Vlerat njohëse dhe kulturore të librit për Shën Angjelinën i autores Zenepe Luka, si testament mirësie

Kultura

Vlerat njohëse dhe kulturore të librit për Shën Angjelinën i autores Zenepe Luka, si testament mirësie

Nga: Dr. Albert HABAZAJ Më: 20 tetor 2020 Në ora: 10:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Të nderuar nerminiane e nerminianë!

Duke qenë dhe i fushës, ndihem fatlum që, në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së Ambasadore së Kombit Nermin Vlora Falaschi, emrin e së cilës mban dhe Biblioteka shkebncore e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, si dhe të nismës “Vjen nga shekujt gruaja e shquar e Kombit” jam një ligjërues në promovimin e monografisë “Angjelina Arianiti Komneni, shpirti i shenjtë i Arbërisë” e autores Zenepe Çekrezi Luka, gazetare dhe shkrimtare shqiptare, vlonjatja e klasifikuar nga Librazhdi. Kronologjikisht kjo veprimtari fisnike është e dyta pas aktivitetit aq domethënës e simbolik, që u zhvillua më 30 korrik 2020, për herë të parë pas 5 shekujsh, në vendlindjen e saj, në 500 vjetorin e të vetmes shenjtore shqiptare mes 40 shenjtorëve në kishën e Fan Nolit në Boston, Shën Angjelina Arianitin e shekullit XV, që i dihet dita e vdekjes 30 korrik 1520.

Edhe unë pata fatin të jem në Qytetin e Luleve dhe Diturisë të gjakovares Migena Arllati, mikeshës së “10 Shqiponjave të Tërbaçit” ku, në sallën e Prefekturës Elbasan, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të prefektit të Elbasanit, birit të Labërisë Maksim Malaj, u mblodhëm, sipas mundësive të kushtëzuara nga “Protokolli i pandemisë”, për të kujtuar Shën Angjelinën me Lulëzimtarët e Nderimit, sikurse dhe sot këtu, në mjediset e jashtme të hotel “Bolonja”, falë bujarisë së çiftit Fato dhe Rami Isufaj, duke marrë dhe shëndet nga freskia e kaltër e detit të Vlorës.

Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, falë mirësisë humane të kryetarit të bashkisë Vlorë dr. Dritan Leli, po realizon këtë bashkëbisedim serioz dhe të bukur, edhe pse të kushtëzuar nga protokolli antipandemik, në pamundësi të Konferencës shkencore të planifikuar me kohë për këtë rast të rrallë. Ndihem mirë, si tërbaçiot himariot, që një kuçiote himariote si Anila Denaj është sot me nerminianet. Ky festim solemn na vjen i gëzueshmërisht më i bukur, sepse na erdhi ajo që na trishtoi në Elnasan. Jemi të lumtur, se kemi mes nesh shpirttrëndeltën Margarita Xhepa dhe e urdhërojmë të mos sëmuret më dhe nja 30 vjet, se na duhet me zë, me pamje, me shpirt. Jemi vërtet të lumtur që ndodhemi në krah të Divës së Artit Shqiptar, margaritares Margaritë, që na shëron e na gëzon me atë zërin e saj hyjnor, me atë humanizëm fisnikërisht buzagaz, e cila vjen së bashku me simotrën madhërisht lartësore të artit dhe dinjitetit Tinka Kurti e fisnike të tjera shpirtzbukurimtare, si intelektualja, poetja e kineastja e njohur Vllasova Musta, pa harruar malin e qëndrestarisë mbarëshqiptare, poeten e Kosovës Flora Brovina…

Të nderuara nerminiane, miq të librit dhe miq librit dhe të kulturës!

Duke marrë shkas, se tetori është quajtur muaj i letërsisë, dëshiroj të shprehen se në librin “Angjelina Arianiti Komneni - Shpirti i shenjtë i Arbërisë” i autores Zenepe Çekrezi Luka, gazetare e njohur dhe shkrimtare shqiptare, vlerat njohëse, kulturore dhe të edukimit estetik e qytetar janë të shqueshme. Duke vlerësuar diskutimin kryesor “Rizgjim nga mesjeta, rikthim në vendlindje”, në të cilin poetja, kineastja dhe studiuesja e dinjitetshme Vllasova Musta bëri zbërthim kompetencial, dëshiroj të vijoj me disa mendime të fushës, pa u futur në hollësira të kritikës dhe publicistikës letrare. Vërejmë se ky libër është një urë letrare, që na vjen në formën e një monografie sqimatare, ku harmonishëm dhe mjeshtërisht lidhen dy brigje, që në shkencën e bibliotekonomisë quhen: “Studime biografike dhe të tjera lidhur me të. Biografitë personale dhe kolektive” me letërsinë shqipe, e cila shtrihet edhe në përmasat e letërsisë ballkanike dhe në estetikën e letërsisë, duke na dhënë një tufë me lule të bukura nga letërsia e mirëfilltë, vendosur në dritaren me horizont të monografisë me vlera njohëse e mesazhe të dashura mirësie. Kjo monografi ka vlera të veçanta njohëse, sepse, (pa u futur në analizë teksti dhe kompozicionin e veprës), ndoshta për herë të parë njihemi kaq plotësisht me historinë e shkruar mbi fakte për Arianitët dhe pinjollen e shenjtë të tyre, Angjelina Arianiti. Nga strukturimi libror me 7 kre, në ecurinë kronologjike, njihemi me Gjergj Arianinin Komnenin, prijës i njërës ndër familjet-principata të famshme, madhështore shqiptare të Mesjetës, Zotërues i Aulonës, Kaninës dhe Elbasanit, babai i Angjelinës; në vijim me njohjen me Stefanin, peizazhet njerëzore plot ngjyra, muzikë, tinguj, krenari e dhimbje. Kush nga ne me kaq imtësi e dinte që një arbërore e mesjetës dhe bijë e derës së parë paska qenë shenjtore?! U desh të vinte viti i bekuar 2020 që të na vinte i plotësuar profili i Shenjtores së Parë Shqiptare, Shën Angjelinës së Arbërisë e shekullit XV, pas së cilës vjen edhe Shenjtorja e Madhe Shqiptare, Ulliri i Mirësisë Universale, Nënë Tereza Jonë e shekullit XX… Dhe këtë vepër humane e bëri Zenepe Luka, falë jo vetëm përvojës së gjatë si gazetare profesioniste e terrenit me 12.000 shkrime të botuara, si dhe shkrimtare e standardeve letrare, por, së pari, falë shpirtit të pasur e të bukur për të shpërndarë mirësi të tjerëve. Në shkrimtarinë e saj harmonizohet në standardet e kërkuara profesioni me pasionin, të cilat vërehen edhe në këtë vepër monografike shumë funksionale.

Kreu i parë i librit është panoramik përshkrues, ku Luka na rrëfen që Angjelina nuk lindi në një hapësirë të varfër, vatër pa zjarr, jo vetëm metaforikisht, por në vatrën e madhe bujare të Aranitit me histori, që kujtesa popullore e kohës e përjetësoi në këngë. Ndoshta me legjendën e këngës “Mara e Sopotit”, kushtuar Gjorgj Golemit, që risjell autorja, çelet cikli i parë i këngëve të epikës historike të popullit shqiptar. Autorja ka pasur fatin ta njohë nga afër dhe të marrë informacionet e duhura nga djaloshi i Bërzheshtës, intelektuali dhe mbledhësi i folkorit Shahin Zhari, që zbuloi e botoi i pari “Këngën e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”, qysh në vitin 1938, e cila më pas do të merrte dhenë. Luka na njeh me çfarë është thënë dhe si është përdorur si motiv në krijimtarinë artistike kënga “Mara e Sopotit”, për këngën me 61 vargje të Gjorg Golemit dhe figurën e Gjergj Arianitit në letërsi e arte.

Kreu i dytë thellohet dhe zgjerohet në trajtesën e figurës ndjeshmërisht plotësore të Angjelinës, me kujtimet e saj për familjen, fëmininë, për kohën që ishte në Arbëri. Marije Muzaka ishte nëna e paqtë, e bukur e fisnike e vogëlushes, që me kohë, do të hyjnizohej shpirtërisht, me gjak e frymë. Angjelina thotë se ishin 8 motra, por nuk u rritën bashkë. Martesën e Donikës me Gjergj Kastriotin e shikonte si shartim të fuqisë me fuqi, pra zjarri i ndezur shkon me zjarr të ndezur jo me zjarr të shuar. Këto janë kodet dokesore, e drejta zakonore, parimet morale, të trashëguara brezash, që vlejnë të përcillen si stafetë edukimi për familje të fortë e të shëndetshme. Me një gjuhë lakonike, sikurse në të gjithë tekstin, Luka të fut në situatë, të bën ta përjetosh ç’ka lexon, fjala vjen në një faqe ku ajo shkruan për 3 vëllezërit e Angjelinës të duket se ke lexuar 10 faqe, aq trishtohesh e pikëllohesh që ata nuk arritën të bëhen burra, me të cilët Arianitët mund të krenoheshin. Luka prodhon dhe urtësi aksiomatike, që vlejnë në sotmëri e ndoshta në çdo kohë, si “Frika është masa e fuqisë, dhimbja është masa e besimit”. Për këtë paraqitje, autorja mbështetet në libri “Rrëfime shpirti” të shkrimtares serbe Lilana Habjanovoq Gjuroviq.

Në kreun e tretë, jemi si në kinematografi, me lëvizje në kohë e hapësirë, futje të personazheve realë, në kërkim të gjurmëve të shënjtërimit, për të cilat, jo vetëm gjenetikisht kemi të drejtë morale t’i gjejmë, t’i nderojmë e të krenohemi me to, por..., por jo vetëm kjo altete e kulturës me emrin Zenepe Luka në ballë të Detashmentit altruist model pagëzuar me emërtimin “Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” mund ta realizojnë këtë ngjarje të madhe kulturore. Kthehemi në tekst, ku situata sa vjen e bëhet më emocionale në dëshira, vullnet, ndjenja dhe mendime, në profilizimin e karaktereve, në një formë që paraqitet sa konkrete dhe e gjallë, po aq afër të dhënave historike, fotografike, dokumentare e muzeale. Këtu kemi nisjen për në Vojvodinë të disa nerminianëve me dilema dhe ngarkesa të mëdha emocionale, takimet në Novi Sad, qëndrimi në Manastririn “Shën Angjelina” të Krushedolit, takimet në Beograd, imazhet sa entuziaste aq prekëse, mesazhet për paqe e dashuri mes popujve.

Kreu i katërt është gërmim në thellësi të historisë dhe legjendës së Arianitëve, në gjurmët e Angjelinës, që u shpall shenjtore e popullit serb, për të cilin autorja ka studiuar punimet e albanologëve Dhimitër Shuteriqi e Bardhosh Gaçe, të studuesve Valter Shtylla, Piro Prifti e Lufti Allia, apo të studiuesit serb Dusko Lopandiç për marrëdhëniet e dinastisë serbo-shqiptare në mesjetë, për cilësitë e larta morale të Shën Angjelinës, si pastërtinë e ngjitjes së jetës, mëshirën e durimin, mënçurinë dhe përkushtimin e gruas, sakrificën e nënës për paqe e dashuri, që ai i quan virtyte të krishtera të Shën Angjelinës.

Pasi lexojmë kreun e pestë ndihemi mirë, që Nënë Angjelina është e vetmja Shenjtore mes 40 shenjtorëve në kishën e Fan Nolit në Boston dhe nderohet nga popujt e shumë vendeve në botë, si në SHBA, Francë etj.

Interesant është kreu i gjashtë, ku jepet i dokumentuar aktiviteti human i Arianitëve dhe Kastriotëve për fe dhe për Atdhe, jepen letërkëmbimet reciproke të Skënderbeut me Sulltan Mehmetin në vitin 1461, i cili përveç vlerave njohës, shërben edhe si burim referencial bibliografik.

Në kreun e shtatë, që është edhe epilogu i librit kemi një mozaik të këndshëm e simpatik, ku, publicistika, intervista, eseja, poezia rrinë bukur si në gji të trëndafilit.

Angjelina arbërore, bija e gjashtë e Gjergj Arianitit të historisë apo Gjorgj Golemit të Epikës historike, për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse serbe dhe, tash e 500 vjet, prehet shenjtërisht në Manastirin e Krushedolit në Vojvodinë. S’kam ndërmënd të merrem me ata që shtrojnë pyetejen se nga ishte Angjelina etj., pasi i trajtova në Elbasan, por ndoshta duhet të theksoj se vetë autorja e këtij libri është një misionare vullnetare e Shën Angjelinës dhe nuk i përket vetëm një lokaliteti, një vendlindjeje gjeografikisht të ngushtë; ajo është një krijesë e veçantë ballkanike që i kalon përmasat europiane deri në Kinë... kuptojmë, se pika e dobët dhe frymëzimi i Lukës janë sopotaret me histori, është Golomarja e Gjorgj Golemit, që mjeshtërisht e përjetësoi në baladën e tij liriku ynë i shquar Koçi Petriti. E nëse poeti Koçi Petriti e përjetësoi nënë Marën, plakën Golomare, Luka e përjetësoi Shën Angjelinën jo vetëm për ta njohur ne, shqiptarët, pasardhësit e arbërve, por sidomos me synimin e ndikimi të fortë të shembullit të saj në edukimin e virtytshëm estetik të njerëzve, për të zhvilluar një shije të shëndoshë morale, qytetare mirëkuptimi, mirëshkuarje e mirëqënieje.

Mendoj se bota akademike na jep një mesazh kuptimplotë në këtë drejti. Kërkuesit shkencorë, pedagogët, profesorë të fushave të ndryshem, sidomos të shkencave humane të të dy vendeve, Shqipërisë ku lindi Angjelina dhe Serbisë ku prehet, kanë bashkëpunime të frytshme shkencore, që funksionojnë korrektësisht në vijueshmëri. Në rrafshin qytetar, ky libër thyen tabu, sepse nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm bota akademike stafetë miqësie. Antropologjiksht nuk ka: ca popuj të mirë, ca popuj të këqinj. Pa politikë të mirë dhe politikë të keqe, udhëheqës luftënxitës dhe udhëheqës paqedashës. Popujt janë popuj, janë të mirë si bashkësi, nuk kemi të drejtë të fyejmë kërkënd. Në shembull për t’u vlerësuar dhe për t’u përgjithësuar është pikërisht edhe ky libër, që prodhon miqësi e dashuri, marrëdhënie të ngrohta e fqinjësi të qetë dhe fluturon ndër shpirtrat njerëzorë si testament mirësie.

Kur ishim në Elbasan dhe Librazhd, në fund të korrikut me ata nerminianë që mundën të vinin me ne, shoqëruam Zenepen dhe vendosëm edhe ne nga një tufë me lule nderimi, atje ku prehet hyjnesha mokrare Zylfie Ymer Çekrezi, mëma dhe modeli i Zenepes, nëna e 8 fëmijëve, 40 nipërve e mbesave e 176 stërnipërve e stërmbesave. Në mermer, mbi portertin e nënës është shkruar: “Ti njeri, që kalon këndej, mësoje se jam nënë dhe për ty”.

Nuk po e citoj pa qëllim këtë epitaf mbi varrin e nënë Zylfies, sepse vetë Zenepe Luka është një nënë për të gjithë meritorët e kombit, për tërë dritanët e mirësisë edhe tej hapësirave shqiptare, sepse ajo ndërton ura miqësie, nuk ngre mure armiqësie; nuk i than por i lulëzon kopshtet e mirëkuptimit e mirëshkuarjes midis vëllazërive të mëhallës së Ballkanit. Po nuk e kuptuam këtë mision të lartë që duhet të realizojmë - mjerë ne, se bota ngroh duart, kur ne si fqinjë jetësorë me njëri-tjetrin grindemi, mbajmë mëri sherrnajash e më keq vritemi e pritemi, sikur do të marrim gjë me vete, kur të ikim, e, fatkeqësisht, duke harruar mesazhin kuptimplotë të Aleksandrit të Madh para frymës së fundit.

Edhe pse “Angjelina Arianiti Komneni - Shpirti i shenjtë i Arbërisë”, është libri i 19-të i autores, që botohet me rastin e 500 vjetorit të ndarjes nga jeta të Shenjtores shqiptare, e panjohur dhe e pavlerësuar në vendlindjen e saj, në vitin e 18 të kryesimit nga ana e saj të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Luka nuk resht së punuari, ajo studion, shkruan, shpërndan mesazhe mirësie për njerëzit, për t’u përmirësuar, për t’u zbukuruar në shpirt në menbdim, në veprim. Po ne ç’po bëjmë për Zenepen? Edhe në Elbasan e trajtova pak, ku ndër të tjera, në Elbasan thashë: “Jo thjesht miqësisht, bijën tuaj dhe qytetaren tonë e quaj “kokëforta e kombit”. Për përkushtimin qytetar dhe atdhetar shembullor, jo shfaqur për dukje, po thelbësisht mirëshuar në udhëtimin gati gjysmë shekullor fushave, kodrave, shtigjeve, shkrepave, honeve dhe majave të Gazetarisë së Terrenit dhe Letërsisë shqiptare, shpreh dëshirën, që nga ky takim simbolik e domethënës të formulojmë propozimin drejtuar Presidentit të Republikës, që E Hekurta e Synimit, Zenepe Luka të dekorohet me Urdhërin e Artë “Nderi i Kombit”, titull i lartë ky, i cili u jepet qytetarëve shqiptarë që me veprat dhe emrin e tyre nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit”. Në vijim kam folur me Zenepen për plotësimin e duhur shkresor. Ajo s’do e ne ia njohim kokën; nuk bën asgjë për vete, bën për të tjerët. Këtu në Vlorë, po e rikujtoj jo thjeshtë si një dëshirë tonën, por si një deturim që kemi ndaj Zenepe Lukës. Është mirë të bëhen tre propozime dhe t’i nisen zyrtarisht Presidentit të Republikës. Një do ta përgatis vetë me miqtë e mi krijues në qytet, duke patur statusin shoqëror të kryetarit të shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. Duhen dhe dy të tjerë. Nuk ka pse vonojmë. Zenepja i ka dhënë shumë kulturës shqiptare dhe sidomos nderimit të figurës përmasore të femrës shqiptare.

Faleminderit!

Vlorë, e shtunë, 17 tetor 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat