Kosova ma dha punën dhe bukën, Maqedonia ma dha burgun dhe rrugën

Kultura

Kosova ma dha punën dhe bukën, Maqedonia ma dha burgun dhe rrugën

Nga: Rexhep Torte Më: 13 gusht 2020 Në ora: 22:29
Rexhep Torte

Jetoj dhe do të vdes me Kosovën në zemër.

Kosova në vjeshtën e vitit 1971 ma dha punën dhe bukën si gazetar i “Rilindjes”. Këtë kafshatë të gojës ma morrën kodoshët Nijazi Limanovski dhe Halit Basha nga Dibra, vegla të Shërbimit sekret sllavo-jugosllavo-maqedonas, duke mi marë edhe 7 vite jete me burgosje, hetime e papunësi.

Kodoshin Nijazi Limanovski si shpërblim shteti maqedonas e pajisi me doktoranturë fiktive, përpos që ishte deputet republikan, drejtor i “Radia Dibra” dhe korespondent i shumë gazetave joshqipe.

Kodoshin Halit Basha si shpërblim shteti maqedonas e bëri kryetar të Komitetit të LKJ-së në Dibër, sërish e vuri korrespondent honorar të “Rilindjes”, përpos që ishte sekretar në Pallatin e Kulturës, zëvendësdrejtor në “Radio Dibra” dhe korespondent honorar i “Flaka e Vëllazërimit”.

Kosova ma dha punën e bukën edhe në vitin 1978, si përkthyes në Redaksinë e gjuhës shqipe në Shërbimin e Përkëthimeve në Këshillin Ekzekutiv Federativ të ish Jugosllavisë. Edhe kësaj here Shërbimi sekret sllavo-jugosllavo-maqedonas, dërgoi shkresën se Rexhep Torte nuk mund të punojë në këtë institucion.

Fadil Hoxha dhe Imer Pulla, funksionarë të lartë të atëhershëm të Kosovës ma vunë dorën dhe vazhdova të punoj si përkthyes gjer në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Kosova është pjesë e rëndësishme e jetës s’ime. Lidhjet e mia me Kosovën e kanë zanafillën qysh si nxënës i tetëvjeçares kur lexoja “Zërin e Rinis”, e më vonë edhe “Rilindjen” dhe “Jeta e re”. Në vazhdimësi lexoja shumë, shkruaja dhe recitoja bukur.

Gjatë studimeve në Beograd u bëra anëtar i Shoqatës Letrare Studentore “ Përpjekja” dhe në vitin 1967 më zgjodhen kryetar të kësaj shoqate, e cila me nismën time u bë shoqatë letrare-muzikore, sepse kishte një numër të madh të studentëve shqiptarë që studjonin në Akademinë e Muzikës në Beograd si edhe studentë këngëtarë të talentuar.

Grupi letrar i “Përpjekjes” përbëhej nga Ekrem Kryeziu, Mustafa Cakaj, Nusrete Vula, Ramadan Sinani, Faik Mustafa, Xhemail Bytiqi, Zaudin Gazidede, Sefedin Fetiu dhe Rexhep Torte.

Orkestri muzikor i “Përpjekjes” përbëhej nga Isak Muçolli, Isa Jakupi, Haxhere Kuçani, Musa Piperku, Esat Rizvanolli, Perver Shehu, Luigj Gomilla, Rexhep Munishi, Gjergj Kaçinari, Qazm Oruçi, Mehdi Bajri, Dashnor Rema, Zekeria Ballata, Sami Pozhegu, Avni Vula, Xhemil Daci, Shpëtim Vërzivolli dhe Avni Gjakova.

Këngëtarët e “Përpjekjes” ishin Hermine Delhysa, Litafete Komoni, Haxhere Kuçani, Antoneta Delhysa, Silvere Kryeziu, Osman Hoxha, Muhamet Shala, Agim Rizvanolli, Bashkim Paloja, Esat Meka, Enver Berisha, dhe grupi këndues ishin Hysen Meka, Sebiha Maloku e Igbale Zoga.

Faik Hima dhe Vera Gjevori, ishin prezentues të programeve gjatë koncerteve të “Përpjekjes” dhe me paraqitjen e tyre i jepnin një sharm lakmues artistik tërë programit.

Në gjirin e “Përpjekjes” ishin edhe ekipet e futbollit dhe të shahut që merrnin pjesë edhe në garat studentore.

Atli Piperku ishte sekretar i “Përpjekjes”, ndërsa Burhan Mela arkëtar.

“Përpjekja” kishte edhe shumë studentë simpatizantë, në mesin e tyre dalloheshin piktorët Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Agim Çavdërbasha dhe artisti Faruk Begolli. Ndërkaq “Përpjejka” kishte edhe një numër të madh të studentëve simpatizantë që e shoqëronin në të gjitha aktivitetet e saj brënda dhe jashtë Beogradit.

Asokohe pata rastin të njihem me shumë shokë dhe me ajkën letrare e kulturore të Kosovës në mbrëmjet e shkëlqyera letrare që i organizonim në ambientet e Fakultetit Filologjik në Beograd.

Punësimi në “Rilindje”

Rexhep Zogaj, drejtor i NGB “Rilindja” në vjeshtën e vititit 1971, më ftoi në Prishtinë dhe më informoi se redaksia “Rilindja” mendon ti përforcojë korrespondenturat në Maqedoni, dhe më propozoi që unë të jem gazetar i rregullt i “Rilindjes” në Dibër, por që kohë pas kohe ta mbuloja edhe Strugën, Gostivarin dhe Kërçovën varësisht nga rëndësia e aktiviteteve. Ndërkaq Rexhep Zllatku që asokohe punonte gazetar i “Rilindjes” e mbulonte Shkupin, Kumanovën dhe Tetovën. Këtë propozim të Rexhep Zogajt e pranova me kënaqësi dhe fillova të punoj gazetar i rregullt i “Rilindjes”. Por ky gëzim nuk zgjati shumë.

Image
Torte në mitingun e parë të poezisë në Gjakovë

Kodoshët Nijazi Limanovski dhe Halit Basha ma ndalën hovin

Nijazi Limanoski, asokohe ishte deputet Republikan, drejtor i “Radio Dibra” dhe korrespodent i shumë gazetave joshqipe në ish Jugosllavi.

Halit Basha, sokohe ishte zëvendësdrejtor i “Radio Dibra”, sekretar në Pallatin e kulturës-Dibër dhe korrespodent honorar i “Rilindjes” dhe “Flaka e Vëllazërimit”.

Këta dy kodoshë për arsye miskine të konkurrencës gazetareske dhanë deklarata të rreme në Policinë e Dibrës dhe në Komitetin e LKJ-së. Aktivi Politik i Dibrës pas disa mbledhjeve vendosi që unë të mos jem gazetar i “Rilindjes” nga Dibra. Lidhur me këtë qëndrim Aktivi Politik i Dibrës i dërgoi edhe letër redaksisë “Rilindja “ në Prishtinë që unë të mos jem gazetar i “Rilindjes” nga Dibra. Kjo letër u botua në gazetën “Rilindja” dhe poshtë saj edhe fjalia, “Mbi këtë bazë edhe Redaksia e “Rilindjes” heqën dorë nga gazetari Rexhep Torte”.

Si rezultat i kësaj u pëjashtova nga puna, u burgosa, dhe iu nënshtrova hetuesisë. Kjo odisejadë zgjati shtatë vite.

Nijazi Limanoski nga sistemi i atëhershëm monist, për këtë intrigë ndaj meje u shpërblye me titullin e doktoranturës fiktive në Shkup.

Halit Basha nga sistemi i atçhershëm monist, për këtë intrigë ndaj meje u shpërblye duke e bërë kryetar të Komitetit të LKJ-së- në Dibër dhe u vendos sërish të vazhdojë punën si korrespodent honorar i “Rilindjes” nga Dibra përveç punëve tjera që i kryente.

Një muaj e gjysëm pasi fillova ta kryej shërbimin ushtarak në Çernomelj të Sllovenisë, për të më diskredituar edhe më shumë erdhi thirrja për procesin gjyqësor të caktuar për më datë 12.12.1972 në Dibër.

Në bangën e zezë u ula me uniformë ushtarake. Kryetar i trupit gjykues ishte gjykatësi Shehat Marku, ndërsa porota përbëhej nga Hasan Mati dhe Xheladin Pjeça. Procesi gjyqësor ishte i hapur dhe salla e gjykimit e korridori ishin mbushur përplot me qytetarë kureshtarë.

Procesi gjyqësor zgjati më shumë se pesë orë, në të cilin kundër meje hapur në ballafaqim dolën dëshmitarë Nijazi Limanovski e Halit Basha, duke konfirmuar deklaratat e tyre të dhëna në polici dhe në Komitetin e LKJ-së, se “unë para tyre paskësha mbështetur demonstratat studentore që u mbajtën në vitin 1971 në Zagreb, paskësha kritikuar vendimet e KQ të LKJ-së të Kroacisë me në krye Savka Dapçeviq Kuçar dhe fjalimin e Titos lidhur me këto demonstrata studentore, si edhe shumë të paqëna tjera. Unë kategorikisht i hodha poshtë këto deklarata të këtyre dëshmitarëve kodoshë.

Gjykatësi Shehat Marku, kryetar i trupit gjykues në procesin gjyqësor përkundër këtyre dëshmive, thirrjes dhe kërcënimeve në disa biseda informative në polici nga përfaqësit e Shërbimit të sigurimit shtetërorr dhe presionit të jashtëzakonshëm të institucioneve shtetërore të atëhershme në Maqedoni, qëndroi i palëkundur dhe me aktvendimin e tij në këtë proces gjyqësor më liroi nga aktakuza duke më shpallur të pafajshëm.

Pasi përfundoi procesi gjyqësor unë të nesërmen heret në mëngjez u nisa për në kazermën ushtarake në Çernomelj të Sllovenisë ku duhej të arrija në kohë. Aktvendimi gjyqësor në kazermën ushtarake më erdhi pas dhjetë ditëve.

Ndaj këtij aktvendimi gjyqësor u ankua prokurori Tome Buzharovski, ankesë e cila u pranua dhe u vendos që procesi gjyqësor ndaj meje të përsëritet dhe lëndën time gjyqësore tashmë e mori për të proceduar Vojisllav Zhivkoviq, kryetar i Gjyqit në Dibër, me të vetmin qëllim e direktivë që domosdo të më dënojë.

Në ndërkohë e kreva shërbimin ushtarak dhe i gjendur para një situate ku më priste dënimi me burg, vendosa që ti shmangen dënimit dhe kalova në ilegalitet që zgjati plot shtatë muaj, gjersa sipas dispozitave ligjore skadoi edhe afati i lëndës gjyqësore. Megjithatë ditën që dola në qytet sërish më arrestuan dhe më dërguan në burgun e “Shutkës” në Shkup. U lirova nga burgu pas një jave mbi bazën e ankesës së avokatit tim Svetozar Petrovski, se kjo lëndë gjyqësore tashmë ishte vjetërruar.

Punësimi në Beograd

Në vitin 1978 u paraqita në konkursin e shpallur në mediune për përkthyes në Këshillin Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë së atëhershme. Pas dhënies me sukses të provimit pranues u punësova si përkthyes në gjuhën shqipe në Shërbimin e Përkthimeve në këtë institucion.

Pas tre muajve pune për mua kishte arritur mendimi negativ nga Shërbimi i sigurimit shtetëror i Maqedonisë, për të cilin më informoi Marin Branko, drejtor i Shërbimit të Përkëthimeve duke ma dhënë që ta lexoj edhe vetë këtë shkresë. Në fund të kësaj shkrese zyrtare thuhej se, ”Rexhep Torte assesi nuk guxon të punojë në organet dhe drejtoritë e administratës federative“.

Ishin z.Fadil Hoxha, asokohe Kryetar i Kryesisë së RSFJ-së dhe z. Imer Pula, ministër për Treg dhe Çmime në ish Jugosllavi, që ma vunë dorën, dhe unë vazhdova të punoj si përkthyes për Kosovën në këtë shërbim gjer në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Në kohën kur në Shërbimin e Përkthimeve erdhi për mua mendimi negativ nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Maqedonisë, unë e takova z.Vahide Hoxha, bashkëshorten e z.Fadil Hoxha, e cila ishte deputete e Kosovës në Kuvendin Federativ të ish Jugosllavisë së atëhershme. Me nismën dhe angazhimin e z. Vahide Hoxha ishin themeluar edhe redaksitë në gjuhën shqipe në Shërbimin e Përkthimeve në Kuvendin Federativ dhe në Këshillin Ekzekutiv Federativ ku unë isha i punësuar.

Sapo e njoftova z.Vahide Hoxha për mendimin negativ që kishte ardhur për mua nga Maqedonia, ajo më premtoi se çdo gjë do të rregullohet nëpërmjet z.Fadil Hoxha, bashkëshortit të saj që asokohe ishte edhe kryetar i Kryesisë të RSFJ-së, premtim i cili edhe u realizua.

Zoti Fadil Hoxha dhe z. Imer Pula, që të dy funksionarë të lartë të Kosovës, kishin biseduar lidhur me çështjen time dhe ishin marë vesh që z. Imer Pula ta ftojë në kabinetin e tij drejtorin tim dhe ti komunikojë se këta dy funksionarë të lartë nga Kosova dëshirojnë që unë të mbetem në punë si përkthyes.

Kjo qe vendimtare që unë vazhdova të punoj në Shërbimin e Përkthimeve gjersa u shpërbë ish Jugosllavia.

Zotin Fadil Hoxha e njoftova kur isha kryetar i Shoqatës Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja”. Zoti Fadil Hoxha si funksionar i Kosovës asokohe na inkurajonte dhe duke na siguruar edhe mjete financiare, sidomos në kompletimin e orkestrit me instrumente muzikore e veshje kombëtare, në kremtimin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës ku ishte edhe vetë i pranishëm, si edhe në shënimin e 500- vjetorit të lindjes së Skenderbeut.

Te z. Fadil Hoxha në kohën kur unë isha kryetar i Shoqatës Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja”, gjithmonë gjeja përkrahje për aktivitetet e shoqatës, për organizimin e mbrëmjeve letrare dhe të koncerteve në mesin e studentëve shqiptarë në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Shkup dhe Dibër.

Zoti Fadil Hoxha pa hezitim vinte edhe në pikniqet që ne studentët shqiptarë i organizonim të djelave në Parkun Koshutnjak të Beogradit.

Gjatë kësaj periudhe unë vendosa kontakte edhe me Shoqatën Studentore Kulturore-Artistike “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Kjo shoqatë kishte përgatitur dramën për Skënderbeun “Trimi i mirë me shokë shumë” të autorit Sulejman Pitarka me regji të Krist Berishës, me rolin kryesor të Hasan Salajt. Me Ali Gojanin, kryetarin e SHSKA “Ramiz Sadiku” organizuam që kjo dramë të shfaqet edhe në Shkup, Dibër dhe Strugë.

Me Shoqatën Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja” e vizituam edhe Dibrën, me këtë rast të gjithë anëtarët e shoqattës i vendosëm të flejnë në familjet dibrane me të vetmin qëllim për ta zgjeruar miqësinë me familjet dibrane. Kjo gjë doli shumë e efektshme dhe lidhjet shoqërore e familjare që u krijuan asokohe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 1967, më lindi ideja dhe mora nismën dhe e riaktivizova edhe SHKA “Liman Kaba“ të Dibrës, e cila i kishte ndërprerë aktivitetet një kohë të gjatë dhe ndihmova edhe në organizimin e koncerteve të saj në Kosovë dhe në Beograd. Në këtë drejtim edhe SHKA “Hajdar Dushi” nga Gjakova nën udhëheqjen e fizharmonikistit Zekeria Çarkaxhiu- Zuka shfaqi koncerte edhe në Beograd, Dibër dhe Strugë.

SHKA “Liman Kaba” kishte orkestrin e udhëhequr nga fisharmonikisi Eshref Çutra, grupin këndues dhe këngëtarët Sulejman Borova, Violeta Turkeshi, Avni Papraniku Shqipe Kasapi dhe Pranvera Paçuku.

SHKA “Hajdar Dushi” kishte orkestrin e udhëhequr nga Zekeria Çarkaxhiu-Zuka, grupin këndues dhe këngëtarët Ismet Peja, Gonxhe Çaushi, Mazllum Mejzini, Nazmi Nikoliqi, Borëbardha Riza, Rauf Dhomi, Serbeze Këpuska dhe Mandushe Abazaga.

Nuk kishte gjë më të lumtur kur në vitin 1967 Shoqata Studentore Letrare -Muzikore “Perpjekja” mbante orë letrare e shfaqte koncertet e saj në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Shkup e Dibër.

Shoqata Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja” i tubonte studentët shqiptarë te këtyre qendrave edhe në Beograd, pastaj mbante mbrëmje letrare e shfaqte koncerte edhe nëpër qytetet e Kosovës e të Maqedonisë.

ShKA “Liman Kaba” e Dibrës shfaqte koncertet e saj nëpër qytetet e Kosovës dhe para shqiptarëve që studjonin apo jetonin e punonin në Beograd.

SHKA “Hajdar Dushi” e Gjakovës shfaqte koncertet e saj nëpër qytetet e Kosovës, Maqedonisë dhe para studentëve, por edhe para shqiptarëve që studjonin apo jetonin e punoin në Beograd.

SHKA “Ramiz Sadiku” e studentëve të Prishtinës në vitin jubilar të 500-Vjetorit të lindjes së Skenderbeut shfaqi dramën e e Skenderbeut “Trimi mirë me shokë shumë” në qytetet e Kosovës, Maqedonisë dhe vizitoi edhe Beogradin. Ndërkaq Shoqata Studentore “Shkëndija” e Zagrebit kishte përgatitur recitalin me poezi tematike për Skenderbeun.

Në këtë vit jubilar me nismën time dhe me mbështetjen e z. Fadil Hoxha, nëpërmjet Entit për përparimin e aktiviteteve kulturore të Kosovës, filmi për Skenderbeun i koproduksionit të Shqipërisë u shfaq edhe para studentëve shqiptarë dhe para shqiptarëve që jetonin e punonin në Beograd.

Shoqata Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja” gjatë kësaj periudhe ishte shumë aktive, enthuziaste, e guximshme dhe la kujtime të pashlyera gjatë këtyre programeve që i shfaqi në qytetet që i vizitoi.

Din Mehmeti, kryetar i Klubit Letrar të Gjakovës, pas koncertit që Shoqata “Pwrpjekja” e dha në Gjakovë me ç’rast edhe unë i recitova poezitë e mia, më ftoi që të marr pjesë në Metingun e parë dhe të dytë tradicional të Poezisë në vitin 1967 dhe në vitin 1968 që mbahej më 9 maj në stadiumin “Shani Nushi” në Gjakovë nën patronatin e z. Fadil Hoxha.

Nuk e harroj momentin kur publiku me duartrokitje të vazhdueshme frenetike kërkoi që të dal e ti lexoj për herë të dytë poezitë e mia. Në momentin që prezentuesi i metingut më dha shenjë që përsëri të dal para publikut, duke iu afruar mikrofonit plot emocione aty për aty më erdhën në mëndje dhe i recitova vargjet, “Për Dibrën time derdh lot e të shtrenjtin gjak, por edhe për ty Gjakovë kurrë jo më pak”, vargje që e lumturuan publikun e që bënë të buçasë stadiumi nga duartrokitjet dhe brohoritjet.

Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë u ktheva në Dibër dhe pas një kohe sërish mora ofertën nga redaksia “Rilindja”që botohej në Tiranë dhe fillova të punoj si gazetar nga Dibra.

Puna ime si gazetar në “Fakti”

Puna ime si gazetar më tej vazhdoi në të përditshmen “Fakti” të Shkupit, që nga fillimi e gjer në ndërprerjen e daljes së kësaj gazete të vyer, e cila në kohën dhe vendin e duhur bëri një informim të shkëlqyer dhe shumë të rëndësishëm për lexuesit dhe opinionin e gjërë, gjatë zhvillimit të luftës së UÇK-së në vitin 1999 në Kosovë dhe pas saj, si edhe gjatë zhvillimit të luftës së UÇK-së në vitin 2001 në Maqedoni dhe pas saj. Nëpërkëmbëzat e shtetit dhe mediokriteti e papërgjegjshmëria e partive politike shqiptare qenë vendimtare, që kjo gazetë e përditshme e vyer e cila kreu një mision të mrekullueshëm gazetaresk ta ndërpresë rrugëtimin e saj dhe ti lë pa punë një numër të madh të gazetarëve të punësuar në këtë të përditshme në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Është për të theksuar se gazeta “Fakti” gjatë funksionimit të saj shërbeu si shkollë e mirfilltë e gazetarisë, ku Emin Azemi pronar i kësaj gazete, redaksia dhe gazetarët e saj falë përkushtimit, misionit dhe punës së palodhur fituan përvojë dhe profesionalizëm shumë cilësor, që u dëshmua me faktin se shumica e redaktorëve dhe gazetarëvë falë kesaj u sistemuan dhe vazhduan të punojnë si profesionistë tejet të suksesshëm nëpër institucione tjera ku arritën të punosohen.

Bashkëpunimi im si gazetar vazhdoi edhe në “Lajm”, “Zhurnal”,“Zëri”, “Kosovapress”, “Epoka e Re”, “Illyria” në SHBA,” dhe “Rruga e Arbërit” në Tiranë.

Unë për asnjë çast nuk i shkëputa lidhjet me shokët nga Kosova. Komunikimin me shokët nga Kosova, natyrisht me ata që janë ende gjallë, unë e mbaj edhe sot e kësaj dite. I kam njohur nga afër dhe kam patur konsideratë të lartë për letrarët Esad Mekuli, Sitki Imami, Hasan Mekuli, Vehap Shita, Rexhep Zogaj, Ali Aliu, Ali Demë Jasiqi, Rexhep Hoxha, Maksut Shehu, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku, Rahman Dedaj, Ramiz Kelemndi, Qerim Ujkani, Teki Dervishi, Jakup Cerraja, Muhamed Kërveshi,Rifat Kukaj, Beqir Musliu dhe Ymer Shkreli.

I kam njohur nga afër dhe kam patur konsideratë të lartë edhe për gazetarët Maksut Shehu, Anton Pashku, Zenun Çelaj, Gani Bobi, Adem Shkreli, Fehmi Baftiu, Ibrahim Kadriu, Jusuf Buxhovi, Teki Tervishi, Fahri Musliu etj.

I kan njohur nga afër dhe kam patur konsideratë të lartë për veprimtarët politikë dhe atdhetarët e flaktë Mr. Ukshin Hotin, Fehmi Aganin, Adem Demaçin dhe Zekeria Canën, për të cilët kam botuar edhe shumë shkrime, dhe i kam kuptuar mirë e thellësisht konceptet e tyre kombëtare gjeopolitike dhe rrugën për realizimin e të drejtave dhe të kauzës mbarëshqiptare.

Pjesa më e madhe e punës sime i është kushtuar Kosovës. Hapat e parë në gazetari i bëra në gazetën “Rilindja” dhe “Zëri Rinis’ të Prishtinës.

Në nëntor të vitit 1967 kur në Dibër ndodhi tërmeti shkatërrues, me ç’rast në gazetën “Rilindja” informoja rregullisht për gjendjen pas tërmetit, ndërsa për tekstin e reportazhit “Dibra natën e Vitit të Ri 1967” mora shpërblimin e redaksisë. Me shkrimet e mia informoja me korrektësi se kamionèt e parë me bukë ditën e tërmetit në Dibër erdhën nga Kaçaniku, me çka i përgënjeshtroja pretendimet e mediave maqedonase që deshin ta mbulojnë këtë të vërtetë.

Asokohe autoritetet maqedonase morrën qëndrim ti ndalojnë ndihmat që vinin nga Kosova, por menjëherë reagoi Ismail Bajra, kryetar i Kaçamikut duke e bllokuar rrugën Kaçanik-Shkup, gjë që qe e efektshme dhe Maqedonia i hoqi pengesat pèr arrijtjen e ndihmave nga Kosova nè Dibèr.

Duke shikuar se autoritetet maqedonase llogarinë rrjedhese për ndihmat në Dibër e hapën në Shkup dhe se në Dibër nuk arrinin ndihmat e nevojshme, me ndihmën e gazetarëve të “Rilindjes” Maksut Shehu dhe Fehmi Baftiu, i dërguam informata dhe foto Salih Zvizhdiqit, gazetarit të “Vjesnik u Srijedu” në Zagreb, i cili menjëherë në faqen e parë të kësaj gazete botoi shhkrimin me titull “Zaboravljeni Debar”, tekst që zgjoi interesim të madh dhe e detyroi që brenda dy ditëve Dibrën ta vizitojë Mika Shpiljak, kryeminitër i atëhershëm i ish Jugosllavisë, dhe pas kësaj vizite në aspektin e ndihmave gjendja në Dibër e fshatra u përmirësua dukshëm.

Tashmë që kam shkelur në vitin 76 të moshës sime, falë ndihmës së Zotit, jam duke vazhduar punën e gazetarisë me shkrimin e kollumnave në “Koha” dhe “Bota Sot”, gjithnjë në mesin e shokëve kosovarë.

Dosjen e policisë mu mundësua ta marr në janar të vitit 2001, një jave pas vdekjes së babait tim, pasi një gjë e tillë u mundësua ligjërisht në Maqedoni. Të parët në këtë dosje policore figurojnë emrat e kodoshëve Nijazi Limanovski dhe Halit Basha.

Më habit fakti se çfarë karakteri mizor kanë patur këta dy kodosha, të cilëve pa u bërë asnjë të keqe, përkundër aqë shumë vendeve të punës që kishin dhe parave që merrnin, mua ma morrën edhe atë kafshatë të vetme që kisha si gazetar i “Rilindjes”, mi traumatizuan 7 vitet më të mira të rinisë dhe më detyruan që bashkë me prindërit e mij të përjetojmë shqetësime dhe vuajtje të paimagjinueshme.

Kodoshëve u dukej vetja sikur e kanë kapur qiellin me dorë, në popull shiteshin si njerëz të mirë, dërsa në anën tjetër njerëzve të ndershëm e dinjitozë ua nxinin e shkatërronin jetën nëpërmjet strukturave të sigurimit të shtetit.

Kodoshët mendonin se të zezat që i bënin nuk do të zbulohen kurrë, por ja që erdhi koha dhe u zbuluan.

Isha vetëm 25 vjeçar ne një familje të ngushtë kur mu desh të ballafaqohem me intriga kaqë dinake dhe me një regjim shtetëror e politik të ashpër.

Kisha mbështetjen te Zoti që më dha forcë dhe guxim ti tejkaloj me sukses të gjitha sfidat që më dolën përpara.

Të gjithë njerëzit zemërligë e dashakeq tashmë i kam stigmatizuar në personazhe reale, me emër e mbiemër të vërtetë në romanin tim me titull “Buka e hidhur e gazetarit” të përgatitur për botim, me të vetmin qëllim që njerëzit të vetëdijësohen dhe të qëndrojnë larg kodoshllëkut e mëkateve, sepse kodoshllëku në mesin tonë ka shkaktuar dhe po shkakton edhe aktualisht dëme të mëdha kombëtare.

Kam bindje të fortë se mëkatet paguhen domosdo në këtë jetë, por edhe në jetën e përtejme, ku xhehenemi do të jetë vendbanim i përhershëm i njerëzve të ligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat