Përsiatje rreth romanit “Misteret e kohës” të shkrimtares Elhame Gjyrevci

Kultura

Përsiatje rreth romanit “Misteret e kohës” të shkrimtares Elhame Gjyrevci

Zymer Mehani Nga Zymer Mehani Më 15 gusht 2020 Në ora: 07:27
Ballina e librit

Shkrimtarja e talentuar Elhame Dervisholli- Gjyrevci, tanimë është autore e njohur për lexuesin shqiptar. Është kjo autorja e romaneve “Kokomilo”, “Luisi” dhe “Dështimi në jetë”. Para disa kohësh, kjo shkrimtare nxori nga shtypi romanin e radhës “Misteret e kohës”.

Si gjatë etapave të historisë, ashtu edhe sot interesi i njeriut nuk është vetëm të ekzistojë, por edhe të ndryshojë, të zhvillohet moralisht, intelektualisht, ekonomikisht etj., ngase vetëm kështu do të pasurohet jeta e tij me vlera të reja njerëzore, pse jo edhe kombëtare e atdhetare, duke i lidhur për një kohë të ardhme, që gjithsesi duhet të jetë më e mirë se e tanishmja. Ky është botëkuptimi i shkrimtares Gjyrevci, që në romanin “Misteret e kohës” na e paraqet përmes kryepersonazhit Drenit, djalit nga Kosova, që ndodhet për studime në Tiranë.

Duke u bazuar nga ky koncepsion për jetën, shkrimtarja Elhame Gjyrevci e shtjelloi edhe temën e romanit në fjalë, duke i personifikuar dëshirat, përpjekjet, ambicjet, vuajtjet e pësimet e rinisë shqiptare me figurën e Drenit. Kësofare, autorja e romanit është përpjekur t’u trokasë në derë: vetëdijes ( së lajthitur), (pa)përgjegjësisë (së qeveritarëve ndaj qytetarit), humanitetit (tonë ndaj të tjerëve), e mbi të gjitha vetëdijes sonë kombëtare (që fatkeqësisht është zbehur goxha shumë).

Autorja Gjyrevci do të na këshillojë se edhe krajatat, andrallat, zhgënjimet e lëndimet, ashtu sikurse suksesi, triumfi, zhvillimi arsimor e ekonomik janë të njeriut dhe për njeriun, porse ne vazhdimisht duhet që të keqen ta mundim me të mirën, injorancën me dije, urrejtjen me dashuri etj.

Pra, temë bosht e romanit “Misteret e kohës” është vetë jeta jonë me enigma dhe të papritura, si dhe raportet njerëzore e shoqërore, shpesh të zbehura e të lënduara nga frika (me plot arsye), paradoksi (i pakuptimtë) dhe nga zhgënjimi (sidomos i të rinjve kundruall bartësve të institucioneve tona shtetërore të Kosovës e Shqipërisë), ngase udhëheqësit tanë po dalin të jenë të pazotë dhe të korruptuar, të tjetërsuar nga injoranca e lakmia.

Nga paragrafi në paragraf, nga faqja në faqe e kuptojmë se i tërë romani shëmbëllen me një kronikë ngjarjesh të djeshme dhe të aktualitetit, ku autorja me përshkrimet e saj brilante na ka sjellë tablo nga përditshmëria jonë me padrejtësi, korrupsion, familjaizëm, kriminalitet etj. etj.

Nderin dhe moralin tonë atdhetar tani po na e lëndojnë me të madhe edhe “kulturat” e huaja, të papërshtatshme për shtatin e kombit tonë, ngase ato po e gërvishin gjithnjë e më tepër indin e identitetit shqiptar, duke rënë ndesh me traditat tona të stërlashta iliro-shqiptare.

Elhame Gjyrevcit, pothuajse përherë i ka interesuar fati i njeriut tonë, madje më tepër i ka interesuar bota e tij shpirtërore me shumë trazira e brenga, që ia shkaktuan jo rrallë njerëzit e krimit. Gjithashtu, autores i ka interesuar veçanërisht fati i atdhetarëve, i intelektualëve, i humanistëve, që pareshtur punojnë për familjen dhe kombin. Një interesim të tillë ajo e shpreh edhe në romanin e saj të radhës “Misteret e kohës”.

Në qendër të romanit, pra është Dreni, një djalosh nga Kosova, student në Tiranë, të cilin e karakterizojnë mirësia, besnikëria, atdhedashuria, kujdesi ndaj shokëve e shoqeve, përkushtimi për mësim etj. Ky i ri jeton në një kohë të mistershme, enigmatike, përplot të papritura, ku tragjeditë, punët e përçudnuara, humbja e dinjitetit, mosvlerësimi i njeriut etj., e përcjellin hap pas hapi. Ai preokupohet gjithashtu, së pari të arrijë rezultate në studime, t’i luftojë aq sa mundet padrejtësitë shoqërore të njëpasnjëshme që i shkakton politika e ditës dhe qeveritë e korruptuara të dy shteteve tona.

Edhe ndikimet e “emisarëve” fetarë që rendin në dëm të kombit e të shtetit janë preokupim i Drenit. Ai ende i kujton përjetimet e luftës së fundit me okupatorin serb, sado që don t’i harrojë. Atë gjithnjë e kishte shoqëruar ëndrra për të vizituar dhe jetuar në shtetin amë, në Shqipëri. Shpirtin e tij të dlirë e lëndon kjo gjysmëliri për Kosovën e dërrmuar nga grykësia e oligarkëve pushtetaxhinj. Të gjitha këto djaloshin do ta lëndojnë gjer në zhgënjim.

Në roman hasim një galeri figurash, si Ziko, Miloti, Yllka, Era, Vala, Xha Rizai me të shoqen, Verona me të birin, Viktorin dhe me prindërit etj. etj.

Në përfundim të këtij vështrimi theksojmë se nderi-kombi-atdheu janë trinomi ideo-tematik i romanit “Misteret e kohës” të shkrimtares së talentuar Elhame Gjyrevci. Zakonet, mikpritja, humanizmi janë vetë boshti rreth të cilit rrotullohet e shtjellohet tema. E Prishtina, Tirana dhe Ulqini janë urë nëpër të cilën kalon ideja e romanit në fjalë, e që është ribashkimi i kombit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat