Romani që gërsheton mozaik idesh, imazhesh dhe refleksesh

Kultura

Romani që gërsheton mozaik idesh, imazhesh dhe refleksesh

Nga: Mikel Gojani Më: 24 tetor 2020 Në ora: 11:46
Kopertina e librit

-Disa aspekte rreth romanit të shkrimtares së mirënjohur, Violeta Allmuça me titull: “Dashuria vjen nga jugu”.

Sot, brezi i shkrimtarëve të letërsisë shqipe, të cilit i takon shkrimtarja dhe studiuesja Prof. Violeta Allmuça, ka disa veçanti që letërsinë tonë e bëjnë mjaft të pasur nga shumë aspekte. Me këtë rast duhen potencuar interesimet tematike, që janë më të pasura se në të kaluarën, sepse tani nuk i nënshtrohen diktimit të ideologjisë, por marrin përmasa shumëdimensionale. Prandaj, interesimet motivuese dhe tematike te këta shkrimtarë janë, në mos më të gjera, atëherë gjithsesi më specifike dhe jashtë rrethit tematik. Teknikat dhe mjetet e manifestimit artistik janë po ashtu shumë më të gjera, duke ngërthyer në vete përvojën e procedimeve artistike, si te letërsia e formës së shkurtër (poezisë), po ashtu edhe të formës së gjatë. Në të gjitha këto veprime artistike që për letërsinë ishin dhe janë një thyerje, siç është bërë zakon të thuhet, shkrimtarja dhe studiuesja Allmuça duket se është mbërthyer brenda këtij rrethi, mbase, paragjykoj se ka shkuar më larg se të gjithë shkrimtarët e tjerë të brezit të saj. Këtë bindje e kam dhe lirisht mund ta shpreh nga leximi i veprave të shkrimtares Allmuça duke u njohur nga afër edhe me profilin e saj krijues, prej një shkrimtareje me vlera të mirëfillta, sidomos në formën e vargut të gjatë, gjegjësisht të zhanrit të romanit.

Shkrimtarja Allmuça ka një opus të pasur letrar. Ka shkruar romanet: “Era e pasionit” roman 1995, Bestseller, ribotuar disa herë, “Zonjusha në mjegull” roman 1998, “Julia”, roman, “Dashuria vjen nga jugu” roman Bestseller, 2010, “Sytë e natës” poezi, 1994, “Jetoj me zjarrin” poezi, 2000, “Vallëzimi i frymës”, poezi, 2015, përkthyer në anglisht, spanjisht, rumanisht etj. Në publicistikë ka shkruar librin, “Zë gruaje”, përkthyer anglisht, italisht, me intervista gjatë luftës në Kosovë. Shkrimtarja, studiuesja dhe eseistja e shquar, Violeta Allmuça, kohë më parë iu ka dhuruar lexuesve romanin me një titull mjaft metaforik, “Dashuria vjen nga jugu”.

Këtë roman tepër të veçantë dhe me vlera të mirëfillta shkrimtares Allmuça, e lexova me përkushtimin më të madh dhe sinqerisht t’ju them të vërtetën më ka lënë përshtypjet më të thella, si nga aspekti i vlerave motivuese, po ashtu edhe të atyre artistike. Prandaj shpreh mendimin tim, përmes këtij romani, proza e prozatores Allmuça duhet të zërë vendin më kulmor në letërsinë shqipe. Prozën e kësaj shkrimtareje do ta krahasoja me prozën e shkrimtarëve më elitarë të letërsisë sonë. Pra, edhe pse si një e prozatore e brezit ta mëvonshëm, këtë prozë do ta vendosja me prozat e shkrimtarëve, si me atë të Priftit, Pashkut, Cergës, Laços, Lerës, Kongolit, Çelës, Tozajt, Bashës, Ramadanit, Krajës etj.

Subjekti tematik i romanit është interesant dhe që të përvetëson të tërin qysh nga faqja e parë e deri tek e fundit.
Për vlerat e këtij romani janë shkruar dhjetëra vlerësime, recensione e studime dhe nga të gjithë kritikët e vlerësuesit romani ka marrë vlerësimin më admirues që do të ishte i mundshëm.
Duke shkruar me profesionalizëm dhe plot kompetencë për vlerat e këtij romani, kritiku i mirënjohur, Prof. Dr. Adriatik Kalluli, shprehet se romani i shkrimtares Allmuça me titullin e romanit intrigues “Dashuria vjen nga jugu”, vjen pas gjashtë librave të tjerë të suksesshëm në prozë e poezi. Gjithë-gjithë 190 faqe, romani lexohet me një frymë, qoftë për rrjedhshmërinë atraktive të mënyrës së të shkruarit, më shumë akoma, se kapitujt e parë të përfshijnë në një rrëfim misterioz që s’të le ta heqësh nga dora. Ka mijëra libra në botë që nuk i lexojmë me prirjen e ngahershme: ”ç’do të thotë më tutje, si do të vejë filli i ngjarjeve, sepse hasim në çdo faqe të re një substancë të qëndrueshme meditative; zhbirime që na pëlqejnë, na ngjitin dhe na ndezin diskutimin vetjak”, shprehet kritiku Kalluli, i cili në vijim shpalos tablo nga ngjarjet dhe figurat që zhvillohen në roman, duke sublimuar mendimin se figurat e përdorura për to janë në kontrast me ngjyrimet humane. “Bota ende nuk ka mundur të gjejë veten reale, dhimbjen dinjitetin dhe vlerësimin e qenies së gruas. Kjo domethënie përçon gjithë romanin, i cili është një nga arritjet e suksesshme të autores, një afirmim i saj drejt prozës universale”, vlerëson kritiku Kallulli.

Ndërkaq studiuesja e re dhe mjaft kualitative, Dr. Alisa Velaj, ndër të tjera shprehet: “Njeriu nuk lexon një përmbledhje mendimesh, por një rrëfim, një libër të trilluar”. Kjo thënie e Todorovit të ndërmendet sapo mbaron së lexuari romanin “Dashuria vjen nga jugu” të shkrimtares dhe poetes Violeta Allmuça. Autorja i ka sjellë lexuesit një rrëfim të mrekullueshëm, ku loja mes trillit dhe të vërtetave sintetizohet në një harmoni fatlume, në një rrjedhë natyrale, larg çdo artifici për hir të formës, apo për hir të ideve”, pohon Dr. Velaj, e cila në vijim po ashtu konstaton studiuesja Velaj, “Romani frymon në dy linja rrëfimore, të cilat fillojnë e rrahin drejt një pike të vetme për lexuesin. Përshkrimet e shpeshta në roman janë përherë në funksion të rrëfimit dhe pikërisht në këto përshkrime me një gjuhë thellësisht poetike, gjendet dhe karremi narratologjik që ndihmon lexuesin të ndërtojë në vetëdijen e tij, atmosferën e plotë të dramës dhe lumturisë që shpalos autorja Allmuça. Në të dy linjat rrëfimore drama dhe lumturia përkëmbejnë njëra-tjetrën si në skenat e një teatri absurd. Ekzistenca e personazheve protagonistë dhe personazheve dytësorë përcaktohet nga prania e dashurisë, ose nga mungesa e saj (lindja e fateve tragjike”), thekson ndër të tjera studiuesja Velaj.

Romani , “Dashuria vjen nga jugu”, është një prozë të cilën përpos vlerave motivuese dhe përmes figurave stilistike e metaforave të shumta i japin shpirt dhe jetë kësaj proze. Një vlerë të tillë estetiko-artistike mund ta takojmë vetëm tek proza e ndonjë romancieri të mirënjohur të rangut të Nasi Lerës, Zija Çelës, Kongolit... Figurat stilistike, rrëfimi dhe larushia e temave dhe motiveve, të lënë gjithmonë në pritje të diçkaje interesante, me imtësinë e zgjedhjes së fjalëve, dialogët e kursyer, personazhe për të cilët dimë aq pak së jashtmi, por aq shumë së brendshmi.

Në romanin”Dashuria vjen nga jugu” të Allmuçës, shfaqen personazhe të shumtë të cilët njëherësh edhe mbartin strukturën e subjektit, si Henri Berger, Dalina Heta, Marie, Martini, Tom Sela, Lina, Roni Tresa, Maks Berger, Dora, Vera Broja, Maksi, Nikollë Lisi etj. Romanin qysh në fillim e deri në fund e përshkojnë rrëfime dhe ngjarje tepër atraktive dhe shumë interesante. Dashuria, është bazament qenësor i subjektit të romanit. Romani hapet me rrëfimin e një historie dashurie gjatë udhëtimit, në një tren nate të linjës Edinburgh-Londër” në mes të Dalinës dhe Henrit, për të kremtuar festat e fundvitit. Dalina gjatë atij udhëtimi dashurohet me Henrin , i cili ishte një udhëtar i rastit i sapodiplomuar në arkeologji. Dalina ishte një intelektuale që dëshiron t’u mbetet besnike ndjenjave të saja. Ajo e admiron gjithë botën dhe beson se bota do të bëhet më e mirë nëse vërtet ngadhënjen dashuria. Më konkretisht, hallka e ngjarjeve fillon me dilemat e Dalinës mbi një lidhje të paparamenduar dhe të rastit, pra krejtësisht spontane, e sapofilluar e cila finalizohet gjithashtu po me Dalinën, si triumfuese, gjegjësisht një ngjarje që mbyll lajtmotivin e rrëfimit.

Atë të premte të akullt dhjetori Dalina nuk mundi të kujtonte asgjë të qartë. Në trurin e saj, mendimet e bëra lëmsh lëviznin si insekte mbi kurriz të njëra-tjetrës. Iu duk se po humbte kujtesën. Vargmalet e ulëta i rrethoi errësira. Ajo lëmonte duart e saj të rrethuara nga hijet delikate. Është kohë e shkurtër, tha me vete. Zemrën e kam lënë tek ai. Do të më kthehen njëherësh. Të dy qenë krejt të pafajshëm. Diçka kalimtare në kohë, si koha e erës. Ose marrëzi ! Në një tren nate, të linjës Edinburgh - Londër. Me Henrin i sapo diplomuar për arkeologji. Ishte fundi i një ditë nate pa rrënjë. Në ag u sillej para syve rrethi i mungesës. Bënë dashuri pa u njohur. Ndiqte secili ndjenjën e vet. Henrit i ngjante me një të njohur të vjetër. Madje i dukej sikur po takoheshin për të njëqindtën herë.

-Më ngjan me dikë, - i tha para se të ikte. - Me një fytyrë dashurie. Ndoshta jemi parë edhe herë të tjera. Madje jo rastësisht jemi këtu. As nuk i kemi munguar njëri-tjetrit. Tani nuk po ikën, tani po vjen. Gjithnjë të kam menduar si të njohur, të arritshme. Kam udhëtuar me trenin e natës për të qenë pranë teje. Dhe ja më në fund… Jemi të dy… What is your name? -My name is Dalina Heta.

- My name is Henri Berger.

- Çudi, - vazhdoi Dalina. - Mos ngjaj me ish të dashurën tënde? - Është e drejta e secilit të kërkojë dashuri, - vazhdoi ai i qetë, të jetojë, pse jo edhe të gabojë. Ndryshe qenia njerëzore nuk mund të ndjehet e gjallë.

Agu dalëngadalë po fshinte natën me dritë. Ajo u ndje keq. Ndoshta mbetej dëshirë e përkohshme. Kurrë nuk i pëlqenin aventurat. Henri përkundrazi e quajti atë njohje një mrekulli.

- Do të më mungosh, - i tha ai para se të zbriste në stacion.

- Shihemi së afërmi, - ia ktheu ajo e heshtur. I besoj dashurisë.
- Ti gjithmonë do të jesh tek unë, - iu drejtua ai teksa e përqafonte. Kam një ndjesi të brendshme që më thotë se nuk do të ndodhë ndryshe. Do të jesh afër meje trup edhe shpirt.

Sinjali i tërheqjes, shfaqej pa asnjë shenjë ndarjeje, ashtu si qashtërsia e pamjes në mëngjes. Ndodhte vetëm njëherë në jetë, siç ndodhte edhe harresa. Secili kishte origjinën e tij. Ata e pushtuan botën me dashuri kur qielli ndriçoi tokën njëjtësisht me dritë. Teksa nata thyhej nga agu, Henrit i dukej se njohja mes tyre ishte aq e gjatë dhe e bukur sa ai udhëtim i paharruar. Po çlirohej nga mendimet dhe gjithçka i shfaqej e afërt...

Pra, në qendër të preokupimeve që ndeshim në këtë roman, vërejmë problemet që preokupojnë figurat që zhvillojnë jetën e tyre brenda subjektit të rrëfimit. Të gjitha ngjarjet identifikohen me fatin jetësor të njeriut me idilin, por edhe me jetën, traumat, shqetësimet etj. Të gjitha këto realitete gërshetohen dhe nxjerrin në sipërfaqe imazhe jashtëzakonisht interesante. Pra, kemi të bëjmë me një mozaik idesh, imazhesh, përfytyrimesh dhe refleksesh.

Edhe Maria është një figurë mjaft dimensionale dhe e rëndësishme në roman, e cila shpeshherë duke u rikthyer në reminishencë shpalos kujtimet e së kaluarës me plot dramacitet dhe plagët e shpirtit. “Ruaju nga kujtimet Maria, - i tha ë mëngjes Dalia. Ndonjëherë ato të vrasin.
“Jam kthyer në robërinë e kujtimeve, ndaj flas me veten”, - iu përgjigj Maria. “Dua të jetoj përsëriste shpesh mëngjeseve, kur nata çmpihej. Dhimbja mbetet pjesë e jetës”, pohonte ajo, e cila rrallë fliste për vdekjen, nuk i shqetësonte të tjerët me hamendjet e veta, ruante një logjikë të kthjellët, madje mbetej me shpresë se do të jetonte edhe ca vjet. “Jeta e njeriut është si jeta e stinëve”, - i tha një mëngjes Dalinës.
Në brendi të këtij romani gjejmë tema dhe motive të tjera tejet interesante. Gjejmë figurën dhe fatin e Linës, një figurë e përshkruar me dashuri, po ashtu një grua e bukur, me sytë e saj magjepsës me të cilat dashurohet gjithë qyteti, paraqet një të veçantë të saj. Po ashtu figura e Radikës karakterizohet me shumë të veçanta. Fati i saj është mjaft i nderë, sepse bie pre e dhunës dhe humb ndjenjat e dashurisë, nuk ishte siç ishte më parë, por u shndërrua në një njeri pa shpirt për të gjithë njerëzit që e rrethonin. Fatvana po ashtu prezantohet me karakteret e saj, përkatësisht idealit të saj dashuror. Adela spikat figurën e një prej personazheve me të veçantat e saj, po ashtu edhe Dora, profesor Maksi dhe angazhimet profesionale me hulumtimet e tij.

Romani i shkrimtares Violeta Allmuça, titulluar, “ Dashuria vjen nga jugu”, përmban gjithçka çfarë duhet të ketë një roman, po të kemi parasysh kriteret për romanet e shkrimtarëve cilësorë dhe kualitativë, të vërtetën, të bukurën, tronditësen dhe qartësinë.

Romani të mahnit me natyrshmërinë e vet: ngërthen frymë idile i cili ka edhe tablotë e tij tek njeriu tragjik, pa e humbur besimin tek jeta.
Motivi që shtrohet në rrafshin motivues, po ashtu forca e fjalës së shkruar artistike, figuracioni i gjallë dhe lakonizmi i shprehjeve, spikat edhe në këtë roman, si tipar i veçantë i prozës së shkrimtares Violeta Allmuça.

Romani “ Dashuria vjen nga jugu”, i Violeta Allmuçës, është një roman i cili ka pasuruar fondin e zhanrit letrar të prozës mbarëshqiptare, i mirëpritur nga lexues të shumtë dhe lexohet me endje. Në fund autores Allmuça i urojmë suksese në vazhdimësi dhe presim të na dhurojë vepra të tjera me vlera, siç ishte edhe ky roman i mrekullueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat