Në gojë të arushës

Kultura

Në gojë të arushës

Nga: Qamil. S. Dardhankodra Më: 30 tetor 2020 Në ora: 09:27
Qamil. S. Dardhankodra

Dy vetë po prejshin dru në Kopilaçë, - Malsia e Shkupit. Ishin ulun e po pushojshin kur pa prit e pa kujtue e panë nji arushë që po vinte kah ata. Këta u shashtrisën kur e panë arushën dhe banë mend me u ngjitun nëpër lisa e me shpetue prej saj. Arusha erdhi nja 20-30 hapa afër tyne dhe u ndal – u ndal - për çudi u ndal dhe po uluronte ashtu si përvajshëm. Uluronte dhe nuk luente prej vendit dhe “bante me dorë” kah këta.

E ngritte kambën e parë dhe e luhatte e vështronte kah këta. Njani prej tyne tha se “kjo arushë ka diçka” që po bante kështu me kambë e po i thirrte, tjetri vendosi me shkue e me e pa se çfarë halli kishte arusha e ky tjetri tha mos me shkue se kështu arusha po do me i mashtrue e me shkue e me i hangër po i pari tha “u ba çka u ba unë due me shkue te arusha” dhe u nis e shkoi. Arusha e shtrini kambën e parë dhe “ia dha këtij”.

Ky e pa se në shputë i paska pas hymun jo nji therrë po nji çepojkë, u mundue me ia nxjerr me gishta e me thoj po kot, kur nuk bani kështu atëherë u afrue dhe me dhamb ia nxorri arushës çepojkën nga kamba. Për falenderim arusha u soll dy-tri herë rreth tij dhe u nis kah kishte ardh.

Asht mirë me u ditun se në cilin vend e në cilin katund ndodhi kjo ngjarje dhe kush qe ky burrë i dheut që pati gjithë atë guxim e shkoi e u rras në gojë të arushës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat