Kombi im me rrënjë lashtësie,
me rrënjë pellazgjie,
me rrënjë Epiri,
me rrënjë Dardanie,
me rrënjë Ilirie.
Kombi im fjalëdhëni
e besëmbajturi
kombi im miqësori
e paqësori
kombi im tolerant
e bukëdhëni.
Gjaku i Kombit tim
rrjedh ndër kapilarë
nëpër vena e damarë
duke ngjyrosur me të kuqe
vellon, kur vajza bëhet nuse…
E shqiptarët si shqiponja
fluturojnë paqësisht
me dy krerë
sepse shqiptari jeton
për Atdhe dhe për Nder.
Zemrat shqiptare
gurgullojnë nga gjaku i pastër
nga Molla e Kuqe
në të Pervezës gji
nga Presheva në Gjirokastër
nga Arta në Plavë e Guci
burra me zemër të madhe
e gra me zemrën flori,
vajzat ballëhëna si sorkadhe
e djemtë si petrita me kapuç mbi sy.
Gurgullojnë burimet bjeshkëve,
siç gurgullojnë zemrat në krahëror…
lëvizin rrëketë si kapilarë
përrenjtë si damarë
lumenjtë si venat
e hijeshi e blerim
i falin në çdo stinë
të bukurit Kombit tim.
Kombi im flet, dëgjon, shikon
ndjen, beson, të jep besë,
në do ta futësh në dhe Kombin tim
preje në besë dhe…
një besëprerje
mund t’i bëjë gjëmën më të rëndë.
Gjëmat si gjethet e pemëve
zverdhen e bien
e Kombi im si një qenie e gjallë
e përballon me dhimbë
i kalon me burrëri
dhe përherë ka ndjerë krenari…
se gjaku që i vlon në gji
është veçse gjak i pastër shqiptar.
Se shqiptarët janë të paoksidueshëm
sado llumëra t’u hedhin barbarët
mercernarët, lumpenproletarët
Kombi im
Vetëm ndrin…
Kastragjyshi im u vra në luftë
për ty, Kombi im.
Stërgjyshi im po në luftë ra për ty
gjyshi im mbeti në kufi për ty.
Ndaj baba im
nuk njohu gjysh e baba.
Unë nuk njoha gjyshin
dhe djali im nuk njohu gjysh.
Nuk i hëngri njeri më sysh
po i qëndruan barbarit përballë
e përsëri ndër kulla rritej një djalë
e Kombi im përsëri është gjallë…
Kombi im
qëndrove perandor
Botës iu bërë gjoks-mburojë.
Bijë shqipesh që binin dëshmorë
askush këtë mos ta harrojë
o paqësori, Kombi im
që kulmon me Skënderbeun kryetrim
e me Nënë Terezën hyjnore
ku ka më të madhin sublime
se sa të falësh gjakun për trojet arbërore?!
O flamuri simbol gjak
o gjuha shqipe që identifikon
o zemra shqiptare në çdo prag
Kombin mbarë na e lartëson.
O brez i ri
o vrull i ri
o forcë e re
o këngë e re.
Ti je gjaku i kombit tim
ti je e ardhmja plot frymëzim
ti je vrulli plot zhvillim
i Europës qytetërim…
Hej burra shqiptarë
me hapin një pash
të gjatë si pishat e maleve
burra që hani një dash
e me një dorë e mbysin
kulçedrën e shkjave…
Kulçedra të zeza
kulçedra laramane
kulçedra aq të egra
sa vetë egërsia e djallit
sa vetë ligësia e djallit
po, more, po,
këto i mundi
guximi i shqiptarit!...
Në katër vilajete
të ndanë me dhunë
Shkup, Shkodër,
Manastir, Janinë,
por kush më pak e kush më shumë
kemi derdhur gjakun lumë
për këtë Komb që quhet Atdhe
që nga i madhi Skënderbe…
Kombi im
nëpër damarë kohe
që nga prehistoria
ndër vija fati e trilli
vjen nga lashtësia
e shkon kah përjetësia…
Ku jeni o arbëreshë?
Ku je ti diasporë?
Sot Kombi pret një kurorë
me brilante, perla e rubin,
nga ju pret sot dashurinë,
nga ju pret sot bashkimin,
nga ju pret sot përqafimin,
se ti kurrë s’do jeshë jetim,
o i larti Kombi im!
Këmbanat e Unitetit,
këmbanat e afrimit,
këmbanat e dinjitetit,
ranë si në kohën kur Donika
urdhëroi rënien e të gjitha
këmbanave në kisha…
që të festonin fitoren e madhe
në Fushë të Trojvjollit…
E sot gjithë shqiptaria
është e mbledhur në Trojvjollin shqiptar
në çdo pëllëmbë tokë shqiptare
duke valëvitur flamurin arbëror.
Të falem ty, Kombi im!
Përulem para teje në betim
se brezat që të gjejnë amëshim
duhet ngritur një përmendore
në çdo zemër arbërore…
Ndër kapilarë dhimbje
ndër hove qëndrese
lidhur në pragje epokash
me fjalë bese
Gjak në rrënjë të dehura lirie
me ylbere shprese
e dritë ardhmërie…