Isak Ahmeti - krijues dhe studiues i dalluar shqiptar

Kultura

Isak Ahmeti - krijues dhe studiues i dalluar shqiptar

Nga: Don Lush Gjergji Më: 23 tetor 2020 Në ora: 12:17
Don Lush Gjergji

Me prof.Isak Ahmetin me lidhë shumëçka  që nga fëmijëria dhe rinia në Stubëll, udhëtimet e mundimshme dhe të rrezikshme" këmbësore" në Viti, pastaj në Zhegër dhe më vonë në gjimnazin klasik "Rudjer Boskovic" në Dubrovnik.  Ndërkaq më vonë bashkëpunimi ynë shumë i frytshëm, miqësor dhe vëllazëror, u thellua dhe fisnikërua, veçmas nëpërmjet revistës tonë fetare dhe kukturore "DRITA", e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe asokohe. Po ashtu, kemi bashkëpunuar shumë në fushën e botimeve duke përgatitur libra të ndryshëm të botuar nga Shtëpia Botuese "Drita". Pra , prof. Ahmeti ka ndihmuar në përgatitjen dhe lekturimin e teksteve për botime të librave  tona, atëherë kur njerëzit "strukeshin" nën petkun e ideologjisë dhe politikës...

Kjo miqësi, vëllazëri dhe bashkëpunim vazhdon gjithnjë, dhe është dëshmi e mirë  dhe e sigurt se atë e kemi ndërtuar në themele të forta, siç do thoshte Jezusi në "shkëmb", që i përballon stuhitë e kohës dhe rrethanave dhe vazhdon tash dhe në amshim.

Prof.Isak Ahmeti, për mendimin dhe vlerësimin tim, është së pari krijues i mirëfilltë, poet "me damar"-frymëzim dhe me profesion-mision, që të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, ia ofron dhe dhuron publikut tonë të gjerë shqiptar, por edhe botës

Prof.Isak Ahmeti shquhet edhe në fushën e përkthimeve, duke ndikuar kështu në lidhjen kulturore e letrare mes shqiptarëve dhe botës perëndimorë.

Në veprën e tij të pasur kulturore e letrare, ai ka transmetuar vlera të mirëfillta poetike dhe virtyte të dalluara njerëzore dhe të krishtera sot.

Përgatitja e tij klasike si dhe puna e palodhme me dekada, e bëjnë Prof.Ahmetin edhe studiues të traditës  tonë të stërlashtë ilire- arbërore-shqiptare. Mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe dhe penda e tij e mprehtë hetohet në çdo varg apo rresht, në çdo shkronjë apo faqe, në stil unik karakteristik, që e bëjnë atë krijues dhe studiues të dalluar shqiptar.

Marjan S.Sopi, nëpërmjet intervistave depërton në thelbin e frymëzimit dhe të krijimtarisë letrare dhe studimore duke na zbuluar dhe ofruar Prof.Isak Ahmetin-Njeri, Poet dhe Studiues, që lehtëson dhe mundëson shijimin dhe leximin e veprave të tij në kontekstin njerëzor dhe përmbajtjesor.

Falënderoj Marjan S.Sopin për punën dhe mundësinë që na jep  që për së afërmi të takohemi, shoqërohemi dhe bashkohemi në synimet që krijimtaria e Isak Ahmetit të zbukurojë jetën dhe përditshmërinë tonë, ndërsa studimet dhe botimet e tij t'i pasurojnë mendjet   dhe zemrat e lexuesve, bibliotekat shtëpiake dhe institucionale.

Prof.Isak Ahmetit, Mikut dhe Vëllaut të kamotshëm shëndet, vullnet, frymëzim,  kënaqësi, lumturi në jetë dhe krijimtari!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat