Nga ninullat e tua

Kultura

Nga ninullat e tua

Nga: Zymer Mehani Më: 11 korrik 2020 Në ora: 07:57
Zymer Mehani

1.
Nga ninullat e ëmbla,
E shtrenjta ime nënë,
Shumëherë, unë biri Yt
Në gjumë pata rënë.

Tani më erdhi radha
Dhe mua, e dashur nënë,
Këngët të t'i këndoj
Por Ti, s' zgjohesh, nënë!

Fytyra Jote e bukur,
Zemra jote e dëlirë
Sa shpesh më kujtohen,
O nëna ime e mirë!

Buzëqeshjet e ngrohta
Porsi rrezet e diellit,
Sytë Tu shkëlqimtarë
Si kaltërsia e qiellit.

Në ëndërr më shfaqesh,
Shpeshherë e menduar
Prapë më këshillon
Rrugët për t'm'i treguar.

Shkove në amshim
E dashur nënë Ti
Udhërrëfyese për mua
Gjer në përjetësi
2..
Sa e ëmbël
Fjala Jote!

Sa i zjarrtë
Shikimi Yt!

Ç’po më dhemb
Zemra për Ty,
Nënë-
E shtrenjta dashuri!

Sa përkëdhelëse
Dora Jote.

Sa e këndshme
Gjer në joshje!

Ç’po më djeg
Zemra për Ty,
Nënë-
E shtrenjta dashuri!

3.
Në jetën time-
Frymë e ngrohtë plot dashuri

Në zemrën time-
Fjalë e ëmbël me dëlirësi

Në ëndrrën time-
Rreze që që ndriçon në kaltërsi
4.
Kur i pushi zemra,
Ngadalë në dhe e lëshuam,
Lulet seç u thanë,
Fluturat fluturuan...

Trupi i saj i lehtë
Mezi e prekte tokën,
Ç'dhembje n'zemrën time!
Ç'lotë nga sytë më rrodhën!...
5.
Balli Yt-
Një Abetare.

Syri Yt-
Një Dritare.

Zemra jote-
Një Fole.

Yti emër-
Vulë në zemër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat