Kur e putha Amerikën - Bota Sot
Kur e putha Amerikën

Kultura

Kur e putha Amerikën

Nga: Puntorie Muça Ziba Më: 4 korrik 2020 Në ora: 22:42
Puntorie Muça Ziba

Kur e putha Amerikën
I rash tej e ndanë Atllantikut
e mezi dola nga barku bishës gojashpër
e ç’mu përlot njëra faqe.
Kapërceva sinorin,
e ç’mu ngrit lëkura si dallgën kur e zë tërbimi…
(ishte dimër)
Fjolla-fjolla bora
si kokrra rëre bregadriatiku,
mi mbuloi flokët si me pikla vese.
Eh, një tjetër rreshje më fanitej
një tjetër nur pa harqe gotike,
u mbërtheva tej për tej mureve të fildishta,
preka me qerpik qelqet, kokrra-kokrra kristalesh
njëri sy mu tha nga hijeshia…
( korrakama)
Ç’ mu duk korb vetja, mua të zezës
sikur mijëra gishtërinjë ma nduknin lëkurën
e ç’mu dëshirue me i harrue hallexhinjtë e praptuar
te urat argshe ballkanike,
pa nur hëne.
Lektisa për gjakun tim
se më ndiqte si hije, hap – pas hapi
udhëve qelqore
dhe kërkonin lëmoshë ndjenje.
( fshika buzët)
Ishte dimër, kur sytë e mi puthën Amerikën
një duhmë e bardhë ma shteri mendjen,
eh, ç’mu bë dysh trupi e shpirti,
tejendan njerëz që ecnin furishëm
e nuk msyshonin koloritet lëkurore.
Gra të kamura
veshur me gabardine e tantella fije-fije ,
nazemëdhaja me shikime të përhumbura
që s’donin të vdisnin
për kokë të atyre që përgojonin dashurinë.
( ajka e gjellës)
Kipci im rreth sofrës gjigande
rrumbull me ushqime magjike
servuar në piata të mëdha,
e ca gota bardhë me qumësht shpendësh.
Marr erë gjellësh
e gjerbi qumësht
mbeta e stërfryer,
u bëra faqekuqe, e kolme me barkun lodër.
Ç’mu gërvisht mukoza e lukthit
e u thanë shqisat e të shijuarit,
jargët rrëshqiten mbi pecetën e pambuktë
fshina ca leqe në fustanin leskra-leskra,
eh, ç’ mu tha njëra dorë.
(rrahaderë)
Mora lebetinë
në letargji shikova veten
ecja ndaras
me këmbë të drunjta nisa të kalamendem
bulevardeve pa fund,
desha të humbem mes turmës
ku endeshin me soj e sorollop racash,
nga tërë rruzulli.
Ndjeva një ngrohtësi, valë nëpër dej
përcolla fjalët triumfuese tek hallexhinjtë e mi:
si ia putha sytë këtij vendi
si mu tha fshika në buzë
përse u bë kjo, nanë për të gjithë
si pinin ujë rruzulli
bijtë e diellit dhe të hënës
dhe
në mugëtirë
për pak s’e harrova zanafillën…
E ç’mu dëshirue me fërshëllye unë buzë fshikura
e të dukem si e marrë përmes rrugësh
sa t’i kthejë sytë, nga sytë e mi
e të më flet njëherë me gojë
ky soj e sorollop
që nuk më shikon vëngërr.
(Çapat e mia morën dalldinë)
Në vlugun e ecejakeve të turmës.
të puthja ty moj nazemadhe
e më ngecën qerpikët në ajër
spiralja e furtunës Sindi
më hoqi zvarrë
më vërtitej rruga e vërtitej qielli
s’mbeti gjurmë në tokë
mu ngujuan sytë.
( në shtrat)
Në një shtrat me pupla
me shkëlqim mbuluar
nën hije eukaliptiku
regëtonte zemra
frushkullonin retë
dhe rrëzonin ëndrrat,
s’rehatoheshin qiejtë
për një rrisk lirie
tej Atllantikut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat