Zerina

Kultura

Zerina

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 28 korrik 2020 Në ora: 13:01
Kopertina e librit

Kur e kisha tretur shikimin në errësirë, m’u kujtua një e njohur e mirë, në Kladusha. Ajo quhej Zerina dhe ishte moshatarja ime, gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Ishim njohur në plazh, në K. Duheshim shumë. Ajo banonte diku aty afër. Shumë shpesh më kishte treguar për banesën e saj me qëllim që, unë t’i bëja vizitë. Si e dehur, eca gjatë rrugës. Në tabelën e emrave të banorëve të pallatit, të gjithë emrat i shikoja dopio. Për të parë më mirë, i pickova sytë e mi të ënjtur. Aty munda të dalloj zilen e Zerinës. Natyrisht që unë nuk e dija nëse ajo ishte me ushtrinë boshnjake apo me autonomët.

« Leila! Si je bërë keshtu ? Çfarë të ka ndodhur ? » më pyeti ajo mua e shokuar. Trupi im ishte plot me hematoma blu. « Futu brenda ! » më tha ajo duke më tërhequr fort nga dora, dhe me sytë nga shkalla. Zerina jetonte vetëm në një apartament të vogël. Nganjëherë aty e kalojnë natën prindërit dhe vëllezërit e saj. Ajo vinte nga një fshat diku aty afër dhe këtu banonte vetëm gjatë kohës së shkollës. Ashtu si gjithë të tjerët, edhe ajo mendonte se kjo luftë do të mbarojë javën që vjen dhe shkollat do të hapen përsëri.

«Kanë qenë edhe këtu ? » doja të dija unë. « Jo, deri tani këtu nuk ka ardhur askush », u mundua Zerina të më qetësonte. Komplet e pafuqishme, u rrëzova në divanin e saj. « Kush të ka bërë kështu ? » më pyeti ajo e trishtuar. Me një frymë i tregova unë asaj për tezen time dhe për gjithçka që më kishte ndodhur. Zerinës i rrodhën lotët në faqe. « Ti mund të qëndrosh tek unë, sa të duash. Me siguri që gjendja do të qetësohet së shpejti », më tha ajo mua. Ndërkohë më fshiu një rrjedhë gjaku në fytyrë. Duart e saj ishin të djersitura.

Lexo edhe: Shpërthimi i luftës

Ne ishim afërsisht të ngjashme. Jo vetëm nga pamja e jashtme. Zerina vetëm ishte pak më e vogël se unë. Nuk simpatizonte asnjë krah politik. Për ne, të gjithë ata jashtë, ishin njëlloj të çmendur. Njerëzit vriteshin me njëri-tjetrin sepse dikund, kishin ndeshur në një damar çmendurie. Gjatë gjithë natës, unë dhe Zerina, menduam një rrugë shpëtimi të mundshme. Ndërkohë ne fjetëm, ashtu si të vdekura, pak minuta. Na kishte hyrë frika në palcë se, nga momenti në moment, paramilitarët mund të shpërthenin derën e shtëpisë.

Kur të nesërmen heret drita zbardhi dhomën tonë, nuk e dinim se çfarë duhej të bënim. Stomakët tanë hungurinin por, kishim harruar të hanim diçka. Vetëm etja po na merrte shpirtin. Në gjithë pallatin nuk kishte ujë. Na ishte tharë fyti. Ishte e ndaluar të dilje nga shtëpia. Megjithatë, për ne nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi veçse ta thejmë rregullin dhe të shkojmë për të mbushur ujë, në një burim aty afër. Të dyja bashkë ia mbathëm rrugës me vrap. Nuk doja që të isha asnjë minutë vetëm në shtëpi. Me siguri që dikush na pa në rrugë dhe na tradhëtoi.

Natë e ditë ne qëndruam bashkë. Për çdo zhurmë që dëgjonim, ngjesheshim fort me njëra-tjetrën. « Mund të shkojmë tek prindërit e mi, në fashat dhe të fshihemi atje », tha Zerina. U menduam të dyja bashkë për mënyrën se si do ta kalonim rrugën, pa rënë në sy. E dinim se kjo ishte një gjë aq e vështirë, sa dhe e pamundur. Megjithatë ne u kapëm pas asaj fije kashte.

« Hapeni ! » bërtiti dikush në orën pesë të mengjesit tek dera jonë. Mendova se po më del zemra nga vendi. Nga frika, unë dhe Zerina, nuk e shikonim njëra-tjetrën në sy. Zerina mori guximin dhe hapi derën. Tre ushtarë, rreth të tridhjetave, marshuan në banesë. Ata bënin pjesë në Legjionin e Zi. Ne nuk e dinim se kjo njësi serbe ishte e njohur për tmerre. Si të zinj që ishin, si shenja dalluese, ata mbanin: Kapele të zeza dhe uniformë të zezë. Dhe një kokë të vdekur, si distinktiv, në kapele.

Njëri nga ata na urdhëroi: «Vishni diçka sipër ! Duhet të dëshmoni diçka». Gjithë tmerr u ktheva nga Zerina dhe e pyeta: «Ku do na çojnë ? » Zerina e mori disi veten dhe tha: « Këta nuk kanë të drejtë të na marrin. Nëse duan dëshmi nga ne, mund të na pyesin këtu». Reagimi i tyre ishte bliz. Njëri nga ata e mbërtheu Zerinën në pulovër, e tundi fort dhe i tha: «Si guxon ti feçkë të kundërshtosh? Ti duhet të shkosh atje dhe të bësh atë që të urdhëroj unë!»

Ai tipi ishte i hollë dhe i gjatë. Kishte një shenjë plage, kryq, në faqen e majtë. Zerina qëndronte si e ngrirë para tij. Papritur u rrotullua dhe shkoi në banjo. Nuk e kuptova përse e bëri atë gjë. Pse e bëri këtë!? Tre ushtarët vrapuan pas saj. E rrëzuan përtokë dhe e qëllonin me çizme në kokë. Zerina i vuri duart në fytyrë për t’u mbrojtur. Ushtari me shenjën e plagës në fytyrë, nxorri menjëherë pistoletën dhe e qëlloi në bark.

Çfarë kishim mësuar ne në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç për jetën ? Prindërit tanë na kishin mësuar gabim. Kurrë nuk na kishin mësuar se, në këtë botë, ka edhe njerëz të ligj. Zerina rënkonte nga dhimbjet. « Pse e bëre këtë ? » e pyeti njëri nga ata vrasësin. Dhe ai u mbrojt fare i qetë: «Unë nuk bëra asgjë.» « Si do ta transportojmë ne këtë tani?», pyeti njëri prej tyre. « Nuk do ta transportojmë aspak », u përgjigj vrasësi. I treti vetëm heshtëte gjatë gjithë kohës. Në atë moment, ai më shtyu mua shkallëve teposhtë. Pa u rrokullisur mirë deri në fund, dëgjova edhe dy të shtëna të tjera.

Si një thes të vjetër më hodhën në karocerinë e një makine. Më kishin rrethuar, dy anash dhe njëri në mes. «Nëse e don jetën, nuk duhet të flasësh kurrë për ato që pe ! » më paralajmëroi vrasësi. Pastaj heshtën. Unë isha bosh nga brënda. Nuk kishte më panik dhe as lot. Thjeshtë asgjë. Isha e sigurt se edhe unë, një ditë, do të përfundoja si shoqja ime. Me vrasjen e Zerinës, unë e kuptova se lufta kishte filluar me të vërtetë. Njerëzit ishin të pavlerë. Ata vriteshin dhe vdisnin si mizat.

Përsëri më çuan në stacionin e policisë. Këtë rradhë më mori në pyetje një inspektor tjetër. Nga vija, kush jam unë dhe me çfarë merrem në Kladusha? Unë nuk flisja dot. Pastaj më urdhëroi: «Shko në atë sallën dhe shkruaj të gjitha në letër, pa harruar asgjë!» Me shumë kujdes shkruaja unë dëshminë time. Nje polic e mori fletën që mbusha, u largua dhe pastaj erdhi përsëri me një fletë bosh. «Shkruaje dhe një herë ! », më urdhëroi ai. Këtë gjë e bëri ai pesë herë. Në çdo fletë lexohej: Unë quhem Leila Zishko dhe jam lindur me datën 17 shtator 1976 në B. Kam shkuar tek gjyshërit dhe të afërmit e mi në K., me qëllim që atje të vazhdoj shkollën e mesme. Para katër ditësh kam ardhur këtu, tek tezja ime, Nermana.

Kur e dorëzova fletën për herën e pestë, ai polic më dërgoi në dhomën e hetimit. Inspektori, menjëherë, më tha se unë isha kokëfortë dhe e pasjellshme. Me paralamëroi se kështu unë rrezikoja kokën time. Pastaj bërtiti me të madhe: «Tek pulat!»/Vijon

Përktheu Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat