Sherif (Daut) Krasniqi, Siguria dhe sigurimi në Kosovë (Policia 1944-1999)

Kultura

Sherif (Daut) Krasniqi, Siguria dhe sigurimi në Kosovë (Policia 1944-1999)

Nga: Lush Culaj Më: 21 gusht 2020 Në ora: 19:01
Kopertina e librit

Sherif Krasniqi, pas botimit të etnomonografisë Vra­noci në përthyerje historike, na befasoi për të mirë me përgatitjen e librit Siguria dhe sigurimi – Policia në Kosovë 1944 – 1999, që është një studim mbi veprimtarinë e Policisë të Kosovës në këtë hark kohor, me aksent mbi sfidat e pjesëtarëve të nacionalitetit shqiptar në përbërje të saj.

Veprat që kanë për objekt ndriçimi rolin policisë në të kaluarën e shqiptarëve janë të rralla. Për këtë arsye, çdo vepër me përmbajtje të tillë është me interes të veçantë. E tillë është, pa dyshim, edhe vepra në fjalë, të cilën autori Krasniqi e përgatiti me përkushtim të veçantë.

Ndonëse libri titullohet Siguria dhe sigurimi – Po­licia në Kosovë 1944 -1999, shërbimet e sigurimit në sho­që­rinë shqiptare autori kronologjikisht i trajton nga peri­udha ilire e deri në vitin 1999. Trajtohet çështja e sigurisë në Lidhjen e Prizrenit, pastaj në periudhën e Pavarësisë, kur faktikisht kemi Ministrinë e parë të Punëve të Brend­shme. Duke i trajtuar të gjitha etapat historike, pa përja­shtim, autori nuk e anashkalon as rolin e Policisë në Qe­verinë e Rexhep Mitrovicës, në të cilën ministër i brend­shëm ishte Xhafer Deva.

Krasniqi në mënyrë brilante e trajton historikun e shërbimit inteligjent shqiptar ndër vite. Ai konsideron se shërbimi policor radhitet ndër institucionet më të vjetra të shoqërisë njerëzore. Në mënyrë profesionale, mbështetur në burime, i shpjegon nocionet polici dhe milici, veçoritë e shërbimeve të sigurimit publik dhe të shërbimeve të sigu­rimit shtetëror, shërbimin informativ e kundërinformativ etj. Këndvështrimit të tij nuk i ka shpëtuar as aspekti i bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të policive të shumta, si Interpolit dhe Europolit, dhe ballafaqimi i tyre me probleme të natyrave të ndryshme.

Autori me të drejtë konstaton se, në aspektin krimi­nalistik, terrorizmi dhe veprimtaria e organizuar kriminale, në të shumtën e rasteve kanë synime të caktuara politike. Si shembull autori e merr sulmin e Al-Qaidas më 11 shtator 2001 në SHBA. Librin e begaton edhe pasqyrimi me shembuj konkretë të zbulimit të veprave të ndryshme kriminale.

Për sa i përket shërbimit informativ, sipas Krasniqit, ai përqendrohet në zbardhjen e veprimtarisë sekrete të organizatave ilegale apo të individëve kundërshtarë politi­kë të shtetit. Ai para lexuesit pasqyron edhe dallimet në mes të shërbimit informativ civil, shërbimit informativ në dikasterin e punëve të jashtme dhe shërbimit informativ ushtarak, duke e cilësuar këtë të fundit si forma më e vje­tër e spiunazhit. Autori më në hollësi i trajton mjetet dhe metodat e punës së shërbimeve të fshehta, trajton spiunët dhe klasifikimin e tyre, varësisht nga kriteret që plotë­sonin, motivet e angazhimit të spiunëve etj.

Pasqyrimi i ngjarjeve konkrete të agjenturës në këtë libër është i një rëndësie të veçantë. Në vazhdën e kësaj ndërlidhet edhe veprimtaria diversive e shërbimeve sekre­te, kryerjet e atentateve të ndryshme, duke konstatuar se organizime të akteve të tilla ka pasur nga antikiteti deri më sot.

Duke iu rikthyer problemit të brendshëm, në libër është pasqyruar themelimi i OZN-ës jugosllave, në krye me A. Rankoviqin, kurse për Kosovë Spasoje Gjakoviqin. Autori në mënyrë të detajuar përshkruan dhunën e komunizmit dhe format nga më të ndyrat që kishte zbatuar me të ardhur në pushtet, duke dënuar dhe duke ekze­kutuar shqiptarët për motive politike, me gjyq e pa gjyq.

Autori e vlerëson si antikombëtar qëndrimin e PKSH-së përkitazi me zgjidhjen e çështjes së Kosovës edhe pse Kosova, pas LDB-së, ngeli nën pushtimin jugosllav. Në libër përshkruhet, përveç shtypjes, edhe politika diskrimi­nuese ndaj kuadrove shqiptare në Jugosllavinë socialiste. Në organet e sigurimit dhe të policisë në Kosovë, deri në vitet ’70 të shekullit XX mbizotëronte elementi serbo-malazez.

Me të drejtë autori konstaton se Kushtetuta e vitit 1974 krijoi klimë më të favorshme për ngritjen e policisë së mëvetësishme të Kosovës. Kjo mundësoi që përbërja nacionale dhe arsimore e pjesëtarëve dhe udhëheqësve të këtij shërbimi të përmirësohej dukshëm në përputhje me përbërjen nacionale të popullsisë. Përveç fakteve të shum­ta, të shtruara në pjesën tekstuale, në mënyrë që lexuesi ta ketë më të lehtë ta kuptojë, autori Krasniqi paraqet edhe skema organizative të degëzimit dhe të funksionimit të sistemit policor.

Sipas autorit, Ligji i parë për punë të brendshme i KSA të Kosovës është ai i vitit 1970, i pasuar nga Ligji i vitit 1972, kurse Ligji i vitit 1974 ishte derivat i Kushte­tutës së vitit 1974. Më vonë Ligji i vitit 1987 shënoi regres të statusit të deriatëhershëm autonom të Policisë së Ko­sovës. Në libër pasqyrohen demonstratat e vitit 1968, 1981 dhe ato të viteve ’90, roli i Policisë së Kosovës në shuarjen e tyre dhe margjinalizimi i saj në këtë aktivitet për shkak të mosbesimit që autoritetet serbe kishin në të. Autori flet edhe për përshkallëzimin e strategjisë okupuese, kur, në periudhën pas vitit 1981, Kosova, e në rend të parë Policia e saj, u ballafaqua me ekzagjerime, keqinterpre­ti­me e gënjeshtra serbe për të argumentuar kinse pamun­dë­sinë e ekzistencës së serbëve në Kosovë nga nacionalizmi dhe shovinizmi shqiptar.

Margjinalizimi i Policisë së Kosovës fillon në ditët e hyrjes së dhunshme të njësive federale të sigurimit, të Serbisë dhe republikave të tjera, pas demonstratave të vitit 1981, me pretekst të gjoja “ndihmës” për stabilizim të gjendjes së sigurisë në Krahinë. Pason faza e suspendimit në kohën e ndryshimeve të dhunshme kushtetuese në vitin 1989 dhe mënjanimi e suprimimi definitiv i Policisë së Kosovës, që ishte projekt i Serbisë.

Sherif Krasniqi më të drejtë gjykon edhe rastet individuale të tejkalimit të autorizimeve zyrtare të pjesë­tarëve shqiptarë, që punonin në sigurimin shtetëror, si dhe 10%-shin e policisë shqiptare, që në vitin 1990 pranuan lojalitetin ndaj Serbisë duke krijuar marrëdhënie pune me Sekretariatin Republikan për Punë të Brendshme të atij shteti.

Fundi i viteve ‘90 shënon pikën kulmore të rezistencës së Policisë së Kosovës përballë sulmeve të politikës së Beogradit për të dominuar në Kosovë, kur rreth 3.500 pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar braktisën punën për të mos i shërbyer pushtetit okupues.

Në këtë kohë, në koordinim me Alternativën, filloi funksionalizimi i Policisë shqiptare në Kosovë, me formimin e Ministrisë legjitime për Punë të Brendshme të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ky potencial të vihej në funksion të kërkesave aktuale të shqiptarëve të Kosovës.

Autori i këtij libri flet me kompetencë të plotë, sepse edhe vetë ishte pjesë e këtij organizimi. Kujtimet, si një prej burimeve të shkrimeve, janë me rëndësi të posaçme për ta njohur dhe për ta transmetuar përvojën historike, politike, shoqërore etj. të brezave të së kaluarës. Përgjithë­sisht, në to pasqyrohet veprimtaria e individit, përvoja që ka fituar ai gjatë pjesëmarrjes aktive në ngjarje të njohura në periudha të caktuara historike dhe përpjekjet për ta shpjeguar e për ta sqaruar qëndrimin e tij përkitazi me këto zhvillime. Kujtimet kanë vlerë të posaçme, veçmas në rastet kur autori është protagonist, pjesëmarrës aktiv apo dëshmitar të në ngjarje të rëndësishme, kur ai karakter­izohet nga dashuria për bashkëqytetarët e bashkëkombësit, kur përpjekjet e tij janë në harmoni e në të mirë të interesave të kombit e të shoqërisë.

Bindja e Krasniqit është se, me formimin e Minis­trisë së Mbrojtjes dhe asaj për Punë të Brendshme të Republikës së Kosovës, nis lëvizja institucionale në drej­tim të organizimit të rezistencës kombëtare. Më tej shton se në “Qeverinë Bukoshi” Jonuz Tërstena ishte Ministër për Punë të Brendshme, por për shkaqe sigurie, emri i tij në fillim nuk u bë publik.

Nga ana tjetër, represioni ndaj ish-policëve ishte i madh dhe konstant. Shumë policëve shqiptarë iu konfi­skuan edhe banesat që i shfrytëzonin në mënyrë të ligj­shme. U organizuan procese gjyqësore në të cilat u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim rreth 150 ish-pjesëtarë, vetëm shqiptarë, të policisë. Ndër të dënuarit, me 6.6 vjet burg, u dënua në mungesë ishte edhe autori i këtij libri.

Konform rrethanave të reja në Kosovë, Kryeministri në ekzil Bukoshi dhe Ministri i financave Mustafa, u takuan më 16 prill 1998 në Gjermani me grupin e eprorëve të lartë policorë në diasporë, në mesin e të cilëve ishte edhe Sherif Krasniqi, për të diskutuar rreth organizimit dhe inkuadrimit të ish-policëve shqiptarë që ndodheshin në shtetet e Evropës për ta ndihmuar luftën në Kosovë.

Duke përmendur përpjekjet e Fatos Nanos dhe të Fatos Klosit për të kontrolluar dhe për të ideologjizuar lëvizjen shqiptare në Kosovë, autori Krasniqi konstaton se Policia Shqiptare e Kosovës kishte qëndrim neutral politik. Ajo nuk ishte polici e Bukoshit, siç e quanin disa, as polici e ndonjë partie politike, por organizatë apolitike dhe profesionale e Republikës të Kosovës.

Autori në vijim konstaton edhe pengesat, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, si dhe ngushtimin e madh të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pavarësisht nga këto vështirësi, eprorët e këtij institucioni ishin këmbëngulës që të siguroheshin armë e mjete cilësore speciale, si kusht esencial për luftë të efektshme dhe detyra të posaçme nga kompetenca e këtij shërbimi. Në fund të librit autori i pasqyron edhe listat e policëve pjesëmarrës në kuadër të njësive të UÇK-së, listat e të vrarëve dhe të të plagosurve në frontet e luftës si dhe të policëve të vrarë jashtë fronteve luftarake për të vetmin shkak pse kishin bojkotuar punën në Policinë Serbe.

Libri është zë i fuqishëm kundër gënjeshtrave e falsifikimeve të pabaza, që nganjëherë bëhen ndaj terë përbërjes së shërbimit policor. Kundruall kësaj praktike, libri është shembull i veprimit intelektual, i mbështetur në argumente të qëndrueshme. Studiuesi Sherif Krasniqi, duke e përgatitur këtë libër për veprimtarinë e Policisë së Kosovës, bëri për­pjek­je të suksesshme që ta prezantojë para opinionit shqip­tar veprimtarinë sa më të kompletuar të saj në kushte e rrethana që i lejonte okupimi. Natyrisht, përveç këtyre studimeve, Krasniqi i shtron vetes detyrë ta risjellë mesazhin se edhe sot duhet të punojmë shumë për ngritjen dhe modernizimin e Policisë së Kosovës, krahas policive ndërkombëtare.

Duke e pasur mbështetjen në burime, me shqyrtim të hollësishëm kritik të të dhënave faktografike, ky botim mban epitetin e një libri tejet serioz. Botimi në fjalë plotë­son një zbrazësi të madhe dhe përfaqëson një përpjekje të suksesshme për t’i ndërthurur të gjitha ngjarjet e kaluara në kohë dhe hapësirë të Policisë Shqiptare të Kosovës.

Pra, autori i këtij libri ka qëllime mjaft të qarta, duke spikatur gjendjen në Policinë e Kosovës, paralelisht me rrjedhat dhe zhvillimet e përgjithshme shoqërore e politike në Kosovë, dhe për­pjekjet e përgjithshme të popullit shqip­tar në ato vite të mëdha të përcaktimit të fatit të tij.

Përfundimisht, shprehim bindjen tonë që libri Sig­u­ria dhe sigurimi – Policia në Kosovë 1944 – 1999, përgatitur me kujdes të veçantë nga Sherif Krasniqi, është me interes si për lexuesin e rëndomtë - për një publik më të gjerë, ashtu edhe për studiuesit e historisë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të interesuar që të mësojnë më shumë për zhvillimet e asokohshme politiko-shoqërore të përpjekjeve në rrafshin kombëtar.

Vepra është mjaft voluminoze dhe është e shkruar me një stil të qartë e të rrjedhshëm.

Autori Sherif Krasniqi, ndonëse nuk pretendon të jetë historian, ka qenë i vetëdijshëm se trajtimi i plotë his­to­rik i Policisë të Kosovës në kohë dhe në hapësirë ka qenë i pamu­ndur në rrethana aktuale shoqëroro – historike të shqiptarëve përgjithësisht. Për realizimin e këtij synimi, atij i është nevojitur shfrytëzimi i një literature relativisht të gjerë historiografike.

Natyrisht, kjo ka qenë një punë e mundimshme për auto­rin për shkak se periudha kohore së cilës i përket ky trajtim historik është mjaft e gjatë.

Së këndejmi, jemi të vetëdijshëm se, përmes një stu­di­mi të këtillë, sado voluminoz që është, nuk mund t’u jepen përgjigje adekuate shkencore të gjitha hipotezave mbi këtë problematikë, e mbase mund të ketë edhe ndonjë sugjerim eventual. Megjithatë, libri plotëson një zbrazëti të madhe për opinionin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat