Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Cikel poetik nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 27 tetor 2020 Në ora: 08:12
Marjeta Shatro Rrapaj

NDODH

Që shpirti të trazohet prej fjalëve,

që buzëqeshja të largohet fare

e loti të flejë në sytë e zbehur.

Mjegulla të endet realitetit pa dritë,

kurse buzët të pëshpëritin lutje,

veç për botën me diell,

duke hedhur krahëve retë e trishtimit

Kur fshehin kaltërsinë e qiellit

e vargjet të ziejnë në deje

që ditët e zymta të largohen shpejt

e ylberi i fantazisë të puth erën

Që sjell melodinë e radhës

për dritën e fjalës së shenjtë

që mundohet t'i vishet shpirtit

e ai e qëndis në sytë që vezullojnë

Në simfoninë e ndjenjave

për panoramën e lumturisë në detaje,

magjepsur nga emocionet e pafundme

në skenën e jetës kthyer në amfiteatër,

ku legjenda vazhdon të luhet

nga fryma pa fre

në ëndrrat më të bukura

takuar përsëri Universit

Në prologun e lojës së impulseve

të teksteve të pashkruara ende...

SHPRESË PËR...

Ka shije të hidhur humori

që rrjedh prej dhimbjes

bashkë me përvojën,kujtimet

nga zhdërvjelltësia e fituar me kohën

Mbi lulet e pafajshme të dëlirësisë

që vdesin çastit prej shiut të rrëmbyer

që u thyen petalet,gjethet,kërcenjt

e u përmbyt rrënjët

Si brishtësinë e Ofelisë në lumin e lotëve

e ku e qeshura e humbet trysninë

si mbrëmja humbet mbi ditën,

në ndryshim radhe,stine

Në zgjatje pritjeje,ardhjeje

po kurrë në kapërcim vdekjeje.

Ngadalë rrokullisen vitet

e rënkojnë zgjimit të shpirtrave

Nga ëndrrat e pafjetura,

ku marrin frymë thellë Zotat

që qeshin,qajnë e kryqëzojnë fatet

në apostrofe ndjenjash për krijesat

Që u arratisen përgjegjësive

për lumturinë e tyre të gjallimit

në përhumbje të epshme gëzimi

për ndërtim të botës nga fillimi

Më të bukur se dje

ku hëna të bëhet diell

e horizonti të mbushet me dritë të re.

PAFUNDËSI PËRJETIMI...

Era i përkund mendimet

e i shtyn larg,

atje ku lumturia s'ka fund,

atje ku humbasin kufijt

Atje ku përflaket dielli,

atje ku shpirti lahet në tejdukshmëri

e ku me vete mbart fatin tim,

fatin e heshtur,fatin e shkruar

Ku përulësia puth ëndrrat

e i zgjon prej gjumit.

Dhe ashtu kapur te njëra-tjetra

marrin rrugën e realizimit

Pa nyja,pa përdredhje,pa thyerje,

pa shpërbërje,pa çarje shprese

si dritëza të arta në mendje

që zbukurojnë livadhin e ndjenjave,

Zbrazur prej ndrojes

që pengon shpeshherë rrjedhën,

ku jehona e shpirtit largon mjegullën

e trishtimit të dëshirave të mohuara

Për përkorjen e paplotë të kthjellimit,

ku koha mat hapat

e brejtjet e pandërprera të ndërgjegjes

për çfarë është mirë e keq

Në tingujt e thjeshtë të zërit gjallues,

ku jeta zhvishet

me shpirtin lakuriq

para realitetit të dhimbshëm

Të limfës në ndryshim,

mahnitur nga befasitë e poezisë

që vlon brenda lëkurës

për të jetuar 1000vjet

Në boshin e Askundit,

ku Zot jam vetëm unë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat