Ernest Koliqi arkitrau i prozës shqipe

Kultura

Ernest Koliqi arkitrau i prozës shqipe

Nga: Zef Përgega Më: 27 korrik 2020 Në ora: 20:39
Zef Përgega

…hija e maleve ra mbi kohen. Zanat flenë në një varrezë të shndritshme. Ajo e fundit e la një këngë në logun e lisave, që bariu ia mësoi nuses së tij e ajo fëmijëve të së ardhmes, duke pritur derisa lindën këngëtarët hyjnorë, për të zbritur nga mali në fushën e begatë të atdheut, me këngën e zgjimit ndërkrahinore, në respekt të idealit shpirtëror të heronjve dhe krijuesve të epopesë. Si më ra në dorë “Hija e Maleve?!” Disa tezga të gjata me kaseta, libra, bluza me flamurë kombëtar, kryqe dhe uratë, revista nën zhurmën e magnetofonave ftonin njerëzit pas kërcimeve dhe valleve, kapur dorë për dorë. Mora një libër të vjetër me një bojë blu fort e çelur. Burri që shiste libra tha: “Libri im bën 20 dollarë, ndërsa librin e Koliqit po ta jap falë!!!” Ernest Koliqi, ish ministër i arsimit të Shqipërisë në kohen e okupacionit italo-gjerman dhe profesor në Universitetin e Palermos, i cili botoi për njëzet vjet revistën “Shejzat” ia kushtonte librin prindërve të vet. Në kopertinën e fundit shkruhej: Botimi i dytë më 1984 nga Shoqëria botuese letrare Livonia- Michigen.

Shoqeria e Pare botuese 40 vjet me pare 

Pas rreshtave prezantues të shoqërisë botuese e letrare në Livonia të Michigenit thuhet se libri “Hija e Maleve” bën 10 dollarë dhe mund të porositet tek Xhevdet Hoxha, në adresën 29559 Lamer Lane Livonia MI 48152. Kjo tregon se komuniteti shqiptar në Detroit, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, i vogël në numër, ka pasur një shtëpi botuese, që deri tani të paktën për mua ka qenë e panjohur. Fakti që kjo shtëpi botuese ka promovuar librat me më vlerë të kulturës shqiptare, shpreh jo vetëm vizionin e themeluesit të saj, por edhe vendos gurethemelin, duke i vënë humbjes dhe asimilimit një digë të madhe. Drejtuesi i kësaj shtëpie botuese ka qënë Xhevdet Hoxha.  Për të mësuar më shumë rreth tij pyeta një ditë aktivistin e diasporës Julian Çefa: “Xhevdeti është nga Kopliku dhe ka mbaruar shkollën në Shqipëri për mësues. Ka punuar pak kohë si mësimdhënës në Mirditë bashkë me vëllain tim, Çezar Çefa. Me pas Xhevdeti ka emigruar në Amerikë dhe ka punuar për rreth 15 vjet si redaktor në “Zërin e Amerikës.” Në shënimin përcjellës që botuesi Hoxha i bën librit me 12 novela të Ernest Koliqit ai shkruan: “Po dalim para lexuesve me numrin e dytë të bibliotekës letrare, një përmbledhje novelash, botuar për herë të parë në Zarë në vitin 1929. Autori i këtyre novelave nuk ka nevojë për paraqitje. Nëpërmjet shkrimeve të shumta, romane e novela, tregime e poezi dhe përshkrime e artikuj të ndryshëm, gjithashtu punës së madhe të zhvillimit të arsimit kombëtar, si drejtues e punëtor shkencor, Prof. Ernest Koliqi është i mirënjohur para shqiptarëve, që merren me kulturë. Lexuesi i moshës së re, ndoshta as e ka lexuar titullin e këtij libri. Për këtë arsye kishte me u nevojit, por po kufizohemi me citimin e letrës së një miku, i cili ndër të tjera shkruan: “Kur isha student në shkollën e mesme në Tiranë në vitin 1935 e lexova këtë libër në bibliotekën kombëtare. Më pëlqeu jashtëzakonisht, sidomos për gjuhën e bukur dhe përshkrimin e shumë traditave shqiptare. U mundova me e gjet një kopje që ta kisha në bibliotekën personale, por që e pamundur. Atëherë mora një makinë shkrimi dhe e kopjova të gjithë librin. Për me plotsue dëshirën e mikut dhe të lexuesve ne vendosem me e riprodhue.” Ramë në kontakt-shton botuesi, me mikun tonë Dr. Petro Vuçanin, i cili pati vullnetin me e fotokopjua dhe me na dërgua tekstin e plotë të këtyre novelave. Dr. Vuçanit i jemi shumë mirënjohës për këtë punë të madhe. Sa i mahnitshëm është respekti mes Xhevat Hoxhës, Dr. Vuçanit dhe veprës së Koliqit! Historia nuk fillon kur erdhe ti me kovën e ndryshkur pa qumësht! Ajo ka nisur që herët, madje kur erdhi mërgimtari i parë, e Xhevat Hoxha është një gur piramide që bën dritë në rrugët tona të ikjes. Me këtë mendim i rilexova novelat e Prof. Koliqit, këtij arkitrau të prozës dhe letërsisë shqipe.

                                A do te kthehet Zana e Fundit?!

Gjithë bota mitologjike shqiptare ka qenë mbushur me zana, saqë çdo mal apo breg deti kishin çerdhen e zanave të veta. Sot ruhen ende vende që quhen me emrin e tyre. Kur nisnin betejat mbi armikun shkelës, trimat e merrnin në sy rrezikun e gjunjët nuk i lëshonin nga shkulmi i hovit që u jepte zana. Në ditët e ngadhënjimit, zanat mjekonin plagët e heronjve me sytë e ngrohtë të diellit dhe ujët e kripur të detit. Ato merrnin dhe u konin qumësht prej deleve të tyre poeteve që ti këndonin triumfit të lirisë. Një ditë ato, kur i duheshin më shumë popullit shqiptar u zhduken, po këngëtarja më e mirë mbeti gjallë. Ajo i mbështolli trupat e adhurueshëm të Pajtorëve e rudinave në tisa të tejdukshëm në një shpellë kristali. Po si ndodhi kjo mugëtirë trishtimi?! Autori nëpërmjet personazhit të Rushitit, i cili u tregon kushërirave përrallën, shpaloset analiza e botëkuptimit të shqiptarit. Koliqi godet me penen e tij të stërvitur në virtyte e në karaktere, një strofull ku hyjnë e dalin korbat që s’qepojnë lirinë. “… Shqiptarët nisen me e harrue lumninë e etërve fatosa. Iu duel kujtimit atdheu. Mendimet dhe dëshirat e tyre u kufizuan ndër caqe të bajrakut. Trimërinë e trashëguar filluan ta përdorin për vrasjen e shoku-shokut. Për Shqipërinë e Mbretit të Madh Skënderbe, asnjëri s’kishte për ta pikë malli në zemër. Thonë se në atë këngë dëgjohej zhurma e përkujdesjes së djepave e fjalët e nanës Nina-Nana, që u ndjellin gjumin e ëmbël fatosave të ardhshëm të lirisë. Thonë se në ato këngë dëgjohej gurgullima e krojeve me një krismë armësh, brohori dasmash, në ballë krushqit e malit. Po po, thonë së dëgjohej kënga e kambanave të faltoreve. Dhe kënga e tyre pushoi, s’u dëgjua më…” A ka humbur kënga e zanës së fundit?! Jo, jo nuk ka humbur. Është fshehur në këngët e vallet tona. Po që tani janë kthyer në skllave të shtypura e të papërfillura. Shkrimtari nuk e bjerr shpresën nga buzët e njoma të zanave, që flenë ndër vorre të kristalta, duke pritur ditën e agimit të madh. “…flenë ëndërrojnë lumninë e ardhshme të kombit tonë e, krojet e gëzimit kanë për të çelë në çdo kënd të Shqipërisë. Lulet tona që mbulojnë vorre dëshmoresh, kanë për tu gërshetuar me kurora kremtimesh” Kush do ti ngjallë zanat?! Në fund të novelës “Zana e Fundme” fjala përmbyllëse është: “Në fund Reshiti pëshpëriti sikur ti jepte përgjigje mendimeve të thella “- kush e di !”

Lek Dukagjini ishte thirrur në darkën e Kastriotit në Krujë për fitoren ndaj turkut. Leka përcillet me 50 luftëtarë 20 krenë e 30 gra, mes tyre edhe Lula, vajza me e bukur e Dukagjinit. Heroi kombëtar thirri kërcimtarët dhe me të mirës do ti jepte një çmim. Kur pa se çmimin po e fitonte një turkeshë del në skenë zana e Dukagjinit, duke kujtuar të gjithë se ishte Lula. Dhe Koliqi e mbyll novelën ”Kërcimtarja e Dukagjinit” me shprehjen: “Zanat bëjnë shpesh kësi lojnash…!” 

Ndjesia e shpagimit dhe e besës

Që para 80 vitesh Koliqi me shpirtin e tij të ndjeshëm, të veshur me kulturë e dije konstaton tek shqiptari një ves dhe një virtyt. I pari është shpagimi “ shqiptari a dreq nuk e harron fyerjen”. Prirja e gjakmarrjes duhet të çrrënjoset prej njomësisë së dlirë të fëmijëve, sepse po dëmton kombin e po shfaros fiset malësore. Duhet që në vogli t’ua mbushim mendjen e t’ua shkulim nga zemra se është një turp e barbarizëm. Për me tregue pabesitë tona të huajt e paraqesin gjakmarrjen si provë kryesore. Sa fëmijë ka sot në Veri të ngujuar që nuk e shohin dritën e librit?! Asnjë nuk ndalet në strategjinë e qëllimtë për ta mbajtur këtë vatër plagë të rrjedhë gjak, për ta paraqitur veriorin, malësorin të padobishëm dhe të pagdhendur në integimin e strukturave të larta të pushtetit. Justifikimi për të mos investuar në Veri ka bazë të vjetër, shumë të vjetër … Ndërsa virtyti i shqiptarit është ndjesia e e besës. Tek novela “Gjaku” mësuesi është personazhi i dy botëve të skajshme që luftojnë, kacafyten me thonj e me plumb, përgjaken derisa e shkrijnë njëra-tjetrën. Doda, një malësor që fati i veçantë e kishte shpëtuar nga jeta e pagdhendur e maleve duke e ndjerë vetën të lumtur se ishte shkolluar në universitetet perëndimore, jepte mësim në gjimnazin e qytetit dhe që fejuar me një vajzë që kishte vetëm nanën. Gjaku i tij i trashëguar prej etërve luftëtar pa gëzuar kurrë një çast paqeje gjatë qindra vitesh të turbullta, kishte një rrjedhë qetësie, plot hove të kërcyeshme për të bërë diçka për Shqipërinë, sepse për ta realizuar nuk mjafton të kryesh detyren. Ëndrrat që i thureshin mësuesit malësor, të ramë në qytet, i diskutonte me të fejuarën. Po atë e hante droja dhe një ditë i drejtohet më ëmbëlsi Nushës së tij të dashur, e cila ia shtonte dashurinë për të bërë punë të dobishme për prosperitetin kulturor të kombit. “…nuk jam kundra kulturës oksidentale. As një fije, po jam kundra disa parimeve të saj që na i pranojmë pa kontroll që me duket se ligështojnë cilësitë origjinale të rraces shqiptare!” Sa origjinale kjo thenjë!. Mu kujtua vendi im sapo ishte plasaritur kalaja e vjetër e diktaturës dhe thirrjet “E duam Shqipërinë si Europa!” buçisnin pa bukë bulevardeve të qyteteve dhe televizioni jepte në ora tetë të darkës filma perëndimor me seks pa çarçaf!  Si era e fortë e dimrit të acartë që i përkul degët e pemëve deri në buzët e dheut dhe trungu i mbledh energjitë e palcës së vet me qëndrua pa u thyer, ashtu edhe mësuesit Dodë, ekzaltimet drejt aplikimit të jetës perëndimore në sofrën e vobekësisë të legjendës së misrit të mykur, i shkakton një sforcim dhe kraharori i mbushet me bulëza të ftohta.“…a bajmë mirë na që ushqejmë ato kalamaj me ide të marruna pa shqyrtim nga oksidenti, po due më thanë, a duhet tu japim mësim si fëmijë Europe?! …Është hera e parë pas qindra vjet që gjaku i tyre po ndeshet me kulturë, apo këto njohuri kanë më veshë me një lluster sipërfaqësore me një lëvozhgë të ligsht që bie me të paren herë. Po unë dua me shkrue nje libër për ta!  Koliqi, ky mjeshtër i përsosur i dramacitetit dhe i përballjes së heronjve të vet në mënyrë organike dhe të besueshme e ve shpirtin e kulluar dhe të kulturuar te Dodës me turfullimin që sillte hija e gjatë e maleve mbi trarët e zjarrit, të nxirë nga tymi dhe ngujimet. Një lajm mortor vjen nga malësia kur ai po korrigjonte hartimet e nxënësve. I kishin vrarë vëllanë Zekën në fshat. Qëndroi atje pesë ditë i mbërthyer në vajin e mallëngjimit dhe shpresës, se shteti do të vendoste drejtësi.  Dikush zbret në Shkodër që bashkë me lajmin e zi, i jep këshillën e gjakmarrjes “parja e bardhë për ditë të zezë”. “Pasha bukën yt atë me ka çue…!” “Po unë jam mësues si mundëm me vra?!” Shpirti i Dodës mbështetej e ushqehej nga parime të buta, të ëmbla, të mëshirës njerëzore e ai travlohet rëndë. Mundohet ta gjejë këtë ngushëllim tek e fejuara, por e ëma e saj e thërret në bazë të zakonit për shpagim. Plehut shekullor mbledhur nga terri në shtyllën e karakterit të fisit, mësuesi Dodë kërkonte ti bënte qëndresë me shtegun e shkëlqyeshëm të njohurive shkencore dhe me krojet e dijeve që e kishin armatos me progres të avancuara. Tani trupi i tij qëndronte pezull mbi një humnerë të frikshme. Kur ai mendonte ti jepte zgjidhje ligji, të gjithë i fërshëllenin në vesh me gjuhën e qoftëlargut për të marrë gjakun. Sapo kishte rënë zilja e orës së parë dhe dikush e thërret se gjakësi është në pazar. Dy tre plumba dhe gjakësi i vëllait shtrihet përdhe si një lis i prerë me sopat. Të gjithë i thonë të largohet diku jashtë shtetit, por ai qëndron aty derisa xhandari i vë prangat. E ai me tregua para gjyqit se fajtorët me të mëdhenj janë autoritete qeveritare. Po sa drama gjaku shkruhen në kurriz të shqiptarit?! Dhe fati fatal e ka mallkuar me gjak erën e ndryshimeve. Një forcë ia rrëmben vullnetin njerëzve të mirë të shtyrë me kondak pushke dhe gjuhë kërcënimi. Dhe Koliqi derdh në kupën e uratës që lëshon muzgje mbi dritaret e shpirtrave të virgjër. “…ai që kalon ndër popull duke hedhur farën e një jetë me të mirë, ai që ndriçon me një dritë me të bukur tokën që na ushqen, ai që bën të ngadhënjejë agimet në muzgun e pacaktuar të shpirtrave, shkurt kush i difton popullit një udhë qytetarie të vërtetë, ai është i denjë me qenë i nderuar si gjysmë perëndie”

Koliqi, kultura dhe mërgata

Me ato që me ka rënë rasti të lexoi, them se Koliqi është një vizionar, që në pikëtakimin e kohëve vetëm sa merr një shkëlqim të ri dhe padyshim themelues i talentuar i prozës shqipe gjatë shekullit të kaluar. Ai i përket gjerdanit të atyre shkrimtarëve që e ka pasqyruar mozaikun e kulturës dhe të shkrimit shqip me gajtanë të veçantë dhe të dukshëm në ngjyra. Koliqi nëpërmjet prurjeve të tij vë në tangallin e zjarrit realitetin e hidhur të druve të lagura.  Në shkrimin “Tradita dhe Kultura” ai shprehet: “Koha e kapërcimit prej një epoke në tjetrën, e cila shkaktoi përleshje të frikshme mes dy botëve në kundërshtim, një botë që pretendonte që ndër ne kishte ngjyra heroiko-patrialkale e një botë mendimesh të hovshme që synonte me vrull të saj me shqymbë çdo lloj kalese para se me përteri mbi baza të reja jetën e njerëzimit, çka ishte për meritë të virtytit të etërve e të gjyshërve u qujt papritmas e mbete dhe faj për brezat e ardhshëm!” Koliqi me këtë stigmatizon marramendjen e komunizmit për tu bërë ideologji sunduese në emër te së resë, por shkrimtari nuk ia zë emrin në gojë. Shikoni sa jetë ka konstatimi i Koliqit për mërgatën kur shprehet: “Sot programi politik i njanit apo tjetrit tubim partiak, vret të tanë ndjësitë më të ëmbëla që mbinin në zemër të shqiptarit. Tue e përdor emrin e atdheut, punojnë për shkatrrimin e bashkimit kombëtar…As individat as grupimet në Dhe të huaj nuk mund të fitojnë pozita të vazhdueshme në fushë të politikës. Kërcen dikushi për një kohë sipër të tjerëve, mandej bjen. Pozitat politike fitohen në atdhe. Ata që duan më lanë mbas vetës një kujtim të mirë dhe me vleftësue ngashërimet e mërgimit nuk duhet të bien mbas etheve të një veprimtarie të zbrazët, a thue së nesër do të hypin mbi kolltuqe sundimi, por duhet ti kushtojnë mundin e orvatjes me përgatitë në botën e lirë shëlbimin shpirtnor të breznive.”  Me tej Koliqi shton pyetjen në realitetin e kohës, që nuk ka ndryshuar as sot në diasporë. “Kultura çel horizonte para nesh e na shënon udhën me krye detyrat tona si njerëz e si qytetarë. Si asht puna atëherë që na të dalë prej universiteteve ma të përmendura të botës, nuk dimë sot të bashkohemi për të mirën e atdheut, që të parët tonë pa dhe me pak shkollë, veç me normat e traditës arrijshin me u lidh me besë shqiptare e me krye detyrat ndaj nanës Shqipëri?! Kurrë një lidhje vepruese nuk vepron nga përgatitja jonë ditunore! Pajisja me kulturë e lartëson instinktin e ndërgjegjes kombëtare të njeriut dhe ia bën shpirtin e butë, si vala që fle nen shallin e diellit. A përshkohen veprimtaritë në diasporë nga inspirim i koshiencës, apo dridhen nën fërkime duarsh për të nxjerrë fitime?! Pse presa e damkës së deformimit bie mbi traditën tone?!. Kjo traditë që dalëngadalë po vjen duke u shuar, si llava e vullkanit që len pas një shkrumb që nga breznitë do të shikohet si një hedhurinë. Tani kultura shqiptare që dallohej prej gjakut e gjuhës nga kombet e kombësitë e tjera është sot kërthizjashtë dhe jo besnike e cilësive të mistershme të zanafillës se vet. Ka mbetur edhe pak kohë për të menduar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat