Kujtimet e mjekut Rakip Gjoni: Si plasi sherri në PS në 2001, midis drejtuesve kryesorë të saj, kur Ilir Meta ishte Kryeministër

Kultura

Kujtimet e mjekut Rakip Gjoni: Si plasi sherri në PS në 2001, midis drejtuesve kryesorë të saj, kur Ilir Meta ishte Kryeministër

Nga: Albert Zhigoli Më: 22 tetor 2020 Në ora: 18:51
Kopertina Rakip Gjoni

- Tepelenasit i kërkuan Nanos të mos ofendonte bashkëfshatarin e tyre, Gramoz Ruçin, me origjinë nga Salaria

- Flitej që Gramozi po punonte për Ilir Metën, që përveç postit të Kryeministrit, të bëhej dhe Kryetar i PS-së

-Fatos Nano filloi katarsisin në Ballsh ku e takova për herë të parë me deputetin Nazmir Bilani

- Nga Mallakastra ishte deputeti Kastriot Islami, i cili e shoqëronte Nanon që nga Tirana.

- Nano ishte shumë i acaruar e fliste me mllef për pjesën tjetër të udhëheqjes që nuk i bindeshin

-Në Tepelenë pronari lokalit, Bashkimi, solli xhinin, akullin, limonin, tonikun dhe një qese bajame për Nanon

- Deputetët që s’erdhën Nano i shau, siç shajnë shqiptarët, vënçe, më çuditi ai fjalor s’u besoja veshëve

- Ky fjalor u përdor edhe në një takim të rastësishëm midis Nanos dhe kryetarit të komunës së Lopësit në Tepelenë.

- Kryetari i Lopësit ju përgjigj Nanos po me atë fjalor, sa ne shtangëm

- Nano iu vërsul kryetarit të partisë së rrethit Tepelenë, duke e shar ë dhe e fyer për punën e dobët të tij

Në kohën kur Partia Socialiste kishte divergjenca të mëdha në gjirin e saj, sidomos midis drejtuesve kryesorë të saj, e kur Ilir Meta, Kryeministër, donte të bëhej dhe

kryetar i Partisë Socialiste, plasi sherri e Fatos Nano filloi katarsisin. Ditën e parë Z. Nano erdhi në Mallakastër, në Ballsh. Deputeti, miku im, Nazmir Bilani nuk mori shoferin e

tij atë ditë, por më kërkoi të shkonim bashkë në Ballsh. Unë në atë kohë punoja në prefekturë e banoja në Fier.

Në shkurt të vitit 2000 u transferova nga Patosi me banim në Fier.

U nisëm me makinën e Nazmiut nga Fieri në orën 09.00 e përfunduam në Ballsh në orën 9.30. Takimi fillonte në orën 10.00. Futemi brenda në një sallë jo të madhe. Brenda saj ishin prezent jo më shumë se 100 vetë. Ishin prezent tre deputetë të qarkut të Vlorës, tre deputetë të qarkut të Fierit, por me banim në Lushnje dhe dy deputetë të Fierit: Petro Koçi dhe Nazmi Bilani, miku im. Nga Mallakastra ishte deputeti Kastriot Islami, i cili e shoqëronte Nanon që nga Tirana. Për deputetët ishin lënë bosh karriget e para. Unë që të ruaja pak veten, mos të më merrnin kamerat, gjeta një karrige në rreshtin e parafundit. Kjo edhe për faktin se ishin prishur disi marrëdhëniet

e mia me prefekt Platonin dhe nuk doja të merrte vesh ai që po shoqëroja Nanon. Prefekti në atë betejë ishte pro Ilir Metës, sigurisht se Iliri ishte Kryeministër, dhe e largonte nga posti i prefektit brenda minutës nëse nuk mbante krahun e tij. Kjo ishte dhe është politika e këtij vendi, më jep të jap dhe jo kush e bën punën. Pra bëhet pazar, sa do më japësh mua që të të çoj në atë karrige. Në një çast Nazmiri ishte ngritur në këmbë e ma bënte me dorë që të shkoja në rresht të parë, ku po mbante një karrige bosh për mua. Jo, ja bëra me shenjë, të sqaroj kur të dalim nga takimi. Reporterët e Fierit i njoftova që të mos më filmonin mua. Ata ranë dakord dhe nuk më filmuan. Problem e pata me reporterët e Tiranës, nuk m’u ndanë, megjithëse isha ulur nga fundi i sallës. Megjithëse i njoftova që të mos më merrnin në kamera se ashtu e kam hallin, ata më filmuan duke më thënë se është puna e tyre, cilin duhet e cilin nuk duhet të filmojnë. Ata më filmonin se unë isha i veshur me kostum të zi, këmishë të bardhë e kollare të kuqe. Fytyra ime e bardhë nuk u jepte version që unë të isha nga qyteti i Ballshit, e ata sigurisht duan fytyra sa më të plota e më karizmatike.

Mbledhja vazhdoi një orë e gjysmë. Nano ishte shumë i acaruar e fliste me mllef për pjesën tjetër të udhëheqjes që nuk i donte. Në takim e morën fjalën disa nga deputetët që përfaqësonin katarsisin si dhe diskutuan përfaqësues nga Partia Socialiste e Ballshit.

Në takim foli dhe Kastriot Islami ku mbështeste hapur mendimet e shokut Nano. Mbas takimit, përfaqësuesit e Ballshit kishin përgatitur drekën sipas zakonit mallakastriot që mikut i jepen dy kafshata bukë. Nano kishte marrë me vete gruan e tij të re, Xhoanën, e cila në drekën që ishte shtruar qëndronte në krah të djathtë të Nanos. Dukej zonjë grua, bukuroshe, bardhoshe, me flokë të zinj e shumë të gjatë, nuk fliste pothuajse fare, dëgjonte dhe shikonte me vëmendje. U ulëm me Nazmirin nga mesi i tavolinës që ishte ngritur në formë U. Nazmiri pa filluar mirë dreka më informoi se Nano ushqehet shpejt dhe ngrihet, të lë pa ngrënë drekën, prandaj ha shpejt e mos u vono.

Këshilla e Nazmirit ishte e saktë.

Nuk vonoi as një orë e Nano u ngrit se do të vazhdonte rrugën në drejtim të Tepelenës. Filloi të takohet me njerëzit duke i falënderuar për prezencën. Kur ofrohet te Nazmiri dhe unë pranë tij për të na dhënë dorën, Nazmiri e pyeti: Çfarë duhet të bëjmë ne Z. Nano?

Për çfarë ke ardhur ti? - ia priti ai…

Për ty, - i thotë Nazmiri.

Më shoqëro në Tepelenë, - i thotë Nano.

Aty ndërhyra dhe unë duke i thënë: Vazhdo shef se po vijmë pas teje për në Tepelenë.

Dolëm nga lokali, i hipëm makinës që e përdorte Nazmiu e mbërritëm në Tepelenë.

Unë deri në atë kohë nuk kisha patur ndonjë takim kaq afër me Nanon.

Mbërritëm te lokali i Bashkim Patës, në hyrje të qytetit të Tepelenës, i cili ndodhej në krahun e djathtë të rrugës nacionale para se të kalosh një urë e të futesh në qytetin

e Tepelenës. Ishim pesë minuta më vonë nga makina e Nanos. Ata kishin shkarkuar bagazhet e Xhoanën, se do e kalonin natën aty, e të nesërmen do të udhëtonin për në Delvinë e Sarandë. Lokali në pronësi të Bashkimit, ishte ndërtesë një katëshe me dy dhoma papafingo mbi të, disi i madh, me një hapësirë të madhe lulishteje, e mbjellë me pemë, lule e trëndafila që dukeshin qartë. Për ne ishte përgatitur një tavolinë jashtë lokalit, në verandë. Në anën e majtë të tavolinës u ul Z. Nano dhe mbi të u ul kryetari i bashkisë të Tepelenës. Në të djathtë të tavolinës u ula unë që përkonte përballë Nanos, mbi mua u ul Nazmiri dhe poshtë mua u ul kryetari i partisë të rrethit Tepelenë. Shikoja që zoti Nano më vështronte me vëmendje, me bisht të syrit, poshtë atyre syzeve si të Beries, ish-ministrit të brendshëm të Bashkimit Sovjetik. Kjo ndodhte nga që nuk më njihte e kurkush nga të pranishmit nuk më bëri prezantim se kush isha. Bashkimi, pronari i lokalit, nuk më njihte dhe kur më pa të veshur mirë, mendoi se unë isha deputet nga ata që po shoqëronin Nanon.

Nuk vonoi shumë dhe Bashkimi solli xhinin, akullin, limonin, tonikun dhe një qese bajame për Nanon. Vazhdoi të njëjtën gjë dhe për mua. Në qerasjen që pruri për të tjerët nuk kishte bajame dhe u solli lajthi me lëkurë të zezë. Pasi u bë takimi i gotave dhe urimi që z. Nano të fitonte nga kjo betejë që kishte nisur, ai iu drejtua Nazmirit: ku janë ata deputetët e tjerë që ishin me ne në Ballsh. Nuk komunikova me ata, - i thotë Nazmiri, se hipa menjëherë në makinën time për të mos u vonuar se ju ikni shpejt. Nano shau, siç shajnë shqiptarët vënçe, por për mua që nuk kisha të njohur me të më çuditi ai fjalor. Ky fjalor u përdor edhe në një takim të rastësishëm midis Nanos dhe kryetarit të komunës së Lopsit në Tepelenë. Edhe ky u ndodh rastësisht aty e ishte i dehur. Shkëmbyen të dy sharje shumë banale midis njeri-tjetrit, por ardhja e Bashkimit bëri që kryetari i Lopsit të largohej duke sharë përsëri. Menjëherë pas largimit të kryetarit të Lopsit, Nano iu drejtua kryetarit të partisë së rrethit Tepelenë, duke e sharrë dhe e fyer për punën e dobët të tij, ose siç dukej dinte që për problemin në fjalë, kishte firmosur te emrat që ishin dakord me Ilir Metën. Kur ra pak qetësia unë iu drejtova Z. Nano.

-Shef, ka mundësi të shfaq një mendimin tim personal.

-Po, - tha ai, fol.

-Mendoj që është në të mirën e punës së partisë, që kush ka qenë deputet në dy legjislatura, të mos kandidojë më. Partia duhet të mbajë një bërthamë deri në 10 deputetë në qendër si senator. Kjo do të bëjë që ne të tjerët që militojmë te kjo parti, të na jepet mundësia të bëhemi deputetë, e ky zinxhir të vazhdojë. Anëtarët e partisë si dhe simpatizantët do të kuptojnë që po punove do të shpërblehesh, sepse partia është një forcë politike ku njerëzit që përfaqësojmë atë, kanë të drejta të barabarta. Kuptohet që kush nga deputetët ka kaluar dy legjislatura përfiton të gjitha të drejtat që kanë deputetët. Pasi më dëgjoi me vëmendje, si duket nuk e mendonte që një i panjohur për të, të fliste kaq hapur, por nga mimika kuptova që më dha të drejtë. Për çudi ai as nuk më pyeti kush isha, ku jetoja, ku punoja. Faji ishte i Nazmirit që duhet të më prezantonte, por si duket Nazmiri nuk donte që dhe unë të njihesha nga Z. Nano se kush isha dhe ku punoja.

-Po ke të drejtë, duhet ta shikojmë dhe këtë variant, - tha Nano.

Në shtëpinë e kulturës Tepelenë

Qëndruam aty jo më shumë se 20 minuta, u ngritëm dhe secili në makinat tona u nisëm për në Tepelenë, në shtëpinë e kulturës. Mua me Nazmirin na ulën në rreshtin e parë, sepse panë që po shoqëronim Nanon, e sigurisht menduan që jemi deputetët që po e shoqërojmë. Hymë brenda në sallën rreth 300 vendëshe, ku brenda saj ndodheshin rreth 50 veta. Gjatë takimit u pa që kishte dhe nga ata të P.Demokratike, për të cilët po kërkohej të dilnin përjashta sallës, por Nano kërkoi që të rrinë, se nuk na prishnin punë. Si në Ballsh dhe këtu në Tepelenë, reporterët e Tiranës na filmuan bashkë me Nazmirin, se ishim të dy buçko dhe bardhoshë. Debati në Tepelenë u krijua shumë i ndezur dhe I tensionuar nga drejtuesit e partisë së Tepelenës. Ata i kërkonin Nanos të mos ofendonte bashkëfshatarin e tyre, Gramoz Ruçin, me origjinë nga Salaria e Tepelenës.

Në atë kohë komunikimi i Nanos me Gramozin, ishte ndërprerë. Flitej që Gramozi po punonte për Ilir Metën, që përveç postit të Kryeministrit, të bëhej dhe Kryetar i Partisë Socialiste. Mbas takimit në Tepelenë, unë e Nazmiri donim të largoheshim se po errësohej e duhet të ktheheshim në Fier. Nano këmbënguli që të hanim darkën pastaj ishim të lirë. Darka u shtrua në lokalin e Bashkimit. Në darkë ishin prezent 10 persona, unë, Nazmiri, Nano, Bashkimi dhe gjashtë persona nga Tepelena. Nga këta të gjashtë tre i njihja e më njihnin, ndërsa tre të tjerët nuk i kisha takuar më parë. Në krye të tavolinës u ul Nano, majtas tij kryetari i bashkisë, djathtas Bashkimi. Më poshtë Bashkimit vinte

Nazmiri e më poshtë Nazmirit u ula unë. Tepelenasit ishin ulur më poshtë Kryetarit të Bashkisë e më poshtë mua. Personi që kishte sponsorizuar darkën ishte një officer ushtrie i liruar, e tani ishte biznesmen. Ky ishte Qani Danaj që më vonë u bëmë shumë shokë, e takoheshim vazhdimisht, kur ai vinte në Fier e më vonë në Tiranë ku unë u transferova me banim, por edhe kur unë kaloja në Tepelenë. Pa filluar darka Nano pyeti Bashkimin se ku ishte Xhoi.

Bashkimi i tha se ishte shtrirë, po flinte.

-Ngrije, - tha Nano.

-Jo, - i tha Bashkimi, na lërë rehat që të bisedojmë si burrat. Vura re si në Ballsh dhe aty në Tepelenë, Nano konsumonte shumë ushqim. Kjo ndoshta nga ngarkesa. Ai fliste gjithë ditën për t’u mbushur mendjen anëtarëve të partisë se ai kishte të drejtë e duhet të ishte patjetër kryetari i partisë. Darka vazhdoi gjatë, por mbas dy orëve Nazmiri i kërkoi leje Nanos për t’u larguar se kishim rrugë për të bërë, për t’u kthyer në Fier, ku banonim. Nano iu drejtua Nazmirit duke i thënë: “Kam dëshirë që unë dhe ju të dy të shkojmë bashkë nesër në Sarandë dhe Delvinë, sepse kam planifikuar axhendën e takimeve në këto qytete”.

“-Me shumë dëshirë, - ia kthen Nazmiri, - por nuk vij dot se nesër kemi mbledhjen e komisionit të ekonomisë e unë jam N/Kryetar i komisionit. Duhet të jem patjetër në

takim”. -Atëhere mund të largoheni, - tha Nano. I dha dorën Nazmirit e duke më dhënë mua dorën më tha: “Të falënderoj për shoqërimin që më bëre”. Asgjë,- ia kthej unë, e kemi për detyrë. U takuam edhe me shokët e tjerë, dolëm nga lokali, hipëm në makinë dhe u nisëm për në Fier.

Pas një dite të shoqërimit tim me Nanon, më thërret prefekti, Platoni në zyrën e tij e më thotë:

-Çne ti që shoqëron Nanon? Je parë në media që ke qenë në Ballsh dhe Tepelenë?

I them se kam të bëj me të larg e larg dhe se më kishte kërkuar ai, jo se doja të shkoja vetë.

Rri rehat, - më tha, se do të më kërkojnë nga lart për të hequr nga puna e unë nuk të mbaj dot më gjatë. Janë halle të mëdha këto që po luhen, shiko hallin tënd… Ti e di që

këta mallakastriotët, myzeqarët e vllehtë nuk të kanë qejf se je lab, ashtu si nuk më kanë qejf dhe mua që jam nga Vlora. Jo më shumë se dy ditë që unë isha parë në media duke

shoqëruar Nanon, kur po dilja nga prefektura për një kafe me një mik, tre nga anëtarët e kryesisë të partisë së rrethit Fier, me origjinë myzeqare dhe mallakastriote, më takojnë e më thonë: -Pse nuk na lajmëruat dhe ne që do të vinte Z. Nano në Ballsh?

Unë duke ditur që ata nuk më kishin qejf se isha shumë më lart se ata nga profesioni, mendimet, intelekti, ngritja politike, komunikimi, personaliteti që kisha krijuar, serioziteti, paraqitja serioze në veshje, vendi ku punoja etj., ju përgjigja duke u mburrur si lab që jam madje: -T’ju them të drejtën Nano kishte kërkuar mua dhe Nazmirin nga Fieri që ta shoqëronim, dhe ne e shoqëruam, për të tjerat nuk di gjë. Ata të tre nuk e donin veten, ishin të tre kryetarë partie në tre komuna dhe e mbanin veten si garipa të partisë. Sigurisht që unë nuk prisja fjalë të mira mbrapa krahëve nga këta. E kishin shprehur kudo që unë isha lab i fortë dhe që nuk kisha dëshirë të shoqërohesha me ta. Njëri nga këta ishte personi që Nano i sugjeroi për të më votuar mua në kryesi për prefekt. Ata me ligësitë e tyre zgjodhën një shokun e tyre që kishte kontribut partiak më shumë se unë, ishte më afër

Nanos dhe ishte mallakastiot. Ky ishte Baftjar Zequa, që ishte kryetari i partisë socialiste të Rrethit Fier. Gjatë vazhdimit të punës në prefekturë dëgjova se Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetit Publik Fier do të largohej nga kjo detyrë për t’u emëruar në detyrë tjetër. Për kë arsye shkova te prefekt Platoni dhe i them: -Siç e dini, unë jam planifikuar për disa vende pune drejtuese dhe nuk kam mundur të shkoj dot tek asnjë. Kam dëgjuar se Drejtoresha e Shëndetit Publik do të lëvizë me dashjen e saj për në një vend pune tjetër.

Ai, me zgjuarsinë që kishte, por dhe me njohjen që zotëronte për të gjithë drejtuesit e drejtorive që mbuloheshin nga prefektura, me qetësi si e kishte zakon, më thotë:

-Nuk ikën ajo, Rakip, i hap vetë llafet, e pret çfarë do të flasin njerëzit për lëvizjen e saj.

-Po të iki ajo, të jap fjalën se do të të çoj ty pa tjetër, por unë të them që ti me bagazhin dhe përvojën që ke nuk je për atë vend pune, je për më lart. Megjithatë këtu do jemi

e do të flasim. Vërtet ashtu ndodhi, si tha Platoni, personi në fjalë nuk iku në ndonjë vend tjetër pune, qëndroi edhe për një kohë të gjatë, lëvizi pas dy vjetësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat