund t’iu vinin nga forcat e okupatorit serb, veçmas pas ngjarjes së 31 dhjetorit 1991, rezistencës së parë të komandantit kundër forcave policore të okupatorit serb. Rifati vite më parë kishte shkuar për të punuar në Gjermani, dhe, pas kësaj ngjarjeje, me vete kishte marrë të birin Muratin, nipat Lulëzimin dhe Bekimin, të birin e Ademit e Hamzës. Dhe kjo ishte bërë me një strategji të caktuar, që në rast nevoje, të gjithë vëllezërit ta kenë të gjallë nga një trashëgimtar të tyre. S’do mend se kjo ishte bërë me këshillat e babait të tyre Shabanit, si njeri me përvojë edhe në luftërat e mëhershme. Të gjithë këta, për 8 vjet e gjysmë radhazi, qëndruan në mërgim, larg familjes së tyre, pa mundur ta shohin njëri-tjetrin, pos përmes kasetave të ndryshme që i shkëmbenin andej e këndej, përmes njerëzve të besueshëm, e që shërbenin si një çmallje e vetme me familjen, jo vetëm për këta mërgimtarë.

Pas tragjedive të mëdha që ndodhën me 5, 6 e 7 mars në familjen dhe lagjen Jashari në Prekaz, si dhe pas 15 muaj luftimesh në Drenicë, katër pjesëtarët në mërgim të kësaj familjeje, vendosën t’i ktheheshin vendlindjes dhe atdheut të tyre. Kjo ndodhi në mbrëmjen e 28 qershorit 1999. Të shoqëruar nga disa komandantë e pjesëtarë të UÇK-së, nga Zona e Parë e Drenicës, që kishin dalë t’i prisnin në Durrës të Shqipërisë, rreth orës 17 arritën në Skenderaj. Këtu u pritën nga mijëra qytetarë, si dhe nga pjesëtarë të familjes së tij, motra, nipa, mbesa, kushërinj e të tjerë. Në këtë atmosferë tejet madhështore, por edhe emocionuese, Rifat Jashari iu drejtua masës së qytetarëve me pak fjalë:

 ”Gëzohem shumë që ju shoh të tubuar kështu, pa ndjenjën e frikës nga regjimi i egër serb, e më së shumti më gëzon fakti se u gjej në Drenicën dhe Kosovën e lirë. Liria nuk ishte e lehtë për t’u fituar. Për të u deshën shumë sakrifica dhe gjak i derdhur, e mbi të gjitha, u desh uniteti ynë rreth një qëllimi, të cilin unitet duhet ta ndërtojmë gjithnjë derisa të jemi gjallë, sepse pa të asnjë popull e as ne nuk do të kemi ardhmëri”.

Këtë natë, pra atë të 28 qershorit 1999, të gjithë këta e kaluan duke u çmallur me anëtarët e familjes së tyre të mbetur, me disa miq e shokë.

Ata u flijuan me vetëdije për lirinë e Kosovës

 Më 29 qershor rreth orës 12, në Shtabin e UÇK-së, të Zonës Operative të Drenicës në Skenderaj, erdhën Rifat, Lulëzim, Bekim e Murat Jashari. Këta, në një atmosferë shumë madhështore, u pritën nga ushtarët e UÇK-së të kësaj zone, me komandantin e tyre gjeneral-major Sami Lushtakun.

Jemi të lumtur, tha me këtë rast gjeneral Lushtaku, që pas kaq vitesh në mërgim, ktheheni sërish në truallin e lindjes, në Drenicën dhe Kosovën e lirë. Ideali për të cilin ra vëllai juaj, komandanti legjendar Adem Jashari me 20 anëtarët e familjes dhe jasharët tjerë, dëshmorë dhe martirët të shumtë, u realizua.

Në këtë atmosferë pritjeje kaq madhështore që ju më organizuat sot, nuk ka vend për emocione, por jemi më se të lumtur, që gjaku i derdhur i të gjithë shqiptarëve dhe familjes sime, u bë gurthemel i fortë për liri , të cilën ne do të dimë ta gëzojmë të gjithë së bashku. Tash e tutje na duhet një unitet edhe shumë më madh, për të arritur deri te qëllimi më kryesor, ai i pavarësisë së Kosovës. Besoj se politikanët tanë do ta angazhojnë tërë potencialin e tyre në këtë drejtim, për çka gjithherë do ta kenë përkrahjen tonë dhe të mbarë popullit të Kosovës, që vuajti kaq shumë për të dalë fitimtar, tha me këtë rast Rifat Jashari.

Sa i mirë është uji i Kosovës

Derisa të gjithë në këtë pritje pinin lëngje të ndryshme, bacë Rifati kërkoi një gotë ujë, duke e rishijuar kështu pas dhjetë vitesh ujin e truallit në etninë e vet. Eh, sa i mirë është ky uji i Kosovës, tha bacë Rifati pasi e zbrazi gotën. Sa kisha mall për të, sepse është i vetmi që ma shuan etjen.

Rreth orës 13 të kësaj dite, Rifati me dy nipat dhe të birin, në përcjellje të mijëra qytetarëve të Drenicës dhe të pjesëtarëve të UÇK-së, morën rrugën për në vendlindjen tyre pas tetë vjet e gjysmë në mërgim. Me të arritur në lagjen e Jasharëve, këta fillimisht ndaluan pranë varrezave të dëshmorëve dhe me një minutë heshtje i nderuan ata. Të gjithë të pranishmit i përcillnin reagimet e tyre. Ishte e çuditshme se kur të gjithë qanin, Rifati i ngushëllonte duke iu thënë se ata me vetëdije janë flijuar, vetëm e vetëm që tokës dhe popullit të Kosovës t’ia sjellin lirinë. Këta, që nga varreza e parë e babë Shabanit, Hamzës e Ademit, e deri në të fundit, i shikuan radhazi të gjitha. Mundohesha t’i përcjellja reagimet e tyre, por ata vetëm heshtnin dhe i shikonin radhazi ato. Nuk mund t’i vëreja se ku po iu rëndonte më shumë dhembja. Ndoshta ishin bërë një. Athua, thosha me vete, ç’vuajtje i rëndon këta në brendinë e mendjes dhe shpirtit të tyre, dhe prej nga kjo fuqi e tërë shpirtërore.

Kjo ditë ishte e madhe dhe e veçantë, por edhe e dhembshme. Prekazit legjendar dhe Jasharëve po i kthehet jeta dhe bijtë më të mirë, sepse plot 15 muaj në këtë lagje nuk kishte shkelë këmbë njeriu. Arat e lëndinat ishin mbushur me bar e ferra. Në përcjellje të Jasharëve kishte edhe mërgimtarë, të cilët, të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme të botës, e kishin ndarë edhe kafshatën e gojës, vetëm që krismat e pushkëve të ushtarëve të UÇK-së, të jehonin më shumë, sepse, siç thoshin ata, ato ishin pushkët e lirisë.

 Më pas, të gjithë këta shkuan tek shtëpitë dhe kulla e Jasharëve. Me vëmendje i shikonin të gjitha barbaritë që kishte shkaktuar okupatori serb këtu.

 Që nga ky moment familja e Jasharëve u vendos në shtëpitë e tyre, dhashtë Zoti për të mos u larguar më kurrë. Duke filluar nga kjo ditë, bacë Rifati i hapi dyert e shtëpisë së madhe, shtëpisë më të nderuar e të respektuar në Kosovë, kurse që nga e nesërmja dyert e shtëpisë së Jasharëve u hapën edhe për ngushëllime, të cilat zgjatën plot tre muaj. Gjatë kësaj kohe vinin njerëz nga të gjitha trojet etnike shqiptare, pastaj mërgimtarë nga Evropa, Amerika e Australia e largët. Ata vinin të organizuar dhe me familje, për t’i parë me sytë e tyre Jasharët, vendin e rezistencës mbinjerëzore dhe të rrënjëve të lirisë së Kosovës. Vinin edhe shtetas të huaj, ushtarakë, politikanë, artistë, sportistë e të tjerë.

Ende më duket si në ëndërr

Vizitorët dhe njerëzit që vinin për ngushëllime, ishin çdo ditë të shumtë. Të gjithë ata duhej t’ i priste e përcillte bacë Rifati, sepse jo vetëm që e donte zakoni, por ishte edhe dëshira e atyre që vinin ta shihnin atë dhe të tjerët. Një pasdite, derisa nuk kishte shumë njerëz, një nga të pranishmit e pyeti bacë Rifatin se si i dukej tash pas lirisë së arritur, kur ai është kthyer për herë të parë lirshëm në shtëpinë e tij, Rifati u përgjigj:

 Ende më duket si në ëndërr. Në gjysmë të natës më del gjumi dhe e pyes veten, a jam në ëndërr apo i zgjuar. Ngritem, dal në oborr, kthehem, e mbështjell një cigare dhe pasi e ngreh disa herë tymin, shoh se kjo është e vërtetë.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat