Dashuri pa lajka

Kultura

Dashuri pa lajka

Nga: Valbona R.Hadri Më: 7 korrik 2020 Në ora: 17:07
Valbona R.Hadri

Lakmia për ta puthë qiellin mbi ballin e nënës, nga dëshira dhe malli ëmbëlsohej me lëngun e luleshtrydhës që i rridhte vogëlushes nga buzët e një fëmije engjëllor, e cila, porsi flutur sillej rreth së ëmës pa ia nda sytë asnjëherë.

Ajo me doçkat e saj merrte flokët e nënës duke ia krehur me gishtërinjtë e butë. Pastaj, faqet e nënës me dashuri i ofronte pranë  buzëve të saj qumështore .

Anije lundronte bashkë me dashurinë e saj.

Vogëlushja - syrrushja, herë - herë fuste kokën në gjoksin e bardhë që e rriti me dashuri prej nëne.

Unë bashkëudhëtarja e së njejtës anije, me një mbyllje syri kujtova tim bir dhe një natë dimri.

Shumë vite më parë, bënte një acar që të nxirrte sytë.

Diku larg nga qyteti, ecnim nëpër një ftohmë të madhe që na merrte shpirtin. Im bir i sëmurë digjej nga zjarrmia e madhe veshur gjithë trupit të tij.

Pa besuar askush se do të shpëtonte engjëlli im, natën e tretë syengjëlli kokëmbështetur në ballin e tim nxori një fjalë duke më thënë: mami, më jep numrin e Zotit!

E habitur nga e papritura ia lëmova flokun dhe iu përgjigja: për çfarë të duhet numri i Zotit,  zemra ime e vockël?

Dua ta thërras Krijuesin tim të më shëroj mamanë që ta mbaj në gji.

Dua t'i them: babanë ma more, të lutem më lërë mamanë të qëndroj me mua, e dua buzëqeshjen e saj të më bëj dritë.

Lutjen e një engjëlli e përqafoi Perëndia dhe nga shpirti i nxori tërë flakat, duke e shpëtuar një zë fëmije një dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat