Do lind shqiptaria
nga hiri, nga zjarri,
si Feniksi i legjendës
shqiptari do ringjallet.
Shqiptari do ringjallet,
do ngrihet ai,
mal më mal ndizen pishtarë,
mal më mal gjëmojnë boritë.
Dhimbja e lindjes
do të sjellë të bardhën ditë…
Shqipes engjëlli i rri te kryet
i fshin djersët e ballit…
Shqipja po lind drague
shqipja do t’i gëzohet djalit.
Djali drague kokën në Nish
e këmbët mbështet në Prevezë,
i farkëtuar prej stuhishë,
i farkëtuar në zjarin që rri ndezë.
Engjëlli e tha me gojë:
-Vërtet dhimbje e madhe,
por nënën do ta gëzojë
ndaj hapni këngë,
ndaj hapni valle…
U nisa e rashë në Nëntë Male
në Dibrën time në Trojvioll,
sa më afër dëgjohej një zë nëne,
një rënkim midis dhimbjes dhe haresë.
Se për shqiptarët po lind e madhja shpresë
e unë kujtova se këtë dhimbje e ka vetëm Dibra
ku valët e Drinit si lotë shekulli
rrëkëllehen faqeve si burim lajthie…
Po kur hyra në odë burrërie
pashë dymbëdhjetë pleqë mjekëbardhë
leqet e këmbëve m’u drithëruan vërtet.
Isha përballë dymbëdhjetë dishepujsh.
Përballë tyre nuk të vlen asnjë universitet.
Se ata janë filozofi shekujsh,
gjunjëzojnë çdo krajl e mbret.
Kryeplaku i Kidnës më pyeti:
-Erdhe për të keq a për të mirë?
-Erdha se dëgjova oshëtimën e dhimbjes
por të dhimbjes përzier me ngazëllim
e si për çdo dhimbje lindje
kam ardhur për urim.
-Më paç uratën,-m’u përgjigj plaku,
duke drejtuar trupin tek oxhaku…
se kjo dhimbje do të sjell bashkim
se ka dhimbje e dhimbje
ka dhimbje hidhërimi
ka dhe dhimbje gëzimi…
-Po kush e ka dhimbjen më të rëndë?!
Mora guximin të pyes pleqërinë.
-Aaaa, duhet t’i biesh vatanit në çdo pëllëmbë
të mësosh dhimbjen më të rëndë për Shqipërinë.
Në Tiranë, Durrës, Vlorë
të gëzuar ishin se kishin hyrë në NATO,
se prisnin liberalizim vizash
se prisnin hyrjen në BE
se për kombin ishte ndërtuar një udhë e re.
U lehtësova e u mbusha me frymë
kur dëgjova këngën çame të butë, të qetë:
Jo nuk ka më trembëdhjetë
Drejt bashkimit rrjedhin gjithë lumenjtë…
Por një mjekërbardhë, atje në Kaninë,
më tha se duhej të dilja në Kosovë
e të mësoja për dhimbjen që solli lirinë.
Kështu gjendem përballë një kulle në Drenicë.
E më pas në Skënderaj,
më del para Adem Jashari:
-Në kullat tona lindin Azem Galicë.
Në Kosovë shqiptari lind nga zjarri
E shoh Heroin e Kombit mbuluar me gjak
e më dukej si një shqiponjë…
që bën roje te guri i kullës
nga grykë e allties dilte flakë…
Tym e flakë nga gropë e llullës…
-Ç’janë këto plagë, kjo dhimbje?!
-Kjo është dhimbë e lindjes,
se ia pastrova serbët Çiçavicës!
Sakaq një zë fëmije
u rrit me të shtime armësh…
-Po kjo luftë, o Adem Jashari!?
Mos u rrethuam prap prej barbarësh?!
Nënëlokja nga dritare e kullës
jep sihariqin:
-Djalë! Lindi djalë në kullë Kosove!...
Adem Jashari i lehtësuar lëshoi sokëllimën:
-Të lumtë goja o Nënëloke!
E më drejtohet me ngazëllim:
-Ti miku em prej Dibre
do të jeshë nun i nipit tem.
Merre alltinë teme, verja te koka
preja një cullufe flokësh
si dikur qëmoti.
E flokët do t’i veshë te qemer i derës
ku ka kullën Gjon Kastrioti
atje në Kidnë
se unë jam këtu
të mbroj Lirinë!
Një miku em në Prishtinë
më tha të mos rri pa parë Ulqinë
se dhe atje dëgjohet një vikamë.
E ç’të shoh! Në prag të një kulle
një mustaqegjatë po i binte shakrisë…
Oh, sa i gëzuar qënka ulqinaku!
Tivarasi, podgoricari, Turjani, Pijavani!
Por ai menjëherë ma preu fjalën
në lot i mbytur mjerani.
-Oh, pasha malet e Gucisë
dhimbja ime shkoftë në vesh të Perëndisë!
Gëzimi m’u kthye në tronditje,
më prishi humorin e asaj dite…
-Po cila është dhimbja më e rëndë?!
-Ah, more vëlla! Vojvoda lart në odë
po bën qejf me nusen time
e unë duhet ta mbaj me këngë…
Bërtita:
-NGrehu bre burrë në këmbë
se me dekë paska ba Zoti emër!
-Jo vëlla, se bëj dot se s’kam zemër!
Qielli m’u nxi!...
-Vajmedet, thashë vllaznit e mi!
Kjo dhimbje s’durohet…
Ma mirë nën dheun te vorret!
-Jo mik! Mos u habit!
Dil në Shkup e shiko si është koritë
një shkupjan burrë i dheut
ky që më foli qe bash nip
i Skënderbeut...
Te derë e kullës jë burrë i bërë meit,
po i binte zurnalles e gajdes.
Shakulli, një kacek i fryrë.
Për këtë, thashë, qënka kjo ditë.
Ky paska gëzim të dëlirë!
-Jo, bre vlla, -më tha shkupjani,
varri asht kapak alltani,
se sa si unë që rroj në marre.
Më kanë tredhur ushtarët e Vladikës.
Më mirë të më kishin nxjerrë
të dy sytë e dritës.
-O Zot!-thirra me ulërimë
marrja më paska mbuluar vllazërinë!
-Ka më keq, ka më keq, dil në Janinë.
Dhe atje takova një burrë
mbështet te qemeri,
për një çast thashë, ky qënka Homeri.
Sytë ia kishin nxjerrë
i dukeshin si gojë e ujkut
e ky rob Zoti
s’pushonte duke i rënë buzukut…
-Mos je Homeri i Iliriadës?!
E Odisesë në udhë?!
Që je kaq i lumtur në verbërinë tënde
plot rrudhë?!
-Vëlla, nga zëri qënke shqiptar.
Dorën mos ma shtrëngo, nuk e meritoj.
Zorba, fisin tim
nga Troja e zboj.
Sytë mua mi nxorri kallëp
Korofillaku që kërkon të bëj qejf