Vatra dhe kombi kurdoherë duan këngë krenare

Kultura

Vatra dhe kombi kurdoherë duan këngë krenare

Nga: Zymer Mehani Më: 13 shtator 2020 Në ora: 07:39
Zymer Mehani

Njeriut si qenia më e vetëdijshme jetësore i ka hije të ruaj në vete virtytet dhe cilësitë më të larta njerëzore, ndjenjat më të pastërta, më humane, pra edhe dashurinë dhe respektin ndaj tjetrit. Kjo është një ndër gjërat që siguron edhe suksesin, jetën më të lumtur dhe të ardhmen e ndritur.

Të këndosh për njeriun, për të gjitha problemet e jetës së tij, nuk është punë e lehtë, sepse çdo artist, po ashtu edhe ne poetët duhet të ndjejmë thellë, të hetojmë më së miri çështjet, t'i shohim gjërat dhe të meditojmë për shumë çështje e të nxjerrim përfundimet përkitazi me to. Ky është fati dhe misioni ynë si krijues, fati i rëndë që e kemi përballuar, sepse moralisht kemi qenë të detyruar.
Shtrëngatat historike, lufta e fundit çlirimtare ndaj okupatorit, ia ka vjedhur rininë e papërjetuar të riut dhe të resë shqiptare, atyre që u detyruan të rifillojnë hapërimin nëpër shtigjet jetësore.

E ne këtë rini të papërjetuar, këtë fëmijëri të djegur në flakë e kemi ndjerë në shpirt dhe e kemi përjetuar edhe vetë si pjesëtarë të kësaj shoqërie. Duke kënduar për atë që e kemi përjetuar edhe vetë, madje duke futur edhe elemente autobiografike në poezitë tona, ne vuajtjet individuale i kemi bërë të përgjithshme dhe karakteristike për tërë gjeneratat. Për këtë arsye poezitë tona e kanë përvetësuar një shtresë bukur të gjerë të lexuesve tanë.

Vetëm kështu në këtë mënyrë ai dielli simbolik i dritës sonë do të ecën me ne për të na ndriçuar rrugët dhe shtigjet që na dërgojnë drejt ardhmërisë.

Që t'i zvogëlojmë vuajtjet nga rrebeshet e jetës, që t'ua tregojmë rrugën e së mbarës, ne poetët e ndjejmë për detyrë, që vetëm kështu të jemi zëdhënës i qytetarit tonë, i shtetit dhe i atdheut tonë. Ky është fundja edhe misioni i artit dhe i poezisë, ngase vatra dhe kombi kurdoherë duan këngë krenare, ngase është shprehje dhe ngushëllim i shpirtit, është vetë ilaçi që shëron plagët e vjetra dhe nxitësja për betejat e reja drejt së ardhmes së lumtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat