Vështrim për romani “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi - Bota Sot
Vështrim për romani “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi

Kultura

Vështrim për romani “Dy vdekjet e një jete” të shkrimtarit Fatmir Halimi

Ismail Aliu Nga Ismail Aliu Më 8 korrik 2020 Në ora: 07:18
Kopertina e librit

Dashuria te romani Dy vdekjet e një jete i shkrimtarit Fatmir Halimit kap majat më të paimagjinueshme të sublimes, fisnikërisë dhe shenjtërisë, duke kulmuar kësisoj në stadiumin e përjetësisë, ku treten limitet-përkufizimet e kohës dhe hapësirës. Dy vdekjet e një jete është romani më i arrirë artistikisht këtyre viteve të fundit në letërsinë tonë, i cili lexohet me një frymë dhe kësisoj me ngjarjet që zhvillohen në të, secilin lexues e bënë për vete. Ky romani edhe pse në titull askund nuk e përmend fjalën dashuri, kryekëput trajton temën e dashurisë dhe atë në dy aspekte. Aspekti i parë është dashuria e madhe ndaj atdheut, ku personazhi kryesor Astriti, lë jetën e bukur dhe metropolet perëndimore plot bukuri dhe kthehet në atdhe për të luftuar, ku sipas bashkëluftëtareve të tij ai vritet në betejën e Koshares. Por Astriti realisht nuk ka vdekur, sepse trupin e tij gjejnë në agoni disa njerëz nga Shqipëria dhe e tërheqin nga fushëbeteja, dhe ai më vonë shërohet. Kurse shokët e luftës pas tre ditëve, kur i mbledhin trupat e vrarë dhe i varrosin, ata gjejnë aty dokumentet e tij dhe në njërin varr e shkruajnë edhe emrin e Astritit. Aspekti i dytë dhe shumë i rëndësishëm është se, edhe pse Astriti pas çlirimit e merr vesh se forcat serbe ia kanë vrarë tërë familjen, ai kthehet përsëri në atdhe. Tash kthehet për dashurinë edhe më të madhe që ka lënë në Kosovë para tetë viteve, pra për Valberën, të cilën e dashuron përjetësisht. Valbera edhe pse është martuar me një tjetër ajo ende e dashuron Astritin. Ata takohen e rinjohin njëri tjetrin, e kuptojnë dhe pajtohen me realitetin e ri, por siç potencova shkrimtarin dhe filozofin e madh indian, Osho, dashuria e tyre i kalon suazat e natyrores dhe kalon në sazet e hyjnores, ku Osho për dashurinë thotë: ‘Kur dashuria ekziston dhe kur dy qendrat takohen e shkrihen njëra në tjetrën – krijohet kualiteti i ri alkimik. Sikur përnjëherësh e tërë jeta të jetë ndalur – nuk ka lëvizje. Tani ky moment i tanishëm - është i vetmi moment dhe tani lirisht mund të themi: - Ah, kjo ëmbëlsirë qenka kaq e shijshme! Madje as vdekja nuk ka kurrfarë rëndësie për njeriun që është duke dashuruar”.

Prandaj po këto që thotë Osho për dashurinë, këto i ndodhin Astritit me Valberën në momentet e fundit të jetës së tij, i cili tash po vdes për herë të dytë në krahët e të dashurës së tij, ku me këtë rast do ta ilustrojmë me pak tekst nga romani:

“Astriti me vështirësi i mbante sytë hapur dhe me dorën tjetër ia fshiu lotët Valberës, e i tha:

- Ti mos u mërzit për mua, unë edhe pse po përjetoj dy vdekjet e kësaj jete, unë ty do të pres në botën tjetër dhe atje do të jesh e imja përgjithmonë.

Valbera e puthi në ballë. Derisa ajo qëndronte me kokë mbi fytyrën e Astritit, atij ia lagte faqet me lot, saqë e bëri atë të formojë një buzëqeshje dhe si në shaka i tha:

- Boll më se më lage të tërin, por më thuaj se a do të jesh imja që unë të shkoj i lumtur në botën tjetër?!

-Çdo herë do të jem e jotja, - tha Valbera dhe tash plasi me zë në vaj, e doli nga dhoma duke qarë.”

siç vërejmë edhe nga vetë teksti i romanit, kuptojmë se sikur edhe vetë autori Halimi beson në fuqinë e dashurisë, beson se ekziston dashuria e amshueshme, ai beson në një dashuri të pakufishme dhe të pa matshme në kohë. Për këto koncepte të shkrimtarit Halimi, të cialt ai i përshfaq gjatë romanit të tij për dashurinë e amshueshme, për dashurinë e jashtëkohëshme përgjigjen më se miri e gjejmë prapë te filozofi i shekullit tonë Osho, i cili ndër të tjera thotë se njeriu plaket dhe vdes, ndërsa dashuria jo! Ajo mbetet përherë e re pasi i takon qendrës, e qendra sipas Oshos nuk i përket kohës, njëjtë sikurse shpirti, që mbetet përfundimisht i freskët, i përjetshëm, pavarësisht moshës së njeriut. sipas tij dashuria e vërtetë është e amshueshme dhe i takon hyjnores. Si përfundim mund të them se te romani "Dy vdekjet e një jete", përballemi me dashurinë më sublime e më idilike në mes të kryepersonazheve të Astririt dhe Valberës, përballemi me romancën e dy të dashuruarve të përjetshëm, që eklipson çdo kufi e barrierë të përkohësisë, si imanentë, respektivisht, si komponentë inkoherence të botës relative...

Fatmir HALIMI

Halimi u lind më 26. 03. 1972, në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Podujevë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Po aty i përfundoi edhe studimet pasuniversitare, ku mori titullin: Master i Shkencave të filologjisë (Ma. Sc.). Është poet, gazetar, shkrimtar, kritik letrar dhe profesor i gjuhës shqipe. Poezitë e para i botoi në vitin 1989 në revistën; "Zëri i rinisë". Që atëherë poezitë dhe punimet e tij letrare e shkencore i botoi gati në të gjitha gazetat dhe revistat si Rilindja (Bujku), Bota e Re, Fryma, Bota sot, Kosova live, Iliria Post, Kosova sot, Epoka e re, Jeta arbëreshe në Itali, etj. Vepra e tij e parë, "Kornizat e burgut", e shkruar gjatë viteve të ’90-ta, u botua më1996, e cila pas kërkesave të lexuesve u ribotua në vitin 2007. Nga fusha e kritikës letrare deri më tash ka të botuar këta libra: - “Postmoderniteti në prozës e Zejnullah Rrahmanit”, 2015. -“Prej modernes kah postmodernia”, 2016.

- Kurse romani “Dy vdekjet e një jete”, botues: ”ProkultPress”, Prishtinë, 2017, më 2018 u shpall romani më i mirë i viti në Kosovë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit. Fatmir Halimi nga viti 1997 e deri në vitin 2007 punoi gazetar në disa gazeta dhe radio, si në gazetën “Bota Sot”, në portalin e lajmeve “Kosova Live”, gazetën “Iliria-Post”, etj. Nga viti 2004 e deri më sot punon profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, kurse si botues me SHB PorkultPress deri më tash ka redaktuar dhe lekturuar më se 140 libra të fushave të ndryshme si letërsi, publicistikë, histori, art etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat