Haki Stërmilli, shkrimtari që u bë ateist pas krimeve serbe ndaj shqiptarëve

Kultura

Haki Stërmilli, shkrimtari që u bë ateist pas krimeve serbe ndaj shqiptarëve

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 15:52
Haki Stërmilli

Viti 1966. Shkrimtari Nasho Jorgaqi sjell një copëz jete nga shkrimtari Haki Stërmilli. Botuar në gazetën letrare “Drita”, shkrimtari thotë: Kohët e fundit na kanë rënë në dorë disa dokumente të rëndësishme, ndërmjet tyre dhe autobiografia, që hedhin drite mbi jetën e shkrimtarit Haki Stermilli. “Është rasti, që në përkujtim të 14 vjetorit të vdekjes, t’u kujtojmë lexuesve të tij të shumtë, disa fakte mjaft interesante që saktësojnë dhe zgjerojnë njohuritë tona mbi këtë autor të nderuar të letërsisë shqipe”.

Haki Stermilli lindi me 7 maj 1895 në një familje të varfër qytetare. “Im atë”, shkruan shkrimtari në autobiografi, “nuk trashëgoi gja nga prindët e vet. Im ame kishte trashigue nji sasi toke por kjo ishte shite ma vonë për nevoja te familjes… Familja erne… ishte ne lagjen ma të vorfën të Dibrës, ku banojshin njerëz që me krah e sigurojshin bukën..”.

Shkrimtari i ardhshëm u rrit në kondita te vështira, në një ambient besimtarësh dhe u edukua që për së vogli me një fryme fetare. Kjo gjë la gjurmët e saj tek ai, po vetë jeta e bëri shpejt ateist. Dhe, kjo ndodhi pas masakrave dhe padrejtësive që bënë shovinistet serbomedhenj, në kurriz të popullsisë së krahinës së Dibrës. “Atëherë”, shkruan ai, “ndiva në vetvete nji revolution shpirtnuer dhe u binda se nuk kishte drejtësi hyjnore. Qysh atëherë u bana atheist”.

Mësimet Haki Stermilli i bëri në vende të ndryshme; i filloi në vendlindje e pastaj në Selanik dhe i kreu në gjimnazin e Manastirit. Qeveria e Ismail Qemalit i akordoi bursë për të ndjekur studimet e larta jashtë, por vdekja e të vëllait gjatë Luftës Ballkanike, e detyroi të rrijë pranë familjes. E, jo vetëm kaq, po sipas një zakoni të egër të kohës, ai duhej të martohej me të vejën e të vëllait. Megjithë kundërshtimin e vendosur, për disa vjet me radhë, Haki Stermilli u detyrua t’i nënshtrohet këtij zakoni kur ishte ende 20 vjeç. Këtë ngjarje të rëndë ai nuk do ta harrojë dhe më vonë tërthorazi do ta shprehë në romanin “Sikur të isha djalë”. Drama e Dijes është në fakt drama e vete autorit. Revolta dhe patosi i fortë i kësaj heroine të rebeluar ndaj ambientit fanatik të kohës, shpjegohen mjaft mirë dhe me disa motive personale të vetë shkrimtarit.

2.

Shkrimtari N. Jorgaqi sjell më vonë jetën politike të Haki Stërmillit. “Jetën politike, Haki Stermilli”, shkruan autori, “e ka filluar që shpejt. Qysh më 1907 ai mëson të këndojë shqip dhe propagandon idetë e rilindjes e mësimin e gjuhës amtare. Kur vjen në Shqipëri, më 1913, vihet menjëherë në shërbim të shtetit shqiptar, duke marrë nëpunësi të ndryshme, i frymëzuar nga ideale patriotike. Këto ideale dhe përqafimi i ideve përparimtare të kohës e lidhin Haki Stermillin me ato forca që luftonin kundër feudalizmit për interesat e popullit. Agjitacioni i Avni Rustemit -shkruan Hakiu – m’i pat hapë sytë dhe pat ba efekt në mue. Kjo shpjegon faktin pse Hakiu u shkëput shpejt nga influenca e ndonjë personaliteti negativ të kohës dhe pas vdekjes së A. Rustemit, në Kongresin e shoqërisë ‘Bashkimi’ (gusht 1924) u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj”.

3.

Duke vijuar më tej me periudhën e emigracionit të shkrimtari H. Stërmilli, autori thotë: “Periudha e emigracionit (1924-1929) në jetën e shkrimtarit është e mbushur plot aktivitete politike. Ai endet, me detyra të caktuara, nëpër vende të ndryshme të Evropës, gjithnjë në luftë kundër fashizmit dhe regjimit te Zogut. Zgjidhet anëtar i Komitetit të Konares, që në themelimin e saj. Bashkëpunon me shtypin antizogist, bile dhe atë komunist, duke shkruar artikuj politike si në gazetën ‘Liria kombëtare’ dhe ‘Federasjon Ballkanik’, organ që dilte në Vjenë, nën drejtimin e Gjergj Dimitrovit. Jeton rreth 14 muaj në Bashkimin Sovjetik. Zhvillon aktivitete antifashiste në Austri e Itali. Përjashtohet nga këto vende dhe detyrohet të hyjë në Jugosllavi Atje autoritetet e arrestojnë e pastaj e internojnë në Mitrovicë. Për këtë periudhë, H. Stermilli shënon në mes të tjerash: ’…megjithë që nuk isha komunist dhe nuk kuptoja nga marksizëm-leninizmi, u përpoqa të formoj me njerëz përparimtarë celula komuniste në Dibër, në Strugë, e në Manastir’”.

4.

Periudha pas viteve 1920. Ja çfarë shkruan autori N. Jorgaqi: “Në mars te vitit 1929, ai arrestohet nga autoritetet jugosllave dhe, duke u trajtuar si një kriminel ordiner, i dorëzohet Zogut. Ky akt i qeverisë jugosllave ngjalli zemërim në qarqet përparimtare të kohës, nëpër vendet e ndryshme te Evropës. Personalitete të shquara, si Gjergj Dimitrovi, Anri Barbysi, Albert Ajshtajni etj., protestuan për këtë akt arbitrar të qeverisë jugosllave, që binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kërkuan nga sekretariati i Lidhjes së Kombeve sigurimin dhe shpëtimin e demokratit revolucionar shqiptar. Dhe, fakti që gjyqi politik i Zogut e dënoi Haki Stermillin vetëm me pesë vjet burgim, shpjegohet dhe me ndikimin që ushtroi fushata për shpëtimin e tij në Evrope. Koha e burgut qe për shkrimtarin një periudhë e rëndë. Zogu tregohej i pamëshirshëm ndaj armiqve të tij, sidomos ndaj atyre që e kishin njohur nga afër dhe më vonë e kishin demaskuar si kish vepruar Haki Stermilli. Lufta Nacional-Çlirimtare i hapi horizont patriotit të vjetër demokrat. Fill pas Konferencës se Pezës ai u radhit me Frontin Nacional Çlirimtar. Ai është nga intelektualet e parë që përqafoi pa hezitim vijën e drejtë të P.K.Sh. për një lufte të vendosur kundër fashizmit. Që në fillim, Haki Stermilli kryeson një këshill Nacional-Çlirimtar të intelektualeve në Tiranë dhe propagandon idealet e luftës. Në verën e vitit 1943, ai hidhet në ilegalitet. Së pari në çetën e Sllovës, e pastaj në krahinën e Dibrës shkrimtari partizan vë në shërbim te Lëvizjes gjithë forcat e veta morale e intelektuale, duke qene gjithnjë i bindur në drejtësinë e vijës së partisë”.

5.

Këto janë disa nga të dhënat e reja që hedhin drite në jetën e shkrimtarit tonë, thotë studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi në artikullin kushtuar Haki Stërmillit në 14 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit. “Ai vdiq në një moshë kur mund t’i jepte akoma letërsisë sonë. Po veprat e shumta që ka lënë në dorëshkrim dhe veçanërisht ditari i luftës: ”Shtigjet e lirisë’, dy romanet, njëri nga koha e Skënderbeut e tjetri kushtuar luftës së rinisë sonë antifashiste, janë një kontribut i çmuar i shkrimtarit, ndonëse të panjohura akoma nga masa e lexuesve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat