Këngëtari yt u bëra

Kultura

Këngëtari yt u bëra

Nga: Zymer Mehani Më: 29 korrik 2020 Në ora: 07:10
Zymer Mehani

Për ty, Atdhe dashuria-flakë yjesh
Dhe vargjet do t’i shkruaj në poezinë time të pafund

Nëse s’kam letër, në bjeshkët tua do të shkruaj

E pena nëse më mungon, do të shkruaj me eshtrat e bijve tu
Poezi dhe vargje të gurëzuara

Dhe ngjyra e penës nëse do të më mungojë
Për ty Atdhe i dashur diellit do t’i lutem
Që ngjyrën e tij të kuqërremtë mua t’ma dhurojë
Por vargjet për ty kurrë nuk do të shkëputen

Mbi kodra t’atdheut tim qielli seç përflaket
Një lot më shkëputet kur shoh epitafet
Për një dashuri të vlefshme sa jeta
Bij e bija ranë për trojet e veta

Unë poeti vetë i kredhur në mendime
E kujtoj t’kaluarën e kësaj Toke Trime

Sonte i mbylla të gjitha portat e vegimit
As muza t’mos më vijë t’më shpie drejt trishtimit
Atdhe dua të vdes në Ditë të Ribashkimit

Për Ty Atdhe i dashur pa reshtur vargje shkruaj
Për vlerën e tëndit emër dashuri në zemër ruaj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat