TKK për vdekjen e Mikullovcit: Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar për kulturën e Kosovës

Kultura

TKK për vdekjen e Mikullovcit: Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar për kulturën e Kosovës

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 12:13
Adem Mikullovci

Teatri Kombëtar i Kosovës, aty ku aktori tashmë i ndjerë Adem Mikullovci kaloi një pjesë të mirë të jetës duke jetësuar role nga më të ndryshmet, kanë ndarë dhimbjen e tyre për vdekjen e aktorit.

Në telegram ngushëllimin nga Teatri Kombëtar i Kosovës është shkruar se krijimtaria  Mikullovcit do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm. Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën në përgjithësi.

Tutje në fjalë e shkruara në këtë telegram, është theksuar fakti se Mikullovci ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore. Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit.

Letra e plotë nga Teatri Kombëtar i Kosovës:

NË VEND TË NEKROLOGUT

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i shquar shqiptar, Adem Mikullovci!

Mikullovci u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe të qëndrueshme artistike, në teatër, film dhe në televizion.

Krijimtaria e tij artistike do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm.

Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën kosovare në përgjithësi.

Ai tashmë ka fituar respektin e të gjithëve.

Ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore.

Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit.

Mikullovci shquhej për mënyrën e tij kreative në punë, për humorin dhe afërsinë të cilën e manifestonte në secilën rrethanë, kështu, ia arriti që kultin e tij prej aktori ta shndërroj në figurë ikonike.

Mikullovci në kohën e okupimit të Kosovës, vitet e ’90 -ta, me vigjilencën e tij prej një artisti të vyer, e gjeti mënyrën e të vepruarit, duke punuar si autor dhe regjisor i projeksioneve të shumta televizive, me karakter tradicional, kanunor, komik, popullor, me të cilat, arriti rekord shikueshmërie, njëherësh, e fitoj epitetin e aktorit të adhuruar nga të gjitha moshat, këtu dhe në mërgatën shqiptare para dhe pas luftës.

Teatri Kombëtar i Kosovës përkatësisht brezi i tij dhe brezat tjerë në vijimësi, sot e për mot, do ta kujtojnë me respekt të veçantë veprën dhe artin e tij, e cila mbetet fjalëkalim për dritaret kulturo-artistike.

Ngushëllimet tona i adresohen familjes së tij, kolegëve të tij, miqëve dhe adhuruesve të shumtë.

…………………………….

Adem Mikullovci ka lindur me; 21. 12. 1937 në Vushtrri,

Bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish – Teatrit Popullor Krahinor tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës.

Studimet Universitare për Teatër dhe Film, i ka ndjekur në Akademinë e Beogradit.

Ka filluar punën në Teatrin Popullor të Kosovës si aktor në fillimet e viteve të ’70 – ta.

Ka interpretuar rreth 45 role kryesore njëherësh rreth 70 role dytësore në teatër.

Është vlerësuar nga kritika për rolet e tij në shfaqjet:

• “Duke pritur Godonë”

• “Po shkoj për gjah”

• “Njeriu që pa vdekjen me sy”

• “Dashuria”

• “Hotel Kashta” (që kishte rekord shikueshmërie)

• “Fundi i botës”

• “Miza në vesh”

• “Erveheja” etj.

Mikullovci, regjisor i shfaqjeve:

• “Pas vdekjës” (Çajupi),

• “Mosha e bardhë “(Agolli),

• “Dan Shejtani”

• “Engjulli i stacionit”

• Monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës Q. Sijariq)

• Komedia ‘’Shtrati’’

• Stend up komedia “Përgjuesi” etj.

Mikullovci, aktor filmi:

• ”Proka”

• ”Kur pranvera vonohet”

• ”Era dhe Lisi” etj.

Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh mirënjohje të thellë për kontributin e tij, për dashurinë e madhe që ai e kishte për skenën, për lidhjen e tij me krijuesit e rinj, posaqërisht për filozofinë e të bërit jetë në teatër.

Adem Mikullovci ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 shtator 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat