Eqrem Çabej, figurë e ndritur e gjuhës shqipe

Kultura

Eqrem Çabej, figurë e ndritur e gjuhës shqipe

Nga: Bledi Filipi Më: 8 gusht 2020 Në ora: 07:51
Eqrem Çabej

Këto ditë u mbushën plot 112 vjet nga lindja e arkitektit të gjuhës shqipe, Eqrem Çabej. Ai pati një veprimtari  të gjerë pedagogjike dhe shkencore. Fushë kryesore studimore pati historinë e gjuhës shqipe.

U lind në  7 gusht të vitit 1908. Jetoi në periudhat më dinamike të historisë së Kombit tonë. Mësimet e para i mori në Gjirokastër. Atje mbaroi më 1921 shkollën qytetase. Pas përfundimit  me rezultate të shkëlqyera fitoi një bursë për studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit, në Austri.

 Dega  e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik  të Universitetit të Vjenës ishte me një traditë të vyer. Aty kishin punuar profesorë të mëdhenj si Franc Miklosiç, Votroslav Jagiç, Vilhelm Majer-Lybke. Porse në kohën e Çabejt atje punonin  indoevropianisti i shquar P.Kreçmer, albanologu i dëgjuar Norbert Jokl etj.

Norbert Jokli duke parë te Çabej  një student me talent, e mbajti afër  dhe kështu lindi një miqësi e ngushtë  bashkëpunimi që e ndihmoi aq shumë Çabejn për të për të bërë një studim të thellë shkencor për gjuhën shqipe.

Për temën e diplomës ( për të mbrojtur gradën doktor) E. Çabej zgjodhi temën Studime italo-shqiptare (Italoalbanische Studien). Për këtë punoi me zell të madh dhe shkoi e mblodhi material  pranë arbëreshëve të Sicilisë në vitin 1932.

Pas marrjes së diplomës Çabej kthehet në Shqipëri.  Do të punoi në disa shkolla të ndryshme ( të mesme), gjendja e tyre ishte e vështirë dhe iu përvesh punës për hartimin e disa teksteve mësimore.

Si fillim e emërojnë nëndrejtor  të konviktit “Malet Tona “ në  Shkodër, ku zhvilloi lëndën e letërsisë shqipe.

Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, ai kërkon që për arsye shëndetësore të transferohet nga ajo degë e të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës, por një kërkesë e tillë, më sa duket, nuk u pëlqeu drejtuesve të asaj dege, të cilët vendosën ta  ” hiqnin qafe”, duke e dërguar që të mësonte në Shkollën e Plotësimit Ushtarak!
Duke vuajtur nga një sëmundje mushkërish, ai kërkoi që të lirohej nga një detyrim i tillë, por lutja e tij jo vetëm që nuk u mor parasysh, por edhe i solli kokëçarje të tjera.

Këshilli i Ministrave të asaj kohe, vendosi që Çabeji, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër dhe që, po të tregonte shenja të tjera të padëshiruara, kundër tij të merreshin masa edhe më të rënda.
Gjatë vjetëve 1938 - 1939 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.

Në vitin shkollor 1939 – 1940, Çabeji u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u emërua si drejtor i shkollës.
Me sa duket, autoritetet pushtuese (fashistët pushtues italianë në Shqipëri) shpresonin ta bënin për vete këtë profesor me kulturë, që kishte fituar emër të mirë me studimet dhe botimet e tij, por u gabuan, ai ishte njeri që nuk gënjehej nga të joshurat e armiqve dhe nuk bëhej në asnjë mënyrë vegël e tyre.

Në këto rrethana autoritetet pushtuese italiane e larguan Çabejin nga Shqipëria, duke i gjetur një "punë shkencore“ pranë Akademisë së Shkencave në Romë.
Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij të mbikëqyrur, për të punuar për Atlasin gjuhësor shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Romë autoritetet italiane më 1942 dhe gjermanët më 1943 i propozuan që të bëhej ministër i Arsimit në qeverinë por ai nuk e pranoi.

Në Romë Çabeji qëndroi deri në korrik të viti 1944. Pas çlirimit të Shqipërisë edhe për Çabejin fillon një jetë me perspektiva të mëdha.
Ai filloi të mbajë ligjërata nga lëndët linguistikë dhe albanologji në Shkollën e Lartë të Tiranës, qysh më 1946, vazhdoi punën pedagogjike edhe më pas në Institutin Pedagogjik katërvjeçar dhe sidomos në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, që u ngrit mbi bazën e Institutit katërvjeçar në kuadrin e Universitetit të Tiranës, që u krijua në vitin 1957.

Këtu ai zhvilloi për shumë vjet lëndën Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe dhe Fonetika historike e shqipes, për të cilën hartoi edhe tekstin përkatës, që është ende në përdorim.

Në veprimtarinë gjysmëshekullore të Çabejit vendin kryesor e zë pa dyshim prodhimtaria e tij e pasur shkencore, e cila mund të ndahet në dy faza kryesore: faza e parë vazhdon deri në prag të çlirimit të Shqipërisë dhe faza e dytë nis pas vitit 1945.
Veprimtaria e tij shkencore gjatë këtyre dy fazave është e kushtëzuar jo vetëm nga interesat e tij shkencore, por edhe nga punët që ishte ngarkuar të kryente.

Sidoqoftë, në fazën e parë ai është marrë edhe me studime thjesht shkencore edhe me botime të nevojshme për shkollën e mesme.
Në prodhimtarinë e tij të asaj faze bie në sy një interesim i madh jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin e letërsinë artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë,e kjo duket qartë edhe nga titujt e botimeve të tij të kësaj periudhe, kur krahas studimeve thjesht gjuhësore ka botuar edhe studime nga fusha e folklorit dhe e letërsisë, ose edhe studime me karakter të përzier gjuhësor e letrar.

Ishte në kulmin e punës së tij për Fjalorin Etimiologjik të Shqipes, kur do të sëmurej   rëndë e do të çohej për kurim në Romë ku ndërroi jetë më  13 gusht 1980. Emri i prof. Çabejt është i lidhur ngushtë me çështjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe arsimit. Vepra e tij mbetet një fanar ndriçues  për cilindo!

Vepra:

Studime etimologjike në fushë të shqipes (I,II,III,IV,V,VI,VII.).

Shumësi i singularizuar i gjuhës shqipe.

Për gjenezën e literaturës shqipe.          

Fjalori i gjuhës shqipe (1954)-bashkëautor.

 Studime mbi Mesharin i Gjon Buzukut.(1958)

Fonetika historike e shqipes (1958)

Ilirishtja dhe shqipja.

Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte.

Për historinë e strukturës dialektore të shqipes etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat