Në Ferizaj ribotohet libri i parë i djegur në Evropë me vendim nga gjykata e Serbisë

Kultura

Në Ferizaj ribotohet libri i parë i djegur në Evropë me vendim nga gjykata e Serbisë

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 shtator 2020 Në ora: 17:26
Ilustrim

Në vitin 1985 nga Klubi letrar “De Rada” i Ferizajt, në përkujdesjen e kryetarit të atëhershëm shkrimtarit Rahmi Tuda e pat botuar antologjinë letrare “14 autorë”.

Nga vetë titulli kuptojmë se në këtë antologji ishin përfshirë 14 autorë, kryesisht poetë që vepronin në komunën e Ferizajt. Mirëpo, për çudi, vepra në fjalë me vendimin e Gjykatës së Prizrenit, ku ishte shtypur libri u ndalua, me motivacion se pjesa më e madhe e autorëve të përfshirë në këtë antologji nuk janë “të përshtatshëm” për pushtetin.

Me një vendim të gjykatës pastaj libri u dogj në oborrin e gjykatës së Ferizajt. Pas kësaj ndaj sponsorit që ishte ndërmarrja “Melodia” u ndërmorën masa të rrepta. Po ashtu edhe kryetari i klubit Rahmi Tuda pati ndëshkime të shumta pse lejoi botimin e këtij libri. Edhe disa autorë që ishin të përfshirë në këtë vepër u morën në pyetje për një kohë të gjatë.

Në mesin e tyre pati edhe të tillë që u mbajtën për një kohë në izolim. Me iniciativën e kryetares së tashme të Klubit letrar “De Rada” të Ferizajt Zyrafete Shala ky libër u ribotua me financimin e Drejtorisë së Kulturës.

Duhet theksuar faktin se libri i ribotuar është tërësisht i njëjtë me librin, i cili ishte i pari që u dogj në ish-Jugosllavi dhe i cili pati bërë bujë të madhe atëherë. Qëllimi i botimit të këtij libri është që të sjellë para publikut edhe një herë krijuesit e asaj kohe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat