Gjergj Fishta dhe çështja kombëtare

Kultura

Gjergj Fishta dhe çështja kombëtare

Nga: Lush Culaj Më: 26 tetor 2020 Në ora: 08:47
Gjergj Fishta

Klerikët katolikë vendas si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Nikollë Kaçorri etj., duke filluar nga vitet e fundit të shekullit XIX dhe vitet e para të shekullit XX, luajtën një rol të rëndësishëm në ecurinë e nacionalizmit dhe në procesin e pavarësimit të Shqipërisë. Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ishte i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit. Ai kishte tre vëllezër dhe një motër. Familja e Ndokë Simon Ndocit qe shpërngulur nga Domgjoni i Mirditës rreth vitit 1800. U pagëzua me emrin Zef nga arbëreshi atë Leonardo de Martini, famullitari i atëhershëm i Troshanit. Për talentin që kishte shprehur, atë Marian Pizzochini nga Palmanova e Udinës, kërkoi nga prindërit e tij që ta shkollonin djalin. Prindërit nuk e refuzuan dëshirën e fratit. U përcaktua për prift. Më 1886 Fishta, vetë i gjashti xhakon, u nis për në Bos­një nga Urdhri Françeskan. Aty ndoqi studimet e filozofisë dhe teologjisë. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut. Sipas rregullave të urdhrit ndërroi emrin nga Zef në Gjergj. Shtrohet pyetja: Kur e mori Fishta emrin Gjergj? Përgjigjen e gjejmë në librin e Pal Duka-Gjinit, “Gjergj Fishta, Jeta dhe Vepra”, Assisi, 1992, ku ndër të tjera shpjegon se në letrën e datës 2 shtator 1892, dërguar eprorëve, për krijimin e një shoqërie të vogël letrare shqip­tare, Fishta nënshkruhet, Enea-Silvio-Giorgio Fishta. Dy emrat e parë si të tillë u zhdukën, duke i mbetur vetëm i fundit, Giorgio, në gjuhën kroate Jure, ndërsa, në shqip Gjergj. Me këtë emër e njohim edhe ne atdhetarin dhe poetin tonë. Pas tetë vitesh studime, në vitin 1894 shugurohet për prift françeskan. Në Bosnjë mësoi disa gjuhë të huaja si italisht, latinisht e serbisht. Atje bie në kontakt me njerëz të dijës e të penës. Takimi i hershëm i Fishtës me botën klasike, greke e latine sidomos më autorët e letërsisë italia­ne: Dante, Goldoni, Manzoni, Pascoli etj., shprehej evidente në punën e tij poetike. Meritë të madhe për përparimin intelektual, që për Fishtën ishte dhuratë e Zotit, kishin dhe bashkëkohësit e tij, rilindësit e spikatur të botës kroate si: Grga Martiq, Andria Kaçiq Mioçiq, Ivan Mazhuraniq etj. Në vitin 1894 kthehet në Shqipëri ku fillon punën në Kolegjin Françeskan në Troshan dhe famullitar në Gomsiqe. Më 15 shkurt 1907, me Shtjefën Gjeçovin, e themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Bashkëpunoi dhe themeloi së bashku me Prengë Doçin, Dom Ndoc Nikajn dhe Pashko Babin shoqërinë letrare Bashkimi. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, ku e vendosi shqipen si gjuhë mësimi.

Gjergj Fishtës

Fishta dhe Kongresi i Manastirit 1908

Gjergj Fishta përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i komisionit të alfabetit shqip. Pothuajse barra kryesore në Kongres bie mbi të. Në punimët e Kongresit për çdo ditë e kemi të evidentuar emrin dhe veprimtarinë e tij.

Kongresi u mblodh në Manastir prej 14-22 nëntor 1908. Ishte e para mbledhje e përgjithshme kombëtare pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit “i pari kongres shqiptar relati­visht përfaqësimtar, në të cilin merrnin pjesë shqiptarë, pa dallim feje e krahine të anëve më të ndryshme të vendit, duke u përfaqësuar shumica e madhe e trevave shqiptare krye­sore”. Në kongres morën pjesë rreth 50 delegatë nga klubet dhe shoqëritë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Vendimi për thirrjen e Kongresit të Manastirit nuk ishte indiferent edhe për shtypin evropian. Gazetat italiane, frënge, zvicerane etj., shkruanin se shqiptarët do të mblidhe­shin në kongres për qëllime politike, se kishin ndërmend të diskutonin çështjen e pavarësisë dhe se problemet e literaturës ishin vetëm pretekst. Ndërkaq shtypi i qarqeve fqinje, i tërbuar nga vendimi për thirrjen e kon­gresit për alfabetin, filloi fushatën e shpifjeve kundër shqiptarëve, duke propaganduar se shqiptarët janë barbarë dhe të paqytetëruar. Midis pjesëmarrësve në kongres shquheshin: Gjergj Fishta, Mihajl Grameno, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Hil Mosi, Ndre Mjedja, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Bajo e Çerqiz Topulli, Simon Shuteriqi, Nikollë Kaçorri, Fehmi Zavalani etj. Kongresin e kryesoi Mithat Frashëri. Kongresi zgjodhi një komitet për alfabetin të përbërë nga 11 delegatë me Gjergj Fishtën në krye. Ndonëse secili përfaqësues kishte ardhur i vendosur që ta mbronte alfabetin që parapëlqente dhe shumë prej tyre i shprehën mendimet, secili e kuptoi shpejt në atë përzierje idesh, se rëndësi kishte që të arrihej bashkimi. Delegati i cili kontri­buoi më shumë në krijimin e atmosferës së vëllazërimit e të mirëkuptimit qe Atë Gjergj Fishta. Ai e ngriti lart punën e “Bashkimit”, por tha në fund: “Unë s’kam ardhur këtu të mbroj cilindo nga alfabetet, por kam ardhur të bashkohem me ju dhe të adaptojmë atë alfabet që kongresi do ta vendosë e që është më i dobishmi për ngritjen e popullit”.

Kongresi i filloi punimet me një entuziazëm të papërshkruar. Në mbledhjet plenare, disa nga anëtarët, si M. Grameno e G. Cilka, shfaqën pëlqimin e tyre për alfabetin e Stambollit. Hilë Mosi propozoi që alfabeti i ri të bëhej duke i bashkuar të tri alfabetet kryesore, kurse L. Gurakuqi tha se do të ishte më mirë dhe për të mos i thyer zemrën askujt të përpunohej një alfabet i ri në bazë të kërkesave shkencore.

Këto alfabete ishin shfaqur dhe shumuar në periudhën kur kishin filluar të zhvilloheshin procese të rëndësishme ekonomiko-shoqërore dhe politike në Evropën Juglindore dhe në trevat shqiptare. Kongresi i Manastirit u mbyll më 22 nëntor. Pas shumë diskutimesh, me gjithë dëshirën dhe synimin për të cilin ishte mbledhur, nuk u arrit të caktohej një alfabet i vetëm, por u miratuan dy alfabete: ai i Stambollit dhe një alfabet i përbërë vetëm nga shkronjat latine. Ishte kjo zgjidhje, e cila, po të kihen parasysh kushtet politike të trevave shqiptare në atë periudhë kohore, vlerësohet si një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundim­tare të problemit të alfabetit.

Reduktimi i alfabeteve në dy dhe vendimi qe të përdo­reshin bashkërisht lehtësoi përhapjen e arsimit dhe diturisë tek shqiptarët. Kongresi i Manastirit, ndonëse përmbante një zgjidhje jo të plotë, pati një rëndësi të madhe politike për bashkimin dhe përparimin e mëtejmë të shqiptarëve. Duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin kryesisht në alfabetin latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe një herë vendosmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar.

Vendimi i Kongresit të Manastirit realisht e ndante arsimin dhe kulturën shqiptare në atë të proveniencës së toskërishtes dhe gegërishtes. Kundërshtarët e bashkimit shqiptar do të thonë: “Kur bën dy alfabete, pse të mos jetë edhe alfabeti i tretë dhe pikërisht ai arabo-osman?” Në favor të këtij alfabeti, fanatikët nga radha e shtresave shqiptare myslimane, do të mbështeten në qarqet qeveritare xhonturke dhe të qarqeve antishqiptare të fqinjëve në luftë kundër alfabetit latin, që sipas tyre ishte mjet i propagandës austro-hungareze.

Xhonturqit nuk guxuan të dilnin fillimisht hapur ku­ndër vendimeve të Kongresit për përdorimin e alfabetit shqip dhe t’ua impononin shqiptarëve përdorimin e alfabetin arab. Përmes përfaqësuesve të klubit të Stambollit, të cilët arritën në Kongres në fund të punimeve të tij, ata u përpoqën të siguronin njohjen e klubit të Stambollit si udhëheqës të klubeve shqiptare, por nuk patën sukses. Si klub qendror deri në kongresin tjetër, që u caktua të mbahej më 1910, u njoh Klubi i Manastirit.

Përfundimisht, Mithat Frashëri ia shpall Kongresit vendimin e komitetit, ndërsa Atë Gjergj Fishta, në cilësinë e presidentit të komisionit, argumentoi zgjedhjen e bërë. Ai theksoi se alfabeti i Stambollit do të mjaftonte vetëm sa për t’iu përgjigjur nevojave të kombit shqiptar, por për të botuar libra jashtë vendit dhe për telegramet, qe i nevojshëm një alfabet latin.

Sidoqoftë, atë që nuk e zgjodhi Kongresi i Manastirit, e zgjodhën përfundimisht vetë shqiptarët. Alfabeti i Stambollit, duke qenë laraman, më i vështirë dhe më pak prak­tik për botime librash etj., me kalimin e kohës filloi të dilte jashtë përdorimit. Ndërkaq, alfabeti i dytë, që u vendos në Kongresin e Manastirit, duke qenë më homogjen, më i lehtë dhe më praktik për botime librash etj., erdhi e u përhap gjithnjë e më shumë, duke marrë statusin e alfabetit të vetëm, të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Orientimi evropian i shqiptarëve nuk do të mund të profilizohej tërësisht vetëm me lëvizjen ushtarake, politike dhe diplomatike. Ai kishte nevojë edhe për gurë themeltarë kulturorë, të cilët nuk do të mund t’i lëvizte më pastaj asnjë rrethanë politike, dhe asnjë situatë. Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore, zgjerimi i shkollave dhe botimeve në gjuhën shqipe shtruan si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e gjuhës shqipe, në vend të disa alfabeteve që vazhdonin të përdoreshin. Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhësore, por një kongres kombëtar. Në ballë të debatit për alfabetin u vu Atë Gjergj Fishta. Personaliteti i madh sho­që­ror e politik, profili shumë i lartë shkencor dhe universalizmi enciklopedik e kulturor i Fishtës përbënin faktorët kryesorë për vendimin që mori Kongresi i Manastirit për përcaktimin e alfabetit shqiptar të bazuar në germat latine. Ishte ky një vetpërcaktim evropian i shqiptarëve. “Akademiku At Gjergj Fishta me këtë hap që udhëhoqi qëndron midis dy titanëve të mëdhenj të kombit: Abdyl Frashërit qe luftoi në krye të Lidhjes së Prizrenit për pavarësinë e Shqipërisë dhe Ismail Qemalit që do ta finalizonte ëndrrën e shqiptarëve për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.” Lidhja e Prizrenit 1878 - Kongresi i Manastirit 1908 dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 1912 ishin tri hallka të një zinxhiri të vetëm e të pandashëm dhe mungesa e secilës prej tyre nuk do të mund ta sillte Shqipërinë që e kemi sot. Kjo bën që Abdyl Frashëri, Atë Gjergj Fishta dhe Ismail Qemali të renditen ndër tre titanët që kontribuuan përmes profilit të tyre individual, respektivisht përmes politikës, kulturës dhe diplomacisë në hedhjen e themeleve të shtetit të ri shqiptar dhe të orientimit të tij proevropian.

Karizmin prej unifikuesi e shfaqi që në ditën e parë të fillimit të punimeve të Kongresit. Puna e Fishtës në këtë Kongres ndahet në tri etapa: etapa e parë, imediate, ku Fishta para të pranishmeve shpjegon nevojat e shqiptarëve për një alfabet si diçka e domosdoshme dhe të menjëhershme për shqiptarët; etapa e dytë, unifikuese, ku ditën kur zgjidhet kryetar i Komisionit Fishta del si një figurë unifikuese dhe; etapa e tretë, pedagogjike, ku Gjergj Fishta me fjalët e tij para nxënësve dhe prindërve shpjegon nevojat e domosdoshme që fëmijët të shkollohen në gjuhën shqipe. Mbi të gjitha, puna teorike dhe praktike e Fishtës ishte prej shtyllave të këtij kongresi.

Një angazhim të madh të Gjergj Fishtës e shohim edhe në Kryengritjen e Malësisë të Mbishkodrës të vitit 1911. Në korrik të atij viti ai ishte dërguar së bashku më Jak Serreçin dhe Luigj Bumçin në misionin përfaqësues në Podgoricë, në përpjekje për të ndërmjetësuar në mes kryengritësve dhe valiut të Shkodrës, mision i cili kishte dështuar.

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Qeveria e Vlorës u ballafaqua me disa dobësi nga brënda dhe jashtë. Qeverinë për ketë shkak e kundërshtuan edhe disa anëtarë të saj si Myfit Libohova, , Abdi bej Toptani, Mithat Frashëri etj. Me rrymën kundër Qeverisë u bashkuan edhe Faik Konica, At Gjergj Fishta etj. Fishta themeloi të përmuajshmen “Hylli i Dritës” më 1913 dhe u emërua drejtor i kolegjit françeskan në Shkodër. Është ndër themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Gjergj Fishta ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Më 1921 themeloi gjimnazin françeskan në Shko­dër. Po atë vit u zgjodh deputet në Parlamentin shqiptar dhe mori postin e nënkryetarit të tij. Ndërmori udhëtime me misione politike dhe atdhetare në SHBA. Gjatë vitit 1935-1938 mbajti funksionin e provincialit të Urdhrit Françeskan në Shqipëri. U zgjodh anëtar i Akademisë italiane më 1939. Ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940 në Shkodër.

Fishta në Konferencën e Parisit 1919-1920

Nga katër fuqitë kryesore fituese të luftës: Anglia, SHBA-ja, Franca dhe Italia, ve­tëm kjo e fundit ishte atëherë e interesuar që t'i përkrahte interesat te­rri­­toriale shqiptare në Kosovë, interesim ky që rridhte nga kontradiktat e Italisë me Mbretërinë SKS. Qeveria e Italisë ishte kundër ngritjes dhe konsolidimit të këtij shteti të ri në Evropën Juglindore. Duke mos pasur aleatë të tjerë mbrojtës, Qeveria e Durrësit u mbështet pikërisht në përkrahjen e Qeverisë së Ro­mës, me shpresë se do të për­fi­tonte në favor të çështjes kom­­bëtare. Mirëpo, pesha e kësaj qeverie si faktor ishte e vogël në krahasim me shtetet e tjera fituese, që i mbë­shtesnin pretendimet e Beogradit dhe Athinës. Interesat e shqiptarëve në Versajë do t'i përfaqë­sonin disa delegacione por delegacioni kryesor ishte ai i Qeve­risë së Durrësit në përbërje të: Turhan Pashë Mehmetit, kryetar, imzot Luigj Bumçit, Mehmet Konicës, Luigj Gurakuqit, dr. Mihajl Turtullit dhe Mustafa Krujës. Në kë­të delegacion patër Gjergj Fishta merrte pjesë si eks­pert. Shqipëria, në Konferencën e Paqes në Paris, me­rr­te pjesë në kategorinë e katërt dhe vetëm me letërkëmbim, ose në rast se e ftonte njëra nga pesë fuqitë kishte të drejtë ta dërgonte vetëm një delegat.

Kërkesat, të cilat Qeveria e Durrësit, në emër të po­pu­llit shqiptar, i kishte paraqitur Konferencës së Versa­jës, ishin:

1) T'i kthehet shtetit shqiptar pavarësia të cilën e kishte njohur dhe garantuar Konferenca e Londrës e vitit 1913.

2) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Malit të Zi me vendimet e Kongresit të Ber­li­nit dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913.

3) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

4) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

Këtyre kërkesave delegacioni qeve­ri­tar ua kishte bash­kë­ngjitur edhe hartën gjeografike të kufirit etnik të Shqi­pë­risë. Në këto vise je­tojnë mbi 2 milionë shqiptarë, ku më tepër se gjysma janë lënë jashtë kufirit shqiptar.

Konferenca e Parisit në Versajë

Shtrohet pyetja kush qenë ata të cilët e përfaqësuan Shqipërinë? Kush shkoi në Pa­ris? Është vetë Atë Gjergj Fishta, një nga kolosët e historisë sonë, është diplomati i vjetër Turhan Pashë Mehmeti, një personalitet i kohës, është imzot Luigj Bu­mçi, është edhe atdhetari i dalluar Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, një nga veprimtarët e kolonive shqiptare të mërgimit, pastaj Meh­met Konica.

Në fillim të Konferencës Komiteti i Kosovës, në pamundësi që të dërgonte menjëherë një dele­gacion të vetin për ta përfaqësuar dhe për të parashtruar kërkesat e tij, në emër të popullsisë shqiptare të Kosovës e konsideroi të arsyeshme t’i jepte të drejtë për përfaqësim delegacionit zyrtar shqiptar. Komiteti vuri si kusht përfaqësimi mbrojtjen e dy kërkesave kryesore të programit të tij themeltar. Së pari, kërkesën për pranimin e një Shqipërie vetëqeverisëse, të përjashtuar nga protektoratet e huaja e me kufijtë etnikë dhe së dyti, kërkesën për bashkimin me Shqipërinë të të gjitha atyre qyteteve dhe krahinave në shumicë dërrmuese me popullsi shqiptare, që ishin pushtuar e aneksuar nga Serbia dhe Mali i Zi më 1912. Komiteti i Kosovës i autorizoi për t’i përfaqësuar interesat e Komitetit edhe përfaqësuesin e qytetit të Shkodrës, Atë Gjergj Fishtën si dhe Mit’hat Fra­shërin. Kryesia e Komitetit i paralajmëronte në formë të prerë delegatët përfaqësues se, në qoftë se nuk përfilleshin dy pikat e lartpërmendura, nuk kanë të drejtë për ta përfaqësuar Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Ishin pikërisht dëshmimi kombëtar dhe besimi në atdhetarizmin e tij arsyet që Komiteti i Kosovës, pa hezitim, t’ia besonte përfaqësimin Gjergj Fishtës.

Më 27 qershor 1919, Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Lu­igj Gurakuqi ia dërguan nga Parisi episkopit katolik në Shkodër një telegram, në të cilin thuhej: “Jugosllavët po i shumë­fishojnë përpjekjet e tyre pranë Konferencës për të ane­ksuar Shkodrën, bregun e djathtë të Drinit, Lezhën e Mir­­­ditën. Prandaj, është tepër e rëndësishme që me shpej­­­tësi t’i sillet Konferencës nga ana e klerit katolik një pro­testë energjike kundër pretendimeve të tilla, duke dekla­ruar se elementi katolik shqiptar dëshiron të qëndro­jë në kuadër të Shqipërisë së pavarur.”

Nga 28 qershori 1919 në krye të delegacionit qeve­ri­tar të Qeverisë të Durrësit u vu Luigj Bumçi, ndërsa sekretar ishte Gjergj Fishta. Si duket Turhan Pashë Mehmeti e kuptoi se për të pasur gjasa fitimi ishte më e udhës që para kancelarive perëndimore të paraqitej një prift katolik sesa një ish-ambasador i Turqisë në Petërsburg. Në të gjitha orga­ni­zimet dhe angazhimet e mundshme Gjergj Fishta i qëndroi afër Bumçit dhe e mbështeste. Kontributi dhe angazhimet e tij ishin të veçanta. Ai përherë mbante letërkëmbim dhe korres­podencë me atdhetarët shqi­ptarë që nuk gjendeshin në Paris për t’i informuar për gjendjen në Konferencë.

Një pjesë e delegacionit u kundërshtuan si italofilë. Në një reagim kundër këtyre pretendimeve Gjon Shllaku do të theksonte: “ Dergata shqiptare në Paris, dhe At Gjergj Fishta si sekretar i saj tue u gjetun përball kërcënimit të lakmive të Jugosllaveve dhe Grekerve në njërën anë, e në tjetrën përball divergjencës të interesave që kishte Jugosllavia me Italinë, anuen dhe lypen ndihmën e Italis, por kurr nuk lypën mandatin ose protektoratin e sajë.” Pasi që situata ishte e disfavorshme për shqiptarët në Paris, Gjergj Fishta dhe Luigj Bumçi vijuan serinë e takimeve me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të përfituar në favor të Shqipërisë. Me interes ishte edhe takimi i Bumçit dhe Fishtës me kardinalin e Brukselit, Desidre Marcier. Kardinali mori përsipër tu shkruante autoriteteve të ndryshme qeveritare e kishtare për çeshtjën shqiptare. Gjithnjë në përpjekje diplo­matike në favor të vendit, Gjergj Fishta shkon me një mision diplomatik në Uashington, për t’u takuar me rrethet katolike në Senatin e Uashingtonit. Gjatë ndalesës në Londër, ai kishte takime pune me miq të kulturës shqiptare përfshirë edhe Edit Durhamin.

Dërgata shqiptare në Paris, përfshirë këtu edhe Gjergj Fishtën më 10 shtator 1919, përmes një letre, kërkon nga krye­tari i Konferencës së Paqes që të ndikojë te Qeveria e Beogradit që të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve brenda këtij shteti. Në mbledhjen e përbashkët të dele­gacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, më 7 tetor 1919, rreth për­mbajtjes së notës që do t’i dërgohej Konfe­re­ncës për çë­shtjen e pranimit ose të mospranimit të “asistencës” ita­li­ane, u dakorduan për të protestuar patjetër, pavarësisht se mendonin që Kon­ferenca vështirë se do t’i miratonte kërkesat e tyre.

Punë jashtëzakonisht të rëndësishme në dobi të at­dhe­ut bënte edhe gazeta “Dielli”, që dilte në SHBA. Në këtë konfe­rencë, drejtuesit e gazetës “Dielli” si dhe mbarë diaspora shqiptare e Amerikës kishin pasur shpresa të mëdha. Gjergj Fishta përpiqej që të mbante raporte të mira me udhëheqësit e gazetës “Dielli” dhe më të gjithë ata që do të kontribuonin për një zgjedhje të drejtë për shqiptarët në Konferencën e Parisit.

Pa dyshim se në faqet e gazetës “Dielli” nuk do të ana­shkaloheshin edhe kundërthëniet ndërmjet shqiptarëve dhe ajo dinte të ngrinte theksin autokritik. Kryeministri Mehmeti mbronte idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fi­shta e si duket edhe Mehdi Frashëri e Myfit Bej Libo­hova. Ndërkaq, Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndër­hyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatërisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës “Die­lli” binte në kundër­shtim me mendimin e Mihail Gra­menos, botuar në gazetën “Albania”, ku e gjykonte poli­tikën e Ko­nicës dhe Tortullit.

Aktiviteti i delegacionit tonë qeveritar në Paris ishte jashtëzakonisht i dendur gjatë ditëve të konferencës. Për kë­të punë dhe angazhim merita të mëdha ka pa dyshim edhe Gjergj Fishta, i cili u përpoq që shqi­ptarët të përfitonin maksimumin e kërkesave të drejta shqip­tare paraqitur kësaj konference. Këtë e tregon e dhëna se më 11 shkurt të vitit 1920, ky delegacion, në krye me Luigj Bum­çin, ku pa dyshim një kontribut të çmuar dha edhe Fishta, u dërgoi notë proteste përfaqësuesve krye­sorë të Konferencës së Paqes, nëpërmjet së cilës hidhte poshtë pikëpamjen, sipas së cilës populli shqiptar ishte i “papjekur” për vetëvendosje.

Raportet dhe bashkëpunimi në mes kryetarit të delegacionit Luigj Bumçit me Gjergj Fishtën ishin shumë të afërta . Këtë na e dëshmojnë edhe shumë dokumente të ko­hës. Edhe letra e Bumçit dërguar Papa Benediktit të XV për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës nga grekët ishte shkruar në bashkëpunim në mes Bumçit dhe Fishtës. Në fakt ishte pikërisht ky Papë që bëri përpjekje për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës. Edhe teksti i mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris nga imzot Luigj Bumçi, ipeshkvi i Lezhës, për shqiptarët dhe të drejtat e tyre ishte përgatitur për botim nga Gjergj Fishta. Fjalimi i cili kishte pasqyruar shumë qartë gjendjen e shqiptarëve ishte mbajtur në një sallë të Uni­versitetit katolik në Paris.

Në rrethanat e jashtme dhe të brendshme, të krijuara në fillim të vitit 1920, pozitat e Shqipërisë u bënë tejet kri­tike, por gjithashtu duhet thënë se nuk u përmbushën të gjitha kërkesat e shteteve gllabë­ruese fqinje. Edhe pse Kon­fe­renca e Versajës nuk i mori parasysh në vendimet e saj kërkesat e shqiptareve dhe të delegatëve të tij, për­pjekjet e atdhetarëve shqiptarë përbëjnë një dëshmi të paku­ndërshtueshme të vullnetit të shqiptarëve për të luftuar për mbrojtjen e pavarësisë dhe pacenueshmërisë së atdheut. Kjo dëshmohet edhe nga letra e Luigj Bumçit dërguar Luigj Gura­kuqit, më 4 prill 1921, në të cilën theksonte se për­kthimi i bleut të dytë “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”, të cilin do ta përkthente Gurakuqi, do të ishte një dëshmi e mirë që “prej përmbajtjes së notave e shkresave që vijojnë kën­duesit e ndershëm do ta shohin se dërgata shqip­tare nuk i asht largue asnjëherë udhës së marrë që në nisje. Në çdo kohë e në çdo rast ka qëndruar gjithmonë e patundur mbi pikat themelore të kërkesave kombëtare”.

Ndonëse nuk u realizuan pretendimet e shqiptarëve në Paris, në rrethanat e jashtme dhe të brendshme të krijuara në fillim të vitit 1920, ku pozitat e Shqipërisë ishin tejet kritike, rezultatet nuk ishin tërësisht për t’u nënvlerësuar. Në këto rrethana u arrit të paktën të ruhet Shqipëria si shtet. Pas Kongresit të Lushnjes Shqipëria filloi të rigjallërohej. Efektet e kontributit të Fishtës dhe shokëve të tij në aspektin diplomatik u panë edhe me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 19 dhjetor 1920. Figura moralo-politike e Gjergj Fishtës mbeti në me­ndjet dhe në zemrat e atyre që e njohën, e deshën dhe e çmuan si mishërimin e gjithçkaje burrërore, fisnike e të pas­tër, gjëra të cilat i karakterizojnë atdhetarët.

Në Parlamentin shqiptar në mbrojtje të bashkëkombësve

Më 21 prill të vitit 1921 nisi punën në Tiranë Këshilli Kombëtar, apo Parlamenti i parë i zgjedhur i shtetit të ri shqiptar.

Deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi kombëtar bashko­heshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus të plotë. Në këtë rast ata i bashkonte shqiptarizmi dhe ndjenja kombëtare, që ishte e fuqishme dhe vepruese në ndërgjegjen politike kom­bëtare të tyre. Në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921 Gjergj Fishta zgjidhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parla­mentit të Shqipërisë.

Kur deputetët e zgjedhur u nisën nga Shkodra për në Tiranë për hapjen e Parlamentit, qytetarët e Shkodrës kishte dalë në rrugë që t’i përcillte me muzikë. Gjatë përshëndetjes nuk do të mungonin as zotimet e Gjergj Fishtës para masës të tubuar se do të mbronin me dinjitet dëshirat e tyre. Kjo përcjellje nuk ishte e rastësishme, sepse Gjergj Fishta dhe të tjerët, me kontributin e tyre, ishin bërë simbol i qytetit ku ata po shërbenin. Përcjellja nga të gjitha shtresat intelektuale dhe religjioze ishte fryt i mundit të tyre për Shkodrën dhe shqip­tarët. Ndonëse Fishta ishte i zgjedhur deputet i Shkodrës, ai me diskutimet dhe kontributin e tij dëshmonte se merrej me probleme gjithëkombëtare. Fillimisht, Fishta në Parla­ment zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të bu­xhe­tit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desh ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues.

Qeveria shqiptare u përpoq gjatë vitit 1921 për t'i normalizuar marrëdhëniet me shtetet fqinje. Për jetësimin e kësaj dëshire ajo dërgoi një delegacion në Beograd për t'i propozuar Qeverisë të Beogradit arritjen e një marrëveshjeje.

Ky parlament, i mbledhur më 21 prill 1921, nga Prefektura e Shkodrës pati në përbërjen e tij këta deputetë: Gjergj Fishta, Halid Roji, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Maliq Bushati, Don Ndre Mjeda, Ndoc Pistuli, Kolë Thaqi, Riza Dani, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati dhe Patuk Saraçi. Këshilli Kombëtar, në prill të vitit 1921, diskutoi mbi dhunën që po i bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Pati shumë diskutime në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve të tyre të ngelur jashtë Shqipërisë politike.

Diskutimin e vet, deputeti Gjergj Fishta e filloi me mendimin se historia e popullit shqiptar është shkruar me gjak. Në vijim Fishta u shpreh: "Lajmi i zi që mijëra shqiptarë janë mbytur nga anmiku, sado qe do të ma therrte zemrën për dhimbjet, nuk do të na çudiste fort, po t'ishte kenë se kanë ra në luftë me pushkë në dorë e ballë për ballë t'anmikut. Por këta mijëra shqiptarë të masakruar të Kosovës nuk ishin djalmëria kosovare me armë në dorë që luftuan për liri e për nam të Shqipnisë, por janë pleq të mbetun, gra të mjera e foshnja të njoma". Deputeti Gjergj Fishta, duke përshkruar mizoritë, thekson se “nipave dhe stërnipave ka me ju dridh këmisha në trup kur t’i lexojnë këto mizori dhe se Parlamenti shqiptar jo vetëm që ka pasur të gjitha të drejtat për tu ankuar te Parlamenti i Beogradit por e ka pasur edhe detyrë”. Në vijim theksonte se “këta burra gra e fëmi nuk u grinë pse benë ndonjë faj, por vetëm se e deshmuan shqiptarësinë e tyre dhe duke e ditur se ekziston një Shqipëri e pa varur ju lutën ma të bukurit të qiellit për lulëzimin e shtetit të vëllezerve të vet. Ky është faji që vriten shqiptarët”.

Nga ana tjetër, pushtetet e mëdha në Konferencë të Paqes premtuan se do të siguroheshin të drejtat kombëtare e kulturore të të gjitha minoriteteve. (Fishta këtu flet me kompetencë sepse ishte vetë pjesëmarrës i Konferencës të Paqes, L. Culaj.). E dyta ishte shpresa që Shqipëria e lirë do të kujdesej për fatin e saj. Pra Shqipëria e lirë e ka për detyrë të përkujdeset për fatin e këtyre bijve të vet të mjeruar. Fjalimi i Gjergj Fishtës u përshëndet me duartrokitje të gjata nga deputetët tjerë në sallë. Përfundimisht, zoti Fishta deklaron se bashkohet me shpirt dhe me zemër me oratorët e tjerë në favor të angazhimit për mbrojtjen e vëllezërve të Kosovës, të cilët edhe në prag të varrit dëshmohen se janë shqiptarë.

Edhe propozimi i bërë nga Hasan Prishtina për dërgi­min e një delegacioni ose komisioni parlamentar në Romë, Paris, Londër e po qe nevoja edhe Uashington, u mbështet kryesisht nga deputetët e Drinit, si: R. Mitrovica, L. Gura­kuqi, M. Kruja, N. Mjeda, Gj. Fishta, H. Mushqeta, H. Kadriu, R. Daci etj., shumica e të cilëve ishin përfaqësues të Partisë Përparimtare. Ata këmbëngulën në dërgimin e një komisioni parlamentar, duke e konsideruar si veprim efikas dhe se heshtja dhe mosveprimi si parlament mund të sillte dëme për vendin. Me këtë rast pretendohej që veprimi i Parlamentit të ishte i pavarur nga masat që do t’i ndërmerrte Qeveria shqiptare.

Në fillim të vitit 1922 nisët për në Mbretërinë e Bashkuar dhe prej andej në SHBA. Takoj senatorë katolikë të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i partisë Republikane, duke berë kështu të mundur hapjën e dyerve për njohjën diplomatike të Shqipërisë së pavarur.

Deputetët shqiptarë, shumica e të cilëve ishin shkolluar në vendet e Evropës Perëndimore dhe disa nga ata ishin intelektualë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ishin të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike para atdheut, andaj në çdo seancë këmbëngulën që shqyrtimi i çdo problemi të bëhej nga këndvështrimi i interesave të Shqi­përisë dhe të shqiptarëve.

Fishta në Konferencat Ballkanike

Qeveria shqiptare ndiqte me interes zhvillimet diplo­ma­­tike në Evropën Juglindore. Qeveritë e këtyre vendeve filluan të vendosnin kontakte për t’i ngritur në nivel të ri marrë­dhëniet në mes tyre. Në rrethanat e krijuara, ish-krye­ministri grek, A. Papanastasiu, hodhi idenë e një konference ku do të diskutohej për mundësinë e një konfederate ballkanike. Në për­pjekje për të parandaluar avancimin fashist në Ballkan u bënë tri konferenca ballkanike.

Modeli i këtij bashkimi ballkanik pretendonte se do të ndërtohej në kuadrin e frymës së Lidhjes së Kombeve. Mo­toja do të ishte “Ballkani popujve të Ballkanit”. Pala shqip­tare u deklarua: “Jemi dakord që Ballkani u përket ballka­nasve por me të drejta të barabarta dhe pa dhunë të një shteti ndaj një shteti tjetër ”. Konferencat ballkanike u organi­zuan në kushtet e acarimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, kur Mbreti Zogu nuk kishte pranuar të zgjaste afatin e Paktit të Parë të Tiranës.

Qeveria shqiptare, morën vendimin që do të merrnin pjesë në Konferencën e Parë Ballkanike dhe do të dërgojnë në këtë konferencë një komision të përbërë nga Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri e Patër Gjergj Fish­ta. E kush mund ta kryente më mirë se Gjergj Fishta misionin e Qeverisë shqiptare në këto konferenca, njeriu, kleriku i cili gëzonte respektin e të gjithëve në Shqipëri, qoftë si klerik, qoftë si diplomat. Nga data 5 deri 12 tetor 1930 në Athinë zhvilloi puni­met Konferenca e Parë Ballkanike, ku morën pjesë: Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Jugosllavia dhe Rumania. Delegacioni shqiptar u deklarua se krahas punës për përgatitjen e paktit dhe Konfederatës, të zgjidhej me përparësi problemi i pakicave nacionale, pa të cilin as që mund të bëhej qoftë edhe një hap para në bash­këje­tesën ballkanike. Kjo kërkesë ishte e padiskutueshme. Pa sigurimin e të gjitha të drejtave popullsisë që jetonte në Jugosllavi dhe Greqi nuk mund të kishte mirëkuptim dhe qetësi në marrëdhëniet e këtyre tri kombeve. Së dyti, një pakt për ruajtjen e paprekshmërisë së vendeve ballkanike do të ishte efikas vetëm nëse në bazë të tij do të qëndronte mbrojtja nga sulmet e Fuqive të Mëdha. Diplo­macia shqiptare, në këtë mënyrë, synonte në radhë të parë mbrojtjen e Shqipërisë nga sulmi i mundshëm jashtëball­kanik, gjegjësisht i Italisë.

Kon­tributi i Gjergj Fishtës ishte jashtëzakonisht i madh. Argu­mentet e paraqitura nga diplomatët shqiptarë u vlerësuan nga të gjithë pje­sëmarrësit. Megjithëse Konferenca e Parë hodhi vetëm themelet e krijimit të këtij unioni, mund të themi që frytet e saj filluan të ndiheshin në rajon, sidomos në Shqipëri.

Më 19 tetor 1931, në Stamboll, u hap Konferenca e Dytë Ballkanike. Në Konferencë, Shqipëria u përfaqësua nga Mehmet Konica, Gjergj Fishta e të tjerë. Konferencën e përshëndeti presidenti i Turqisë, Mustafa Qemal Ataturku. Mbreti Zogu, para se të nisej delegacioni shqiptar, porositi Mehmet Konicën dhe Gjergj Fishtën, si udhëheqës, se do të ishte mirë që gjeja e parë dhe themelore që duhej të kërkonin të jetë diskutimi i problemit të shqiptarëve që jeto­nin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Përfaqësuesit shqiptarë në këtë konferencë prioritet kishin diskutimin e problemit të shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Pas darke ishte mbledhur një këshill, që, veç ministrave (ambasadorëve), përbëhej nga tre persona për çdo delegacion (tanët ishin Mehmet Konica, At Gjergj Fishta e Fazli Frashëri). Në këtë këshill, delega­cio­ni shqiptar deklaroi se plaga qëndron në çështjen e pakicave, prandaj më parë se çdo gjë tjetër, duhej të gjente zgjidhje kjo punë. Delegacioni shqiptar insistoi që për çështjen e pakicave të diskutohej në hollësi.

Me shumë interes është interpretimi dhe vlerësimi që i bëri kësaj konference Patër Gjergj Fishta, pjesëtar i dele­ga­cionit shqiptar. Ai nuk ishte shumë optimist për përfundimet e saj. Madje, në gjykimet e tij, duke iu referuar historisë së afërme të marrëdhënieve ballkanike të para njëzet vjetëve, nuk mungojnë dhe notat ogurzeza: “por mundët edhe me marue në vaj.. Dje të thuesh luftat ballkanike a nuk u grin e u coptuen ndërmjet veti katër Shtete të Ballkanit veçse u gjetën bashkë të lidhun me besë për pakë kohë kundra Turkut ?...” Me të drejtë Fishta konkludonte që shtetet e Evropës Jug­li­n­dore nuk shkonin në këto konferenca në kushte të barabarta. Vendimet e Konferencës së Londrës, të Parisit dhe të Lozanës për shqiptarët dhe bullgarët kishin lënë mbrapa mjaft probleme të pazgjidhura, si problemi i vëllezërve të tyre të mbetur jashtë kufijve.

Meritë e delegacionit shqiptar ishte që e mbajti të mbër­thyer akoma në agjendën e Konferencës Ballkanike çë­shtjen e pakicave. Mbledhjet e konferencave ballkanike dhe bisedimet e bëra për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, Qeverisë së Beogradit nuk i kanë bërë fare përshtypje, pasi që çdo ditë ajo i shtonte masat e shfarosjes e shkombë­ta­rizimit të shqiptarëve në Jugosllavi.

Konferenca e Tretë i zhvilloi punimet nga 22 deri 28 tetor 1932 në Bukuresht.

Qëndrimi i gjithë delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Gjergj Fishtën, ishte i prerë. Ata mbronin me këmbëngulje të drejtat njerëzore, në radhë të parë të vëllezërve të tyre jashtë Shqipërisë politike. Përveç delegacionit shqiptar, punimet e Konfe­rencës i braktisi dhe ai bullgar.

Fishta ndërron jetë

Edhe në vitet në vazhdim kontributi i Gjergj Fishtës dhënë çështjes kombëtare, fetare dhe letrare ishte shumë i madh. Ai, në shkrimet e tij, gjykonte dhe godiste edhe mbi dukuritë negative të shoqërisë dhe Qeverive shqiptare. Fishta sëmurët më 10 dhjetor. Më 14 dhjetor e sjellin në spital në Shkodër.

Është e natyrshme që kur ndërrojnë jetë personalitetet që me veprimet e tyre mishërohen me popullin, njerëzit të ndiejnë dhimbje, të pikëllohen, ndaj në shenjë respekti populli i nderon në mënyrën më të mirë të mundshme. I tillë ishte edhe Gjergj Fishta, i cili ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940 në Shkodër. Ceremonitë iu bënë në Kishën e Gjuha­dolit, nën përcjelljen e autoriteteve më të larta fetare dhe politike të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaqi, argjipeshkvi i Shkodrës. Shtypi i kohës e pasqyroi vdekjen e tij. Jehonë vdekjes të tij, krahas shtypit fetar dhe jo fetar në Shqipëri, i dha edhe shtypi botëror, sidomos ai italian, sepse personaliteti i Gjergj Fishtës i kishte kaluar kufijtë kombëtarë. Impresionues ishte edhe fjalimi i hoxhës, intelektualit dhe patriotit, Ali Kraja, në varrimin e tij, ku ndër të tjera do të theksonte: Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”. Në një vjetorin e vdekjes, françes­kanët mbajtën një meshë përkujtimore në Kishën e Gjuhadolit, ku ishin të pranishme shumë autoritete fetare e politike të kohës. Meshën e udhëhoqi Anton Harapi kurse fjalimin para të pranishmëve e mbajti Lazër Shantoja, duke e ngritur në piedestalin më të lartë figurën e Gjergj Fishtës.

Pushteti komunist me valë lindore, karshi kulturës perëndimore me qendër françeskanët e Shkodrës, zhvarrosi eshtrat e tij. Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës, me urdhër të strukturave të shtetit komunist, zhvarrosen nga Kisha Fran­çeskane e Gjuhadolit. Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës. Eshtrat mblidhen dhe futen në një thes çimentoje, ndërsa qëndrojnë për tri ditë në njërën nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit. Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër.

Gjergj Fishta është ndër figurat më të shquara të kombit tonë. Ai zë vend të rëndësishëm në historinë shqi­ptare të gjysmës të parë të shekullit XX. Me luftën e tij për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit, la vu­lën e vet të pashlyer në analet e historisë. Nuk ka ngjarje të ma­dhe politike, shoqërore e kulturore në çe­rekshekullin e shek. XX ku të mos ketë qenë prania e tij, të mos ketë spikatur patriotizmin e demokratizmin e tij. Kjo figurë e shquar ngrihet akoma më madhështore në piedestalin e historisë po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat