Altari i konsujve Gentian dhe Basso nga Syrigana e Istogut

Kultura

Altari i konsujve Gentian dhe Basso nga Syrigana e Istogut

Nga: Haxhi Mehmetaj Më: 11 tetor 2020 Në ora: 09:28
Altari i Konsujve nga Syrigana (Dizajn: Dukagjin Mehmetaj)

Në rreshtin e fundit të mbishkrimit janë shënuar emrat e qiftit konsullor Gentian dhe Basso, të cilët sipas listës së konsujve të Romës epin vitin e sakët të ngritjes së monumentit. Terntius Gentianus dhe Pomonius Basso kishin qenë qift konsullor gjatë vitit 211 pas Krishtit, vit ky që njëherazi shënon ngritjen e altarit. Gentiani do të ketë qenë më origjinë ilire dhe kognomeni i tij është nxjerrë nga diminutivi i emrit vetjak ilir, Genthius, Gentius. Zbulimi i altarit është i rëndësishëm për faktin që dëshmon ekzistimin e një stacioni beneficiar konsullor në Syriganë, pranë rrugës vicinale antike që lidhte Mitrovicën më Pejën, sikurse edhe ekzistimin e një qendre bukur të madhe të antikitetit, me jetëgjatësi nga fillimi i shek. III – VI mbas Krishtit, brenda të cilit gjendej edhe kisha e antikiteti të vonë, të cilën e dëshmon toponimi.

Në perëndim të fshatit Syriganë ( Suhogerllë) të Komunës së Istogut në një  kodër të vogël ndodhet toponimi Arat e Kishës. Gjatë punimeve bujqësore janë zbuluar gjurmë themelesh  të objekteve të arkitekturës, fragmente të kolonadave luksoze të mermerit dhe fragmente të qeramikës ndërtimore. tNë mesin e gjetjeve veçohet një fragment interesant  i një altari votiv nga mermeri i bardhë cilësor, i cili do të jetës sjellë si material ndërtimor në përdorim dytësor. Nga altari votiv ruhet baza e profilizuar, një pjesë e trupit dhe vetëm dy rreshta të një mbishkrimi të shkruar në alfabetin dhe gjuhen latine. Përmasat e bazës janë 40 x40 x 25cm, përmasat e trupit 19 x 35 x 35cm. Mbishkrimi është ky :

.../IIII FL VSLM / GENTIAN ET BASSO COS.

Lexohet: ...quarte Fl(avie) v (otum) l (ibens) m (erito), Gentian (o) et Basso co (n) s (ulibus).

Shkronjat e mbishkrimit janë të larta 4cm dhe të realizuara më mjaftë mjeshtri. Lidhëza et dhe shkurtesa cos në rreshtin e dytë janë shkruar në ligatura. Altari në shenjë betimi të dhënë i është përkushtuar  ndonjë hyjnie të rangut të lartë, emri i të cilit nuk ruhet, sipas të gjitha gjasave nga ndonjë ushtar i legjionit të IV Flavia. Në rreshtin e fundit të mbishkrimit janë shënuar emrat e qiftit konsullor Gentian dhe Basso, të cilët sipas listës së konsujve të Romës epin vitin e sakët të ngritjes së monumentit. Terntius Gentianus dhe Pomonius Basso kishin qenë qift konsullor gjatë vitit 211 pas Krishtit, vit ky që njëherazi shënon ngritjen e altarit. Gentiani do të ketë qenë më origjinë ilire dhe kognomeni i tij është nxjerrë nga diminutivi i emrit vetjak ilir, Genthius, Gentius.

Zbulimi i altarit është i rëndësishëm për faktin që dëshmon ekzistimin e një stacioni beneficiar konsullor në Syriganë, pranë rrugës vicinale antike që lidhte Mitrovicën më Pejën, sikurse edhe ekzistimin e një qendre bukur të madhe të antikitetit, me jetëgjatësi nga fillimi i shek. III – VI mbas Krishtit, brenda të cilit gjendej edhe kisha e antikiteti të vonë, të cilën e dëshmon toponimi. (Nga libri : H. Mehmetaj, Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut, Prishtinë 2016).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat