Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj - Bota Sot
Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 30 korrik 2020 Në ora: 22:42
Marjeta Shatro Rrapaj

TETËRSIM

Rrimë e presim të nesërmen,

të vijë plot shpresë,

të prekim lumturinë e munguar,

fshehur mjegullës jetë

e të na pushtoj drita.

E mundimshme ta lëmë veten të lirë,

por më pas e pakontrollueshme

të kufizohemi prej tundimit të misterit,

se egoja na shtyp idetë,pasionet.

Heqim dhe vëmë shpesh kufijtë

mes njëri-tjetrit.

Reaksionet e brendshme të ndërgjegjes

na çojnë në ekuilibër të përkohshëm,

përfundimisht të pavarur nga graviteti,

se gënjeshtrat e ëmbla i kemi thënë

për të larguar mërzinë e çasteve të trishta,

por shpesh kemi thënë të vërteta të frikshme

krejt të dehur,fshehur pas eklipsit hënor

e tani asgjë nuk i lidh më botët tona të largëta,

ku monologu i heshtjes rënkon në ajër

se me iluzione të rreme jemi gënjyer

mëngjeseve pa ngjyrë,

kur trillet e shpirtrave zgjohen prej delirit,

kur ankthi godet,kafshon e dhembjet mbytin

e ndjesi të idhëta sundojnë naivitetin

e lidhur pas rrënjëve të thara të shpresës

kthyer në të tjerë njerëz

të rrethuar me mure izolimi,

kur nuk ka më sfida,

etje për eksplorim bote,

lojë shqisash,ndjenjash,

dëshira të zjarrta,

përbuzje rutine,

thyerje të ditënetëve,

arratisje prej botës së gënjeshtërt,

ëndrra të përbashkëta,egoizëm.

se zgjimet e reja tjetërsojnë,

se meridianët e largët

nuk kthehen dot në paralelë

dhe as paralelët në meridianë.

PËRJETIM

Nën instiktin e mallit

rikthehet shikimi dritares virtuale

nën ritualin e pazëshëm

të psherëtimës rituale:"Eh!"

Shpirti në drithërimë

pret një portret të shfaqet,

të dëgjojë melodinë e zërit,

të kthjellojë qelizat e kujtesës

në ngujesën larg zhurmës

përballë ideve ekuilibruese,

të paparashikueshme

të tabelave të ndaluara

se gjërat ndryshojnë përditë.

Pamjet lëvizin,

kujtimet kthehen në të shkuarën,

era kujton magjitë e dikurshme,

kurse njerëzit më shumë përtojnë

mundohen të vonojnë ikjen,

se lodhin pyetjet

për kujtimet e vdekura,

për stuhitë e dikurshme,

për buzëqeshjet e sajuara,

për thonjtë e kohës në fytyrë

se truri i mpirë nuk reagon

e ka regjur shiu e bora

nuk do t'ia dijë për rreze dielli,

se shqetësimet e përditshme

e justifikojnë ftohtësinë,

shikimin e fikur ngulitur diku,

qetësinë e rreme,

forcat e padukshme

që vijnë rrotull,

që vrasin shpresat,

që thajnë mendimet,

që shoqërojnë hapat e ngathët

drejt mbijetesës së ftohtë,

ku vetëm dëlirësia gjallëron

mendimet e palëvizshme

e zbut egon fajtore.

Evocazione

TI DHE UNË

Si dy kalimtarë të pafajshëm

Rendim njëri pas tjetrit

Shpresave të vonuara

Errësirës së padukshme

Ndjenjave të ndrydhura

Të fatit të lodhur,

që shfryn

Faljen e kohës së vetmuar,

frikën e ethshme nën lëkurë

ma vënë

Të një malli të brishtë

që drithëron trupin

Dhe kërkon paqen

Në një ditë rutinë

dritës së re

që në shpirt ka nisur

kam gjetur rrugën.

Era e Re

Rregullat e vjetra

po humbasin përgjithnjë.

Kudo ku shkojmë

me maskë si fre,

guida në dorë,

mbajtje distance,

forma të reja,

përjetime ndryshe,

mbrojtje fryme,

kufij të rinj për shpirtra

përqendruar vetëm te familja.

Stop molepsjes,

nga prekja,puthja,

shkëmbimi.

Neutralizimi i atomit,

vjen nga vetëizolimi.

Komunikimi vetëm mes qelqit,

ku dialog e debat bëhet me veten

mbyllur në skafandër.

Gjurmët e mendimit formësuar

mbi fjalën e shkruar.

Enigmë e fshehur fati

që numëron ditët

e vitit të brishtë

për të nxjerrë përfundimet

e sekretit të Erës së Re,

ku të gjithë flasin

për Komedinë hyjnore

me shpirtin në duar

të Dante Aligerit,

ku të parët e përtejbotës

presin të marrin

të infektuarit e fundit.

EKUILIBRUESE

E shpërfill indiferencën

duke buzëqeshur ëmbël,

se jam frymë e pafajësisë,

mbushur dashuri e poezi

se lutem me krahët e hapur

drejt qiellit të heshtur,

kur zgjohen e flenë yjet

e brenda meje ndrijnë

thërrmijat e dritës magjike

që presin të shpërthejnë

në çdo fjalë të shkruar

për kufijt e vetes

e lirinë e çdo qenieje,

për secilin agim

e secilën buzëmbrëmje

për shpresat e së nesërmes

mirëdashëse,ekuilibruese

për klimë miqësore,humane.

Duke jetuar pa iluzione

me gjykim të fortë e shpirt të lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat