Gjelosh Marku, aktori që dha shumë e nuk mori asgjë!

Kultura

Gjelosh Marku, aktori që dha shumë e nuk mori asgjë!

Nga: Gjon Neçaj Më: 21 shtator 2020 Në ora: 11:11
Gjelosh Marku

Ai ishte një mjeshtër në profesionin e këpucarit, por ishte edhe një aktor i lindur. Pasioni i tij për aktrimin bëri që ai të luajë në disa filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Ai ishte një mjeshtër në profesionin e këpucarit, por ishte edhe një aktor i lindur. Pasioni i tij për aktrimin bëri që ai të luajë në disa filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ky është Gjelosh Mark Dedndreaj nga fshati Salcë, Nikaj Mërtur.

Në mendjen e banorëve të qytetit Bajram Curri në vitet 70-të e 80-të të shekullit të kaluar, Gjeloshi kujtohet me respekt, jo vetëm si mjeshtër në profesionin e tij të këpucarit në ndërmarrjen komunale, por edhe si aktor i talentuar. Në foton e vetme që paraqitet, ai aktron në rolin e një personazhi kryesor në njërin prej filmave të viteve tetëdhjetë.

Ai ishte artist i lindur dhe mjeshtër i artit skenik. Nga dita e vdekjes së tij kanë kaluar 12 vjet, por asnjë fjalë, asnjë titull apo medalje nuk është për të. Madje askujt nuk i është kujtuar aktori i talentuar që dha shumë e s’mori asgjë.

Përveç të tjerave, ka interpretuar në qytetin e tij, Bajram Curri rolin e Kopshtarit në dramën “Në emër të lumturisë” të Ismail Hoxhës në vitin 1969, duke vijuar më pastaj me rolin e kuestorit në dramën “Qielli i kuq” të Tefik Çaushit, Jonuz Brugës në dramën “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës në vitin 1976, rolin e Brung Trolit në dramën “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës 1977, Çel Krosi në dramën “Fundi i një bande” të Gjovalin Gjokës 1978, Bacën në dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës në vitin 1979, Xha Banushin në dramën “Doktori pacient” të Ruzhdi Pulahës, Plakun e Urtë në dramën “Gjaku i Arbrit” të Fadil Krajës.

Ka luajtur në filmat “Rrugë të bardha”, “Shembja e idhujve” dhe “Nusja” në dokumentarin për fëmijë kushtuar Bajram Currit në vitin 1982 në TVSH si dhe në dhjetra e dhjetra estrada nga trupat amatore të ndërmarrjeve të ndryshme të asaj periudhe dhe në Pallatin e Kulturës “Dardania” duke u duartrokitur ngrohtësisht.

E veçanta e aktorit Gjelosh Marku, ishte se në rolet që ka luajtur, pothuajse në të gjitha, ka luajtur në rolet kryesore.

Gjelosh Marku mban medaljen “Naim Frashëri” dhënë nga Kuvendi Popullor në vitin 1979. Siç kujtojnë bashkëkohësit e tij, ai ka qënë mbi të gjitha një qytetar dhe njeri jashtëzakonisht i rrallë për shoqërinë e tij.

Ja se ç’shkruan kolegu dhe i miku i tij, Azem Baliaj: “Në ditarin tim ka mijëra shënime për të gjithë miqtë dhe kolegët e mi të skenës të “ikur” e të gjallë, për të cilët do shkruaj diçka patjetër në të ardhmen, por Gjelosh Marku mbetet ajka e Tropojës, i cili dha shumë dhe s’mori asgjë.”

Biografi

Gjelosh Mark Dedndreaj është nga fshati Salcë, Nikaj Mërtur, ka lindur në vitin 1942, por me banim në Bajram Curri që në rininë e hershme, i njohur me emrin Gjelosh Marku, me banim në lagjen "Partizani" në një shtëpi të bukur private. Ka punuar këpucar shumë e shumë vite deri sa ka dalë në pension. Në fillimvitet e demokracisë ai u largua si të gjithë bashkëkrahinasit e tij pothuajse, për një jetë më të mirë në Tiranë. Ka vdekur në vitin 2004 në moshën 62 vjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat