Dy bordello

Kultura

Dy bordello

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 3 gusht 2020 Në ora: 06:47
Kopertina e librit

Pas një muaj dukej se ishin ngopur me mua.

«Vishu!» më tha dikush nga ata. Si e shushatur vesha pantallonat dhe bluzën. Për herë të parë dola përseri jashtë. Sigurisht që vetëm për pak kohë. Ushtari më hodhi në karrocerinë e një kamioni, i cili ishte parkuar para barakës. «Me siguri që do të më vrasë dikund në pyll», mendova unë. Ai mbylli mushamanë. U shtriva mibi thasët plastikë në karroceri dhe fjeta menjëherë. Ndoshta edhe mund të isha hedhur nga karroceria gjatë rrugës dhe të arratisesha por, nuk kisha forcë për një gjë të tillë.

Nuk e kam idenë fare sa kohë zgjati udhëtimi. Diku, dikur, më zgjoi shoferi: «Ngrihu! Arritëm». Ishte pasdite vonë. Duhej të ishim diku në Republikën Serbe. Një barakë dhe një shtëpi ishin afër njëra-tjetrës. Gjerë e gjatë shikoje vetëm fushat e mbuluara me dëborë. Me sa kuptova unë, të dyja godinat ishin bordello.

Lexo edhe: Legjioni i zi

Ushtari, në fillim, më çoi në barakë. Nga brenda dukej tamam si tek Legjioni i Zi. Vetëm që aty nuk kishte thes gjumi për të fjetur. Filluan përdhunimet. Ushtarët serbë, më shisnin mua për një paketë cigare, tek ata që vinin aty nga fronti. Gjithçka vazhdonte si me parë. Megjithatë, çdo përdhunim, ishte ndryshe. Disa më lidhnin dhe më përdhunonin, dikush tjetër më ulte kokën nga pas dhe të gjithë fusnin, me rradhë, penisin në gojën time që uluriste. Fillova të nxihesha. Nxirja më filloi nga koka dhe pastaj u shtri në gjithë trupin. Mbytesha, mbytesha dhe të gjithë e përcillja poshtë. Dikur mbaronin. Humbja ndjenjat.

Më kujtohet se për disa ditë deklarova grevë urie. E vërteta ishte se askujt nuk i interesonte greva ime. Akoma më duket sikur po e shikoj tani kur dikush më mbylli në një birucë të zezë. Dhoma ishte aq e vogël sa nuk bëje dot asnjë hap, para dhe pas. Njëri hapi derën dhe shurroi mbi mua. Nuk ndjeja më. Isha në grahmat e vdekjes.

«Dil prej këndej!» më urdhëroi një ushtar.

Nëse kishin kaluar muaj apo vite!? Nuk e dija. Për mua çdo ditë ishte një pafundësi. Duke u zvarritur, e ndoqa ushtarin nga pas, për në godinën tjetër. Më tha të shkoja në katin e dytë. Aty, ku dikur kishte qënë një derë, tani vareshin ca dërrasa. Përseri u gjenda në një dhomë të errët. Si gjithandej, nuk kishte mobilje, nuk kishte ngrohje, nuk kishte larje. Para dritares varej një batanie leshi. Megjithatë, këtu ishte një ndryshim i madh jetësor, në krahasim me barakën. Nuk isha më vetëm.

Dymbëdhjetë gra të reja rrinin galiç në dysheme. Dukeshin si qenje transparente, aspak si njerëz. Ishin si të vdekur të gjallë. Ndjehesha shumë e lumtur, përsëri me njerëz. «Hello, jam Leila!» i përshëndeta unë ato si e tepërt. Askush nuk ma ktheu përshëndetjen. Gratë nuk kishin shikim. Ato i mundonte e njëjta gjë si në fermën e pulave. Këtu nuk ishte aspak më mirë.

U mbështeta në mur dhe po shikoja gjithë frikë, përreth.

Dhoma, ndoshta, ishte pesëmbëdhjetë metra katror. Në mes ishte një mbulesë copa-copa. Mbante erë fekale. Në një qoshe gratë bënin nevojën. Muri ishte nxirë nga mizat. E kishim të ndaluar të pastronim dhomën. Dymbëdhjetë muaj me radhë.

Brenda meje përsëri u shfaq një shpresë e vogël. Ndoshta do të më çojnë në një vend tjetër, ku ka shumë gra, ku jetohet më mirë. Të tjerat ishin më të moshuara se unë. Hamendësisht rreth të njëzetave. Më parë, me siguri që kishin qënë shumë të bukura por, këtu, thuajse nuk u kishte mbetur asgjë nga bukuria e tyre. Sperma i kishte ngjitur flokët e tyre. Plagët e reja mbulonin fytyrat e tyre. Gishtat i kishin të gjakosur. Shumica kishin plagë të hapura në trup, veçanërisht në këmbë.

Kishin kaluar vetëm pak minuta kur brenda u futën dy ushtarë. Pa hezituar fare i mbërthyen dy gra dhe dolën jashtë me ato. Për disa kohë dëgjoheshin të bërtiturat e tyre për ndihmë. «Ku do t’i çojnë?», pyeta unë. Një brune, me hundë pak të madhe tha : «Ato nuk kthehen më këtu.» Vërtetë ashtu ishte. Tamam ashtu, një ditë, u zhduk edhe brunja.

Heshtje varri sundonte në dhomë. Afërsisht pas një ore, disa ushtarë, u futën në dhomë. M’u shtuan rrahjet e zemrës. «Pa ta shikoj njëherë këtë të renë!» tha njëri nga ata. Pastaj u hodh sipër meje. Pas tij vazhduan të tjerët. Nuk ndjeja as tmerr as dhimbje, e mposhta ndjenjën e turpit. Prej kohësh trupi im nuk më takonte më mua. Vetëm shpirti im priste që të dilte dhe të mbaronte gjithçka. Doja vetëm të vdisja.

Në të shumtën e rasteve na detyronin të shikonim se si ata i përdhunonin dhe dhunonin gratë në sytë tanë. Si i shfrynin epshet në trupat kockë e lëkurë, si u shtypnin cigaret e ndezuara në gjoks ose, si u prisnin lëkurën me majën e thikës se mprehtë. Vetëm rrallë përdhunonin ndonjërën vetëm, në dhomën ngjitur. Nëse nuk do ta kishim përballuar gjithë atë mizori, do të na kishin vrarë prej kohësh. Burrat vinin në çdo kohë të ditës. Natën në errësirë, duke ndriçuar me elektrikun e dorës, zgjidhnin njërën nga ne.

Edhe këtu zhvillonin « lojra » si ajo «rouletta ruse», pistoleta me mulli. Një herë, tre ushtarë, tërhoqën me forcë një vajzë në dritare. Poshtë flokëve të ngjitur, vezullonin sytë e saj të trishtuar. Njëri nga ushtarët i vuri pistoletën në tëmth dhe tërhoqi këmbzën. Për fat u dëgjua vetëm një « klik » i vogël. Vajza mori frymë thellë. I dyti ia vuri pistoletën në kokë. U dëgjua aq zhurmë sa unë u bëra sa një grusht. «Ji e lumtur! Për ty mbaruan të gjitha hallet», mendova unë në atë moment, si ngushëllim, për vajzën e shkretë, e cila u rrëzua për të mos u ngritur më. Për mua asgjë nuk ishte më e tmerrshme. Gjithçka ishte aq e tmerrshme sa nuk mund të mendoheshin tmerre të tjera.

17. 09. 1993, e premte

Një ditë me diell. Sot vajza ime feston shtatëmbëdhjetë vjetorin e saj. Ditëlindjen e tretë pa nënën e vet. Leila ime e dashur: Të uroj gjithë të mirat me rastin e ditëlindjes ! Nëse Zoti don, ne do të shihemi së shpejti. Ne të gjithë të duam ty shumë dhe urojmë që të jesh mirë, të gjesh forca për të përballuar vuajtjet dhe të kujdesesh për veten tënde. Ne jetojmë për ty dhe ditën, në të cilën do të jemi të gjithë bashkë. Qëndro e fortë, ne jemi me ty! Të duam shumë. Mama, Emir, Gorana dhe Goran.

30. 09. 1993, e enjte

Nga Velika Kladusha, reth 20 mijë banorë dhe 600 ushtarë u evakuan në drejtim të K. Njëkohësisht, pesë batalione, lëvizën në drejtim të K. Këtë e transmetoi radio kroate «Zagreb», në orën 18.30. Goranin e kanë thirrur disa herë për t’u mobilizuar në ushtri. Çfarë po ndodh në Bosnjën Perëndimore!? Ka ndonjë radiotransmetues që thotë të vërtetën? Leila ime ndodhet fare rastësisht atje. Frika dhe dhimbjet për atë po më hedhin në erë…Kujdesu për vete, kujdesu për vete, bija ime e dashur!

18. 10. 1993, e hënë

Rreth B. vazhdimisht dëgjohen luftime të ashpra. Ka shumë të plagosur. Dy korierë sollën urdhërin e moblizimit për Goranin. Ai është fsheur. Në B. ndodhet një qendër e madhe mobilizimi.

23. 10. 1993, e shtunë

Gjëmuan sirenat e alarmit ajror. Ne të gjithë duket sikur e kemi humbur fare. Nje ushtar kalonte rrugës dhe bërtiste : Mbyllni dritaret !

24. 10. 1993, e diel

Frika shtohet gjithnjë e më shumë. Në zonë nuk ka më burra boshnjakë. Disa ia kanë mbathur, të tjerët mbahen të arrestuar në shkollë.

01. 11. 1993, e premte

Sot në mëngjes u dëgjuan gjëmime të mëdhe predhash. Shumë banorë të zonës fqinje, u grumbulluan tek blloku ynë. Të gjithë flisnin pa durim dhe kërkonin një vend sigurie. Nga dritarja i hodha shikimin minjerës në pyll. Si binin predhat dhe digjeshin pemët. Në orën 13.00 dola nga shtëpia dhe shkova atje, për të parë se çfarë po ndodhte. Dikush më tha se po evakuohen banorët. Pranë meje kalonin makina, autobusë, kamiona, në drejtim të P. U ktheva në shtëpi, paketova tri mbulesa, pak ushqime, veshje për fëmijët dhe disa kukulla për Goranen. Të gjithë u larguan me makina. Unë dhe Gorani ia mbathëm në këmbë. Arritëm në P. në orën 17. 30. Gjatë rrugës, nëpër një tunel, Gorana filloi të qante. Ishte baltë dhe ne, nga që na duhej të ecnim shpejt nga rreziku i granatave, ishim bërë baltë nga këmbët në kokë.

02. 11. 1993, e shtunë

Mijëra njerëz, nga të gjitha naciolitetet e mundshme, kanë arritur në P.

27.11. 1993, e shtunë

Mengjes i ftohtë. Ndjehem shumë keq. Më vizituan dy mjekë. Më thanë se kisha përjetuar një damlla…

28. 11. 1993, e diel

Sot, njëzet nga ne, u lanë në një legen të vogël plastik. Herë pas here Gorani bën një shëtije të vogël rreth shtëpisë në B. Atje ligjet ishin shfuqizuar të gjitha. Gjithësecili bën atë që i vjen ndërmend.

nga ditari i nënës

Herë pas here më vinin periodat. Në disa raste lehesha në gjak. Pastaj, për një kohë të gjatë, nuk ndodhte asgjë. As që e vrisja mendjen fare nëse isha shtatzënë apo jo. Nje gjë e ndjeja që, nuk ndjeja gjë më. Një vit të tërë ne nuk guxuam të dilnim nga ajo dhomë. Vetëm nga dritarja i dallonim stinët e vitit. Ishte pranverë, verë, vjeshtë dhe kështu me rradhë. Kurrë nuk pashë një civil jashtë. Fantazinë për t’u arratisur e kisha zhdukur nga koka. Nuk e dija nëse dikush qëndronte pas derës duke na ruajtur ne. Fare thjeshtë mund t’i hiqje dërrasat në derë. Megjithatë askush nuk merrte guximin nga ne.

Një grup prej pesë ushtarësh fitonte pije alkoolike dhe cigare me ne. Hamendësisht banonin në katin e tretë. Vazhdimisht dëgjonim zhurma në katin sipër nesh. Sipas gjendjes së humorit të tyre, e kuptonim nëse ishin fitimtarë apo, kishin humbur. Njëri prej tyre, pas një humbje, nga zemërimi, më shtypi cigaren e ndezur në kyçin e dorës. Më i riu nga ata mund të ishte nëntëmbëdhjetë vjeç dhe më i moshuari pesëdhjetë vjeç. Të gjithë e dinin mizorinë që vuanim ne. Asnjëri prej tyre nuk kishte, të paktën një fjalë të vetme, njerëzore për ne. Ata vetëm na shanin, na përdhunonin dhe na torturonin.

Heshtje ! Tek ne sundonte vetëm heshtja. Në një situatë të tillë nuk gjen më fjalë. Natën ngjesheshim me njëra-tjetrën në dysheme. Ne ishim akoma nëntë. Në dy apo tri ditë, dikush na sillte diçka për të ngrënë, në një karton dhe e lëshonte në dysheme. Edhe një kanistër me ujë.

03. 12. 1993, e premte

Nga B. u furnizuam me bukë. Në drekë hengrëm edhe fasule. Për mua gjithçka është, të dëgjoj diçka për Leilën dhe të kujdesem për fëmijet.

08. 12. 1993, e merkurë

Në front luftohet ashpër. Gjatë natës shikojmë predhat, si ndriçojnë dhe fluturojnë mbi kokat tona. Një herë, një bombë e fuqishme, shpërtheu afër vendqëndrimit tonë. Gorana ka zënë «shokë» të rinj. «Xhaxhi» Alfredin dhe Geraldin nga Belgjika, të cilët punojnë tek UN-o. Ata kanë sjellur embëlsira dhe fruta.

09.12. 1993, e enjte

Gjatë kohës që po flinte Gorana, Alfredi solli ëmbëlsira, lëng frutash dhe kafe. Pasdite erdhi të ndahej me ne. Do të kthehej në Belgjikë. Ai e puthi Goranën disa herë, edhe ajo atë. Kur u largua disa metra prej nesh, u kthye me fytyrë nga ne dhe na përshëndeti disa herë me dorë. Gorana qante me të madhe, sikur ai të kishte qënë shpëtimtari i saj.

17. 12. 1993, e premte

Tri bomba shpërthyen në qytet. Njëra shpërtheu afër kishës. Viktima e parë në qytetin tonë ishte i njohuri ynë, Ilija.

18. 12. 1993, e shtunë

…O Zot i gjithmëshirshëm, ma ruaj mendjen e kokës ! Kam frikë.

19. 12. 1993, e diel

Paketuam, për t’u kthyer përseri, nga vendstrehimi në shtëpi… Ato që përjetova në B. ma prishën imazhin mbi njerëzoren. Në shtëpi sundonte kaosi. Gjithçka është përmbysur dhe kontrolluar. Shumica e gjërave ishin vjedhur. Fjetëm të veshur. Fëmijët me kostumet e dëborës.

20. 12. 1993, e hënë

Ndjehem e këputur. Prej kohësh më ka ikur gjumi. Më dhemb gjithkund, kujdesem vetëm për fëmijet dhe Leilën. Zot, ndihmoje Leilën time !

21. 12. 1993, e martë

Fryn erë. Për zemrën vetëm ftohtë. Dolëm nga bodrumi i mbrojtjes kundërajrore. Gjithçka është e tmerrshme. Kam humbur orientimin. Sikur nuk jam në shtëpinë time. Nuk ka as energji dhe as qiri. Qe tri ditë nuk kam dëgjar asnjë lajm. E gjithë veprimtaria ime shoqërohet me nervozitet. Jam bërë shumë e ndjeshme. Kam humbur besimin dhe respektin tek njeriu. Kjo më mundon shumë. Pyes veten: Kush jemi ne? Çfarë qenie është njeriu!?

22/23. 12. 1993, e merkurë/e enjte

… Nuk kam as forcë dhe as vullnet që të merrem me punët e shtëpsië. Nuk kemi rraba fjetje. Nuk kam asnjë mundësi që të përgatis një filxhan kafe. Nuk kemi as rroba dhe as këpucë. Të gjitha dhe gjithçka na i kanë vjedhur.

24/25. 12. 1993, e premte/e shtunë

Sot dola për herë të parë jashtë, që nga dita që u kthyem në shtëpi. Mësova një fjalë të re, «Pljasika». Disa nga gjërat e mia i dallova tek fqinjët. Dëshiroja t’i pështyja në fytyrë ata njerëz por, rrethanat nuk ishin të atilla dhe qëndrova e qetë. Në shtëpinë time gjysëbosh, e cila vazhdon të jetë kaos, qendroj e sëmurë por, ndjehem shumë më mirë se ata grabitës. Eshtë nata e Krishtlindjes.

31. 12. 1993

Dita e fundit e vitit 1993. Vit i vështirë dhe tragjik… Asgjë nuk të kujton Vitin e Ri. Njerëz të panjohur kalojnë rrugës. Eshtë shumë ftohtë. Aty afër nesh kaluan tre policë. Unë dhe Gorani i ndaluam dhe folëm me ta, me qëllim që të mos ndjeheshim aq të vetmuar. Gjithçka më trondit, gjithçka më duket e vështirë. Pse kroatët dhe myslimanët qëllonin kundër njëri-tjketrit? Do të ndalojë përsëri kjo luftë e marrë!? Më e keqja për mua është dhimbja që ndjej për Leilën. Zot, ti je i plotpushtetshëm. Mbylle këtë tragjedi! Zot, mbushi me mëshirë dhe arsye shpirtrat e njerëzve të liq! Ringjallua zemrat! Torturat dhe tragjeditë njerëzore duhet të ndalen menjëherë. Zot, shpëtoji fëmijët e mi dhe gjithë të tjerët nga fatkeqësitë! Na sill 1994 si vit i fatit dhe paqës midis njerëzve! Për Leilën time, Emirin dhe Goranën, për gjithë fëmijët e botës! Dhuroju atyre shëndet dhe paqe!/Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj - shkrimtar, përkthyes, publicist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat