Shënohet Dita e Trashëgimisë Audio-vizuale

Kultura

Shënohet Dita e Trashëgimisë Audio-vizuale

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 18:32
Shënohet Dita e Trashëgimisë Audio-vizuale

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Vlora Dumoshi, gjatë një aktiviteti sot me rastin e Ditës së Trashëgimisë Audio-vizuale në Muzeun Kombëtar, ka thënë se kjo ditë ofron një mundësi për t’u njohur me rëndësinë që kanë dokumentet audio-vizuale si pjesë historike e trashëgimisë sonë kulturore.

Ajo me këtë rast ka folur edhe mbi rëndësinë e dokumenteve audio-vizuale për dokumentimin e së kaluarës.

Dumoshi: MKRS është në proces të digjitalizimit të institucioneve tona

“Kjo ditë ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm, nevojën për ndërmarrjen e masave urgjente, por mbi të gjitha për të njohur rëndësinë e dokumenteve audio-vizuale, filma, video-incizime dhe programe radio-televizive. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që së bashku të ndërmarrim veprime të dokumentojmë të kaluarën, por të njëjtat t’i mbrojmë dhe t’i prezantojmë për gjeneratat e ardhshme. Ne si MKRS jemi në proces të digjitalizimit të institucioneve tona, me një dokumentim, i cili është duke u realizuar në të gjitha pjesët në Kosovë, të cilat janë pjesë historike e trashëgimisë kulturore, por edhe shpirtërore që i kemi dhënë një rëndësi të madhe”, ka thënë Dumoshi.

Edhe ish-ministri i MKRS-së, Valton Beqiri, ka thënë se procesi i digjitalizimit është shumë i rëndësishëm.

Beqiri: Digjitalizimi është shumë i rëndësishëm

“E dinë të gjithë se në arkivat e institucioneve tona duke filluar nga Radio Prishtina e dikurshme, tani Radio Kosova, ekzistojnë një numër i madh i veprave të incizuara, të cilat janë ende në sirtar të institucioneve e që presin të digjitalizohen në formë shumë më të mirë. Procesi i digjitalizimit nuk është i njohur aq edhe te ne, andaj është një perceptim i gabuar se ai nuk është i rëndësishëm. Të gjithë duhet ta dini se procesi i digjitalizimit është shumë i rëndësishëm por edhe kërkon kohë të gjatë të punës”, ka thënë ai.

Krejt në fund, para të pranishmëve, u lansua një audio-dramë, rrëfim i një gruaje, e cila ka përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës, për të treguar kështu rëndësinë e dokumentimit dhe digjitalizimit të trashëgimisë së luftës.

Ndryshe, Dita e Trashëgimisë Audio-vizuale u zgjodh nga UNESCO në vitin 2005, me qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve audio-vizuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat