Çmimet Emmy, gabim apo përparim i vërtetë për diversitetin?

Kultura

Çmimet Emmy, gabim apo përparim i vërtetë për diversitetin?

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 17:32
Çmimet Emmy

Të dielën është nata e madhe e ndarjes së çmimeve Emmy nga Akademia e Televizionit. Ndryshe nga vite të tjera, kësaj radhe një numër i madh aktorësh jo të bardhë janë propozuar për çmimin prestigjoz. Si rezultat i pandemisë, ceremonia e përvitshme që nderon programet më të mira të televizionit amerikan, do të zhvillohet virtualisht.

Që nga aktoret e reja të të serialit televiziv “Insecure” tek ylli myslimano-amerikan në serialin “Ramy”, nata e ndarjes së çmimeve Emmy përbën një vitrinë të paparë ndonjëherë për aktorët me ngjyrë.

Kritikët thonë se industria televizive duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të inkurajuar autorët dhe regjisorët jo të bardhë dhe që ndarja e çmimeve të mos vijë thjesht si rrjedhojë e një vere protestash ndaj racizmit. Angelique Jackson është gazetare e revistës prestigjoze “Variety”.

“Ideja për të patur 34 përqind të të nominuarve aktorë me ngjyrë, ishte një hap i madh përpara për Akademinë e Televizionit. Serialet si ‘Insecure’ apo ‘Watchmen’ që patën propozimet më të shumta, bënë shumë bujë dhe u ndoqën gjerësisht gjatë karantinës. Në shumë episode trajtohet padrejtësia racore që lidhet me atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe në botë”, thotë ajo.

Ajo thotë se serialet trajtuan problemet racore para dhe pas zhvillimeve të tanishme në Shtetet e Bashkuara.

Seriali i zhanrit të dramës “Watchmen” me tematikën e superheroit të pazakontë dhe i mbushur me tematika racore, kryesoi me 26 nominime. Kjo prirje hap shtegun për afrikano-amerikanët, aziatikët dhe hispanikët si dhe formon perceptimin përtej botës së argëtimit, thotë Rashad Robinson, që drejton organizatën për drejtësi sociale ‘Color of Change’:

“Me këto nominime, industria krijon një sistem që u hap dyert njerëzve. Ofron mundësinë për të parë se kush jemi, si dhe ka ndikim të thellë tek rregullat e pashkruara mbi mënyrën se si ne trajtohemi në spitale, nga gjykatësit dhe në shkolla.”

Artistët e nominuar janë nga seriale televizive të krijuara para zhvillimeve racore në Shtetet e Bashkuara që u nxitën nga vdekja e një afrikano-amerikani të ndaluar nga policia.

Zoti Robinson, që drejton organizatën për drejtësi sociale ‘Color of Change’ thotë se që të sigurohet një ndryshim i qëndrueshëm në industrinë e argëtimit, kërkohet më shumë përfshirje e talenteve me ngjyrë në të gjitha sferat e industrisë:

“Nuk mjafton që të kesh vetëm interes dhe vetëdije. Duhet që njerëzit të jenë të gatshëm të veprojnë për ndryshime reale.”

Gazetarja Angelique Jackson e revistës “Variety” thotë se talentet hispanikë janë ende të neglizhuar nga çmimet Emmy, pavarësisht se përbëjnë grupin e dytë më të madh pas popullsisë së bardhë në Shtetet e Bashkuara:

“Mendoj se ende kemi një mungesë të madhe të përfaqësimit të plotë të popullsisë me ngjyrë në industrinë e argëtimit. Nuk kishte përfaqësim të madh të talenteve hispanike në nominime, pavarësisht se përfaqësimi egziston në skenë. Ne shohim punën e tyre në skenë por nuk po shohim vlerësimin ndaj tyre kur vjen puna tek çmimet.”

Çmimet Emmy do të ndahen të dielën gjatë një ceremonie virtuale që do të transmetohet nga kanali televiziv ABC./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat