Ti e di sa të dua

Kultura

Ti e di sa të dua

Nga: Jan Kosova Më: 7 shtator 2020 Në ora: 19:03
Jan Kosova

Ndoshta asgjë më, nga ti, nuk mund të fsheh
Më thua se mund t'm'i lexosh mendimet në sy
Zemrën ,që ta kam dhuruar,shumë mirë e njeh
Atëherë duhet edhe ta dishë sa të dua unë ty.

E unë,ndoshta e kam në jetë ndonjë fshehtësi
Mirëpo unë,në zemër i ruaj fshehtësitë e mija
Zemra që ta dhurova,një jetë do mbetet tek ti
Dashuria e jetës sime,Bukuroshja nga Dardania.

   DASHURIA KURRË NUK VDES

Thonë,se nga katër pjesë përbëhet natyra
Dhe vëtëm njëra prej tyre sikur të mungonte
Gjithësia do ekzistonte në tjera mënyra
Mirëpo në këtë formë nuk do të ekzistonte.

Toka,uji,ajri dhe zjarri  janë ato katër pjesë
Por edhe pjesa e pestë ekziston për mua
Se ka diçka në natyrë,që kurrë nuk do vdes
Është dashuria, e ty pafundësisht të dua.

Thonë ,se nga katër pjesë përbëhet natyra
Por është pjesa e pestë që mban njerëzinë
Me dashurinë në zemër,të buzëqesh fytyra
Dhe asgjë nuk do kishte vlerë pa dashurinë.

NOSTALGJIA  E  JETËS  SIME

E dëgjova sot një këngë të vjetër për dashurinë
Ma kujtoi kohën kur jemi takuar për herë të parë
Ma kujtoi rininë e humbur, ma kujtoi Dardaninë
Nostalgjinë e jetës sime,për qytetin tim të ndarë.

Një këngë të vjetër për dashurinë,e dëgjova sot
M'i kujtoi poezitë e rinisë sime,të hedhura në kosh
M'i kujtoi rrugët e qytetit tim ,të lara me lot
Dardaninë time që,dalngadalë,po mbetet bosh.

Për dashurinë,e dëgjova sot një këngë të vjetër
M'i kujtoi ëndrrat që i kam pasur, ëndrrat e rinisë
Qytetin e zemrës që s'e ndërroj me asnjë tjetër
Zemrës që ia dhurova,Bukuroshes së Dardanisë.

THEMELET E DASHURISË

E kam pas dëgjuar kur kam qenë fëmi
Në Dardani,para shtëpisë,ulur te porta
Themele duhet të ketë secila shtëpi
Por dashurisë i duhen themele të forta.

Kur kam qenë fëmi e kam pas dëgjuar
Dhe nuk e kam ditur se çka do të thotë
Se kur ke dashurinë,vonë e kam kuptuar
S'të  mungon asgjë, e jotja është kjo botë.

NUK KRENOHEM ME VARGJET E MIJA

Nuk krenohem me vargjet e mija
Kur në botë ka aq shumë mjerim
Kur ka fëmijë që vuajnë nga uria
Nuk krenohem unë me vargun tim.

Edhe pse zemrën time ta dhurova
Nuk krenohem me vargjet e mija
Vargjet,që për dashurinë shkrova
Kur në botë na mungon dashuria.

Nuk krenohem unë me vargun tim
Që e kam shkruar çdo ditë këtu larg
Ku dashuria do të thotë edhe lëndim
E unë të dua ty më shumë se në varg.

Dhe prap nuk them dot se jam poet
Nuk krenohem unë me vargjet e mija
Se e shkruaj gjuhën që zemra ime flet
E gjuha e zemrës sime është dashuria.

EDHE NË ËNDRRA MË MUNGON

Duke e vrojtuar qiellin,sonte u solla verdallë
Në këtë natë të errët,kur Hëna nuk bënë dritë
Prap shpërtheu vullkani i mbushur më mallë
Që tash tri dekada, shpërthen për çdo ditë.

Edhe në ëndrra më mungon,të shoh më rrallë
E yjet lart sikur janë zbehur në këtë natë janari
Kujtimi për ty nuk zbehet deri sa të jam gjallë
E malli i shkretë për ty,shpirtin e djeg si zjarri.

ZOGJ SHQIPONJE

Fole tjetër,kurrë nuk kemi gjetur
Zogj shqiponje mbesim një jetë
Nëpër botë,të humbur të tretur
Pre e lehtë për korba të shkretë.

Zogj shqiponje,me krahë të thyer
Na mban gjallë ëndërr e shkretë
Dhe po nuk ndodhi,për t'u kthyer
Zogj shqiponje mbesim një jetë .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat