Nënë dhe babë

Kultura

Nënë dhe babë

Nga: Albert Z. Zholi Më: 21 korrik 2020 Në ora: 15:31
Albert Z. Zholi

Ditë e ftohtë nëntori! Kakavija dhe pse e mbushur me njerëz, dukej si e ngrirë, e ngrirë. Vetëm avuj dilnin nga gojët njerëzore. Zërat dukeshin sikur ishin trembur nga ai realitet i zymtë, prekës, strukur në ndërgjegjen e tyre, për t’iu përshtatur makthit të padashur të ndarjes. Njerëzit shihnin si të hutuar njeri-tjetrin, duke mos gjetur dot fjalët  e përshtatshme të ndarjes. Fytyra të mpira, të vërejtura, të dëshpëruara, mbushur plot ankth dhe brengë të shihnin sytë gjithandej. Lot ngrirje  që të përcillnin në mënyrë të pavetëdijshme një zbrazëti shpirtërore sikur të ndodheshe në një planet të panjohur dhe jo në një pikë kufitare të atdheut tënd të shtrenjtë. Kur ndodhesh në këtë kufi-ndarjeje, kur shikon të valëvitet krenar flamuri kombëtar, natyrshëm në qenien tënde të gëlon një ndjenjë gëzimi  që të jep forcë dhe krah që më vonë, po kjo vijë imagjinare e ndarjes kufitare, sapo e kalon, të prêt forcat, të dezulizionon, të mpak, të bën të psherëtish thellë, thellë në shpirt. Asnjë cicërimë zogu nuk dëgjohej. Edhe qentë që na vinin rrotull nëpër këmbë të shihnin si të hutuar duke tundur vetëm kokat dhe bishtin. Të gjithë po flisnim me shikim dhe me kokë. Heshtje misterioze në mes mijëra gjallesash njerëzore. Policët,  miratimin apo mosmiratimin e kalimit e bënin me të tundura të kokës. Nga kjo soditje aspak relaksuese, më shkëputi zëri i ëmbël i nënës sime:

-Do të ikësh dhe ti  bir ?!

-Po nënë, do të  iki !

-Po ti punë të mirë kishe mor bir…! - dhe psherëtiu  thellë, shumë thellë. U mbështet  në  gjoksin tim dhe filloi të qajë me dënesë. Lotët e saj të nxehtë dhe të kripur depërtuan  nëpër bluzë dhe lagën gjoksin tim.

-Po ndahemi biro, po ndahemi së gjalli. Dy në Greqi, një  drejt Italisë, ne në shtëpi  si  kërcunj. Unë s’dija ç’ti thoja, vetëm i lëmoja flokët  e thinjur. Babai im i mirë, rrinte  si  i  ngrirë me  vështrimin tutje në thellësi të Greqisë.

-Do të mblidhemi ndonjë  ditë të gjithë bashkë o bir ?!

-Do të mblidhemi nënë, do  të mblidhemi !

-Po kush na ndau kështu, kush…?! -dhe filloi të  qajë me zë, duke më pushtuar  më  fort  rreth vetes. Ishim  në kufirin e ndarjes në Kakavijë … Disa metra përballë  nesh, një  vajzë e vogël 5-6 vjeçare mes të qarave thërriste:

-Baba, baba, ktheu mos më  lër vetëm! Ndërsa ai po i tundte dorën nga ana tjetër e kufirit.

-Më tej dy të sapo fejuar:

-Do të ikësh i  dashur …?- dhe dy pika loti si margaritar i ranë faqeve të bukura. Po ne s’ndenjëm  as… - dhe  shikon  me  turp nga  prindërit.

-Një nënë tjetër :

-Mos më harro bir i nënës ! Të lutem, vetëm letra dhe zërin në telefon  duam, asgjë  tjetër!- dhe  kafshon buzën për të ndaluar lotët. Dhe  ja … Hapet një portë. Një portë  hekuri. Kaluam një  prag. Pragun e një porte të ftohtë, që ndante dy shtete, dy botë. Andej nga ne ankth, dhimbje, braktisje, toka djerrë, lot. Këndej këngë, gjelbërim, punë. Ne, shumë pak po e kalonim këtë portë, shumë të tjerë kalonin për tek bota e ëndrrave duke kaluar male të  thepisur, gryka të mbuluara me borë, pyje me egërsira, dete të ftohtë dhe të mjegullt, lumenj të rrëmbyeshëm …

-Shkonim të gjenim parajsën…E gjetëm ?! Mbrapa linim  lot…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat