Rrezet e dashurisë në trojet e Skandinavisë

Kultura

Rrezet e dashurisë në trojet e Skandinavisë

Nga: Baki Ymeri Më: 8 shtator 2020 Në ora: 08:03
Foto ilustrim

Poezia është testamenti i jetës, i miqësisë dhe dashurisë, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë i poetit të dashurisë i cili tashmë e ka krijuar profilin e tij me vlera të veçanta letrare. Libri “Dashuri Hyjnore” dëshmon se autori shqiptar ka moral, dinjitet, integritet dhe karakter. Cili është karakteri i shqiptarëve, sipas një autori të huaj?

Shqiptari, sipas shkrimtarit rumun Dem. Abeleanu, është mbret i maleve, gjuetar, bari, ushtar trim, apo kaçak. Ai e nënvlerëson punën e detyrueshme, që e shndërron njeriun në skllav. Nuk din t’u nënshtrohet, veçse zakoneve të veta, dhe se dëgjon tjetër kend, veç armës së vet. Roli i tij historik, është i ndërlidhur ngushtë me natyrën e vet, dhe natyra e vet, me atë të vendit të vet. Shqiptari, që banon në një zonë malore, pa patur kontakt me qytetet, pa arsim dhe pa kurrfarë kulture, ka qenë dhe ka mbetur një popull trim, që meriton të jetojë, ngase te ai gjejmë: karakterin lojal, sinqeritetin dhe fjalën e dhënë, gjë kjo që zatetet rrallë te popujt e kulturuar të Evropës. Kur Shqipëria e përfitoi pavarësinë, kombi i shpalli të drejtat e shenjta të individit. Shqipëria nuk mund të jetojë e izoluar. Një gjë e tillë, është kundër interesave të saja kombëtare. Arbëria e Skënderbeut nuk do të zhduket kurrë. Ajo ka njohur kohëra të errëta, dhe ardhmëria, është e atyre që nuk dëshprohen. Me këto fjalë, në vitin 1928, e mbyll librin Albania, shkrimtari bukureshtar, Dem. Abeleanu.

Remzi Basha vjen në faqet e kësaj vepre me poezi ku zotërojnë subjekte me karakter erotik dhe patriotik. Autori shkëlqen me vargje kushtuar dashurisë. Erosi i autotit shqiptar nuk ka të bëjë me pornografinë, por me subjekte kushtuar zanës së tij që e frymëzon: ” Zanë e shpirtit tim/ Po të shpie gjithandej/ Të ma përmbushish shpresën/ E fshehur në mendime. (Dëshira). Janë vargje të mbrujtura me iluzione e dëshira që depërtojnë në shpirt. Remzi Basha është poeti i dashurisë që noton në një anije me fjalë. Ai ka fat të jetë i nderuar me libra që e bëjnë historinë. Libri i tij më i ri është përmbushja e një ëndrre për të vajtur nga drita në dritë. Fjalët e tij janë lumturia e zemrave të lexuesve.

Autori shëndrit me fjalë fluturuese, të denja për komentim, meditim dhe admirim. Ja drita e shenjtë e adhurimit! Ja porosia e dardanëve në vendin e shenjtë ku digjemi si dielli! Nuk e kemi harruar farën, por jemi degdisur me burimin, dhe i kemi harruar herronjtë! Në varfëri e kemi popullin, siç janë mjegullat në qiell. Në qiell janë tubuar dardanët, me degët e përkulura, dhe në shungullimën e furtunës, me zërat e kështjellës, na përqafojnë stërgjyshërit. Dy lloj njerëzish ka kjo botë: Engjëj dhe satanistë. Dashamirët e njeriut dhe dashamirët e parasë.

koha kur shqiptarët, pas pavarësisë së Shqipërisë, e përfituan edhe pavarësinë e Kosovës. Atdhetarizmi dhe lindshmëria, janë ato që e shpëtuan Kosovën nga asimilimi dhe shfarosja. Karakterin e shqiptarit të mirëfilltë, sot shumë rrallë mund ta zatetësh në ishkryeqendrën e mërgimit shqiptar (Bukuresht). E themi këtë ngase u ngopëm me gjeneratën e depersonalizuar të atyre që e bënin mizën buallicë, me ata që i shisnin vëllezërit e vet, që mos të marrin vizën për në Shqipëri, me ata që i etiketonin shqiptarët duke ua mveshur epitetin e myslimanit apo të kaurit, me ata që ngrinin grushta e karrige pse porositeshin ta braktisnin kultin komunist të personalitetit, me ata që e shpallnin më të mençurin “dushman” apo “spiun”, edhe pse tërë jetën, e kanë ushtruar këtë zanat.

Remzi Bashës i digjet shpirti për Kosovën që e do si sytë e ballit: ”Kam mall për ditët me diell/ Kam mall për çdo lule/ Të mveshur me parfum të ëmbël/ Kam mall dhe për petalet/ E shtruara në një album/ Kam mall për Kosovën/ E sokolave të trimërisë/ Kam mall për vitet e rinisë/ Kur s’e dija se si vijnë/ Ditët e pleqërisë”.(Përmallimi im). Kosova e këtij poeti fisnik është vatra e dashurisë dhe atdhedashurisë.

Poeti shqiptar mediton për dëshmorët e lirisë, për oxhakun, për mamanë, për dasmat, për nuset e stolisura me kurorë, për Adem Jasharin me shumë shokë, për kullat shqiptare ku valon flamuri, për Azem Bejtën, për Xhevën e Shotën, për Arbërinë, për Therandën, për Sllapuzhanin e tij, etj. Në vargjet që pasojnë, ai shkruan për fëmijërinë dhe lotët që bien dhe mbeten, thuajse gjithmonë të pashtershme: “Kur isha i vogël/ Ëndërroja se mund të fluturoja/ Flatrat m’u rritën më vonë/ Dhe ndjehesha i rëndë dhe plak si Hëna/ Një fije dëbore e pashkrirë mbi Tokë/ Dhe si një flutur e palindur/ U ngjita në qiell/ Duke e kërkuar zanën time/ Duke menduar se jam engjëll”.

Poezia është dashuria e paskajshme e jetës ndaj jetës, e shpalimit të fjalëve me fjalë, e lindjes së tingujve, e përmbushjes së ëndrrave të lumturisë dhe dashurisë. Në vargjet e Remzi Bashës ka shumë të vërteta edhe tejmatanë qiejve ku fluturojmë. Ai ka shumë për të thënë. Katreni i shkretërimit, Autobiografi, Gruaja, Shprehia e duarve, Për lindje, Bërthama shegash, Monolog retorik, Gjyshja, Lindje dashurie, Ripërjetim, Degdisje për një çast, janë disa nga poezitë më të bukura të këtij poeti të talentuar shqiptar. Mirëseerrdhe me këtë vepër të re në gjuhën e perëndive! (Bukuresht, 08 Shtator 2020)

MONOLOG RETORIK

Ç’po më jep moja zanë

Të mbetem i paturbulluar

I përfshirë nga fërgëllimat

Nga frika, keqardhja e malli

Nga gjithçka që pata më të mirë

Mbeti vetëm zemra ime për ty

Nga të gjitha sa ishin na qofshin

Qoftë e përjetshme e jona dashuri...

BËRTHAMA SHEGASH

Nuk të kam mbajtur

Kurrë në krahë

Por të ndjej...

Nuk ke folur kurrë

Por të dëgjoj...

Nuk të kam parrë

Asnjëherë

Por të dua...

Tani heshtin bërthamat

Është vjeshtë përjashta

Fjalët i mbulon kashta...

ZHGËNJIM

Të hesht

Ç’qetësi e hidhur...

Të qaj?

Ç’vdekje e padenjë...

Të thirr banalisht një çast

Çfarë përjetësie më shtyp?

Furtunë e kotë

E shpirtit të gulçuar...

Çfarë mbeti pas nesh

Zhdënjim i hidhur...

GJYSHJA

Valë dëbore

E shtruar vit për viti

Me hidhërim të rëndë

Në vatrën e varfërisë

I zbuloj me fytyrën tënde

Brengat e Dardanisë

Duke i kundruar në pasqyrë

Rrudhat e pleqërisë...

LINDJE DASHURIE

Puthmë

Ngadalë

Thuajse lindja

Mbetet i vetmi mister

Mes nesh

Dhe thuajmë

Me ndruajtje

Se më dashuron

Thuajse perëndimi

Do të presë

Të ma shuash

Etjen për ty

E për lumturi...

RIPËRJETIM

Më kot

Pata shpresuar

Se shiu

Do t’i fshijë

Gjurmët tua –

Puhia e pranverës

E sjell prap

Erëtimën

E netëve tona

Të dashurisë...

MIKE BESNIKE

Gjatë fluturimit

Drejt hiçit

Një mendim

Më lazdëron

Duke kërkuar hapat tu

Stuhi të përbujshme

Në netët e dashurisë

U tërhoqa

Si një ujë i qetësuar...

Për tepër e bukur

Kjo natë magjike

Me zanën time –

Mike besnike...

CITADINE

Zëri im

Dhe zemra yte

Më pëshpërisin

Puthmë

Dhe si në një fluturim

Të zogjve shtegtarë

Koha m’i hap

Krejt fshehtësitë...

A PO MË PRANON?

Me gjithë atë diell e ëndërr

E shalova kohën

Dhe mbi një shtrat ere

U nisa drejt teje!

A po më pranon?

LULJA E PËRMALLIMIT

Një lule prej malli

E rritur në verandë

Dritë prej yjesh

Gjerdan margaritarësh
Shikimi në horizont

Duket i shkretë

Gjatë shtegut të gjatë

Vetëm lulja e përmallimit

Po rritet në verandë

Shtegu i shkretë

Arriti të bëhet

Një zabel kullose

Për mjekrrën e ujkut…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat