Kush e vrau kulturën?

Kultura

Kush e vrau kulturën?

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 10:05
Foto Ilustrim

Kultura vritet me dy mënyra: vritet me antikulturën dhe kjo është e dallueshme, e prekshme dhe tejet provokuese, por ka edhe një mënyrë tjetër. Kultura vritet me pseudo kulturën që arrin kulmin me snobizmin i cili kur ka edhe mundësi monetare, blen modernitetin vezullonjës, e vesh atë, e kreh, e nanurit, e bojatis dhe më tej e deklamon, e shet dhe e sjell fal propagandës si gjendje shpëtimi.

Kultura është investim i gjatë i vështirë që kërkon punë, kohë, që do përkushtim, motivim dhe vlera të cilat ushqehen nga liria. Kultura sjell zhvillim dhe atje ku zhvillimi mungon, gjeja e pare që duhet nënvizuar është mungesa e kulturës dhe mosqenia në drejtimin e punëve të njerëzve me dije, me kulturë dhe me aftësi shkencore.

Një shtet që mbledh vetëm taksa dhe vë gjoba dhe tregon forcën vetëm me njerëzit me uniformë, ia ka mbyllur shtegun kulturës; atje nuk ka me klimë ku njerëzit të ndjehen mirë shpirtërisht dhe të mëkuar me ushqimin kulturor.

Kultura ndërtohet edhe nga kritika e shëndetshme, por kjo formë sjellje e specializuar nuk duhet të shndërrohet në një thike që fillimisht të përkëdhel lëkurën dhe më tej ngulet thellë e më thellë, derisa çka është krijuar vritet, ose është e përmbysur dhe e pështyrë.

Kultura është komunikim dhe në kohën që jetojmë, mediatizimi ka në dore si të thuash fatin e saj. Media e paguar mund që t’i shërbejë një kulture të vjetër, të prapambetur, të helmuar dhe të padenjë ashtu si edhe mund të ndodhi që media e frymëzuar nga ndjenjat e skupit dhe të blerjes së vëmendjes mund të të përmbysi gjëra principiale dhe të t’a bëjë të zezën të bardhe, të bardhen të zezë, grinë jeshile dhe të kuqen mavie…

Kultura është investim historik dhe si e tillë ajo ka njerëzit e saj, ka të vetësakrifikuarit e saj, ka dëshmoret e saj. Tashmë në Shqipëri ne s’kemi me njerëz të tillë, jo se ata dhe ato nuk ekzistojnë; jo se ata dhe ato nuk punojnë dhe nuk rropaten, përkundrazi kemi dhe ata/ato që luftojnë me mish dhe me shpirt, por në një shoqëri pa ideale, ku injorantët kane pushtetin dhe bëjnë ligjin, është e kuptueshme: të parët që goditen janë njerëzit e kulturuar, ata që bëjnë dallimin. Pikërisht ata nuk duhen lejuar të ndërtojnë klimën e shoqërisë. Kështu dalin të fortët, të pasurit me rrugë kriminale, femra pa tru që shesin trupin te ata, e më tej media online që bëjnë lajm jetët e tyre banale dhe i shesin si model të shoqërisë.

Kultura është në hall ne këtë vend, sepse u shkatërrua çfarë u ndërtua së paku në 100 vjet. Tashmë prej 30 vjetësh në thasët e magazinës së historisë gjen eshtrat e saj….

Pakultura dhe kriza e ideve ka shkaktuar gjendjen ku jemi, aq sa kemi njerëz me “armë në dorën e mendjes” që tanimë ndajnë fatet e ish-kulturës sipas protokollit se cili është mik e cili armik, cili është që bën e cili duhet hedhur në koshin e plehrave.

Kultura sjell të ardhmen, madje e parasjell atë, por tek ne sytë e mendjes dhe të kulturës ose nuk janë ose janë prapa kokës; shohin të shkuarën dhe merren me të duke gjetur agjentë, tradhtarë, të paaftë, anti-atdhetare dhe turli emërtimesh që i takojnë fjalorit të regjimit të djeshëm…

Ja përse Shqipëria krahas krizës në fusha të tjera ka edhe një krize kaq thelbësore… Një shoqëri e pakulturuar ose e keqkulturuar nuk ndërton dot sistemin e lirisë të rregullit dhe të demokracisë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat