Budina: Isha në burg të detyruar, s'mund të kesh besim te kriminelët që e shembën teatrin me njerëz brenda

Kultura

Budina: Isha në burg të detyruar, s'mund të kesh besim te kriminelët që e shembën teatrin me njerëz brenda

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 08:30
Edmond Budina

Regjisori Edmond Budina është rikthyer te sheshi i Teatrit Kombëtar pas dy javësh karantinim të detyruar.

Përmes një video-mesazhi në Facebook, Budina shprehet se ishte në një burg të detyruar.

Ai nuk dyshon se mund të ishte infektuar, por akuzon kryeministrin Edi Rama për publikimin e emrit të tij, dhe të vëllait Robertit.

Për të, shkeljet ligjore janë bërë të modës në vend, dhe sipas Budinës, nuk mund të kesh besim te kriminelët që shembën Teatrin Kombëtar edhe pse kishte njerëz brenda.

Edmond Budina: ''Sikundër e shikoni, unë personalisht gëzoj shëndet të plotë. Pas dy javësh i mbyllur  në shtëpi, në një burg të detyruar, nuk mund të them se nuk kam qenë i infektuar sepse nuk kam të drejtë të dyshoj, por mënyra me të cilën emrat tanë u bënë publikë është skandaloz. Skandalet këtu në Shqipëri vazhdojnë të ndjekin njëri tjetrin. Ky skandali jonë mbase është më i vogli i skandaleve dhe krimeve që ndodhin në këtë vend. Është skandaloze që kryeministri i një vendi merret personalisht me dy njerëz. Unë dhe Berti nuk do ta lemë me kaq, do ta ndjekim në mënyrë ligjore.''

''Shkeljet ligjore këtu në këtë vend janë bërë të modës, dhe sa më shumë shkelje ligjore të bësh, aq më i ndëruar u duket vend këtyre, pronarëve, bejlerëve të këtij vendi, të cilët po e shkatërrojnë këtë vend. Këta janë ca kriminelë. Përderisa ata dhanë urdhër që të shembej Teatri Kombëtar kur brenda kishte akoma njerëz, tek këta nuk mund të kesh besim, por ata duhet të përgjigjen para drejtësisë.''

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat