Shpëtimtari

Kultura

Shpëtimtari

LEKË IMERAJ Nga LEKË IMERAJ Më 4 gusht 2020 Në ora: 14:25
Kopertina e librit

Si të vdekura rrinim shtrirë në dysheme. Prej ditësh nuk kisha lëvizur asnjë hap. Ajri i qelbur ishte si një shtresë pambuku gri, i cili po më varroste, gjithnjë e më shumë, poshtë vetes. Rrufeshëm u fut brenda njëri nga përdhunuesit tonë dhe bërtiti si i çmendur: «Dilni jashtë ! Moti është shumë i mirë». Nuk po besonim në atë që dëgjuam. Mos vallë na bënë veshët!? Ndoshta kishin shpikur një torturë tjetër sadiste kundër nesh!

Të tria, i mblodhem ato forca që na kishin mbetur dhe dolëm në oborr. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme të qenët përsëri në ajrin e pastër. Në momentin e parë më pushtoi ndjenja e të fluturuarit në ajër, duke kënduar. Pemët ishin veshur me gjethe dhe dielli shkëlqente. Hamendësisht, mund të ishte, mesi i prillit.

23/24. 04. 1994, e shtunë/e diel

Lexo edhe: Vetëvrasja e “koleges”

Fqinjët tanë kroatë, po tërhiqen. Frymëmarrja po lehtësohet… Filloi edhe furnizimi me ushqime. Duket sikur të keqes po i vjen fundi por, unë nuk kam kontakt me familjen time. Akoma nuk di asgjë për Leilën time. Nga ditari i nënës

Papritur, kollonat me ushtarë, marshuan afër nesh. Disa nga ata na pështynin dhe na shanin. «Vrisni ato kurvat myslimane! Si mund të bashkëjetohet me plehra të tilla!?»

Përdhunuesit tanë zbardhnin dhëmbët. Pas pak, dikush nga ata, i thirri njërit nga ushtarët në kolonë dhe i tha: «Hë, don ta marrësh me vete njërën prej tyre? Ne nuk e kemi idenë se çfarë mund të bëjmë tani me këto». Ai, të cilit i foli, doli nga rreshti dhe tha: «Nëse është ashtu, atëherë unë po marr atë flokëzezën». Ai e drejtoi gishtin mbi mua. Flokët më ishin rritur përseri deri mbi supe.

Ai burrë me uniformë ushtarake, nuk ishte as i shëndoshë dhe as i dobët, as i bukur dhe as i shëmtuar. Një tip mesatar. I pagoi pronarit tim një stekë me cigare, kalova menjëherë në pronësinë e tij dhe më tha: «Hajde, ngrihu! Don të vish me mua?» Isha mësuar të bindesha. Këmbët më tradhëtuan, nuk më mbajtën. Ai u hodhi një shikim të ashpër dhunuesve tanë dhe tha: «Këta janë egërsira!» Pastaj deshi të dinte se, për sa kohë, unë kisha qëndruar aty. Unë heshtja dhe ai më ndihmoi të ngrihesha në këmbë. Me shumë dashamirësi më tha: «Hajde tani! Mundohu të ngrihesh ! Puna është të largohemi nga këtu». Ai më ndihmoi mua të ngrihesha.

Ecja unë!? Kisha unë akoma këmbë!? Bardh e zi vallzonte para syve të mi. Si një invalide rendja unë pas kolonës. Lakuriq, vetëm me një bluzë, e cila zor se më mbulonte deri tek kofshët.

Isha e bindur se ky burrë, do të më shesë mua në bordellën e parë që do të gjente. Në një kodër, tre apo katër autobusë, prisnin ushtarët. Të parët hipën. Një shofer autobusi, gjithë inat, i tha shoqëruesit tim: «Kjo nuk lejohet të hipë në autobus!» «Përse nuk lejohet?» pyeti ai. Shoferi vazhdoi: «Të thash se nuk lejohet dhe pikë. Ne do të shkojmë në shtëpi, në Kladusha». Të tjerët përreth qeshnin me burrin që po më ndihmonte mua, duke e menduar atë kokëfortë. Në fund, shoferi i autobusit, i tha shoqërusesit tim, të më vriste në pyll, ose të më linte aty, si ushqim për egërsirat.

Pa thenë asnjë fjalë më gjatë, shoqëruesi im më mori në krahë dhe iu drejtua pyllit. Para se të më vrasë, ai do të më përdhunojë, mendova unë. Kur arritëm buzë pyllit, i kisha larë hesapet me jetën. Por, në vend që të nxirrte pistoletën më kërcënoi me gisht: «Mos lëviz nga vendi, ndryshe të gjen dikush dhe të vret! Më prit këtu!» Bëra disa hapa në pyll dhe pastaj, plotësisht e mbaraur, u mbështeta në një pemë. Nga një burrë i tillë, me siguri që nuk kisha çfarë të prisja. Problemi ishte se nuk kisha forcë për të ecur më tej. U err. U shtriva mbi gjethet e pemve dhe rashë në një gjumë plumb.

Në mëngjes heret, dikush, më tundi në shpatull. «Ke mërdhirë?» më pyeti i panjohuri. Më hodhi në prehër një palë pantallona dhe një këmishë, të uniformës. «Vishi! Do të nisemi menjëherë», tha ai. Në trupin tim kockë e lëkurë rrobat vallëzonin. Burri më pyeti si quhem dhe nga jam. Unë vetëm heshta. E kisha humbur besimin tek njerëzit.

«A mund ta hapesh gojën ti?» deshi të dinte ushtari, kur po më çonte tek furgoni i tij. Nuk u përgjigja. As me kokë dhe as me një buzëqeshje mirënjohjeje. Ai udhëtoi me mua në një fshat të vogël, në Ravnica. Një fshat, ndoshta, me njëzet shtëpi. Në rrugë lëviznin njerëz normalë. Burra, gra dhe fëmijë. Pulat kakarisnin në anë të rrugës.

Ndaloi para një shtëpie të madhe. «Bordello e rradhës!» mendova unë menjëherë. Ushtari, nga një derë, më futi në një dhomë të madhe. Aty kishte shumë shtretër. Ai përshendeti ushtarët që dërdëllisnin në tavolinë. M’i ngulën sytë, sikur të isha njeriu i një planeti tjetër. Një skelet i zbathur dhe i pisët, me uniformë, qëndronte para tyre. Pa folur gjë me ata, shoqëruesi im, më tregoi banjon fushore. Atje kishte ujë dhe mund të laja duart dhe fytyrën.

E vetmja gjë që unë dëshiroja ishte fundi i jetës time. Nuk kishte rëndësi, nëse më thernin apo më nisnin për në shtëpi. Për mua gjithçka ishte njëlloj. Kur u ktheva, ai më ofroi një vend për t’u ulur, mes burrave, në tavolinë. U ula me shumë ndrojtje. « Sigurisht që ti ke uri ! », më tha ai. Një çanak plot me oriz me qumësht avullonte para hundës time. Megjithë urinë e madhe, vështirë se mund të përcillja diçka poshtë. Gjatë pasditës, i hëngra katër racione. Më shijoi shumë. Të tjerët me uniformë provonin të hynin në bisedë me mua. Nëse më pëlqente syltliaçi, si quhesha etj. Memecëria ime i çudiste ushtarët. « Çfarë mund t’i ketë ndodhur?» « Kjo është memece », tha shoqëruesi im. Kjo i habiti të tjerët. «Pse ndodhet kjo këtu? Çfarë bën kjo në ushtri?» e mbytën shoqëruesin tim me pyetje.

«Ajo është infermiere», u përgjigj ai. Të tjerët qeshën me të madhe. «Si mund të jetë infermiere një skelet i pisët, si puna e kësaj ? Çfarë mund të mjekojë dhe shpëtojë ajo!», mendonin ata. Megjithatë, shoqëruesi im, për çdo pyetje e gjente një përgjigje. «Kjo ka qënë për një kohë të gjatë në linjën e parë të frontit, në grupin e mjekimshpëtimit. Prandaj duket kaq e mbaruar», vazhdoi ai. Më dukej sikur askush nga ata nuk i besonte fjalët e tij. Megjithatë, për momentin, u sollën mirë.

Kur u larguan të tjerët, Milan, me sy shumë të medhenj, m’u afrua dhe filloi të fliste me mua, me rrokje, sikur unë të isha e sapolindur. «U-në, Mi-lan. Po ti?» Me siguri që e provoi, të paktën, dhjetë herë. Pse duhej të njihesha unë me atë mashkull!? Me siguri që ai do të më shiste për një paketë cigare tek ushtarët e tjerë. Si një peshk i kisha ngulur sytë dikund, ashtu kot. Doja të tregohesha aq e pisët dhe badallaqe, sa nuk bëhej më. Ndoshta kështu do të më hidhnin dikund jashtë, duke më lënë të lirë.

Në mbrëmje, Milani, më tregoi vendin e fjetjes. Sapo u shtriva në dyshek, ndjeva trupin e tij pranë meje. U ngjesha menjëherë pas murit. Nga tmerri ngriva fare. «Tani fillon gjithçka nga e para», mendova unë. Nuk mund të mendoja gjatë. Me zuri menjëherë gjumi. Kur më doli gjumi të nesermen, vura re se Milan, nuk më kishte trazuar fare. Ndër të tjera ai filloi menjëherë: «Unë, Mi-lan, po ti?» Ndjeva se dikund, brenda meje, u ndez një shkëndi shprese. «Hajde, mëngjesi është gati“, më tha ai. Burrat e tjerë e kishin kuptuar se unë nuk nxirrja asnjë fjalë nga goja. Me dashamirësi m’a bënin me kokë. “Pasi të hamë, do të udhëtojmë për në Kladusha“, më tha shoqëruesi im në sy të grupit. Emri i atij qyteti më shkaktoi një dridhje të fortë në gjithë trupin.

Gjatë gjithë udhëtimit, Milani heshti. Ndoshta e kishte pranuar faktin se, çdo bisedë me mua, ishte e kotë. Pak para se të hynim në Kladusha, ai frenoi. Në oborrin e një shtëpie dykatshe, vinin vërdallë ca policë. “Më në fund u ktheve“, e përshëndetën policët Milanin. Burrat flisnin me njëtri-tjetrin sikur nuk ishin parë për një kohë shumë të gjatë. Pastaj Milani u kthye nga unë: “Hajde, zbrit!“ më tha ai.

Unë u binda. “Ku e ke psonisur këtë skelet?“, donin të dinin burrat. Milani i la sqarimet për më vonë. Më futi brenda në një dhomë dhe më tha të qëndroja aty, derisa të kthehej ai. Hamendësisht, para jo shumë kohësh, dikush e kishte përzënë familjen që banonte aty. Shtëpia ishte e mobiluar shumë mirë. Në mure vareshin fotografi fëmijësh, në divane kishte kafshë prej stofi. Gjithçka dukej fare në rregull.

Duhej të lahesha dhe të vishesha, kështu më tha Milani. Ai u vesh me uniformë policie, me simbolet e Republikës Serbe. Tani për mua ishte gjithçka e qartë se kisha përfunduar në një stacion policie. Milani ishte serb dhe ashtu si kolegët e tij myslimanë, i takonte forcave paramilitare. E shikoja me inat. Ai më shpjegoi se, për një kohë të shkurtër, kishte qënë pjesëtar i forcave të armatosura dhe prandaj e kishte mbajtur më parë uniformën e maskimit. “Pse e ke sjellur këtë vajzën këtu?“ e pyeti një shok. Ata na rrethuan ne.

Këte radhë, Milani e tha të vërtetën. Ai më kishte gjetur mua në një shtëpi grashë, në një gjendje të mjeruar. Hamendësisht, të gjithë e kuptuan menjëherë që, unë isha myslimane. Megjithatë, askush prej tyre nuk tha një fjalë. “Më duket se është shurdhmemece“, tha Milani. Kolegët e tij reaguan me shumë përzemërsi. Natyrisht që unë mund të qëndroja tek ata. Sapo të kishin përzënë Korpusin e Pestë, do të më ndihmonin akoma më shumë. M’u krijua përshtypja se ndjenin keqardhje për mua. “Askush nuk guxon të të prekë ty“, më siguruan burrat. Premtimin e tyre nuk e mbajtën gjatë.

Pasdite, Milani u ul pranë meje në tavolinë dhe provoi të më tërhiqte në bisedë: “Je lindur kështu apo të ka ndodhur ndonjë gjë e trishtueshme?“ Asnjëherë nuk i jepja një shenjë buzëqeshje atij polici. E mendoja rrezik të madh për mua. Ndoshta do t’u dukesha simaptike dhe do të më përdhunonin menjëherë. Natën e parë, Milani më shoqëroi në katin sipër. Njëri nga tre krevatët më takonte mua. Para se të flija, thitha disa herë ajërin e pastër. Në dhomë me mua flinte Milani dhe një koleg i tij. Askush nuk më trazoi.

14. 05. 1994, e shtunë

Kroatët dhe myslimanët nënshkruan traktatin e paqes.

20. 05. 1994, e premte

e Goranit na dha gjysmë pule, dhe teze Nada pesë kokrra vezë. Në orën 18, gjashtë granata shpëtthyen në B. Nga ditari i nënës

Gjithnjë e më shumë po më rritej shpresa. Mëngjesin e haja bashkë me gjashtë policët. Oreksi po më vinte. Pas ngrënies, ushtarët pastronin tavolinën dhe lanin enët. Bënin shumë kujdes për pastërti. Diçka të tillë unë e kisha harruar prej kohësh. Milani më nxori nga humbëtira ime: “Sipër është banjo dhe dollapët me rroba plot. Lahu dhe merr çfarë të duash!“ Shumë e lumtur mora një palë pantofla, pantallona, bluzë, madje edhe një palë mbathje. Rrobat i përkisnin familjes që kishte banuar aty më parë. Para se të vishesha, u futa në vaskë, u sapunova mirë e mirë, nga koka tek këmbët. Përsëri dhe përsëri. Por, pisllëku ishte futur aq thellë në poret e trupit tim sa, nuk dilte dhe nuk dilte. Kur dola nga vaska, e zhveshur, ngriva me syhapur. Në mënyrë të vetëdijshme, e kisha shmangur ballafaqimin me pasqyrën kur, papritur u ndesha me atë. Si e hipnotizuar, ia ngula sytë trupit tim. “Kjo nuk jam unë!“, thashë me veten time. Si një e huaj preka fytyrën time. Një dhëmb përpara ishte thyer. Nuk e dija fare se kur kishte ndodhur. Dhëmbët e tjerë ishin të nxirë dhe të prishur. Flokët komplet të çakërdisur. Trupi ngjante me një skelet kockash për orën e anatomisë. Pamja ime më shkaktoi një dhimbje të madhe në shpirt. Megjithatë nuk i hiqja dot sytë nga pasqyra. Hunda më dukej se ishte bërë shumë e madhe. Sytë ishin futur thellë në gropë. Dukesha tamam si një kufomë. Pas këtij përjetimi, pasqyrën e mendova një kafshë grabitqare të rrezikshme. Nuk mund të pajtohesha kurrsesi me atë pamje timen. Më pushtoi një neveri dhe frikë e tmerrshme.

Maj, 1994, e mërkurë

Një e njohur më tregoi se, motra e saj kishte mundur të arratisej nga K. në Gjernani. Ajo i kishte thënë se, para gjashtë muajsh, e kishte parë Leilan atje. Vajza ime është gjallë dhe shendosh. Ajo është e bukur dhe e rritur tani.

Nga ditari i nënës

Milani po më priste poshtë. Ai provonte vazhdimish, të më bënte të flisja. Për një kohë të gjatë ai i shkruante pyetjet në një copë letër dhe kërkonte përgjigjen time me shkrim. Meqënëse unë nuk reagoja, ai mendoi se unë jam analfabete. Prandaj provonte me ushtrime të lehta. Ai vizatonte diçka dhe më lutej ta vizatoja edhe unë. Të gjitha mundimet e tij përfundonin pa sukses.

Gjatë ditës, rrija e ulur në një kolltuk. Për asnjë moment nuk ndjehesha e sigurt në atë shoqëri. Kur burrat dilnin, si rregull, më merrnin me vete. Vetëm, nuk guxoja të bëja asnjë hap, drejt derës. Te gjitha ditët ishin njëlloj. Ne hanim bashkë dhe rregullonim banesën. Pastaj gjysma e burrave largoheshin për të bërë shërbimin e tyre. Të tjerët qëndronin aty.

Në dhomën e banimit, televizori, thuajse ishte gjithnjë i hapur. Si dhe të tjerët, i shikoja edhe unë lajmet por, nuk kuptoja gjë nga ato. Programi serb informonte krejtësisht në mënyrë të njëanshme. Vetëm pala tjetër vriste, shkatërronte dhe therte njerëz. Serbët ishin viktimat dhe vetëm mbroheshin. Këto transmetonte media serbe. Nuk e kisha idenë e ecurisë së luftës. Burrat flisnin vazhdimisht për linjat e luftës por, edhe kjo nuk do të thoshte gjë për mua.

Kur rrija gjatë e ulur në një vend, flija menjëherë gjumë. Edhe gjatë natës flija si një gur. Koka ime ishte bosh. Nuk kishte asgjë brënda. As ëndërra nuk shihja më. Vetëm errësirë. Ushqimi rregullisht më bënte mirë. Më dukej sikur po rikthehesha disi në jetë. Filloi ideja e arratisjes. Madje e përfundova planin. Çdo mëngjes tre burra shkonin në shërbim dhe tre rrinin në shtëpi. Zakonisht, ata të tre që rrinin në shtëpi, e pinin kafen në tarracë. Me dorë, mund t’u jepja të kuptonin se po shkoj në banjo. Nga dritarja e banjos mund të dilja fare lehtë jashtë. Ku do të shkoja pastaj, cilin drejtim do të merrja!? Atë nuk e kisha menduar akoma. Në radhë të parë më duhej të mblidhja ca forca. Ndoshta mund të më shpëtonte Korpusi i Pestë, i cili po afrohej vazhdimisht drejt nesh. Dëgjoheshin të shtënat e armëve. Sa më shumë që çlodhesha, aq më shumë i ndieja dhimbjet e trupit. Gjatë torturave, nuk i kisha ndier dhimbjet. Më dukej sikur trupi im është bërë copa-copa. Gjithkund ndieja dhimbje. Më vinte për të vjellur. Shpesh humbja ekuilibrin dhe ecja në dhomë duke prekur me dorë si një e verbër. Në një rast, desha të kapja një gotë por, nuk e arrita dot. Dora ime përfundoi në cepin e tavolinës. Trupi më kishte dalur nga kontrolli. Nënkërthiza më therte si me thika. Dukej sikur kisha qënë e ngrirë, për një kohë të gjatë, në frigorifer dhe po shkrihesha përsëri.

Pavarësisht nga këto vuajtje, vazhdoja të merrja frymë. Për momentin fillova të imagjinoja përsëri familjen time para meje. Më së shumti më ndodhte kjo kur laja fashot e burrave në përrua. Nje polic më tregoi se si bëhet ajo. Ai më kishte menduar budallaqe dhe më tregoi të gjitha lëvizjet që duheshin bërë. Kur tërhiqja fashot në ujë, mundohesha të përfytyroja fytyrën e nënës. Në fillim ishte e vështirë. Kisha harruar të bëja çdo punë.

08. 07. 1994, e premte

gjashtë muajsh, morëm rrogën e korrikut. Janë 120 marka. Nga ditari i nënës

Përktheu Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist/ Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat