Një jetë kushtuar shkencës, universitetit dhe kombit - Bota Sot
Një jetë kushtuar shkencës, universitetit dhe kombit

Kultura

Një jetë kushtuar shkencës, universitetit dhe kombit

Nga: Feti Tunuzliu Më: 6 korrik 2020 Në ora: 15:17
Esat Stavileci

Edhe këto ditë, kur sapo bëra 66 vjet jete - në njerën anë dhe kur po e shënoj përvjetorin e parë të pensionimit të pleqërisë – në tjetrën anë, në mbamendje ruaj të freskët kujtimin për vitet e largëta 1971/72 kur kisha dëgjuar për të parën herë emrin e Esat Stavilecit . Në fakt, këtë emër e ndeshja gjithnjë e më dendur në shkrimet publicistike, përkatësisht juridike, nganjëherë ilustruar me fotot e tij, që iu kishin dhënë hapësirë ndër faqe gazetat prishtinase “Rilindja” dhe “Bota e Re”, përkatësisht revista kulturore e shkencore “Përparimi”. Ndonëse isha maturant i drejtimit të shkencave natyrore, çuditërisht, shumëçka në këto shkrime me bënte kurioz. Ç’është e vërteta, për t’i lexuar këto shkrime, merrja shkas nga një gamë rrethanash përshtypjelënëse: ngjizja e temave përkitazi me zhvillimet aktuale të ditës të cilat autori i mbulonte me tisin e hollë të jurisprudencës, mënyra interesante e qasjes gjatë trajtimit të tyre, stili i rrjedhshëm publicistik si dhe pastërtia e saktësia e gjuhës së përdorur.

Me të përfunduar maturën, kur gjakoja të regjistroja Fakultetin filozofik – Drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, lehtësisht u dakordova me propozimin dhe arsyet e babait mësues, andaj u regjistrova në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës.

Vazhdoj ta kem ende të paprekur në kujtesë fillimvitin e parë akademik 1972/73 kur teksa një ditë një grup brucoshës qëndronim në hol në pritje të fillimit të ligjëratave nga lënda E drejta romake të cilën e ligjëronte, tani i ndjeri prof. dr. Bardhyl Qaushi në “amfiteatrin e madh”, u shfaq befas profesori shtatmesëm Esat. Zbritte kujdesshëm shkallëve të aneksit të godinës së re të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë. Me pedantërinë dhe elegancën e jashtëzakonshme që reflektonte imazhi i tij teksa e vëzhgoja për të parën herë “live”, sakaq ma rikujtoj portretin e tij nga fotot e ilustruara nëpër faqet e gazetave të sipërtheksuara. Këto momente “takimi” u shpeshtuan sidomos në vitin e dytë të studimeve kur na ligjëronte lëndën E drejta administrative.

I lindur më 11 korrik 1942 në Gjakovë në këtë qytet sa të dhëmbshëm aq edhe krenarë të tokës së Kosovës, Esat Stavileci mu këtu në vendlindje nisi arsimimin me fillorën dhe gjimnazin për të vijuar ciklin e gjatë të arsimimit në Prishtinë e për ta përmbyll jashtë Kosovës.

Ishte njëri ndër shtatë kalamajtë e familjes arsimdashëse Stavileci. Prindërit kishin me se të mburreshin shumë përpara të tjerëve për tre djemtë dhe katër vajzat e tyre të cilët i rritën dhe i selitën. Që në moshën fëmijërore të shtatit rrezatonin edukatë të shëndoshë familiare, zgjuarësi natyrore dhe dashuri për punë e mësim. Këto vlera, jo vetëm trashëguese, ditën t’i vënë në funksion shkathtësisht me urtësi, maturi dhe durim. Së këndejmi, këta shkollarë të vegjël një ditë do dalin kuadro të diplomuar dhe punonjës të vyer e të respektuar arsimi, vajzat: mësuese, arsimtare dhe profesoresh, ndërsa djemtë: doktorë shkencash, profesor universitarë e akademik !

Ndryshe, kryeprotogonisti ynë qysh si fillorist “ndihmonte” nganjëherë modestisht familjen. Në këtë sens, është për t’u veçuar gjallëria e tij djaloshare !

“Në klasën e dytë gjimnaz kam filluar të shkruaj për gazetat ditore dhe javore të Kosovës. Jam bërë një gazetar i sportit dhe më pastaj në një konkurs që kishte organizuar Radio Prishtina në Gjakovë me një emërtim “Mikrofoni është i Juaji” dola i pari. Mbaj mend që fitova 24 mijë dinarë që ishte një shumë dhe çmim shumë i lartë“, rrëfente me modesti profesori Esat në emisionin televiziv që i kushtohej jetës dhe punës së tij.

Me të mbaruar maturën në vitin shkollor 1961/62, nuk u regjistrua ne Fakultetin e Mjekësisë ku mendonte t’i vazhdoi studimet. U regjistrua ne Fakultetin juridik-ekonomik në Prishtinë me sugjerimin e tani të ndjerit Rexhai Surroi, prezentator i Radio Prishtinës.

Ç’është e vërteta, Fakulteti juridik-ekonomik i sapothemeluar në Prishtinë në vitin 1961, ishte në përbërje të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1970 kur u themelua Universiteti i Prishtinës, ky Fakultet bëhet pjesë e këtij Universiteti. Këtu, studenti i vyer dhe natar diplomoi në afatin e rregullt, më 2 korrik 1965, kur ishte 23 vjeçar.

Juristi i diplomuar, sapo mbushi moshën 24 vjeçare, duke qenë njëri ndër studentët e dalluar zgjidhet asistent i lëndëve: E drejta administrative dhe Sistemi komunal e politika komunale, 27 shtator 1965.

Intelektuali me energji të madhe për arsimimin e mëtejmë dhe avancimin akademik, në të njejtin vit akademik (1965) regjistroi shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi administrativo-politik në Fakultetin juridik të Universitetit të Zagrebit. Gjatë këtyre studimeve, pikërisht çështja e autonomisë kushtetuese në ish-Jugosllavi doli të jetë kryetemë e kërshërisë së tij shkencore. Këtej, për punim magjistrature përzgjodhi temën: ”Krahinat socialiste autonome në Jugosllavi në komparacion me njësitë autonome në Europe – Pozita kushtetuese juridike dhe funksioni normativ”.

Mbrojtja e kësaj teme në vitin akademik 1970/71 ia solli titullin akademik - magjistër i shkencave juridike-administrative.

Pas tri vitesh të regjistrimit në studime postdiplomike në Zagreb (1965), në vitin 1968 juristi ambicioz vajti në Strazburg (Francë) ku regjistroi edhe Fakultetin ndërkombëtar për studimet e së drejtës krahasimtare. Përveç këtu, sesionet e rregullta shkencore i frekuentoi edhe në Peskari (Itali), Amsterdam (Holandë) dhe Karakas (Venezuellë). Me përfundimin e semestrit të katërt diplomoi edhe për studime të së drejtës krahasimtare.

Duke aspiruar përthellimin e njohurive posaçërishtë nga shkencat juridike administrative, Stavileci pasionant nuk ndalet me kaq. Kreu edhe disa specializime në qendra të ndryshme universitare të botës.

Magjistri dhe specialisti i zellshëm i shkencave juridike administrative, i brymosur me parimin e mbështetjes në forca të veta, në moshën 32 vjeçare fiton gradën më të lartë shkencore - doktoratën.

I cytur nga fakti se ”një nga dobësitë më të mëdha të ish-sistemit të Jugosllavisë ishte mungesa e përgjegjësisë”, temë disertacioni i tij do të jetë: ”Përgjegjësia politike e titullarëve të funksioneve publike dhe vetëqeverisëse”.

Këtë temë, e mbrojti në vitin 1974 në Fakultetin juridik të Universitetit të Sarajevës.

Prof. dr. Esat Stavileci arriti te titulli profesor i rregullt (ordinar) në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1979.

Ndërkaq, në vitin 1996 iu nda titulli anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës – Seksioni i shkencave shoqërore dhe në vitin 2000 merr titullin anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor.

Me të arrirë moshën 65 vjeçare, në vitin 2007, prof. dr. Esat Stavileci doli në pension të pleqërisë në Fakultetin e drejtësisë të Universitetit te Prishtinë. Megjithkëtë, nuk reshti së punuari. Aty vazhdoi angazhimin në Programin studimor për master dhe në Programin për studime doktorale. Gjithashtu, vazhdoi edhe së shkruari.

Po t’iu hedhësh një sy historikut të përvojës në punë sheh se, derisa ishte profesor universitar, Stavileci njëherit ishte edhe ushtrues i një mori funksionesh drejtuese, shoqërore e publike.

Kontributin prej pedagogu universitar, përveç në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, profesori Esat e dha edhe në: Universitetin e Tiranës, Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Jenës, në Universitetin e Sofjes, në Universitetin Amerikan në Bllagoevgrad (Bullgari), në Fakultetin filozofik – Dega e historisë dhe në Universitetin “Dardania” në Prishtinë.

Jashtë punës pedagogjike ishte: zëvendësdekan i Fakultetit juridik në Prishtinë; Drejtor i Entit për Hulumtime Juridike; Kryeredaktor i revistës kulturore shkencore “Përparimi”; Kryeredaktor i Revistës për çështje juridike e shoqërore “E drejta-Pravo”; Drejtor i studimeve pasuniversitare ; ndër themeluesit e “Vjetarit” dhe Revistës se parë juridike në gjuhën e angleze; Shef i Katedrës së shkencave juridike administrative; kryetar i Shoqatës për teori dhe praktikë administrative dhe kryetar i Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës.

Juristi i mirënjohur kosovar Esat Stavileci bëri inaugurimin e vet publik e shkencor me prezantimin e kumtesës: “Aktiviteti normativ i KSA të Kosovës” në Simpoziumin shkencor “Krahinat autonome në Jugosllavi”, mbajtur në Novi Sad (Vojvodinë) në vitin 1967.

Ndryshe, pjesëmarrja e tij nëpër konferenca, kongrese, simpoziume dhe seminare me karakter kombëtarë dhe ndërkombetarë, jo rrallë ngjallte polemika ndër panelist.

Kështu në simpoziumin: “Mbi determinantet historike të krahinave autonome si elemente konstituive të Federatës”, mbajtur në Novi Sad (Vojvodinë), më 26-28 mars 1971 sfidoi pikëpamjet e dr. Radomir Llukiqit, profesorit universitar beogradas.

Profesor Stavileci kishte vënë në spikamë dhe kishte mbrojtur me devotshmëri të lartë tezën për të drejtën e krahinave autonome në vetëvendosje. Mirëpo, teza e artikuluar nga juristi me nam e në zë Stavileci, nuk i kishte shpëtuar vëmendjes së prof. Llukiqit i cili me diskursin e tij urrejtës e kokëfortë angazhohej për konceptin e projekteve të akademikut Vasa Çubrilloviq si pararendës të projektit të Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986). Për rrjedhojë, gjatë punimeve të këtij simpoziumi mes këtyre dy profesorëve kishin pasuar distancime dhe përplasje serioze mendimesh, replika e kundëreplika.

Përndryshe, mu këto projekte famëkeqe i shërbyen Millosheviqit për platformë (elaborat) të politikës së tij zyrtare serbe, politikës së egër e shoveniste që rezultoi me rrënimin e subjektivitetit kushtetues të autonomisë së Kosovës me 23 mars 1989.

Dijetari i shkencave juridike Stavileci dëshmoi dy herë në Gjykatën Kushtetuese të ish-Jugosllavisë: në shkurt dhe maj 1991 gjatë vlerësimit të kushtetueshmërisë së Deklaratës kushtetuese të Kosovës, të 2 korrikut 1990 për Kosovën.

tjerash, prof. Stavileci kishte dalë këtu me pretendimin se kjo Deklaratë, ndryshe hartuar nga akademik Gazmend Zajmi, në thelb ishte akt politik. Mirëpo, si i tillë, gjithnjë duke parafrazuar profesor Stavilecin, ky akt inkorporonte në vetvete edhe qëndrime juridike sikundër edhe Vendimin e Kuvendit të Kosovës me të cilin shfuqizohej Vendimi paraprak i 23 marsit 1990 për dhënien e pëlqimit për amandamentet për Kushtetutën e Serbisë i cili ishte inekzistent. Mbështetej në procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit ku nuk figuronte fare konstatimi për (mos)ekzistimin e kuorumit për mbajtjen apo jo të mbledhjes dhe për të marrë çfarëdo vendimi eventual, pretendonte Stavileci.

Gjatë autonomisë federale Stavileci ishte Kryetar i Dhomës shoqërore-politike të Kuvendit të Kosovës. Lidhur me pjesëmarrjen në jetën politike kishte shpjegimin e shkurtër e të matur: “Detyrën time e ushtroja si amator… Asnjëherë me politikë nuk jam marrë si me profesion”, kishte sqarur për një medium.

Akademiku vizionar, në Kosovën e pasluftës kishte zgjedh të ngel figurë apolitike. Nuk kishte pranuar ofertat e partive politike për t’u angazhuar në jetën politike plurale. Kishte refuzuar të anëtarësohet në ndonjerën sosh për arsyera të nduarnduarta.

“Arsyet janë nga më të ndryshme. Nga ato të natyrës së shëndetit tim deri te ato që flasin për jogatishmërinë time për të qenë dekor në ndonjë zyrë… Sikundër të bëhesha anëtarë i një partie, i një formacioni politik, kam përshtypjen se njëkohësisht do të bëhesha kundërshtar i formacioneve të tjera politike”, pretendonte kryepersonazhi ynë në një paraqitje televizive.

Stavileci ushtroi një varg detyrash, përkatësisht funksionesh ndër vite edhe në jetën sportive. Ishte: prezentator, transmetues, gazetar sporti, Kryetar i Lidhjes së Hendbollit të Kosovës, nënkryetar i Federatës së Hendbollit të ish-Jugosllavisë, kryetar i Lidhjes së Bashketbollit të Kosovës, kryetar i Klubit të vajzave të Universitetit të Prishtinës në Ligën e Federative të ish-Jugosllavisë,kryetar i Organizatave të Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës etj.

Sportit i shprehu falënderime në shkallë të lartë për mundësi të shumta që i kishte krijuar në jetë.

“I falënderohem shumë sportit që m’krijoi mundësinë jo vetëm të shetisë botën, siç thuhet, të marrë pjesë në shumë manifestime sportive si në tre olimpiada verore, pastaj një univerziade, pastaj disa kampionate botërore dhe europiane, por njëkohësisht më bëri të mundshme që unë krahas angazhimeve në fushën e sportit të mbledhnja forcën, të vizitoja bibliotekat më të njohura kombëtare dhe të punoja në avancimin tim profesional … Kënaqësinë që më krijoi sporti unë nuk mund ta harroi dot, sepse vetëm me sportin kam shetitur 78 vende të ndryshme të botës”, gjykonte aktivisti sportiv dhe sportdashësi.

Megjithatë, sporti nuk e sprapsi asnjëherë para sfidave të shumta e serioze ngase mësonte dhe studionte deri në sfilitje për t’i arritur realizuar në plotëni e me kohë synimet e planifikuara intelektuale.

i punimit të parë shkencor në vitin 1966 në ”Përmbledhje e punimeve”, botim i Fakultetit juridik-ekonomik në Prishtinë, ishte prelud në krjimitarinë shkencore të akademik Stavilecit.

Spektrin e çështjeve të veçanta të cilat zgjonin kërshërinë e kësaj figure prestigjioze të shkencave juridike përbëjnë pesë fusha: e para, sistemet politike krahasimtare; e dyta, problemet e administratës publike; e treta, çështjet e gjuhës dhe të kombit; e katërta, çështjet e metodologjisë së shkencave shoqërore e juridike dhe terminologjisë juridike dhe e pesta, t’i quajmë, çështjet e shpalosura sipas rrethanave të kohës.

Përndryshe, Stavileci kishte pranuar troç mungesën e kohëpaskohshme të kurajës profesionale (lexo: juridike) dhe politike gjatë trajtimit të çështjeve dhe problemeve në këto fusha. Këtë rrethanë e kishte shpjeguar fare shkurt: “Pranoj se nuk kam pasur përherë të njejtin guxim profesional e politik dhe se ky guxim, qoftë profesional, qoftë politik është rritur tek unë me aftësimin tim veçanërisht me vjeljen e përvojave që kam nga Fakulteti për të drejtën krahasimtare në Strazburg të Francës”, pretendonte Stavileci në mediumin televiziv.

Kredoja shkencore e doajenit të shkencës dhe të së drejtës është shpërfaq në opusin e begatshëm krijues të tij ku janë stivë gjithsej 35 libra autorial dhe 5 libra si bashkautor. Në këtë fond librar, pesë sosh janë botuar në gjuhën angleze. Këtij opusi duhet shtuar edhe shumë shkrime me të cilat performoi nëpër revista shkencore dhe jo vetëm.

Ç’është e vërteta, këto vepra dhe shkrime në radhë të parë reflektojnë profilin krijues të akademik Stavilecit me çka, s’do mend se, penetroi në maja më të larta të diturisë në fushën e shkencave juridike. Përtej kësaj, në gjykimin tim, ato patën impaktin edhe në reflektimin e profilit kombëtar, pse jo edhe patriotik të tij .

Do ia sjell ndërmend opinionit lexues disa nga veprat shkencore e profesionale që mbajnë autorësinë e Esat Stavilecit: E drejta administrative (1981); Hyrje në shkencat administrative (1997) dhe Elemente të së drejtës administrative (1985).

Punën vetëmohuese kreatori juridik shkencor e ndante “në tri faza kryesore”: në fazën e parë shkrimet që i “janë referuar sistemit politik të ish-Jugosllavisë”; në fazën e dytë shkrimet që “i referohen procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë … dhe daljes në sipërfaqe të çështjes së Kosovës”; në fazën e tretë shkrimet të cilat “i referohen çështjes së Kosovës, mbrojtjes së pavarësisë, të drejtës së vetëvendosjes … dhe problemeve të çështjes shqiptare në përgjithësi”.

Secili që prek nga afër dhe rravgon këto shkrime vë re qartë se këto i atribuohen argumentimit të dy çështjeve: e para, argumentimit të pozitës së Kosovës në ish-Jugosllavi si njësi federale e ish-Jugosllavisë me të drejtën për vetëvendosje dhe e dyta, argumentimit të pavarësisë së Kosovës. Ky i fundit, duke qenë synim shekullor i shqiptarëve, cilësohej nga autori Stavileci pararendës për bashkim kombëtar. Për më tepër, referuar analizave të tij, kujtoj se Kosova dhe kombi shqiptar trajtohen një binom. Si nocione këto qëndrojnë në raporte të ndërsjella njëri me tjetrin.

Akademiku dijedashës nuk prajti së shkruari asnjëherë. Në këtë kontekst, dekadën e viteve të 90-ta Stavileci e quante harkun kohor më të ngjeshur me punë intensive përnga prurjet intelektuale.

“Unë do të veçoja, ndoshta periudhën në të cilën shkalla e prodhimit tim intelektual është më e lartë në vitet e 90-ta, nga vitet kur në fakt filloi procesi i senzibilizimit të çështjes së Kosovës”, citohet krijuesi ynë të këtë thënë gjatë një prononcimi medial.

Në vijim do t’i rikujtoja edhe veprat tjera që hedhin dritë në pozitën kushtetuese të Kosovës si një anë e pazgjidhur e çështjes shqiptare, siç parapëlqente të thotte eksperti i drejtësisë kushtetuese. Këto do t’ishin: “Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, Kosova nën administrimin ndërkombetar” dhe “Çështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore “ – “The Albanian question at the crosseroads of peaceful solution”.

Një numër vëllimesh të veprës së autorit Stavilecit panë dritën e botimit nga këta botues: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Institutit të Kërkimeve Juridike dhe Shoqërore të Fakultetit Juridik në Prishtinë, Shoqata e Pavarur e Juristëve të Kosovës, Institucioni i arsimit të lartë “Dardania” në Prishtinë, Forumit për Iniciativë Demokratike – Gjakovë.

Ndërkaq, një numër sosh u kompletuan dhe u promovuan nga klube dhe institucione të ndryshme arsimore.

Së këndejmi, duhet përmendur Klubin e deputetëve të Unionit të Intelegjencisë Shqiptare në Shkup i cili në dhjetor 2005 promovoi dy librat e autorit në fjalë: ”Kosova dhe çështja shqiptare në udhëkryqet e kohës” dhe “Nocione dhe parime të administratës“. Pastaj, Forumi shqiptar “Imazh dhe media” në Tiranë në shkurt 2009 organizojë përurimin e librit “Rasti i Kosovës si çështje e të drejtës ndërkombëtare - Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës. E Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë promovoi kompletin prej 20 vëllimeve të librave të autorit Stavileci, në tetor 2013.

Sikundër botuesit ashtu edhe promovuesit e këtyre teksteve duhet përgëzuar. Këta mrekullisht dëshmuan nderimin e thellë që ia bënë akademikut të vyer për kontributin e tij të madhë shkencor, profesional e intelektual ndër dekada. Kësisoj, ua sollën para duarsh lexuesit veprën e akademik Esat Stavilecit.

Këto tekste të promovuara të mendjendriturit Stavileci përmbajnë analiza juridike, historike, politike, kushtetuese juridiko-ndërkombëtare të problemit të Kosovës në veçanti e të çështjes shqiptare në përgjithësi. Mirëpo, përmbajnë edhe shkrime joshkencore, siç është “Ditari”. Tutje, në to gjenden artikuj për Kosovën nën administrimin ndërkombëtar dhe qasje juridike profesionale, siç janë: Fjalori i administratës, Të menduarit dhe shkruarit juridik, etj.

Nga aspekti përmbajtësor, afërmendsh se, këto tekste, shpërfaqin edhe një gamë porosish. Pretendoi të jenë porosi shumë të çmuara e me rëndësi aktuale (p.sh. për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi), mbase edhe me rëndësi afatgjatë (p.sh. anëtarësimi në OKB, BE, NATO, etj), do thoshim ne.

Ndryshe, këto porosi iu atribuuohen shqiptarëve:”E para - që të kenë një shkallë më të lartë të koordinimit; e dyta - që në Shqipëri të mbrojnë shtetin, ta ruajnë dhe kultivojnë të qenit shtet … në Kosovë sado që është kohë e shkurtër e lindjes së tij të tregojnë gatishmëri por edhe dëshmi se janë në gjendje të ndërtojnë një shtet”.

Për fatin e keq, akademik Stavileci nuk arriti ta sendërtoi edhe një aspiratë shkencore, me sa kemi njohuri. Me që vdekja e rrëmbeu kah mesviti 2015 ngeli pa i dhënë jetë studimit të paraqitur për botim për vitin pasues 2016 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Hartimin e kësaj proze shkencore ia kishte dedikuar reformave në sfondin e administratës publike.

Përkitazi me çështjet e veçanta për të cilat shkroi Stavileci, shkarazi po e zëmë ngoje monografinë: “Largimi nga puna e punëtorëve shqiptare”.

Çështjen e përjashtimit të të punësuarëve nga puna profesor Stavileci e kualifikonte “akt të diskriminimit nacional dhe social”. Aspironte vendosmërisht se përjashtimi masiv nga puna nuk bëhej për shkaqe juridike (ligjore), siç aludonte së koti regjimi serb. Por, bëhej ekskluzivisht për motive politike, këmbëngulte akademik Stavileci. Ndër to, lejtmotiv cilësohej mospërkrahja e amandamenteve në Kushtetutën e Serbisë në vitin 1989 nga punëtoria e larguar shqiptare në Kosovë.

Ndonëse jurist me vokacion, Esat Stavileci nuk u mjaftua vetëm me krijime në rrafshin juridik. Shpërthejë edhe në rrafshin e letërsisë si: poet (”Adem Jashari”), komediograf (“Kush jam unë”, 2001) dhe dramaturg (“Kosova në pranga”) !

Sikundër në shkrime ashtu edhe gjatë prononcimeve publike, përveç gjuhës elokuente, profesori e akademiku Esat Stavileci spikatej edhe për përdorimin e aforizmave dhe sentencave.

Gjykonte se “shprehja figurative ndonjë herë thotë më shumë se shprehja më e gjërë për problemin”.

Posa mu kujtua “refreni” i profesorit të nderuar drejtuar studentëve përkitazi me vënien në përdorim të fondit leksikor e frazeologjik të gjuhës.

“Vazhdimisht ju kam thënë se arma më e fuqishme e juristit duhej të ishte shprehja e pastër dhe e pasur”, tërhiqte vërejtjen ai.

Për kontributin e çmuar në jetën juridike, akademik Stavileci është “ngarkuar” me mirënjohjen Laureat i Shpërblimit të Dhjetorit 1978. Pastaj, me çmimet: “Anton Mazreku 2004” ; Intelektual i vitit i Kosovës 2007; Intelektual shqiptar i vitit 2009 dhe Qytetar nderi i Gjakovës 2007.

Mbaj në mend fare mirë profesorin e respektuar për sjelljet e tij të njerëzishme dhe qasjen puro pedagogjike gjatë ligjëratave, ushtrimeve praktike dhe provimeve.

E kur bëhet fjalë për Esat Stavilecin si profesor, përkatësisht pedagog, me lexuesin do të ndaja me dashamirësi një sekuencë nga një event i veçantë i jetës studeneske i cili shumë shpejt u shndërrua në fenomen.

E kam fjalën për pjesëmarrjen masive të studentëve të cilët stërmbushnin amfiteatrin nr. 2 të juridikut çdo të martë, që mbahej - nëse nuk më tradhton mbamendja - prej orës 17,00-19,00 të cilët studentë vinin për të përcjellë ligjëratat e profesorit të nderuar me ç’rast ai shpërfaqte erudicionin e tij juridik, kulturor e gjuhësor.

Ky fluks kaq i theksuar studentësh, kujtoj unë, krijohej ngase studentëve të rregullt i bashkangjiteshin edhe një numër studentësh tjerë. Kishte ndër ta student të cilët kishin dështuar në provim nga E drejta administrative. Çuditërisht, kishte edhe studentë që e kishin dhënë këtë provim ! Mbase kishte edhe të tjerë ?! Përkundër këtij “mbipopullimi”, në sallën e tejmbushur përherë mbretëronte qetësia, përkatësisht heshtja që siguronte zhvillimin normal të procesit mësimor akademik.

Përkitazi me këtë masivitet, gjatë prononcimeve mediatike profesori Esat shprehej të ket qenë tejet i nderuar.

“Më bën shumë nder ardhja masive e studentëve dhe mbushja plot e auditorit”, pohonte ai.

I frymëzuar nga ndjenja fisnike e dashurisë për punën që po bënte prej pedagogu universitar, mendoj unë, profesori Esat lartësonte shumë punën me studentë.

“Punën time me studentë e kam konsideruar të shenjtë”, shprehej ai figurativisht.

Ndryshe, kam kujtime të paharruara për metodikën e punës që kultivonte me aq zell në ligjërata.

Profesori i nderuar ia dilte që ta menaxhojë racionalisht orën e ligjëratave që zgjate dy herë nga 45 minuta, me një pauzë 15 minutshe mes orësh. Llogarite kohën prej 17,00 – 19,00 mu nga ora që e zhvendoste prej dorës në tavolinë dhe i përmbahej me shumë përpikëri. Kështu, 45 minutshin e përllogaritte ashtu që gjatë 10 minutave të para i inkurajonte studentët të përsëritnin lëndën e zhvilluar në orën e kaluar. Gjatë 30 minutave pasuese zhvillonte njësinë mësimore me përmbajtje të re. Ndërkaq, gjatë 5 minutave të fundit kontrollonte njohuritë e studentëve në aspektin kualitativ dhe kuantitativ.

Një qëndrim i tillë i rreptë gjatë punës pedagogjike me studentë profesorin Esat e bënte ndër ata pedagog të paktë universitar me qëndrim puritan. Ai gjatë ligjëratave sistematikisht kombinonte tipet e orëve të mësimit (përsëritje, zhvillim, kontrollim),

Këtej, ligjëratat atraktive të tij lartësoheshin në perla të ligjëratave juridike e akademike. Më thotë mendja se, gjatë implementimit të një praktike të tillë akademike çdo herë i dilte mbanë realizimit të agjendës mësimore.

Duke respektuar aspektin didaktik gjatë ligjëratave, profesori Esat me kujdes të shtuar i përqasej shpjegimit të: kuintesencës së temës së ligjëruar; përmbajtjes së njësive si dhe parimeve, metodave dhe formave organizative të njësive mësimore që përkonin me kurikula universitare.

Prej pjesës dërmuese të stafit të profesoratit të juridikut, profesori i urtë veçohej edhe për faktin se, përkrah ligjëratave mbante edhe orët e ushtrimeve praktike me student. Madje, vërehej lehtësishtë se ato i mbante pa asnjë përtesë.

Ndryshe, ushtrimet praktike mbase mund t’ishin ekuivalent me klinikën juridike administrative sipas sistemit aktual universitar.

Përshtypja ime e thellë është se sikundër gjatë ligjëratave në Të drejtën administrative, ashtu edhe gjatë ushtrimeve praktike, profesori impresiononte me çiltërsi dhe me vullnetin e tij demoniak për të qenë sa më frytdhënës tek studentët. Me këtë mirësjellje prej pedagogu, rrëmbente heshtazi vëmendjen e madhe të tyre duke i entuziazmuar dhe rrjedhimisht fitonte admirimin e veçantë nga ta. Ndaj, shprehnin hapur dhe krenarisht se ishin student të tij.

Pedagogu ynë me qëndrim prej pedanti, angazhohej prore që praktika mësimore dhe teoria didaktike duke determinuar njëra-tjetrën të jenë komplementare.

Gjatë këtyre ushtrimeve, profesori Esat paraprakisht bënte një kontroll të përgjithshëm të krejt lëndës E drejta administrative. Përmes përsëritjeve të njësive të kaluara, s’do mend se studentët, përforconin njësitë mësimore të ligjëruara nga profesori i palodhshëm. Më pas, jepte detyra për të ngulitur më mirë njohuritë teorike të studentëve të mësuara gjatë ligjëratave apo nga literatura.

Nuk më del nga mendja dot kur orët e ushtrimeve praktike i ngjeshte me shembuj konkret duke demonstruar akte formale juridike të autoriteteve kompetente. Përmes tyre konkretizonte drejtpërdrejt leksionet e caktuara nga e drejta administrative, procedura administrative, konflikti administrativ, procedura kundërvajtëse, etj. Kësisoj, ato i bënte praktikisht më të qarta dhe më të kapshme për studentë. Fundja, ky ishte synimi final i tij prej pedagogu të palodhshëm dhe energjik.

Ndërkaq, sapo vërente nevojën për “këndelljen” e studentëve gjatë ligjëratave apo ushtrimeve, sakaq “ndërhynte” me ndonjë aforizëm apo humor. Këto i ndërlidhte natyrshëm me ndonjë mësim të nxjerrë nga jeta apo me ndonjë dobësi dhe kështu relaksonte atmosferën. Më pas, rikthente vëmendjen e studentëve aty ku mësimi ishte “ndërprerë” për t’vazhduar tutje mësimin.

Gjatë përsiatjeve studentore për të dhënë përgjigje imediate e sa më të sakta pyetjeve të parashtruara, parakuptohet se përgjigjet vareshin shumë jo vetëm nga njohuritë e fituara por edhe nga shkathtësitë studentore.

Përkitazi me angazhimin e vet për suksesin e studentëve në provime, profesori Esat shprehej të ketë qenë i nderuar.

“Më nderon përpjekja ime e vazhdueshme që të bëj një përgatitje solide të tyre. Ndoshta aty edhe qëndron arsyeja e një shkallë relativisht të lartë e kalueshmërisë së studentëve në provime”, pat thënë profesori ynë.

Le t’më falin profesorët tjerë të juridikut të viteve akademike të sipërpërmendura, por ndryshe nga ta që zakonisht praktikonin vetëm një opsion klasik (tradicional) në provime me gojë: ose tërheqjen e shortit nga ana e studentëve ose parashtrimin e pyetjeve me gojë nga profesori, profesori “zemërgjërë” Esat, praktikonte edhe të tjera opsione. Pra, mbase mund te themi se për çështjen konkrete, kishte një mendësi ndryshe nga kolegët e tij !

Edhe tani, pas 47 vitesh ka mbetur në memorien time gama e opsioneve që aplikonte ”ideatori” i nderuar i tyre. Kështu, përveç tri pyetjeve të tërhequra ”me short”, që paraqiste formën standarde në provime me gojë, profesori Esat praktikonte edhe versione të tjera, p.sh.: tri pyetjeve të tërhequra me short studenti t’i përgjigjej në formë të shkruar e jo me gojë; pastaj praktikonte pyetje-përgjigje “blic”, (duke bërë “sheti nëpër lënde”, siç preferonte të shprehej ai); bashkëbisedimin (dialogun profesor-student për tema nga më të ndryshme brendapërbrenda lëndës); shpalosjen e librit dhe shpjegimin e temes se rastisur në faqen që hapte studenti. Mbase ka praktikuar edhe të tjera opsione që hë për hë më kanë dalë nga mendja. Ofrimi i këtyre opsioneve nga profesori Esat ishte shumë i levërdishëm dhe i përgjigjej pothuajse gjithë studentëve që i nënshtroheshin këtij provimi sepse në morinë e këtyre versioneve secili student përzgjidhte lirshëm versionin që ishte më i përshtatshëm për të treguar shkallën e njohurive të fituara për të kaluar provimin. E, duket se pikërishtë këtë e kishte pikësynim profesori Esat.

Por, profesori Esat bëri edhe me tepër se kaq. I dërgoi një “mesazh” mjaft sinjifikativ kolegëve të vet.

“Çasja e profesorit do të duhej t’ishte që t’i pyes studentët me supozimin çfarë dijnë e jo se çfarë nuk dijnë sepse profesorët poqëse e ndjekin atë rrugë shkalla e kalueshmërisë do të ishte e dobët”, gjykonte ai.

Në mendjen time ende kanë lënë gjurmë dhe përshtypje edhe momentet kur profesori i respektuar i ftonte studentët e shkallës së tretë - Drejtimi juridik administrativ, që t’i mbronin punimet seminarike para auditorit studentor të vitit të dytë të juridikut. Ky prezantim ishte “parakusht” që ato punime t’i mbronin më pas para kolegëve të vet në shkallën e tretë të studimeve juridike.

Akademik Esat Stavileci i takon plejadës elitare të juristëve që ka patur ndonjëherë Kosova. Këtej, pretendoj fuqishëm se ky rreshtohet krahas: akademik Gazmend Zajmit, prof. dr. Ejup Statovcit e prof. dr. Bardhyl Qaushi. Këta tok përbëjnë aureolën e nderit e të lavdisë së profesoratit të Fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës dhe të arritjeve të mëdha të shkencës juridike kosovare dhe jo vetëm.

Profesor Esati, e përmbylli punën e vet pedagogjike në mënyrë shumë të veçantë gati pas një gjysëmshekulli me student të drejtësisë. Nuk më ha mendja të këtë vepruar ngjashëm ndonjë pedagog tjetër universitar para dhe pas tij.

Ç’është e vërteta, në prag të pensionimit i suprizoi studentët kur gjatë “ligjëratës lamtumirëse” ua solli “porosi të jetës dhe kohës”, siç e emërtoi ai vet ”listën e porosive”, përkatësisht një “testament prekës dhe motivues”, siç e emërtuan mediat, përkatësisht rrjetet sociale ku bëri bujë.

Marrë parasysh natyrën e këtij shkrimi e quaj të arsyeshme që t’i përzgjedh disa nga “amanetet” e “testamentlënësit” për studentët që vijnë brez pas brezi: “Në jetë bën vetëm atë që duhet ta bësh, mos bën atë që s’duhet ta bësh”; “Mos jetoni pa një motiv sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë !”; “Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet”; “Njerëzit flasin shumë sepse “fjalët i kanë falas !”. Prandaj, flis tamam”; “Herët kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha !”; Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardh fytyrën drejtësisë: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjen, po sikur që e lanë fytyrën”.

Ndryshe, kalimi i akademikut tonë në jetën e amshuar, pas jetëgjatësisë së tij prej 73 vitesh, një muaji e katër ditë jete na pikëlloi thellë të gjithëve. Sikur varfëria ime letrare më pamundëson për të gjetë fjalë ngushlluese për ate që na ka rëndue pa masë kjo plagë e pashërueshme. Sikur po shoh edhe vet se ende më mungon zotësia me gjetë mënyrën si me i ngushllue zemrat e pangushlluara të familjes Stavileci: bashkëshortin, baban dhe gjyshin e mrekullueshëm që i bënte atëbotë të ndihen krenar, ndërsa sot i bën ta ruajnë atë krenari. Pastaj, zbrastësia u krijua edhe në Akademinë e Shkencës dhe Arteve të Kosovës – ngase u shua krijuesi shkencor i cili ndër dekada tregoi rezultate të veçanta në jetën shkencore e profesionale dhe jo vetëm për çka zuri vendin e merituar në këtë Akademi. Zbrastësia vërehet edhe ndër kolegë, shokë, miqë e studentë e shumtë gjithandej Kosovës dhe përtej kufijëve të saj në botën shqiptare.

Duke i shprehur ngushllimet më të sinqerta të gjithëve, do shtoja se përmes këtij përkujtimi, ta quaj modest, bëra përpjekje që paksa ta përmbush vetëm një obligim moral. Desha që post mortum ta falënderoja përulësisht profesorin tim, e të qinda e mijëra studentëve të tjerë, për punën e veçantë me dekada prej pedagogu model. Doja ta falënderoja përultësisht juristin tonë ikonë i cili magjepsi me personalitetin e tij dhe me punën e tij. Vetëm një njeri dhe pedagog i tillë si profesori yne i dashur lë gjurmë të thella në ndërgjegjën dhe në kujtesën tonë të përgjithmonshme.

Tashmë, në vitin e 78 të lindjes së tij (11 korrik 1942) dhe në 5 vjetorin e vdekjes (15 korrik 2015), shembëlltyra e ndritshme e këtij imazhi të jashtëzakonshëm do te kujtohet dhe nderohet me nostalgji e pietet.

Duke i dhënë fund këtij përkujtimi nevojisht të zgjatur, sepse si i tillë të fut në mundim për të sintetizuar shkurt e saktë jetën dhe veprën madhore që ka lënë ndër dekada kryesubjekti ynë, megjithatë pashmangshëm ngre një shqetësim të veçantë dhe njëkohësisht pyes: vallë, me se mund të mburremi sot se jemi duke mbajtur gjallë dhe duke nderuar kujtimin tonë për figurën monumentale dhe veprën kolosale të njeriut të rrallë të quajtur Esat Stavileci i cili përfundoi me devotshmëri misionin e vet ndër beteja e rrokopuja përgjatë historisë së re politike e juridike kosovare.

Ndërsa profesori Esat preferonte të fliste me aforizma para studentëve, intelektualëve, mediave, shokëve e miqëve dhe të shkruante aforizma për t’i shoqëruar shkrimet e veta brilante shkencore, profesionale e publicistike edhe ne e quajmë të nevojshme që këtë përkujtim ta përmbyllim me thënien e shkurtër: “Ruani vetëm kujtimin tonë dhe ne nuk humbasim asgjë duke ikur nga jeta” (Uiter).

I LEHTË TË QOFTË DHEU, I PAPËRSËRITSHMI PROFESOR !

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat