Karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” vazhduan aktivitetin kulturor në Klinë

Kultura

Karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” vazhduan aktivitetin kulturor në Klinë

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 15:02
Foto Ilustrim

Karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, manifestimin e përvitshëm letrar trekufitar e filloi gjatë fundjavës në Pejë, me ekspozitën e akademikut Zuvdija Hoxhiq-Berisha “Gjurmë Kosove”, e cila do të qëndrojë e hapur për dy javë.

Aktivitetet letrare vazhduan në Klinë me vizitën në muzeun privat “LYRA” ku u pritën nga shkrimtarët dhe artistët e kësaj komune si dhe pronari i muzeut Gjon Gjergjaj, kryetar i Klubit Letrar “Vorea Ujko”. Ndërsa, bashkërisht realizuan mbrëmjen poetike “Teuta” për laureatët e saj”, dedikuar Xhevahir Spahiut si dhe poetit erudit Moikom Zeqos, për ikjen e hershme të të cilit mbrëmja u fillua me një minutë heshtje.

“Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”

Në emër të “Teutës”, për poetin e shquar dhe laureatin e sivjetmë të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”, Xhevahir Spahiun kumtoi prof. Agim Vinca, i cili e vlerësoi ndër poetët më të talentuar dhe më origjinal të poezisë shqipe.

“Poezia e Xhevahir Spahiut është e gjerë, nga pikëpamja tematike e artistike e shprehjes. Poezia e tij është univers i tërë që prek problemet qenësore të mbijetesës tonë si komb, por edhe të natyrës njerëzore në përgjithësi. Sepse, Xhevahir Spahiu përveç se është një poet shumë shqiptar është edhe poet universal. është kryesisht poet i vargut të lirë që i përgjigjet më shumë temperamentit të tij krijues, por e kultivon me sukses edhe vargun e lidhur. Xhevahir Spahiu është poet i cili godet me forcë të madhe shprehëse dhe hyn në grupin e krijuesve që e ruajtën dinjitetin e fjalës edhe në kohën e monizmit. Por shkëlqimin e plotë e arritën pas vitit 1990 kur ra diktatura dhe sistemi letrar i imponuar nga realizmi socialist”-shtoi prof.Vinca, sipas të cilit, Xheavir Spahiu është jo vetëm poet brilant, sikurse Kadareja Agolli, Arapi etj. , por edhe përkthyes i shkëlqyer  i poezisë.  

“Dhe kridhem ne gjumë krejt i sigurt, se zgjimi do te jete ringjallje…!”

“”Teuta” sa pasurohet vit pas viti duke nderuar përfaqësuesit e denjë të letërsisë shqipe dhe malazeze, poaq po varfërohet me ikjen e tyre, siç ndodhi sivjet me laureatin e 5-të, eruditin e rrallë të historisë e traditës së qytetërimit shqiptar, Moikom Zeqo, tha ndër të tjera shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj e cila shtoi se: “Poeti mendimtar e njihte vdekjen ndaj triumfonte përtej bindjes: “Do vdes shpejt…Por edhe i vdekur do vazhdoj të shkruaj…!”Për të lënë pas vetes edhe vargjet monumentale si Amanet të fundit: “Dhe kridhem në gjumë krejt i sigurt, se zgjimi do te jete ringjallje…!” – tha Beqiraj, kryetare e “Teutës” për të shtuar se Moikom Zeqo, në strukturën poetike të tjerrur me atë filozofike, dëshmoi se është vetvetja, i papërsëritshëm dhe titan i rrallë, ndërsa vepra e tij u ngrit si obelisk drithërues i tingullit, fjalës, mendimit dhe bindjes SHQIP me të cilën fshikulloi guximshëm të gjithë ata që heshtin për trinomin Pellazgo-Iliro-Shqiptar.

“Moikom Zeqo – Portat e hapura të artit dhe dies”

Ndërsa, studiuesi letrar Prend Buzhala, në kumtesën e tij “Moikom Zeqo-Portat e hapura të artit dhe dies tha se: “Ndonëse këtë vit Moikom Zeqo kaloi në përjetësi, pas vetes na la një thesar të madh veprash të publikuara që kalojnë numrin mbi 100 tituj. Moikom Zeqo është njëra ndër figurat epiqendrore të letrave shqipe dhe humbja e tij është e pazëvendësueshme për  kulturën dhe letërsinë tonë në përgjithësi. është tejet e rëndësishme se në të gjithë librat e tij spikat fuqishëm identiteti kombëtar shqiptar dhe rrënjët e tij të lashta deri më sot. Shkrimi nuk mbyllet kurrë siç nuk do të pushojë vepra e Moikom Zeqos së lexuari asnjëherë”.

“Muzat e Alpeve” mbyllin aktivitetin në Petnjicë

Mbrëmja vazhdoi me këmbime kulturore dhe interpretim poezish nga poetët e pranishëm, së cilës e udhëhequr nga Vilson Culajt i priu artisti Xhevat Limani, . “Ndonëse si autor i 12 librave dhe si aktor ,shkrimtar, dramaturg dhe regjisor,  nuk e di ku notoj më shumë, ne liqen, në det apo edhe në oqean, në të cilin u mësova të notoj me themelimin e Teatrit Shqiptar në Amerikë, të përzgjedhësh një cikël poetik nga tërë vëllimet dhe botimet e poetit kombëtar Xhevahir Spahiu, është njësoj si nga ujët e oqeanit të zgjedhësh ujin e Drinit dhe të Vjosës. Mirëpo përzgjedhja ka qasje dhe përgjegjësi subjektive andaj le të na falin ajo duzinë e madhe perlash poetike që nuk mund të përmblidhen në kuadër të librit Moji dugovi (Borxhet e mia) zgjedhjen e të cilave e bëmë me Ajetë Beqirajn, në koordinim me Orgesin , birin e denjë të Xhevahir Spahiut dhe me pëlqimin e autorit, sigurisht”-tha në fjalën e tij të shkurtër Xhevat Limani, i cili në kuadër të mbrëmjes poetike deklamoi poezinë-titull të kësaj përmbledhjeje “Borxhet e mia”. Ndërkohë u shfaq edhe rezymeja e edicionit të 7-të “Muzat e Alpeve 2019”, i mbajtur në Tivar, në Lezhë dhe në Prizren, në kuaër të të cilit  Cmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” ju pat ndarë akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha.

Aktiviteti “Muzat e Alpeve 2020″mbyllet në Petnjicë

Edicioni i 8-të i Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020” u mbështet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Komuna e Pejës dhe komuna e Petnjicës. “Muzat e Alpeve 2020” të nesërmen vazhduan aktivitetin në Petnjicë,  ku u pritën nga pjesa tjetër e shkrimtarëve të karvanit “Muzat e Alpeve”për të promovuar bashkarisht përmbledhjen me poezi të përkthyera “Andjeli propovjedaju jutrom” të prof.Agim Vincës, si dhe botimin e librit të tretë të “TEUTëS”, “Moji dugovi” nga opusi poetik i Xhevahir Spahiut, në përzgjedhje të Xhevat Limanit dhe Ajetë Beqirajt si dhe ne përkthim të Nikollë Berishajt. Po në këtë komunë të re të Malit të Zi do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”  për poetin e shquar shqiptar Xhevahir Spahiun. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat