Në mes të dashurisë dhe urrejtjes

Kultura

Në mes të dashurisë dhe urrejtjes

Nga: Biser Mehmeti Më: 28 shtator 2020 Në ora: 18:24
Biser Mehmeti

Sapo e hapa derën e shtëpisë në tavolinë pashë një pliko. Derisa e hapja ngadalë fryma zuri të më ndalet.

"Më fal që po të shkruaj sërish! Gjithnjë të kam kërkuar falje, gjithnjë jam kujdesur që kurrë zemrën tënde të mos e lëndoj. E di që çdo fjalë që e them është e tepërt! E di që urat në mes teje e meje janë rrënuar tërësisht përgjithmonë, por unë sërish po  marr guxim dhe po e zbrazi lumin e mallëngjimit. (Derisa shkruaj zemra e mbushur me pelim qan pa lot, sepse lotët ka kohë që më janë shterur). Paksa tingëllon romantike, po jeta është e tillë: e mbushur me gjëra të mistershme, të cilat nga jashtë duken të bukura, por nga bren-da janë të shëmtuara, ashtu siç ke qenë dhe vazhdon të jesh edhe ti... E di që sapo ta marrësh këtë letër në dorë do të më mallkosh nga zemra.  Natyrisht edhe do të më përbuzësh pa mëshirë, ashtu siç më ke përbuzur gjithnjë. Mirëpo, unë jam e tillë dhe kurrë  s’ka mundur të shtirem. Edhe pse kam tentuar që për hir tëndin ta ndryshoj veteveten, fatkeqësisht një gjë të këtillë s'kam mundur ta bëj. Atëherë jam bindur se të luftosh kundër ligjeve të natyrës është një absurd i madh. Mirëpo, për hir tëndin kam bërë edhe marrëzira të tjera... Thashë, do të më mallkosh, sepse çdo kujtim që lidhet me ne, ditën që ma ktheve shpinën, ti e ke hudhur në një humnerë të thellë e pastaj atë e ke mbuluar me dhe. Mbi atë humnerë kanë mbirë do lule të hidhura, të cilat e kanë helmuar jetën dhe kohën time. Sërish po të them: më fal që po të rikthej në një kohë kaherë të vdekur, të cilën ti e urren pa masë. Më urren me mish e me shpirt edhe mua, pse gabimisht hyra në jetën tënde dhe u mundova të bëhem pjesë e pandashme e saj, u mundova ta robëroj mendjen tënde të shfrenuar nga jeta. Çdo gjë që ka lidhje me mua ti e urren.

Çdo kujtim yni të ringjallë trishtim, andaj edhe mundohesh ta mbulosh me pluhurin e harresës... E di që je penduar për atë kohë që e kaluam bashkë, sa që e mallkon me gjithë zemër. Tash e kuptoj se ajo ishte një kohë në të cilën ti jetoje dhunshëm, por që e kishe të vështirë të dilje prej saj. As atëherë e as tash nuk e kam të qartë pse jetoje në mes të dashurisë dhe urrejtjes. Nuk kam mundur kurrë ta kuptoj mendjen tënde: kur më urreje më doje e kur më doje më urreje! Ishte një përzierje e çuditshme e gjërave, të cilat të shkaktonin tendosje në mendje, në shpirt e në jetë... Unë e njoh më mirë se kushdo tjetër natyrën tënde, herë të qetë, herë të tërbuar. E njoh qeshjen tënde, dhembjen tënde... E pranoj çdo mallkim tëndin, çdo ndëshkim tëndin, çdo fyerje tënde, çdo mynxyrë tënde. Vetëm ti mos të tërbohesh, të mos xhindosesh, siç e kishte zakon të bëje atëherë ku gjërat e parëndësishme të shkaktonin kokëçarje. Për ty edhe sot jam në gjendje të bëj sakrifica të mëdha, me të vetmin qëllim që ti të jesh i lumtur, që zemra jote të jetë e hareshme!  Kam qenë dhe jam në gjendje  të viktimizohem për kënaqësinë tënde... Ti ke natyrë, karakter e bindje të ndryshme nga unë. Ti s’ke qenë kurrë në gjendje të bësh asgjë për mua e as për lumturinë time. Unë s’e mbaj mend që së paku njëherë ma ke plotësuar një dëshirë timen. Ti kurrë nuk solle lumturi e gëzim në jetën time. Unë isha e përkushtuar marrëzisht në ty. Edhe ashtu siç ishe unë çmendesha pas teje. Nejse, kjo për ty kurrë s'ka pasur rëndësi... ( Në këtë çast kur po të shkruaj jam mijëra kilometra larg teje, diellin e shoh me sy, po ai nuk bën dritë për mua, do ethe të fuqishme po ma përshkojnë trupin e drobitur. Më kaplojnë do drithma të fuqishme, të cilat dëshirojnë të më shpiejnë në ferr). Sikur të shkëputesha nga kjo botë, që nuk më solli asgjë të bukur, do ta ndjeja veten njeriun më të lumtur në botë, tamam si atëherë kur isha pranë teje dhe e mikloja fytyrën tënde të dashur. Tash kur e shoh veten se nuk gjendem pranë teje,se nuk e shoh fytyrën tënde, se nuk e ndjej buzëqeshjen tënde, dëshiroj që një orë e më parë të përshëndetem nga kjo botë e mistershme për të cilën disa herë më thoshe se kam ardhur gabimisht, se jetoja gabimisht dhe se një ditë poashtu gabimisht do të shkoja prej saj!  Kjo botë për mua e ka humbur kuptimin, rëndësinë dhe dëshirën për çdo gjë.

Sytë më janë turbulluar nga lotët që nuk dijnë të ndalen. Më ka robëruar një ndjenjë e tërbuar se kur të më mbulon dheu i zi do të shkoj në një botë tjetër, në të cilën do të takohem sërish me ty dhe sërish do të jem e lumtur që jetojmë në të njejtën botë... Për çudi, sa më shumë që dua të vdes aq më shumë vdekja largohet prej meje! Shpesh i them vetvetes: jam e vdekur në mesin e të gjallëve! Kur më mbërthen mërzia e hapi guacën e shpirtit dhe aty  gjej kujtimet që kanë zënë të ndryshken. Eh, botë e mjerë! Botë e mistershme! Ku isha e ku më solle?!  Dikush thotë se është fat e dikush fatkeqësi. Unë mendoj se edhe njëra, edhe tjetra... Ti erdhe befasisht, pa  të ftuar fare, si një hajn i stërvitur. Gjënë e parë që e bëre ishte të ma vjedhësh jetën që dukej sikur nuk të takonte ty! Ishte periudha kur unë dëshiroja me çdo kusht të ndodhte një gjë e bukur në jetën time, kur dëshiroja patjetër ta ndërroja rrjedhën e asaj jete monotone, të cilën çudi-tërisht  e urreja. Dëshiroja të dilja nga një vetmi e qartur që po ma hante shpirtin si një krimb i varrit. Dhe, ti erdhe në kohën kur unë bëja një gjumë të mbushur me ankth.Vagëllimthi të pashë kur hyre në shpirtin tim të trazuar nga valët e tërbuara. Erdhe në kohën time, të cilën as vetë s’e dija pse e urreja. Ishte një dimër i mbushur me mërzi e acar kur ti më solle gjelbërimin dhe pranverën e hershme. Fillova të besoj në një jetë përrallore. Kisha bindje se bota është e vogël për të zënë gëzimin dhe kënaqësinë time. Fillova të notoj nëpër lumin e ëndrrave, i cili nuk kishte fund askund. Diçka më thoshte se kisha hyrë në një shpellë ku ishte fshehur thesari i  gjithë botës. Kur të kisha pranë në dorë mbaja pasurinë më të madhe që më duhej. Jetoja vetëm për ty e për asgjë tjetër. Jeta pa ty më dukej një dënim i rëndë, të cilin zemra nuk do të mund ta përballonte. Ditët më dukeshin sikur rrëshqitnin tinëzi-sht shumë shpejt, andaj mundohesha ta fenoja rrjedhën e asaj kohe të mbushur me eufori... Shpesh kur e vështroja fytrën tënde më ngjante sikur shihja një engjëll, andaj edhe mundohësha të të gëlltisja të tërin! E doja çdo gjë  që e doje ti,  urreja çdo gjë që urreje ti. Ndjenjat tua sikur kishin hyrë në trupin tim.

E doja hënën vetëm pse e vështroje ti. E doja lulen vetëm pse ti i merrje erë! E doja jetën vetëm pse ti jetoje! E doja kohën vetëm pse isha me ty... Shpesh i thosha vetvetes: sa jam e lumtur që linda në kohën tënde e nuk linda në një kohë tjetër! Me ty e njoha jetën, botën dhe të gjitha fshehtësitë tjera,të cilat më parë as që mund t'i merrja me mend. Isha në gjendje të vdisja për ty, të shndërrohesha në qyqe dhe të vajtoja nëpër gjithë botën... Dhe, një ditë  bëra gabimin më të madh në jetë: kërkova  nga ti të ma plotësosh një dëshirë, të vetmën dëshirë që  kisha në jetë dhe e cila më mbyste për çdo ditë nga pak. Kërkova të bëhem pjesë e pandashme e jetës tënde, që jeta ime të mos ekzistonte, por ajo të shndërrohet një me jetën tënde, që unë të bëhem hije dhe të të përcjell kudo që të shkosh, që unë të të ruaj nga çdo fatkeqësi e jetës! Dëshiroja që zemra ime dhe jotja  të bëhen një dhe të rrah me një ritëm të vetëm. Eh, sa do të dëshiroja që ndjenjat tona të bëhen të pandashme, që gjithnjë të udhëtonin nëpër të njejtën rrugë...Ti heshte, ashtu siç heshtje gjithnjë. Heshte një ditë, një javë , një muaj, një vit, një shekull... Heshtja të përcolli gjatë gjithë jetës. Atëherë kuptova se në mendjen tënde kishe një tjetër që të kishte robëruar zemrën, me të cilën ëndërroje të ndërtoje kështjellën përrallore... Dheu  nën këmbë zuri të më shembet. Dyshimi zuri të më ngulfat. Ëndrrat filluan të mbulohem me një qefin të zi. Ngadalë  fillova të bindem se jeta është vetëm një gënjeshtër e ëmbël, një mashtrim i pashmangshëm, një dhimbje e zgjuar që pahetueshëm të kafshon pa pra.Fillova të gëlltiti gotën e mbushur me dhembje, pikëllim e dëshpërim, të cilën ma përgatite ti. Atëherë u binda se jeta i ka dy pole të kundërta: njërën të lumtur, tjetrën të hidhur. Dashur e pa dashur, njeriu duhet t'i shijojë te dyjat. Koha në të cilën jetoja e jetë nuk bëja, u mbush me një trishtim të paanë, i cili kishte zënë të më mbyste për çdo ditë nga pak. Jeta e dikurshme i shëmbëllente një ëndërrës së vdekur, e cila ta shton dëshirën për të vdekur sa më parë. Koha në të cilën jetoja e jeta nuk bëja ishte mbushur me një mjegull të zezë, e cila mundohej të më çmendte. Fillova të dyshoj në çdo gjë. Dyshoja  se ke ekzistuar ndonjëherë, dyshoja se më ke thënë ndonjëherë "Të dua!", dyshoja të kem qenë njeriu më i lumtur në botë, dyshoja se kam përjetuar emocione e eufori... Kurrsesi s’mund të pajtohesha me realitetin. Të kërkoja nëpër hapësirën e mbushur me errësirë, nëpër ëndrrat e ndryshkura. Në vend tëndin gjeja një humnerë të mbushur me dëshpërim, nga i cili s'mund të dilja. Gjithnjë më dukej sikur gjendesha në një ëndërr të kobshme, e cila një ditë do të përfundonte pa lënë gjurmë... Jo, jo, flisja me veten përçart ditë e natë, ti ende më do! Dashuria jote nuk është e rrejshme. Ti do të vish të më shpëtosh nga torturat e jetës... O Zot, vonë fillova ta kuptoj se paskëshkam qenë një lodër e zakonshme në duart tua, me të cilën argëtoheshe sipas tekave tua. S'mund ta kandisja mendjen se më ke hedhur si një leckë të vjetër e të panevojshme.Sa shpejt më hudhe në shkretëtirën e harresës!

Sa shpirtkazmë paskëshke qenë! Nga një engjëll u shndërrove në djall, të cilit ia kisha falur jetën dhe çdo gjë tjetër. E unë për ty isha në gjendje të hudhësha në zjarr! Sa shumë të pata besuar! Të gjitha sakrificat që më dolën në rrugë i përballova për hir tëndin. Të gjitha ato u shndërruan në torturë të dyfishtë.Mbeta në udhëkryqin e jetës, në një stinë të mbushur me shi, stuhi e shtërngatë, pa ditur nga duhej të shkoja dhe çka kërkoja. Ishte vonë të rifilloja jetën sërish nga e para. Ishte vështirë të kthehesha mbrapa,  pasi që të gjitha rrugët i kisha shembur me duart e mia. Edhe për të vdekur ishte bërë vonë! Ditë e natë te koka më këndonte një korb i zi, i cili më thoshte: ke vdekur për së gjalli! E vetmja rrugëdalje nga ajo gjendje kaotike ishte ta merrja botën në sy, të shndërrohesha në një endacake dhe në këtë mënyrë të harroja çdo gjë, madje edhe vetveten. Çdo gjë isha në gjendje të bëja vetëm ty s’mund të të harroja as s’mund të të urreja. Ti ende jetoje në një skaj të shpirtit tim... E kuptova se isha e tepërt në këtë botë të mjerë, isha e panevojshme. Për çdokë paraqitja një pengesë të madhe. Dëshiroja të arratisesha nga bota që i takoja dhunshëm, të nisesha në akëku, duke shpresuar se do të gjeja një vend ku dielli do të nxente edhe për mua. Mirëpo, isha dërrmuar nga jeta sa që nuk isha në gjendje të lëvizja nga vendi. Nuk isha mësuar të lëvizja pa ty... Kam dëshirë të të shkruaj edhe më, por dora më dridhet e mendja më turbullohet. Sa herë që mendoja për ty shpirti më degdiset e zemra më copëtohet. S'mund të pajtohem me jetën, me fatin e zi dhe me asgjë tjetër. Ka kohë që e ushqej shpirtin me helmin e jetës, të cilin ma dhurove ti e pastaj një Zot e di nga u zhduke. Shpesh mundohem ta gënjej vetveten duke i thënë se ti nuk ke ekzistuar në realitet,se të kanë trilluar ëndrrat e mia vetëm që pastaj ta shijoj dëshpërimin e përjetshëm. Dëshira e vetma që më ka mbetur është të gjej sa më parë trajtën e vdekjes relative, kurse ti gëzohu në një vend përrallor duke mbajtur dikë tjetër në kraharor...

Fjalët e fundit nuk pata forcë t'i lexoja. E hudha letrën nga duart sikur nga aty të kërcente një vdekje dhe të më hidhej sipri. U shtrina në shtrat dhe një kohë të gjatë u orvata ta qetësoj mendjen që ishte ngritur peshë si valet e detit të trazuar...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat