Mirënjohja tek libri i ri me poezi “Mall me dhimbje” i autores Elmira Tafa

Kultura

Mirënjohja tek libri i ri me poezi “Mall me dhimbje” i autores Elmira Tafa

Nga: Albert Z. Zholi Më: 12 gusht 2020 Në ora: 08:55
Kopertina e librit

Libri i ri me poezi “Mall me dhimbje” i autores Elmira Tafa, vjen këto ditë të vështira mbarëbotërore për të lehtësuar paksa stresin e përditshëm. Emira ende nuk është një
poete e afirmuar, por ajo me vargun e saj popullor, përcjell para lexuesit një tematikë të gjerë të problemeve që shqetësojnë por edhe gëzojnë njeriun në jetën e përditshme.

Duke pasur parasysh se ka kaluar një situatë të vështirë në jetë, ajo është bërë më e ndjeshme, më paqësore, më e dashur, më atdhetare, më e prirur drejt ndihmës dhe përkrahjes. Poezia e saj është ashtu siç e ka shprehur në titull mall dhe dhimbje.

Jeta e autores ka qenë luftë, përpjekje, sakrifica. Në vargjet e saj gjen mallin e madh për fëmijët dhe të afërmit emigrant, për të njohurit, për nipërit dhe mbesat, për ata që kanë ikur në përjetësi dhe që ajo s’mund të bisedojë më.

Por tematika e autores është sa e larmishme po aq dhe e sinqertë. Ajo shkruan me zemër, ashtu si e ndjen apo e sheh realitetin. Vargu i saj i thjeshtë rrok problemet sociale, veset dhe virtytet që ndryshojnë nga njeri tek tjetri. Ne çdo poezi ajo mbi të gjitha tregon dashurinë e madhe që ka për atdheun.

Figurat kombëtare për të janë simbole që lartësojnë atdheun por frymëzojnë dhe çdo njeri atdhetar. Në shumë poezi lexon për miqësinë, respektin, dredhitë, pabesitë, punën e palodhur në emigracion, vështirësitë e jetës, të papriturat e jetës, respektin e madh për prindërit, për motrat dhe vëllezërit.

Lexon edhe për thashethemet dhe pengjet e jetës. Por ajo që zë vend kryesor te autorja është virtyti më i lartë Njerëzor, virtyti më i çmuar, Mirënjohja. Ja si shprehet autorja në poezinë:

Ndihma jote dritë për mua

Më dhe gjak nga gjaku jot,

Që unë kisha shumë nevojë,

Më dhe dritë nga sytë e tu,

Që unë botën të shikoj!

Në një moment vështirësie në jetë autorja është vetë personi që njohu nga afër ndihmën që nuk e besonte. Ndihmën që e ringjalli, ndihmën që pak kush mund ta japë.

Dhe për këtë ndihmë që ajo nuk e kishte besuar më parë shprehet me vargjet e mësipërme. Vetëm një njeri me zemër të madhe, i ndjeshëm, i sinqertë, mund ta shpreh kaq hapur dhe kaq natyrshëm mirënjohjen.

Autorja më parë e vinte në dyshim këtë virtyt të lartë. Dhe me të drejtë... Sot bota është bërë shumë komerciale, shumë e vetmuar, individuale. Humanizmi sikur është strukur, sikur nuk ka vend shumë tek njerëzit. Ndaj ajo më parë ndihej e pezmatuar.

Por duhej një ditë që ajo të kishte nevojë për ndihmë dhe ndihma i vjen papritur. Dhe autorja duke treguar fisnikërinë e saj, Mirënjohjen e shprehu në vargjet e mësipërme.... Nga ana tjetër emigracioni, një plagë e madhe e shoqërisë së sotme shqiptare. Një plagë që s’po gjen shërim. Me qindra djem dhe vajza kanë humbur deteve, maleve me borë, lumenjve të rrëmbyeshëm apo oqeaneve për një jetë më të mirë. Emigracioni mbetet një rrugë pa adresë sipas autores. Por emigracioni
shqiptar në vitet e para të demokracisë ka qenë i pashembullt, i pa imagjinueshëm, plot dhembje dhe tragjedi. Ikën nga toka mëmë qindra mijëra njerëz pa e ditur destinacionin.

Ja si shprehet autorja:

Ju dallëndyshe shtegtare,

Përmbi male fluturoni,

Të ju pyes nëna një fjalë:

-A e patë të vetmin djalë?!

Në këtë ikje kanë qenë mijëra djem apo vajza të vetme. Dhe nëna pret. Pret në dritare mëngjes dhe mbrëmje. Shikon dallëndyshet në fluturim... Pret një haber, pret një lajm. Ku është djali i vetëm ku?! Sa dhimbje! Një metaforë drithëruese që shpreh mallin e madh për djalin e vetëm. Vetëm nënat mund ta ndjenë aq thellë dhimbjen dhe mallin e pritjes.

Në tërësi libri i ri i autores ka shumë dhimbje por ka dhe shumë shpresë. Ka shpresë tek njerëzit mirënjohës dhe fjalëpakë që bëjnë vepra të mëdha. Ajo shpreson tek e mira në Botë, shpreson tek pozitivja pasi vetëm kështu mund të kalohen problemet e sotme sociale. Ajo shpreson dhe lutet për një botë në paqe, për një Shqipëri të bukur dhe të lulëzuar, për një rini që të kthehet në atdhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat