Vizita në Interlaken ose “Xhevahiri i Alpeve Zvicerane“

Kultura

Vizita në Interlaken ose “Xhevahiri i Alpeve Zvicerane“

Nga: Haki Latifi Më: 21 shtator 2020 Në ora: 21:47
Interlaken

Destinacioni i fundit gjatë shëtitjes së kësaj fundjave është, qyteti Interlaken. Është stacioni i fundt i anijeve që zbarkojnë udhëtarët apo turistet e rastit. Interlaken ndodhet midis Liqenit të Thun në perëndim dhe Liqenit Brienz në lindje dhe i takon Kantonit Bern. Është porta hyrëse për në tre malet e larta: Eiger, Mönch dhe Jungfrau dhe ndodhen midis Liqenit Thun dhe Liqenit Brienz. Njëherit është një nga vendpushimet më të njohura të pushimeve verore në Zvicër.

Të dy liqenet janë të lidhura nga lumi Aare, i cili rrjedh përmes Interlaken. Komunat e Interlaken, Unterseen dhe Matten së bashku formojnë një zonë të mbyllur vendbanimesh me rreth 15,000 banorë.

Në qendër të qytetit, Höhematte është një mrekulli e planifikimit urban me 35 hektarë hapësirë të hapur, e rregulluar për bukuri me kopshtet e luleve, hotelet dhe kafenetë që rrethojnë Höheweg, bulevardin kryesor përreth, si dhe me hapësira marramendëse të maleve përrreth. Në natyrë ne shpesh ngelemi të mahnitur për shkak të formave që mund të ketë mjedisi rrethues.

Vetëm disa metra largë ecje në këmbë përgjatë Höheweg do të gjeni paqe dhe relaksim në qytetin mjaft të vjetër Unterseen. Zemra e qytetit të vjetër është sheshi i bashkisë, ku shtëpia imponuese e qytetit qëndron në mes të sheshit. Përgjatë sheshit janë një varg restorante dhe kafene që janë në shërbim të qytetarëve e të turistëve me ushqime e gatime të ndryshme. Rreshti historik i shtëpive dhe kulla krenare e kishës formojnë një temë perfekte, e cila tregon shumë histori emocionuese. Ky qytet është i pasur edhe me muze të ndryshëm siq janë; bodrumi i arkeologjisë jo shumë larg sheshit piktoresk të bashkisë ose muzeun e turizmit, i cili tregon për fillimet dhe zhvillimin e turizmit në Interlaken në dy kate.

Në traditën e turizmit, Interlaken është një simbol i turizmit masiv në Zvicër. Këtë vit, për shkak të pandemisë Covid-19, tani vizituesit mungojnë, sepse ky qytet ka humbur turistët e saj tradicional nga e gjithë bota, e sidomos nga vendet Aziatike.

Ndryshe këtë qytet të preferuar e quajnë si „Xhevahiri i Alpeve Zvicerane“. Në të vërtetë, ky qytet ka një bukuri vërtet magjepsëse. Kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz të famshëm gjithmonë e kanë pëlqyer këtë qytet dhe vendet për rreth tij. Prandaj, turistët nuk gabojnë kur thonë se vendasit janë njerëz shumë të mirë dhe miqësorë. Ata ndajnë disponimin dhe lumturinë e tyre të mirë me këdo që takojnë. Në të njëjtën kohë, do të ishte gabim t'i quash të papërmbajtur. E vërteta është, ata dinë kur të shprehin emocione dhe kur është më mirë të mos e shprehin këtë.

Me përshtypjet më të mira të kësaj fundjave, kthehemi në folenë tonë, me shpresë se do të vizitojmë përseri këto bukuri natyrore që i ka falë Zoti por me fanatizëm dhe kujdes të veçant i ruan qytetari zviceran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat